Hamdi Thaçi: Kujtim për dy prillin e vitit 1981, në Drenas, ish-Gllogoc

“Dialogu i pabarabartë” 

Pranvera e vitit 1981 po vinte më e jashtëzakonshme se pranverat tjera, bile mund të themi më e jashtëzakonshme së gjithë pranverat që kishin defiluar në ato 40 vitet e kaluara.
11 marsi i këtij viti shpërtheu me një buçitje që tronditi në themel përgjumjen e barkë mëdhenjve në kolltukët e buta të turpit , pushtetarët e verbër në shërbim të Beogradit të të dy gjeneratave, kreatorët gjakpirës të politikës shtypëse kundër shqiptarëve , uniformat blu dhe ato të hirta të të gjithë Jugosllavisë.
Buçitja e 11 marsit po shënonte një ngjarje të madhe historike: Ajo lajmëronte fundin e rrugëtimit të shqiptarëve robër dhe serbëve sundues. Ajo datë shënonte bifurkacionin e interesave serbo – shqiptare, të cilët tash e tutje do të derdheshin në dy dete të ndryshëm, për të mos u përzier kurrë as në një oqean të përbashkët.
Ditët po kalonin dhe në shpirtin e çdo shqiptari po vlonte e përvëlonte diçka e madhe: lufta për ta flakur zgjedhën e robërisë, me çdo kusht dhe patjetër. Kjo frymë liridashëse po bulonte edhe në Gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit. Aty ishte mbledhur gjithë nektari i Drenicës, i cili reflektonte dritë diturie dhe flakadanë lirie.
Profesorët bisedonin në besë me njëri tjetrin dhe si në heshtje merreshin vesh për një dëshirë që edhe të na , solidariteti me qendrat tjera në Kosovë , të manifestohet me një demonstratë. Nga njëherë na trondite dyshimi se a do të ketë trima që do t`ja fillonin kësaj beteje edhe këtu? Një dyshim që të lenë pa besë! Po si nuk ka trima në këtë djep të trimërisë e të sakrificës? Në muret e shkollës, në banka e në tabelë, në fletore e në çanta të nxënësve , gjithë kund, shkruhej “Kosova Republikë”, ose shkurt “KR”. Kjo ishte dëshmi e fuqishme së diçka e madhe po përgatitej. Ymer Elshani, drejtor shkolle, me urtësinë e tij që tejkalonte urtësinë e atyre që e rrethonin, kishte urdhëruar të fshiheshin parullat, por mos të lajmëroheshin në Komitet. Fëmijë janë këta, ishte arsyetuar ai. Në notesin e tij intern kishte shënuar: më datën x, 350 parulla, në datën tjetër 400, në tjetrën mbi 400 e kështu me radhë.
Komiteti dhe UDB-ja e kishin të ndaluar dhe të pamundur për të depërtuar në bedenat e kalasë sonë. Aty komandonte Ymeri. Vetëm sahanlëpirësit e pushtetit, ata që duhet ta ulin kokën të turpëruar nëse janë në këtë sallë, dërgonin informata në “milici” dhe “komitet”, të cilët ishin bërë sy e vesh , por as nuk shihnin as nuk dëgjonin.
Kosova Republikë ishte bërë tmerri jetësor i tyre. Kosova Republikë ishte fundi i zingjirëve në qafën e shqiptarëve , prandaj për çanaklëpirësit ishte humbje.
2 prill 1981. Ditë e dalluar nga të tjerat. Disa re të rralla zhdavariteshin , me një trishtim e hare bashkë, në qiellin e trazuar të Drenicës. Një diell sa shkëlqyes , aq edhe përcëllues. Një përcëllim i pazakonshëm për fillim të prillit.
Diçka do të ndodhte, e parandienim të gjithë. Por, a do të ndodhte si dëshironim?
Edhe zilja e kishte cingërimën më të zbehtë , atë ditë. Sikur thërriste të dilnim e jo të hynim në shkollë. Diçka më e fuqishme, më buçitëse po thërriste në oborrin e shkollës.
Fjalët u ndalën. Tik-takët e zemrës rriteshin, thuajse ia dëgjonim goditjet në kraharor njëri tjetrit. Orë e madhe po troket. Kthej kokën kah dritarja dhe shoh siluetën e Enveri hipur mbi një veturë duke i lexuar kërkesat e parashtruara në demonstratat e Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt…
“Kosova Republikë” , thërret Enver Dugolli. Thirrja e tij dhe brohoritja e të tjerëve thuajse tundin Qyqavicën.
Athua, pyes vetën, ku e merr gjithë këtë zë Enveri thatanik, Enveri i heshtur, që ulej në bankën e parafundit, pranë dritares, dhe kurrë nuk fliste pa e pyetur. Jehona e zërit të tij po lëvizte nga vendi çdo gjë: Nxënësit, arsimtarët, bankat, shkollën. Jehona e zërit të tij po p ngjallte edhe të vdekurit nga varri. Ai po fliste pra për historinë: Azem Galica e Shota, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Shaban Palluzha, Fazli Grajçevci. Në fjalimin e tij po defilonin luftëtarë të lirisë të periudhave të ndryshme të sublimuar në figura të reja historike. Pranë Enverit shoh Skënderin, Ismetin, Elmijën. Të gjithë shkrihen në një zë:”Kosova Republikë”. Pas tyre rreshtohen nxënës nga të gjitha klasat. Aty shoh: Malësoren, Besnikun, Xhezidën, Ismailin, Dritën, Hanumshahën, Menderesin dhe gjithë të tjerët. 
Kolona liridashëse po marshonte drejt qendrës së Drenasit. Pranë pompës së benzinës kishte zënë pozicion një kordon i pistë i milicisë, që kishte marrë përforcime nga qendra, dhe dukej i pakalueshëm. Disa hapa para kishte dalë komandanti. Priste ndonjë gradë t’i rritej në këto momente vendimtare.
Dilemën : kalohet-s`kalohet e zgjidhi pa vonesë Shota. Ajo , vajzë topolake, sikur fluturon shqiponja mbi gjahun e saj, fluturoi para turmës disa hapa, duke vringëlluar një gurë që goditi në lule të ballit komandantin e milicisë, Jonuzin. Në vend të gradës në krah , mori gradën në ballë gradën e turpit. Gjak i zi i rridhte. Ndoshta ashtu dukej nga reflektimi i uniformës së huaj. Kordoni u trand. Demonstruesit depërtuan dhe u ndalën para Kuvendit Komunal, aty ku po hartohej plani për ta shpëtuar Beogradin.
Nostalgji turpi.
Kryetari i komunës , i frikësuar se do humbiste pozitën nëse e humbë Kosova robërinë, i mashtruar hutueshëm si edhe shumë karrieristë në hierarkinë zingjirore deri në Beograd, kërkesat e drejta të shqiptarëve kishin frikësuar shumë tartufë, nuk ishte i vetmi për fat të keq. Kur demonstruesit u drejtuan kah “Ferronikeli”, ku shpresonin që atje tu bashkohen punëtorët e kombinatit, kryetari kishte dhënë urdhër që milicia të hapte zjarr kundër demonstruesve, edhe pse ata nuk kishin bërë as më të voglin dëm, përveç se duke brohoritur “Kosova Republikë”, ashtu po dëmtonin prangat e robërisë dhe kolltukët e miopëve hipokritë. “Ata donë ta shkatërrojnë Ferronikelin…”, ishte hakërruar i gjori, dhe urdhri ishte zbatuar. Gjaku rrodhi nga trupat e njomë të nxënësve demonstrues, por frikë nuk kishte.
Brohoritja shkonte deri në qiell. “Republikë e Kushtetutë, ja me hatër ja me luftë”. Mijëra gurë, ashtu si bien breshëri nga qielli, ranë mbi kordonin e mavijosur të milicisë. Kordoni u shpërnda pa komandë, që dëshmonte se nuk kishin qenë dakord më urdhrin e kryetarit.
Dita e enjte e 2 prillit e vitit 1981, po ngrysej në mënyrën më të ngadalshme nga të gjitha ditët që kam përjetuar deri atëherë. Ajo ishte dita më krenare dhe më e rëndë në këto tridhjetë vitet e fundit. Dalëngadalë turmat po shpërndaheshin . Të rinjtë e të rejat drenicare po ktheheheshin nga një betejë, që shënonte fillimin e një lufte që nuk lejonte kthim mbrapa. Ata ishin krenar si brez që nisen ketë luftë , por kishin edhe dhembje se nuk e dinin sa shokë ishin plagosur dhe mos kishte shumë të vrarë. Shifrat luhateshin me amplituda të mëdha!
Kur u siguruam se nxënësit tanë u shpërndanë përtej qytezës, disa nga profesorët, ndoshta nja 15-16 u kthyem në shkollë, rreth orës 16.00.
Në zyrën e tij po rrinte drejtori. Fytyra e tij shprehte një dëshirë të realizuar dhe një maturi për të nesërmen
. “Djema, në dy gjëra duhet të keni kujdes: Emra mos jepni dhe mos flisni keq për njëri tjetrin. Këta ( pushtetmbajtësit ) do të na vërsulën, por nuk kanë se çka na bëjnë, nëse na do të jem tok. Fundi i fundit , pa marrë para sysh së çka do të ndodhë …ne do të jem fitimtarë. Me këtë rini që kemi ne mund të krenohemi para botës.”
Shikimi i tij dhe ato pak fjalë thoshin shumë. Ai e dinte mirë se Juda ishte aty, prandaj nuk e zgjati shumë. Edhe sot më tingëllojnë ato fjalë të urta e këshillëdhënëse: ”Emra mos jepni… Mos flisni keq për njëri tjetrin!” Kjo nyje, më vonë e pamë, ishte enigma pa rebus që donin me çdo kusht ta zbërthenin UDB-ja dhe Komiteti.
Më një zë që nuk detyronte Ymer Elshani na tha: Sonte është një mbledhje në Kuvendin Komunal. Na kanë ftuar se paska ardhur, Veli Deva. Nëse doni, është mirë të rrini.
Në mbrëmje, kur terri po mbulonte tokën ngadalë, sikur donte ta përmblidhte në vete gjithë atë që kishte ndodhur në këtë ditë të madhe, në Sallën e Vogël të Kuvendit, po mblidheshin rreth 15-16 profesor të gjimnazit. Tok me ta e sypatrembur edhe drejtori, Ymer Elshani. Ishim të fortë me të. Ai nuk frikësohej dhe nuk gabonte. Ec pas tij dhe kurrë nuk do ta humbësh rrugën.
Në sallë pritëm një kohë. Gjatë asaj kohe dikush lëshonte ndonjë mahi, dikush bisedonte me tjetrin për ndonjë detaj të ditës. Ende të gjithëve na buçiste ajo brohoritja e flakëruar, plotë zjarr :”Kosova Republikë” Dikur, në dritën e zbehtë të sallës që ndriçohej dobët, u dukën tri silueta njerëzish, të cilat pos atyre siluetave nuk kishin asgjë njerëzore. Së ç`me erdhi një fjalë e urtë por nuk mund as t`ja qëlloja as ta largoja. Fjala e urtë , tash me kujtohet thoshte: ”Dy të pa shpirt, një pa krye”. Mua mu tek ta them me vete kur i pashë: “Dy pa fytyrë një pa sy”. Dhe dot nuk mund ta zbërtheja atë fjalën e urtë që doja , por edhe kjo binte mirë. Këta ishin Veli Deva, Xheladin Sahiti dhe Mehmet Maliqi. Nuk mbaj mend nëse dikush u lëkund nga vendi, por mbaj mend se në atë moment që hynë në sallë ato silueta njerëzish, përjashta , në plepat afër dritareve të sallës, korbat e mbledhur filluan një protestë të çuditshme, shumë të fuqishme e të zhurmshme, sa që nuk mori kush vesh nëse na përshëndetën “mirëmbrama” apo jo. Edhe shpezët po protestonin kundër këtyre hijeve, që para së të vinin të na, për të na sharë e kërcënuar, kush e dinte së çfarë intrigash kishin thurur, nga frika që po i mbyste sepse po i humbasin lidhjet dhe privilegjet nga Beogradi.
Fjala e parë “përshëndetëse “ e kryetarit ishte:” Ky është organizatori I demonstratave”, duke drejtuar gishtin drejt Ymerit. “Ky është fajtori dhe organizatori kryesor”, duke shikuar Veliun, me një shikim që donte të thoshte s “ e zbulova Amerikën” e ju tash pushtone atë. Ishte akuzë e rëndë për kohën, një kërcënim hakmarrës, cinik e primitiv. Heshtje që fundoste. Më shumë dëshironim të na thoshte “këta janë” organizatorë e përgjegjës, sesa të zbrazte gjithë mllefin në një pikë: aty ku ishte shpresa jonë.
Ymeri nuk bëzani. E shikoi më një shikim që do të thoshte: ”sa i mjerë je”!>br> Veli Deva ia zgjati dorën :”Si je shok drejtor”- i tha. Pastaj ia zgjati dorën edhe Musli Haxhiut, të cilit si në qesëndisje i tha : “Edhe ti me demonstruesit, a?”
“Edhe unë, i tha Musa, edhe pse u përpoq ta ruaj neutralitetin para tyre, përgjigja e tij shprehte admirimin për ditën e sotme.
Ky mini dialog sikur e freskoi pak atmosferën e rëndë të fillimit të këtij takimi. Mirëpo…
Uvertura e mbledhjes filloi me sharjet e kryetarit që zbrazi mbi nacionalizmin , separatizmin, irredentizmin dhe gjithë izmat tjerë që kishte pjellë me shtërzim Beogradi, gjëma ë të cilave po ndihej edhe në Drenas. Dhe gjithë strumbullari i së “keqes”, sipas kryetarit , ishte Ymer Elshani , i cili, kishte më shumë se një vit që nuk kishte lejuar as udbashë as komitetlinj të hynë në ndërtesën e Gjimnazit.
“Fol shok drejtor, tha Veli Deva, me një zë kërcënues, krejt ndryshe nga fillimi, që “s`ja zinte dufin xhamadani”. Hajde Ballaban Pashë , hajde, sesi mu kujtuan vargjet e “Gardës krutane” të Kolë Jakovës.
Ymeri e mori fjalën: Shkolla jonë ka mbi 1500 nxënës. Rreth 400 prej tyre janë vajza. Ka edhe 100 profesorë, shumica prej tyre të diplomuar. Nxënësit tonë janë të disiplinuar dhe mësojnë shumë. Nga viti në vit kemi një rënie të mungesave dhe ngritje të suksesit. Meritat për këtë i kanë profesorët e vyeshëm të shkollës sonë, të cilët i mësojnë dhe i edukojnë drejtë këta filiza të njomë. Po ashtu kemi një bashkëpunim të mirë edhe me prindërit…
Në shkollën tonë punojnë: “Grupi letrar”, “grupi dramatik”, “grupi muzikor”, “historianët e rinj”, “grupi i artistëve të rinj”, “grupi i BAT-it”, klubet e ndryshme sportive të fudbollit…
-Boll ma, e ndërpret Xhela me një hakërrimë që shprehte trishtim dhe sukses. Trishtim se çka po dëgjonte dhe sukses se e zuri fajtorin. A e sheh, i drejtohet Veliut? Ky i fundit i jep leje me shikim Ymerit që të vazhdojë.
Në shkollën tonë, vazhdon drejtori qetë, nxirren dy fletushka: një letrare dhe një historike. Natyrisht gjithë këtë punë madhështore nxënësit tanë e bëjnë nën drejtimin dhe përkujdesjen e profesorëve të vyeshëm, dhe lëshon një vështrim krenar kah ne.
– Shok drejtor, ndërhyn Veliu, i cili shihej së mëzi mbante mllefin, sot çka ka ndodhë?, leri ato përralla!
– Shoku Veli, vazhdon qetë, Ymeri, ne në shkollën tonë kemi rendin dhe disiplinën më të mirë nga të gjitha shkollat në Kosovë. Nxënësit tanë nuk pinë duhan, nuk pinë raki, drogë, sikur ndodhë në qendrat urbane. Na mburremi me ta. Në mesin e tyre ka shumë vajza, dhe kurrë nuk ka ndodhur asnjë e keqe, që do t`i qite hije të keqe shkollës dhe femrës shqiptare…
– Sot, sot tregomë çka ka ndodhur. Trego çka ke ndërmarrë që mos të ndodhë kjo që ka ndodhur, kjo që na ka turpëruar para gjithë botës, thirri Veli Deva, duke shprehur shqetësimin e tij.
– Sot ka ndodhur një demonstratë, tha Ymeri gjakftohtë, pa e cilësuar atë si armiqësore, irredentiste … Të gjithë e pritnim aty. Ky ishte Rubikoni që Ymeri e kaloi me urtësinë dhe guximin që e kishte. Demonstratat ishin rezultat i asaj që ka ndodhur në mbarë Kosovën. Dhe këta djem e vajza tona e kanë shprehur solidaritetin me moshatarët e tyre, në njëfarë mënyre i kanë imituar të tjerët, e zbuste situatën drejtori. Sot e kemi humbur mësimin , por do ta kompenzojmë një ditë tjetër. Të rinj dhe të aftë janë ata, do ta zënë atë që e kanë humbur sot.
“Dhe vetëm kaq?” bërtitën si në kor të tre, por përsëri ia lanë fjalën Veliut.
– Shok drejtor, tha Veliu, prita se t’i do t`i dënosh, të thuash se këto kanë qenë demonstrata armiqësore. Ti s`ma the se ishin të tilla. Ti nuk na the se kush i organizoi ato. Ty të takon kjo ta thuash, por do ta them unë. Në Drenicë sa herë ka lëvizur diçka kundër shtetit , sa herë ia kemi heqë petën lakrorit, i kemi gjetur të njëjtit armiq, bijtë e ballistëve. Ata që dëshirojnë ta shkatërrojnë bashkim -vëllazërimin me serbët e malazezët e të tjerët, ata që dëshirojnë ta shkatërrojnë Jugosllavinë. Në fytyrën e tij shprehej një dhimbje e neveritshme për këtë humbje, kurse dy të tjerët habiteshin me gjakftohtësinë e drejtorit tonë. Ju nuk jeni të vetëdijshëm ta kuptoni se çka ju ka ndodhur juve këtu sot, na drejtohet neve arsimtarëve, Veli Deva, duke na kërcënuar por edhe duke lypur ndihmë e përkrahje.
Na heshtnim si gurë. Si ata gurët që nuk bëjnë zë, por janë pengesë në rrugë, të cilët as nuk mund i luan as nuk mund i shfrytëzon. Demonstratat i kanë organizuar armiqtë e Jugosllavisë, bijtë e ballistëve po se po. Por, shprehte habinë i nevrikosur, ku shihej së ju ka mbështjellë lëmshi dhe nuk i shërbente formula e vjetër. “Si është e mundur demonstratat t’ua udhëheqë Ismet Sopi? Po baba i tij kishe ka qenë komunist? Po këtu në Drenicë janë krejt një…armiq, nuk ka dallim mes komunistëve e ballistëve! Më nuk kemi çka të zgjasim, tha Veliu, mbasi elaboroi sipas tij gjithë situatën e jashtme e të brendshme, por për fund tha: dëgjoni mirë : Nëse nesër dalin prapë nxënësit tuaj në demonstrata, na do t’i vrasim. Do t`i vrasim të gjithë. Do tua bëjmë ma zi se në luftën e Shaban Polluzhës! hingëllonte egër e kërcënueshëm Ballabani. E bëri dorën grusht dhe me shpinën e saj e goditi tavolinën. I nxehur si në turrë jezuitësh, vazhdonte të fyente e të shante. Të gjithë do t`i vrasim. Do t`ua kjamë nanën popullit të Drenicës. Nuk do lamë njeri mbi klasën e katërt fillore. Nuk na vyen kësi intelektualësh. Vetëm kryetari krekosej për aleatin trim që i kishte thënë ato, që ai nuk kishte guxuar t`i thotë ose nuk i kishte rënë ndërmend. Një heshtje tunxhi ra në sallë. Para një kërcënimi dhe fyerjeve të tilla nuk ishim të qetë. Me një mospërfillje, me ngritje në këmbë e krismash me karrige për fjalimin e tij fyes dhe primitiv, u mbyll “dialogu i pabarabartë”. Koha tregoi se Ymeri doli fitues.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …