Zenun Gjocaj: Roman i një historie të përjetuar ( Vështrim letrar për romanin “Burgu” të autorit, A. Qeriqi)

Kthesat jetësore, politike e kombëtare, drejt përpjekjeve për çlirimin e Kosovës, sollën kthesa edhe në letërsi. Bartësit dhe ideologët e luftës çlirimtare, pos tjerash, formuan një letërsi të vuajtur me lëkurën e tyre, me flijime e aktivitet të gjallë formash të ndryshme, me burgosje e tortura, qoftë edhe të paguar me kokë. Letërsia e re e realitetit të ri politik e kombëtar, sikur nuk ka shkuar më tej se në rrafshin e një monografizimi të portretizuar e të thjeshtë historiografik të shkruara jo gjithaq nga penat e sprovuara.
Në romanin „Burgu“ të Ahmet Qeriqit, burgu, si një realitet i gjerë dhe kompleks, artistikisht autobiografizohet. Është roman i përzier me karakteristika publicistiko-historike e autobiografike të tubuara rreth boshtit ideo-artistik të qëndresës e luftës për liri. Subjekt i veprës bëhet burgu si realitet i një episodi politik e jetësor, ndërsa qëndresa morale e detyrës së të burgosurve si realitet politik. Andaj, proza artistike e A. Qeriqit i referohet filozofisë së qëndresës së patundur jo vetëm të identitetit kombëtar. Aty funksionalizohet vuajtja, dëshpërimi, gëzimi, dhembja, krenaria individuale e kombëtare, besimi në fitore ndaj të së drejtës, ndonjëherë dëshpërimi, por kurrë pesimizmi, nënshtrimi a përulja.
Pos tjerash, vepra ka rëndësi letrare-dokumentare, po ashtu si „Meditimet në arrati“, i botuar dy vjet më parë, i cili flet për jetën njëvjeçare në arrati dhe pasqyrimet psiko-analitike të të arratisurit. Romanin karakterizojnë dhe e bëjnë tërheqës çiltërsia, gjuha e qartë, e rrjedhshme, e pastër dhe e pasur, shkathtësia e shprehjes, mjeshtëria e përshkrimit herë faktografik, herë artistik, të realizuara nga stili i rrjedhshëm që të rrëmben. Aq më tepër, kur paraqet një botë, si të thuash, nëntokësore të panjohur gjithaq prej shumicës së popullatës me të gjitha veçoritë e këtij institucioni aq të vjetër dhe aq të pakëndshëm për njeriun e pafajshëm, shkaktuar nga një pushtues i tërbuar, larg normave njerëzore.
Ndryshe nga proza e shkruar para 150 vjetësh e Pashko Vasës „Burgimi im“ (1850) e nga vepra i shkrimtarit italian S. Pelicos „Burgimet e mia“, romani i A. Qeriqit është i liruar nga ngjyrimet romantike, nga shfrimet emocionuese, nga akuzat ndaj kundërshtarit, nga ndjenjat sentimentale e lutjet për falje apo lirim. Është dëshmi e një pjese të luftës së guximshme të një patrioti e luftëtari të vendosur për liri, përcjellë me përjetime të vërteta, me përsiatje psiko-meditative të vëna në shërbim të shprehjes artistike.
„Burgu“ i A. Qeriqit është roman i parë autobiografik në radhë të parë, me elemente historiko-politike, publicistike e psiko-meditative. Siç thotë simboli i rezistencës e shkrimtari i shquar shqiptar, A. Demaçi në parathënie të kësaj vepre, romani është „një tërësi artistike tërheqëse… ku pasqyrohet një faktografi autentike dhe kronologjike të një periudhe fort të rëndësishme e dramatike të veprimtarisë sonë politike, atdhetare e çlirimtare“, kombinuar me ngjyra politike, psiko-meditative, publicistiko-historike, e finesa të tjera të ndryshme që e plotësojnë veprën. Është një episod vetëjetësor, i ngritur në prozë historiko-letrare e nisur nga përjetimet e autorit – Eknat Malmirit, një prozë më tepër psiko-meditative e tipizuar nga monologu i brendshëm, i plotësuar me dialoge gjithfarësh, karakteristike për burgun, në qasje me karaktere të ndryshme, madje edhe vulgare, politike e jopolitike të natyrave të ndryshme pozitive e negative të çfarëdo kombi e race.
Vepra e vë në qendër përshkrimin artistik të një realiteti e të një periudhe të rëndësishme të luftës për liri, që e vuri në lëvizje mbarë popullin shqiptar të Kosovës e më gjerë dhe formoi një epokë të re në historinë kosovare, përgjithësisht shqiptare. Si i tillë, kjo vepër e plotësoi një kërkesë të madhe të paraqitjes së luftës për liri, të sakrificave sublime, anipse të rrezikshme, për t´i paraqitur artistikisht stoicizmat e krenarinë e heronjve të atyre kthinave, të përjetimeve të vërteta, atë forcë të madhe morale, politike, përgjithësisht patriotike, të mijëra të rinjve e të rejave, që ua kushtuan jetën idealeve për liri.
Përkundër tendencave e synimeve të institucionit e institucionalistëve, në burg tjerret një filozofi verbale ideopolitike e gjithënjerëzore midis të burgosurve politikë e jopolitikë, pa dallim kombi, pos te ato karaktere të lindur për keq.
Qëndresa heroike, synimet madhore për të mirën e atdheut, fryma patriotike, gatishmëria për flijime, përpjekja për unitet, orientimi i drejtë ideo-politik, si dhe besimi në fitore, janë tiparet kryesore që e karakterizojnë romanin. Te fundi kush më tepër mund ta paraqiste besnikërisht jo vetëm faktografinë e jetës së asaj nëntoke, më mirë se vetë autori i burgosur e i torturuar disa herë?
Vepra trajton shtresime karakteresh të ndryshëm pozitivë e negativë, si: të dëgjueshëm, të padëgjueshëm, indiferentë, frikacakë, denoncues, të vendosur, të diferencuar, militantë, ashtu si ishte realiteti politik e kombëtar. Personazhet meditojnë, flasin, mbijetojnë, veprojnë, i shfaqin ndjenjat, refleksionet e tyre për ngjarje, rrugë e mënyra se si të iket nga më e keqja që u kërcënohet në unin e tyre e jashtë saj, tipare këto nuk vareshin prej tyre. Eknati e mbarë Kosova vihet në rreth të hekurt. Por, as trualli as banori shekullor i tij autentik, nuk gjunjëzohen, as nuk braktisen, siç dëshiron pushtuesi. Përndryshe do të ndodhte si te shumë popuj e troje të tyre të tjetërsuara kombëtarisht. Synohet ndjenja e sakrificës, stoicizmit, qoftë edhe me vdekje, edhe pse ka mundësi t´i iket. Personazhet e dorës së parë e të dytë të të burgosurve politikë, nga viktima të bllokuara të historisë, ngrihen në figura krijuese të vetëdijshme revolucionare, në daç të vërteta, që sot po gjallojnë politikisht e institucionalisht, në daç artistike me vlerë të përjetshme. Në të dyja rrafshet kemi të bëjmë me personazhe të ngritur mbi nivelin jetës së thjeshtë. Roli i patriotëve të burgosur e bashkëmendimtarëve të pa burgosur ishte i lidhur ngushtë me ndryshimet e thella në psikologjinë e tërë popullit në zgjimin e vetëdijes së luftës për liri. Burgu bëhet jehonë, rrezatim e magnetizim ideo-politik i masave popullore që zgjon nga gjumi edhe mendjet e fjetura, ashtu siç pat rrezatuar ideali i A. Frashërit me shokë, i Isa Boletinit, i A. Bejtës, i Sh. Palluzhës, i M. Krasniqit e i A. Demaçit, i përhapur si radiovalë deri në ndërgjegjen e bashkëkombasve. Ishte ripërtërirje e një dialektikë e vazhdueshme shekullore e pa ndërprerë brez pas brezi: një palë luftëtarësh të pushkës e të penës kishin rënë për liri, kur të tjerët ishin të gatshëm të bëjnë të njëjtën gjë, siç pat ndodhur së voni me Fazli Grajçevcin e Zija Shemsiun, një palë po binin në fushë të betejës, si R. Mala, N. Berisha etj., kur të tjerët mësynin të bënin po atë vepër heroike; një palë burgoseshin, kur të tjerët vepronin në ilegalitet, e të fundit të gatshëm për çdo përkrahje, derisa edhe disa indiferentë u magnetizuan, pos tradhtarëve të lindur e majekreje të shitur. Kështu, burgosja masive vuri në lëvizje shtresat e gjëra të topitura nën peshën e rëndë të shtypjes serbomadhe. Tiparet e personazheve të burgosur politikë ishin: dashuria e madhe për atdhe, idealet e larta për liri, gatishmëria për flijime, shpirti heroik i sakrificës dhe vendosmëria për luftë të vazhdueshme deri në vdekje.
Subjekti i romanit është ndërtuar mbi bazën e përzgjedhjes e kronologjisë së ngjarjeve të vërteta, të imponuara nga pushtuesi, andaj struktura organike është e imponuar, sepse fati i heronjve varet nga rrethanat e brendshme të burgut dhe ato të jashtme politike. Bërthama organizuese e romanit shtjellohet në bazë të përjetimeve fizike e psikike të kryepersonazhit, në qasje me të tjerët, shqiptarë e joshqiptarë, politikë e jopolitikë, varësisht nga e gjuajnë valëte jetës.
Ngjarjet revolucionare e politike të kohës brenda e jashtë burgut kryesisht lidhen me fatin e një personazhi kryesor – me Eknat Malmirin. Përjetimet e këtij personazhi janë tipike për të gjithë të tjerët e kësaj klase, pa defetizëm, ligësi, pa dilema e pa dhembje shpirtërore. Synimi i të burgosurve ishte që të përgatitën për jetë, por edhe për vdekje, ashtu siç ndodhi më vonë, ku disa sish ranë heroikisht në altarin e lirisë, në fushën e betejës. Burgu si shkatërrues i dinjitetit të pafajshëm, siç ishin të burgosurit politikë, përkundrazi e kaliti dhe e pajisi Eknatin me zgjerimin e horizontit politik e mendor, kombëtar e ndërkombëtar, të kuptimit të drejtë e të thellë të filozofisë politike e jetësore, e cyti shpirtin krijues dhe i zhvilloi te ai aftësitë e mëtejshme organizuese. Ai u bë shembull e burim i virtyteve të mira, drejt një interesi e një qëllimi të caktuar për farefisin politik e kombëtar. Si i tillë, ai e kishte shndërruar burgosjen në art, shkencë, filozofi e politikë.
Të burgosurit u qëndrojnë stoikisht sprovave të rënda. Njëkohësisht pajisen me përgatitje për jetë e luftë të mëtejshme, nëse kanë fat të mbijetojnë. Vepra nxjerr në shesh forcën e madhe të karakterit, cilësitë e tyre të larta morale jo vetëm politike. I ndërtuar mbi bazën e parimit të kontrastit, ziheshin në një kazan karakteret ndër më të ndryshmit: shqiptarë-joshqiptarë, politikë-jopolitikë, pozitivë-negativë, fisnikë-kriminelë, liridashës-pushtues, fisnik – i pamoralshëm, gjaknxehtë – gjakftohtë, trim – frikacak, fetar – pagan, pushtetar – civil, heroik-qyqar, besnik – tradhtar, me ideale të larta –me instinkte e motive të ulëta, madje deri në nivel shtazarak, shprehje morale-sjellje e shprehje banale, që vetëm burgu mund t´i grumbullojë përditë e për natë nga anë e motive të ndryshme. Është botë më vete, me moshë të vjetër, sa edhe vetë njerëzimi i organizuar.
Për shkak të prirjes së lindur e të fituar të vlerave të çmuara kombëtare, intelektuale e njerëzore, Eknati bëhet epiqendër, stabilizator, kultivues e farkues i vlerave morale e fisnike. Karakteri i tij i fortë e i vendosur lë përshtypje të lakmueshme edhe te indiferentët, eprorët, madje edhe në radhët e armikut, anipse ndonjëherë pati të atillë që nuk e mirëkuptuan gjithaq, sidomos për qëndrimin e drejtë parimor, tiparet njerëzore, qëndresën fisnike e sjelljet skofiare intelektuale.
Romani ka dy vija paralele me kahe të kundërta. E para, është vija e qëndresës heroike të patundshme, që i jep jetës kuptim e krenari. Eknati dëshpërohet që e lirojnë. Ai nuk e bën hesap vdekjen, nëse lëvizja do të përparojë, por nuk e lakmon jetën, nëse ajo do të shuhej. Vija e dytë është jeta e njeriut të pushtuar nga instinktet e motivet e ulëta pa ideale e pa vlera njerëzore, që e përgatit vdekjen me një fund të turpshëm, siç ishin hajnat, kriminelët, robët e drogës etj.
Për shkaqe autobiografike, Eknatit i shkon përdore t´i stilizojë motivet me interes për botën nëntokësore më tepër në mënyrë mozaike e ndërlidhur së jashtmi e së brendshmi. Jo pa qëllim autori i ik abstrakcionit, duke flijuar pak a shumë artin e mirëfilltë. Për këtë arsye, vepra nuk vuan nga iluzionet, as nga pesimizmat. Historicizmat, politizimet e përjetimet autobiografike të zhveshura e largojnë nga iluzionet e tepruara dhe nga fantazia krijuese. Si i tillë, romani është paraqitje e drejtpërdrejtë e vrojtimit epik e psikologjik, më tepër e drejtuar nga motivet e përjetuara, sesa nga stilizimet e trilluara. Arti flijohet për shkak të paraqitjes së vërtetësisë jetësore. Tekefundit, artin e ka krijuar vetë jeta. Romani është vepër episodesh, ngjarjesh tapiserike, krizash nervore e shpirtërore të shkaktuara nga torturat konkrete e të tërthorta mbi vete e mbi të tjerët. Është një botë e veçantë e autorit – Eknatit me bashkëveprimtarë të kohës së vet, që u përfundua me sukses, pa e ditur kushdo se do të dilet aty ku doli puna, ndryshe nga fati i disa popujve që edhe sot e kësaj dite kanë mbetur në baltë (si fati i palestinezëve, çeçenëve etj.).
Eknati jep shembullin e një figure gjithënjerëzore, kryesisht kombëtare me mirësjellje skofiare, të maturisë së qëndrimit e shprehjes, që lë përshtypje autoritative, madje edhe te pala pak a shumë e kundërt, siç ishte drejtori i burgut të N. Sadit, etj. Figurat njerëzore e karakteret e ndryshme brenda burgut ia kujtonin Eknatit personazhet e romaneve të lexuara. Dihet se nëpër burgje kalonin karaktere të ndryshme njerëzish për vepra të mira e të këqija. „Në burg takonte njerëz që kishin vese ujqish dhe egërsirash të tjera, vese dhelprash e langonjsh, vese lepujsh e derrash. Ata i manifestonin ato, sa herë që iu lejonte momenti..Kishte takuar sa e sa egërsira me pamje njeriu, sidomos në burgun e Gjurakut, por edhe në Suboticë. Dhe raca njerëzore në përgjithësi e në veçanti, shpirti i njeriut në vetvete dukej i paemancipuar, i dobët, i lakueshëm, me prirje për mashtrim, lakmi, egoizëm e vese të tjera të liga. Në të gjitha aspektet pajtohej me filozofinë e Frederikut të Madh„ konstatime aq të qëlluara sa i kishte mësuar përmendsh…“. Sipas tij „më tepër se tri të katërtat e njerëzimit janë krijuar për të qenë robër të përjetshëm“ (f. 226). Meditimet e tilla e shpien në universin filozofik të botës njerëzore e fizike. I pajisur me horizont të gjerë filozofike-letrar e shkencor, autori tjerr fije të holla prej mendimtari të thellë të krijimit të gjithësisë. „Qenia njerëzore ende nuk ishte liruar nga pjesa e vet gjenetike shtazore. Ndoshta kurrë nuk do të mund të lirohej nga vetvetja. Sepse njeriu ishte krijuar nga dheu, nga toka me të cilën gjallonte dhe pjesë e së cilës ishte. Në fizikun e njeriut hetohen të gjitha elementet përbërëse të tokës, por të modifikuara. Ashtu si planeti që përbëhet nga tri të katërtat me ujë, edhe organizmi i njeriut është në gjendje të lëngët….. Autori e pranon se „vetmia në burg ia imponon vetëm anët e errëta njerëzore“ (f. 227). 
Në burg Eknat Malmiri studionte karakteret e temperamentet e ndryshme të njerëzve, racave, besimeve e traditave të ndryshme. Ai mendonte se, „nëse dilte gjallë nga burgu, do të përshkruante jetën në burg, meqë kishte ç´të rrëfente… Rruga ishte e gjatë, e mundimshme, plot pengesa dhe të papritura, por ai nuk dorëzohej. Nuk dorëzohej edhe atëherë kur e fyenin, as atëherë kur mundi e trishtimi i vinin deri në fyt“ (f. 290). Këto përsiatje filozofike me domethënie, që ai i quan „meditime nihiliste për njeriun e botën e tij të papërmirësueshme“, me të cilat arrihet kulmi i meditimeve të tij që i japin veprës kuptim të thellë artistik, filozofik e shkencor, të motivuara nga vetmia në burg, ia cytnin anët e errëta të jetës njerëzore. Logjika e shëndoshë, e formësuar përmes përgatitjes së gjithanshme intelektuale e shkencore për anët e mira e të liga të jetës, e shpie autorin të gjejë edhe anët e favorshme të burgut, të cilat e ngushëllim dhe e forcojnë shpirtërisht Eknatin. „Vetmia në burg megjithatë kishte disa favore. Ofronte qetësi për të studiuar dhe për të mos menduar për hallet e të tjerëve“ (f. 227)
Karakteri i fortë i Eknatit nuk thyhet, por paksa ligështohet para vështirësive të familjarëve, torturave të ushtruara të bashkëburgosurve politikë shqiptarë, sidomos të rinj, para grindjeve, më rrallë rrahjeve të panevojshme midis tyre, por edhe në momentet kur u ishte ndaluar përdorimi i gjuhës shqipe në vizita me familjarët. Është një pasqyrë e zezë e vuajtjes së brendshme, të shkaktuara nga rrethanat e jashtme në burg e jashtë tij. Kishte edhe përsiatje të një gjendjeje gjakftohtësie ideopolitike, sidomos në atmosferë të debatimeve grupore, si ato për rrymat politike aktuale, ku autori tregon një logjikë të shëndoshë. Sipas tij „Marksizmi në praktikë sikur kishte çaluar. Marksizmi dogmatik ishte zvetënuar. (f. 303)
Përmes gojës së Eknatit jepen veçoritë e karaktereve njerëzore, psikologjike e politike të personazheve të tjerë: Bajrë Dermi kishte gjykim të matur e aftësi të logjikimit të drejtë teorik; Xhat Vaja e Shar Ala, të pathyeshëm me qëndrim militant; Met Zeri, intelektual i formuar, me kapacitete origjinale vrojtuese, me diapazon të gjerë njohurish e aftësi logjike për njohjen e fenomeneve shoqërore, historike e revolucionare; Sak Dermi ishte i sinqertë e i drejtë, por me aftësi të kufizuara e bindje dogmatike. Ndërkaq, vetë Eknati „nuk shfaqte dyshim në mësimet e dialektikës mbi botën, universin dhe parimet fundamentale të filozofisë materialiste, mirëpo kurrsesi nuk mund të pranonte marksizmin si të vërtetën e patjetërsueshme dhe të vetmen filozofi të pagabueshme…e cila kishte çaluar“ (f. 303). Pjesa e lirë e të burgosurve politikë shndërrohet në debate ideo-politike e filozofike për çështje ndër më të ndryshmet, me qëllim të gjetjes së të vërtetës mbi botën, shoqërinë e jetën e saj, me qëllim të përgatitjes për jetë e luftë të mëtejshme për liri. Këto debate, biseda e meditime lehtësonin jetën në burg, e kalitnin dhe e orientonin drejt karakterin e të burgosurit politik shqiptar në rrethanat e vështira të kazamateve jugosllave. Me gjithë mospajtimet e mëdha e të vogla ideo-politike, të burgosurit politikë ishin unikë në planin kombëtar. Eknati ishte ndër shtyllat e harmonizimit njerëzor për të gjithë ata me të cilët mund të merrej vesh, pa dallim feje e kombësie. Ideologjia e tij me shumicën sish, ishte e orientuar në drejtim të çlirimit kombëtar në radhë të parë. Ndërkaq, burgu e shpie edhe në kërkim ideopolitik, filozofik e shkencor të drejtë, me gjithë kundërthëniet e veta dialektike, në luftën e përgjithshme të së mirës kundër së keqes, në urrejtjen kundër armikut, dashurinë për atdhe e për jetë të lirë, përgjithësisht në vlera e harmoni pozitive njerëzore e kombëtare, si vlera të përhershme, që kurrë nuk veniten.
Autobiografizimi sadopak e ka larguar autorin nga intriga, konfliktuoziteti e metaforizimi i veprës. Siç thotë vetë, përmes Eknat Malmirit, autori është i vetëdijshëm për këtë, por është udhëhequr nga qëndrimi e qëllimi i paraqitjes besnike të jetës nëntokësore, në hetime, në gjykim e në vuajtje të dënimit. Pos Eknatit, personazhe pozitive janë në radhë të parë të burgosurit politikë, idealistët, profesorët e arsimtarët, (Eknati, Kadir Rrapi, Zenë Gjoni, Metë Zeri, Sheqë Zena, Sheqë Sheqa, M. Terni, Gip Reci, Jak Krasi etj, nxënës e studentë ( Id Maçi, F. Graçi, Sab Gashi, Nez Bërdynaj, Ali Haqi, Sal Uka etj.); pastaj të burgosurit e dënuar për instikte e motive të ulëta: trafikantë (Lah Gorani, Tuf Karai,), kriminel (Leshi), inspektorët e shërbimit sekret, Lut Ziu, Xhat Kaçi, Met Lumi, Has Meti), gjykatës (Sak Nishi); gardianët (Tara e Shyqi, Jaho, Braho; Grozni, Tadiq, Natasha, Monika); shqiptarë, romë, serbë, rusinë, bunjevas e hungarezë të të gjitha moshave e racave, kombeve e klasave politike e jopolitike. Të gjithë këta janë të grupuar në dy tabore: të mirë e të këqinj, pa dallim socio-etnik, të tubuar në një institucionin shtetëror serb të quajtur burg, atje ku e ka qitur fati Eknatin me shokë. Në roman e në burg, vetë jeta e burgut e të burgosurve është botë më vete, interesante, sa për ata që e kanë përjetuar, aq për ata që nuk e kanë shijuar, temë e rrallë e trajtuar në letërsi jo vetëm shqiptare. Ndarja është e thjeshtë: të mirë e të këqij, pa dallim feje, kombi e race. Në disa raste karakteristike A. Qeriqi bën portretizimin e tyre, si te Baba Nurë “Shikimi i tij djallëzor, fytyra e vrugnueme sikur e jevgut, tëmthat e përdalë në një trup të mbushur me dhjamë e përkujtonin personazhin e Mishka Koshevoit të romanit „Doni i Qetë“ të Shollohovit“ (f. 95). Kur është nevoja, edhe karakteret pozitive të kombësive të tjera i përshkruan besnikërisht, si rasti i drejtorit të burgut në Suboticë, Hegji Bella identik me fatin e popullatës hungareze që i takonte. „Një burrë i vogël, me qëndrime liberale dhe mjaft shpirtëror, ishte intelektual i mirë, që e njihte botën e jetën“. Madje edhe ndër bashkëveprimtarë lëshohej në portretizime fizike, shpirtërore e ideo-politike, ndonjëherë madje edhe me sy kritik. „Insistimi prepotent dhe imponues i Sak Dermit, teatralizmi i tij naiv folklorik, zbulonte para Eknatit një ekzemplar të një intelektuali të çuditshëm në shumë aspekte. Në anën tjetër, Sak Dermi ishte shok besnik, nuk ishte nga ata që tradhtojnë apo i bien moh si Ruzhdi Gjaku. Saku ishte në gjendje të sakrifikonte gjithëçka për shokun e burgut dhe për idealin kombëtar…“ Mbi të gjitha, autori e portretizon dhe e analizon karakterin e Eknatit, si intelektual e patriot të sprovuar, që kishte horizont të gjerë të diturisë. Ai kishte lexuar e lexonte vazhdimisht vepra të letërsisë shqiptare e botërore dhe i aktualizonte në jetën praktike…“kishte studiuar tërë babiloninë e karaktereve… dhe po hetonte një degjenerim të tmerrshëm të prishur deri në skajshmëri“. Fajin ia lente burgut ku “sundonte dhuna e pushtetit, e cila mundohej…të diskreditonte njerëzit, në mënyrë që, kur të dilnin nga kafazi, të ndërronin bindjet. Po kjo kundërshtohej në vetvete. Nëse me njeriun sillesh si me qenin, atëherë ai do të veprojë si qen, kishte thënë F. Kafka“ (f. 108). Ndonjëherë është i padurueshëm „ndaj tipave që qeshin kur duhej qajtur e qajnë kur duhej qeshur“. Karakteret e të burgosurve zbuloheshin edhe përmes dialogëve, si ai Eknat – Lluka (rom – i përkryer, por i pafat) (f. 180/1). Përballja e të burgosurve politikë intelektualë shqiptarë me horizont të gjerë dituror, me tipare humane e me vizione të lakmueshme kombëtare e njerëzore, kundruall shumicës së eprorëve të thjeshtë, formojnë në roman situata konfuze e tragjikomike. Tërthorazi lë të kuptohet se gjithherë, kur padija e padrejtësia e mbisundojnë dijen e drejtësinë, ai shtet, pushtet e ai regjim është i dënuar të dështojë. Andaj, ka aty ironi kohe e shoqërie. Tendencat për pushtime e defektet politike e historike, i asgjëson ideali e drejtësia, sepse e ka pikëmbështetje sakrificën e bartësve dhe e veprimtarëve të luftës për liri. „Paçka, nëse vdes për atdhe e liri!“
Tërë veprën përshkon triptiku: hetuesia-gjykimi-dënimi; vuajtja e atij dënimi në Gjurak, Suboticë e Novi Sad, grup-personazhet: shqiptarë-serbë-hungarezë; bunjevas, çekë, boshnjakë, malazezë karakteret: të mirë-të këqij-indiferentë etj. Së jashtmi trajtohet përditshmëria reale me ngjyrat ekzistente, ndërsa së brendshmi, ana psiko-meditative. Imazhet reale e artistike jetësohen e kaliten përmes përjetimeve të rrëfyesit nën drejtimin e autorit. Ndjenjat e rrëfimet shtresohen e reflektohen në rrafshin psikologjik e meditativ, varësisht nga situatat më pak ose më shumë dramatike. Për Eknatin, të dyja regjimet, mbyllja në vetmi edhe ajo në shoqëri, i kanë anët e veta pozitive dhe negative. Komunikimi i brendshëm rrëfimor i narratorëve nxjerr në shesh ngjyrat e manifestimeve shpirtërore.
Eknat Malmirin e karakterizon respekti e dashuria për jetë, familje, për shokë të idealit, për dije, krenaria për histori kombëtare, besimi për të ardhmen, stoicizmi ballë vështirësive, humanizmi i thellë, shpirti bujar, gatishmëria për krijimin harmonik shoqëror e njerëzor. Ka aty figura e pamje të shkëputura që krijojnë atmosferën e luftës kundër regjimit armiqësor të burgut, si sinonim i pushtuesit dhe eprorëve të tij, të luftës me vetveten, me shqipfolësit reaksionarë, me të burgosurit joshqiptarë, „supovca“ me pasione të sëmura amorale, me gjuhë banale, me karaktere motivesh të ulëta, etj. Në roman kanë gjetur pasqyrim ide, motive e probleme aktuale të burgosurve politikë. Vënia përballë e një kryepersonazhi tjetër, do ta begatonte strukturën artistike të veprës.
Është me interes përshkrimi e analiza grupore e të burgosurve në përgjithësi në burgjet ku e vuajti dënimin Eknati. Paraqitja e tij para hetuesisë është kapitull më vete, përshkruar me dialogë provokues e mjaft të vështirë. Gjeneratat shumë pak kanë njohuri për këtë procedurë hetuese, të „sigurmicave“ serbë e shërbëtorë të tyre. Procesin e hetuesisë të pasqyruar në vepër e karakterizojnë: arrestimi, marrja e shpeshtë dhe e mundimshme në pyetje, torturat fizike, injektimi për halucinacionim, ëndrrat e meditimet.
Vepra paraqet një botë të tërë të burgosurish deliktesh të ndryshme, me theks të veçantë në stoicizmin e të burgosurve politikë, një formë e luftës për liri, që përfundoi me fitore, falë rezistencës aktive të finalizuar me kryengritjen e armatosur nën udhëheqjen e UÇK-së, ku autori ishte pjesëmarrës i rëndësishëm me pushkë e me penë. Aktiviteti i pandërprerë dyzetvjeçar, ilegal militant, përgjithësisht patriotik i Eknatit, arratisja, arrestimet e disahershme, burgosjet e torturat, vuajtjet e dënimit, përshkuar nga idealet për liri, bashkë me shumë të tjerë para e pas, kurorëzuar me luftën e armatosur dhe e përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare, solli rezultate.
Në të shumtën e rasteve vepra përshkohet nga metafora, e shoqëruar me shprehje të rralla stilistike, herë-herë me tone lirike: „Shtëpia e tij e përjetshme (e romit Llukë, djepi dhe varri i tij, ferri dhe parajsa, ishte burgu…Vaji dhe loti, zymtësia dhe disponimi në burg janë si shiu pranveror, që bie tërë para ditën, por në mesditë rrezaton dielli“. (181) Te fundi, metaforë është vetë burgu e jeta aty në duar të armikut shekullor, por edhe në duar të vetë të burgosurve politikë, të prirë nga idealet për liri, që u jep forcë, përkundër të tjerëve me delikte nga motivet e ulëta që bëheshin rob i ligësive psikike dhe i përpjekjeve vetëvrasëse. Kështu, ideali mbetet ushqim i vazhdueshëm shpirtëror, përballë të vërtetës së pasigurt jetësore. Në këto rrethana dramatike jetësore, më së paku zë vend dëshpërimi, trishtimi e pesimizmi, sepse binte ndesh me përgatitjen e përballimin e vështirësive sakrifikuese, qoftë edhe për vdekje. Ishte një projektim praktik i pavullnetshëm i luftës për liri. (Shqiptarëve të burgosur politikë, burgu iu imponohej. As nuk e meritonin, as nuk e dëshironin).
Mjeshtri e dalluar hetohet edhe në analiza filozofike. Në këtë kontekst, romani kërkon fundin e errësirës, jo përmes mëshirës, por përmes drejtësisë si koncept i përgjithshëm. Ajo ishte në duart e kohës e të rrjedhave politike ndërkombëtare, të shqiptarëve brenda e jashtë burgut dhe në vetë stoicizmin e të burgosurve. Në hetuesi shprehet forca për të ngadhënjyer mbi dhunën. E fshehta e krijimit është inspirimi, thonë kritikët. Frymëzimi e ideali për liri, gatishmëria për flijime, forca e qëndresës janë të fshehtat e këtij krijimi. E vërteta njerëzore e liridashëse, kundërthëniet e natyrave të ndryshme, skaliten përmes rrafshit psiko-meditativ të personazheve, sidomos Eknatit, sipas rrjedhës së ngjarjeve e situatave dramatike, qofshin ato edhe në shkallë konflituoze, ku sprovohet prirja për harmoni njerëzore, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare e racore. Konflikti thjeshtësohet brenda kornizave të filozofisë biblike të luftës ndërmjet të mirës e të keqes, të kundërthënieve antagoniste dhe joantagoniste, ku vepron ligji i unitetit dhe i luftës së të kundërtave, atje ku kundërshtitë janë në luftë e në unitet njëkohësisht. Në jetën e të burgosurve dhe të eprorëve të burgut, lufta e të kundërtave nuk është në boshtin vertikal: epror-i burgosur, shqiptar-joshqiptar, serb-joserb, politik-jopolitik etj. por në boshtin horizontal. Me rastin e sulmit verbal nga eprori shqiptar, Eknatit i del në mbrojtje eprori hungarez. Në qelitë e burgut shpesh gjenden njerëz të një kombësie me karaktere të ndryshme, por edhe të kombësive të ndryshme me karaktere të ngjashme. Në këtë kontekst, kryepersonazhi zhytet në meditime nihiliste, siç e shpjegon vetë, ngase „vetmia ia cyt anët e errëta të jetës njerëzore“. Dhe vërtet bota e jashtme ndikon në shqisa, thonë filozofët. Kështu, Eknati „takonte njerëz që kishin vese ujqish e egërsirash, vese dhelprash e langonjsh, vese lepujsh e derrash…Kishte takuar sa e sa egërsira me pamje njeriu, sidomos në burgun e Gjurakut, por edhe në Suboticë…Në të gjitha aspektet pajtohej me filozofinë e Frederikut të Madh…(f. 226)
Romanin „Burgu“ të A. Qeriqit e karakterizojnë: dashuria e zjarrtë për liri e atdhe, qëndresa heroike para vështirësive, gatishmëria për t´u flijuar dhe etja për dije e përsosje intelektuale e njerëzore. Aty zbulohet rruga e formimit të heroit të ri e forca e karakteri i pathyeshëm tipik i të burgosurit politik në rrethana dramatike, prej së cilës rrjedh ideja se për atdhe ia vlen të sakrifikohesh, por edhe të rezistosh, të përsosesh e të luftosh me të gjitha forcat psiko-meditative, politike e përgjithësisht njerëzore. Aty sprovohet diçka më e rëndësishme se politika: pasioni liridashës, karakteri e dinjiteti luftarak i anëtarëve të Lëvizjes çlirimtare dhe i mbar[ popullit. Te fundi, dinjiteti si vlerë njerëzore mund të ndërtohet e të mbijetojë vetëm mbi të vërtetën e qëndresën heroike. Besimi i autorit-Eknatit përshkohet nga bindja se fitorja kurrë nuk i ka takuar të fortit, aq më tepër të padrejtit, por guximtarit e të drejtit. (R. Qosja, në „Dardania sacra“, 2002/4, f. 532)
Vepra nuk ka mundur të shkruhet nga kushdo. Aty ka një enciklopedi faktesh e konceptesh të natyrës politike, patriotike, intelektuale, kombëtare, psiko-meditative, filozofike dhe letrare-artistike, e shkruar nga pena e një intelektuali me horizont të gjerë dituror, letrar e artistik, politik e filozofik, të një luftëtari të gjithanshëm të ilegales, pushkës e penës, të përgatitur gjatë tërë jetës rinore, si nxënës, student, profesor dhe veprimtar politik, përgjithësisht patriotik, i sprovuar e i regjur në vaj e uthull.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …