leoni

Kadri Rexha: SULM I RËNDË KUNDËR VLERAVE TË ARTIT DHE TË KULTURËS TONË

Me indinjatë të thellë u bashkohem reagimeve, të cilat dënojnë sulmin fizik ndaj gazetarit, publicistit, shkrimtarit dhe anëtarit të ASHAK-së, z. Mehmet Kraja. 
Sulmi verbal dhe fizik ndaj z.Kraja, sharjet, gënjeshtrat, trillimet dhe fyerjet nga më të ultat dhe më të pabesueshmet ndaj tij, vijnë në një kohë prapësie, në një kohë ambicjesh dhe pasinosh të ulta, në një kohë erozioni moral dhe shfrenimi, në një kohë kur antivlera tenton me çdo kusht t’ia zë frymën vlerës së mirëfilltë, në një kohë tranzicioni dhe mungese të ligjit, kur pamëshirshmëm po shkelet e vërteta, e drejta dhe njerëzorja. 
Sulmi ndaj z. Kraja është sulm ndaj tregimtarit, novelistit, romanisierit, eseistit, dramaturgut dhe skenaristit të dorës së parë. Me një fjalë, sulmi ndaj z. Kraja është sulm ndaj krijuesve të vlerave të mirëfillta të artit dhe të kulturës shqiptare. 
Sulmi ndaj z. Kraja është sulm ndaj gazetarisë dhe publicistikës më të guximshme dhe më përmbajtësore të njërës nga periudhat më të rënda dhe më heroike të popullit shqiptar të Kosovës, të filluar dhe të zhvilluar intenzivisht që nga vitet e shtatëdhjeta e deri në ditët e sotme. (Të përkujtojmë: nga pena e Krajës sot e kemi të përfunduar kronikën (monografinë) letrare dhe kulturore më se tridhjetëvjeçare të shqiptarëve të Kosovës dhe të viseve të saj.) 
Sulmi ndaj z. Kraja është sulm ndaj plejadës së intelektualëve dhe veprimtarëve më të guximshëm të viteve të tetëdhjeta e këndej, të cilët me përpjekje dhe me qëndresë mbinjerëzore qëndruan në ballë të popullit si pararojë dhe udhërrëfyes të devotshëm. 
Më në fund, sulmi ndaj z. Kraja, është sulm ndaj shprehjes së lirë të mëndimit dhe sulm ndaj ushtrimit të lirë të profesionit të gazetarit. Aktin e këtij sulmi e bën të rëndë sidomos fakti se sulmi u krye nga një botues librash!!! 
Altstätten, 2 qershor 2007 

Shkruar nga: Floart-Press
Komenti: Verejtje e redaksise Floart-Press …Po I pergjigjem me pak fjale. Z. Kadri Rexha… Motren e tij(Kadri Rexhes) e ka grua z. Mehmet Kraja. Per te qene ironia me e madhe, librin e tij(Kadri Rexhes) per JusufGervallen “Fati i luleve” e ka botuar ne vitin e larget 1993 ! Z.A.Zeneli ka hequr te zite e ullirit me librin qe e ka shkruar nje medioker. Po te mos kishte rene LIBRI ne duart e z.Zeneli , persoanliteti i Jusuf Gervalles do te zbehej shume, saqe eshte e tepert tani te flasim. Librin, me kerkesen e Abdullah Zenelit dhe stimulimin material (1.500 dm!)e kane redaktuar Teki Dervishi dhe Shaip Beqiri. Lexuesi mund t’i pyet edhe ata c’kane hequr me ate liber… F.Bruqi blog by FLOART-PRESS @2.6.2007/ 

Shkruar nga: Kadri Rexha 
Komenti: Thonë: mos paç punë me rezila! Dhe ti, o z. Abdullah Zeneli paske shkuar larg në këtë drejtim. Fyen dhe sulmon fizikisht akademikë, hakmerresh për “tradhtinë” që me librin “Vitet e humbura” i bëhët ish presidentit, bën bisnes dy vjet me radhë me 5000 DM që merr prej meje për libër, përmes Floart-Press mundohesh ta vësh në pyetje autorësinë e librit tim “Fati luleve”, përgojon emër pas emri, gënjën, mohon, trillon dhe prap ndihesh komod…! Vërtetë larg paske shkuar me shpirtin e trgtarit matrapaz. Ndërsa, Floart-Press-it, që kyçet në debat jo për t’i kontribuar temës: je kundër, apo pro dhunës, por për të lavdëruar padronin dhe për të provuar ta vërë në dyshim autorësinë e librit tim, i them: në librin “Fati i luleve” as edhe një fjalë e vetme nuk është shtuar nga redaktori Teki Dërvishi dhe lektori Shaip Beqiri, ndërsaAbdullah Zeneli edhe njëqind vjet nëse shkarravitë kurrë nuk do të arrijë të krijojë fjalën, fjalinë, frymën dhe stilin unikat të librit “Fati i luleve”. I vetmi tentim i botuesit ka qenë t’i vëjë, pa më pyetur, inicialet e Ibrahim Kelmendit në faqen 172 të librit (shiko për çka është fjala) por, inicialet i mbetën në fyt, meqë nuk pranova që ai ta lëshojë vezën e qyqës në folen time. (Për çdo rast kopjen e parë të shtypur ku figurojnë ato iniciale e ruaj në dosjen e librit tim). Theksoj se me propozimin e Tekiut kam pranuar të hiqet ndonjë fjali ku është shkruar për Enver Hoxhën dhe PPSH-në, për çka në botimin e dytë ato do të jenë pjesë organike e librit. Urdhëro, Floart-Press dëshmoje të kundërtën e pohimit tim. Tekiu dhe Shaipi janë gjallë. Përndryshe, organizo komision dhe vërtetoje. Jam i gatshëm ta ofroj dorëshkrimin e librit të shkruar me makinë mekanike si dhe artikujt e gazetave (thuaja gjysma e librit) të botuar para se libri “Fati i luleve” të bie në në dorë të botuesit. Mund të them se ti Floart – Press e ke luajtë mirë rolin e telallit që ta ngarkoi ustai dhe besoj mbas ditës së sotit do të dalish sado pak nga anonimiteti. Në fund, faleminderoj redaksinë Dervina duke i uruar jetë të gjatë dhe punë të mbarë. 
Ky shkrim do të jetë fundit që e dërgoj në redaksinë e Dervinës lidhur me këtë temë. (2.06.2007) 



Sheremet Krasniqi: Një vepër që e pasuron prozën tonë dokumentare artistike


Romani “Burgu” i Ahmet Qeriqit është një vepër dokumentare artistike, që trajton temën e burgut, një temë pothuajse krejtësisht deficitare, dhe pse dihet mirëfilli se nëpër burgjet jugosllave kanë vuajtur dënimet e rënda me burg dhjetëra mijëra shqiptarë liridashës.
Ahmet Qeriqi, në këtë vepër, ka shtjelluar një përmbajtje mjaft interesante duke kombinuar të dhënat për ngjarjet reale dhe duke i mbarështruar ato në kohë dhe hapësirë, në një tërësi shkrimore të romanit dokumentar me mjaft të dhëna autobiografike.
Romani fillon me prangosjen e Eknat Malmirit, në maj të vitit 1982, pasi një vit e më tepër që kishte kaluar në arrati, duke vazhduar pastaj me ndërthurjen e situatave të shumta dhe të njëpasnjëshme, të cilat e përcjellin personazhin kryesor të veprës në raport me inspektorët, gardianët dhe të burgosurit jo vetëm shqiptarë, por edhe nga radhët e kombeve të Jugosllavisë, gjatë tërë kohës derisa ndodhej nëpër burgjet e Kosovës dhe të Vojvodinës.
Përshkrimi i jetës nëpër burgje, të burgosurit, brengat, dertet dhe preokupimet e tyre, dhuna sistematike që ushtron aparati shtypës tatalitar, shantazhet dhe përçarja në mes të burgosurve, që ishte po kështu pasojë e ushtrimit të dhunës dhe zbatimit të metodave përçarëse në mesin e të burgosurve, nga vetë inspektorët dhe vartësit e tyre, deportimi i të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet e Jugosllavisë, ushtrimi i dhunës fizike, grevat, puna e detyrueshme e të tjera, janë përshkrime reale, ndërsa në rastin konkret kemi të bëjmë me ngjarje, të cilat kanë ndodhur kryesisht ashtu sikurse janë përshkruar.
Autori, edhe pse në dukje të parë duket sikur ka vendosur në qendër të romanit vetveten, por në veten e tretë, ai, në figurën e Eknat Malmirit ka bërë përpjekje për të skalitur tiparet e përgjithësuara të të burgosurit politik të viteve 80, sfidat, qëndresën, dobësitë, ballafaqimin me një realitet shumë të vrazhdë, përpjekjet për të mbijetuar nëpër situata të ndryshme gjithnjë të rrezikshme, dhembjen për familjen, dhembjen për të burgosurit e rinj e të papërvojë dhe gatishmërinë e përhershme për t`i ndihmuar të burgosurit, njerëzit nga shtëpia e pashpresë, nga shtëpia e vdekur.
Përveç Eknat Malmirit, autori i këtij romani ka skalitur me kujdes edhe figura të tjera të të burgosurve si: Qendrim Pajaziti, Durim Vranja, Id Maçi, Gim Celi, Metë Zeri, Sak Dermi, Sllavko Miletiq, serbi Batiq, Lluka Ciganji, serbi Stamenkoviq, gardian Grozni, eprori Martinoviq, drejtori i burgut të Suboticës, Hegji Bella, komandanti i neveritshëm i burgut të Gjurakut, Baba Nura, e shumë të tjerë. Gjuha e komunikimit të personazheve, dialogu, situatat, rrëfimet ndër më të ndryshmet e bëjnë këtë vepër dinamike dhe joshëse për lexuesin.
Përshkrimi i situatave e ndodhive nëpër burgje, dobësitë e njerëzve të vegjël e të mëdhenj, heroizmi i disave, nënshtrimi i plotë i disa të burgosurve të tjerë, pa përkulja dhe stoicizmi i shumicës dërrmuese të të burgosurve politikë, janë përshkruar me mjaft mjeshtëri, duke ilustruar rastet dhe situatat e caktuara, gjithnjë sfiduese.
Romani Burgu, zbulon faqet e tmerrit, të dhunës, të poshtërimit, të përpjekjeve për ta zhveshur çdo të burgosur nga identiteti, përmes të gjitha metodave të dhunshme, e të rrezikshme, që i kishte vënë në veprim makineria policore politike e ish Jugosllavisë totalitariste.
S` duhet harruar me këtë rast se në vitet 80 të shekullit 20, nuk kishte burg në Jugosllavi pa të burgosur shqiptarë, të cilët trajtoheshin mizorisht, me qëllim për t’ i degdisur sa më larg familjeve, për t`i thyer shpirtërisht e fizikisht, dhe për t`i përçarë në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme. Në këtë roman, në anën tjetër, është e pranishme fryma e mobilizimit, e qëndresës, e solidarësisë në mes të burgosurve politikë shqiptarë, është e pranishme edhe fryma e humanizmit ndërnjerëzor, është i pranishëm besimi i sigurt në fitore, që është shprehje e besimit në të drejtën dhe humanizmin njerëzor.
Njëra ndër të veçantat e këtij romani është vendosja e ngjarjeve edhe në burgjet e Vojvodinës shumëkombëshe të Jugosllavisë, apo në Jugosllavinë miniaturale. Autori skalit me sukses edhe disa figura të pjesëtarëve të kombeve të tjera, si të serbëve, hungarezëve, rusinëve, boshnjakëve, bunjevasve, çekëve, ciganëve e të tjerë. Edhe ata kanë hallet e dertet e tyre, mirëpo ishin vetëm të burgosurit shqiptarë që mbaheshin burgjeve, meqë kërkonin të drejtat e tyre. Të burgosurit e tjerë kishin bërë delikte të tjera, si vrasje, plaçkitje, dhunime, vjedhje dhe abuzime, që binin ndesh me ligjin. Shumica prej tyre përshkruhen të degraduar shpirtërisht, por ka në atë mes edhe qëndestarë të pathyeshëm sikur janë përshkruar të burgosurit serbë: Miletiq, Batiq, Stamenkoviq e të tjerë. Edhe pse serbë, ata nuk i urrejnë shqiptarët, përkundrazi solidarizohen me kërkesën e tyre për Kosovën Republikë. Por ka në mesin e tyre edhe urrejtës patologjikë kundër shqiptarëve liridashës, sikur janë përshkruar serbi Tadiq, më vonë kriminel lufte në Bosnje, i dënuar nga Gjykata e Hagës, serbi tjetër Gjorgjeviq, hungarezi Llaslo Shimonji dhe autoritetet e burgut si: kryepolici Martinoviq, edukatorja Natasha, apo edhe shpirtshiturit shqiptarë si Ves Lati, Lutë Ziu, Xhat Kaçi, Babë Nura, e të tjerë. 
Ky roman dokumentar i ngjeshur me ngjarje e ndodhi të shumta autobiografike, është i lehtë për t u lexuar dhe për t u kuptuar. Kemi këtu rrëfime ndër më të ndryshmet, shpoti, cinizëm, urrejtje, vuajtje, anekdota, ndodhi të rëndomta të përditshmërisë në burg e të tjera. Brenda ditës ndërron disponimi, nga shakaja dhe e qeshura e pakontrolluar, deri te pikëllimi, rrahja masive, apo ndëshkimet fizike të vazhdueshme që ushtronin disa nga gardianët dhe inspektorët. Kemi këtu tërë një galeri personazhesh ndër më të ndryshmet, të cilët iu takojnë shtresave të ndryshme shoqërore: të burgosur shqiptarë që kërkonin liri dhe barazi me të tjerë, pastaj hajna, plaçkitës, dhunues, vrasës ordinerë, abuzues, përdorues të drogës, vrasës me pahir, si dhe njerëz pa fat, të cilëve ua punonin të afërmit e tyre. Përderisa shtresat e të burgosurve joshqiptarë, për veç në raste të veçanta, iu takonin shtresave të degjeneruara të shoqërisë jugosllave, të burgosurit politikë shqiptarë iu takojnë shtresave të rinisë dhe inteligjencies përparimtare liridashëse. Këta të dytët, i detyronin të jetonin së bashku me të burgosurit e tjerë, me kriminelët, dhunuesit, plaçkitësit. Dhe në raste të tilla, në ballafaqime të tilla vështirësohej sidomos jeta e të burgosurve shqiptarë, të cilët ishin prore të provokuar si nga gardianët e inspektorët e UDB-ës, ashtu edhe nga të burgosurit jo shqiptarë, apo edhe disa të burgosur shqiptarë, të dënuar për vepra të tjera penale, të cilët ishin thyer dhe kishin pranuar të bëheshin vegla të verbra të autoriteteve të burgut, vetëm për të përfituar ndonjë favor, zbritje të dënimit etj.
Realiteti dhe qëndrimi i paanshëm ndaj lëndës të cilën e përshkruan Ahmet Qeriqi në romanin e tij, është mbase ana më e arrirë e kësaj proze dokumentare artistike. Bartësit e ideve të ndryshme, qëndestarët, por edhe disa nga të lakueshmit, janë bartës të koncepteve të ndryshme, shpeshherë edhe kundërshtuese ndaj njëri tjetrit. Këto personazhe kanë vetitë e mira, por edhe veset e liga. Edhe Eknat Malmiri përshkruhet me të meta e dobësi. Te ai është i shprehur egocentrizmi dhe kryeneçësia për të mbrojtur vetëm bindjet e veta. Personazhet e këtij romani nuk janë vetëm pozitivë apo negativë. Ata mbi të gjitha janë njerëz që në rrugëtimin jetësor janë ndeshur me të papriturat e jetës dhe kanë përfunduar prapa grilave, ku hapësira e ligjshme njerëzore kufizohet mizorisht në disa metra katrorë. Kufizimi i lëvizjes, veprat për të cilat akuzohen ata, shkalla e lartë e dënimeve, dhuna sistematike që ushtrohet kundër tyre përmes metodave të ndryshme djallëzore, lë gjurmë të thella në drejtim të zvetënimit, degradimit, prishjes së ekuilibrit të tyre shpirtëror dhe fizik, Ndërkohë ata transformohen detyrimisht në qenie të kufizuara, në qenie robote, të cilët veprojnë instinktivisht, të instrumentalizuar sipas rregullave dhe trajtimit nëpër burgje. Sapo hyn gardiani të gjithë ngihen në këmbë. Ndjenja e frikës se do të ndëshkohen faj e pafaj është e pranishme te të gjithë, por jo edhe e pranueshme nga të gjithë njësoj.
Romani Burgu pavarësisht nga të metat, lëshimet apo dobësitë që mund të ketë, është një tërësi shkrimore e përjetuar, dhe si e tillë ajo mban vulën e kohës, të një kohe tepër të rëndë dhe tejet të mundimshme për të gjithë popujt e shtypur të ish Jugosllavisë dhe veçanërisht për shqiptarët, të cilët konsideroheshin qytetarë të rendit të dytë, pa të drejta të plota dhe gjithnjë të diskriminuar.
Vepra Burgu, të gjithë të burgosurve shqiptarë, iu rikthen nga diçka në kujtesën e tyre, sidomos tani kur për herë të parë në historinë e re të vendit tonë kur është dëbuar aparati shtypës i Beogradit e bashkë me të edhe mizoria dhe barbaria serbe. Iu rikthen në kujtesë historinë e vjetër dhe të re mitologjike të Serbisë, sepse është hera e parë për 90 vjet që burgjet e këtij shteti sllav kanë mbetur pa shqiptarë… Në humbëtirat e Serbisë kanë ngelur vetëm eshtrat e shqiptarëve që u morën peng gjatë luftës në vitet 1998-1999, të cilët konsiderohen të zhdukur, dhe eshtrat e të cilëve një ditë do të riatdhesohen në Kosovë, duke e ndarë përgjithmonë këtë pjesë të Shqipërisë nga kolonializmi shtypës i Serbisë okupatore. Kujtesa për vuajtjet dhe mizoritë që kanë përjetuar shqiptarët nëpër burgjet serbe duhet të ndriçohet, jo për të krijuar ndjenjën e revanshizmit kundër serbëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por për të mos harruar se breza të tërë të shqiptarëve liridashës, nëpër burgjet serbe kanë kaluar qindra mijëra vjet të llogaritura së bashku…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …