Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati në urimin e tij për festat e Nëntorit ka shkruar: Mijëra gra e burra të këtij vendi që kanë rënë në rrugën e gjatë e të vështirë të kombit tonë, që ne sot ta kujtojmë në liri këtë ditë. Falë kësaj sakrifice të madhe, ne sot e përjetojmë ëndrrën e tyre të bukur, lirinë dhe pavarësinë e kombit tonë. Kur vendosën të angazhoheshin, asnjëri prej tyre nuk e dinte nëse do të arrinte ta përjetonte edhe vetë këtë ëndërr. Kështu, në këtë mënyrë, ata dëshmuan se për ta, fati i tyre personal ishte i pamjaftueshëm për ta përmbushur qëllimin e jetës së tyre. Jeta e tyre ishte e denjë për diçka më të madhe, përtej vetes, për fatin e një kombi të tërë. Prandaj, secili prej nesh jemi krenarë që jemi pjesë e një kombi të tillë të lavdishëm. Një kombi që u ngrit nga bataku i robërisë së gjatë me të cilën refuzoi pandërprerë ta lidhë fatin e vet.
Me lirinë në mendje, me besimin në zemër dhe me krenarinë në shpirt, këtë rrugë të lavdishme të mos e braktisim për asnjë moment. Në këtë kohë me sfida, të gjithë së bashku, të marrim vendimet e duhura të cilat do të jenë me vlerë për kombin tonë dhe nuk do të hedhin hije mbi lavdinë e tij. Kjo nuk është e lehtë, por asnjë herë lehtë nuk e kemi pasur. Prandaj, me mendjen tek ata që u sakrifikuan për këtë ditë dhe me dashuri të madhe për secilin prej jush, dua t’ua uroj nga zemra këtë ditë të madhe për kombin tonë.
Urime 28 Nëntori! të gjithë shqiptarëve kudo që janë