Mehmet Bislimi: Realitetin e kemi pranuar, por hezitojmë ta themi

Është shqetësues fakti për shkakun se gjërat që ndodhin nën hundët tonë, sikur nuk duam t’i shohim, apo t’i pranojmë si të tilla! Në fakt kur është koha e veprimit dhe e kontestimit të tyre madje edhe me këmbëngulje, ne tërhiqemi, apo edhe festojmë, heshtim, apo meditojmë, kur “historia” ikën dhe ne sikur marrim guximin dhe bëjmë zhurmë e shamatë, shkrime e analiza ( me e pa kripë ), shkarravina e ngrehina, që nuk ia vlejnë e nuk i hynë në punë askujt, sepse treni iku dhe krej kjo tashmë duket “ Si kofini pas të vjelave! “. 
Në lidhje me përcaktimin e datave që Kosova do t’i bartë nën sqetullat e saja- këtej e tutje, pati shumë reagime të “zhanreve” të ndryshme, por që as njëri nuk ishte i zoti ta pranojë realitetin dhe ta thotë atë sheshazi: “ Zotërinj, pakoja e Ahtisarit tjetërson popullin shumicë shqiptar në Kosovë, tjetërson kulturën, historinë, simbolet, vlerat e mirëfillta intelektuale dhe çlirimtare, tjetërson territorin dhe objektet e religjionit, tjetërson tërësinë tonë!”… i vetmi që këtë e tha në mënyrë të çartë ishte analiza e “Radios Kosova e lirë”… 
Të dashur shqiptarë! Thirrni në ndihmë kujtesës dhe fare qartë do të shohim se arkitektura e ndërtimit të një Kosovë multietnike ku pakicat prej 5% do të jenë të barabarta me 95% tani më ka marrë vulën e vet, dhe kjo nuk ka ardhur befasishëm, por ka afro dy vite që po na sorollatet nën hundët tona, dhe ne tek tani e kemi parë se ka hyrë miu në hambarë! Kur zëdhënësi i UÇK-së, zoti Jakup Krasniqi në një komunikatë lëshuar nga Shtabi i Përgjithshëm atëbotë pati thënë:” Ushtria Çlirimtare e Kosovës synon çlirimin dhe bashkimin e territoreve shqiptare!”… Qenë ngritur në këmbë alamet zërash për të akuzuar UÇK-në se do të përhapin luftën edhe më!… 
Në vazhdim, në kohën kur lidershipi Kosovarë ishte ulur në tavolinën e bisedimeve kishte tri premtime: 1. Kosova shtet i pavarur dhe multietnik. 
2. Kosova nuk do të ndahet dhe nuk do të bashkohet me as një shteti në Ballkan. 
3. Kosova nuk do të kthehet as një herë në statusin e para vitit 1999. 
Më këtë rast Kosovën, në fakt faktori ynë negociues mohoi të drejtën e Kosovës që të bashkohet me Shqipërinë, pra u bë edhe një ndarje mes shqiptarëve, dorën në zemër kësaj radhe edhe më e rëndë se ajo e vitit 1912- nga se këtë radhë ne e vumë nënshkrimin e ndarjes me dorën tonë!- ndryshe opsioni i bashkimit as që është vu në rend të ditës?! 

Të jemi të sinqertë. Nuk mundet që Kosova të jetë edhe shtet i pavarur e multietnik edhe të bashkohet me Shqipërinë. Ka vetëm dy rrugë; ajo që zgjodhi elita jonë politike dhe që e mbështeti popullata shqiptare, që jeton në Kosovë në një përqindje shumë të madhe, madje duke festuar e duke vallëzuar një natë të tërë në temperaturë minus 20 gradësh dhe nëse është kështu, atëherë ndihmoni elitën tonë që të ndërtojë shtetin e ri të Kosovës, ndryshe po që se keni mendim të kundërt, atëherë shpalleni këtë elitë publikisht tradhtare për këtë qëndrim! Rruga e dytë është ajo e bashkimit të territoreve shqiptare në Ballkan, dhe kjo nuk nënkupton vetëm Kosovën, por të gjithë shqiptarët në pushtimin serb, malazez, grek sllavomaqedon. 
Pra, rrugët janë hapur për të gjithë ata që duan të veprojnë ( në kuadër të subjektit, grupit, apo organizimit që do të veproi më tutje) me të gjitha mjetet paqësore e demokratike, por që nuk përjashton as mjetet tjera për derisa nuk ka mirëkuptim për të drejtën tonë historike, dhe këto nuk ka mundur t’i mbylli kurrë as njëri nga pushtuesit tanë!. 
Shtetit i Kosovës u shpall, elita jonë nga populli ynë u duartrokit. Nuk e shanë nuk e akuzuan për tradhti kombëtare, që atëherë në gjenezë e jo tani kur treni iku!.. 
Shteti i Kosovës u shpall mbi bazën e pakos së Ahtisarit, dhe ne duhet ta kemi shumë të qartë se kjo “pako” na tjetërson ne, pra vetëm ne si shumicë shqiptare duke pretenduar që popullin shqiptarë ta tjetërsoi nga gjeneza e tij, duke ndërruar flamurin, himnin, duke mohuar vlerat e luftës dhe ato intelektuale të mirëfillta, duke lëvizur kufijtë në dobi të Maqedonisë, duke njohur marrëveshjen e Beogradit dhe Shkupit (pa praninë e faktorit vendor, apo ndërkombëtarë, në kundërshtim më marrëveshjen e Kumanovës, të 10 qershorit të vitit 1999, duke mos i njohur datat tona historike e kombëtare, duke mos i njohur as objektet tona të kultit e konfesionit, duke tjetërsuar edhe historinë tonë nëpër shkolla e gjithçka që është shqiptare! 

Ana tjetër e medaljes, kjo “pako” e Ahtisarit pakicave tjera në Kosovë ( të cilat së bashku përbëjnë 5% të popullatës së gjithëmbarshme ), ua njeh të drejtën e barabartë me popullin shqiptar shumicë në të gjitha segmentet e jetës. Nuk ua mohon as flamurin, as historinë, as gjuhën, as himnin, as të drejtën e getoizimit të Kosovës, as të drejtën e ndarjes, as të drejtë e ushtrimit të pushtetit paralel dhe nuk i detyron, madje as obligon që ta njohin këtë shtet që quhet multietnik, pra Kosova nuk është shtet nacional i shqiptarëve ku të gjitha pakicat do të ndiheshin si në shtëpinë e vet, por është shtet i të gjithëve ku kanë mundësi të sillen të gjithë si të duan- përveç popullit shqiptarë, që është shumicë!… 
Që 100 e sa vjet, as sot, as nesër kurrë nuk është vonë, për ata që vërtetë punojnë, pra ka dy rrugë, e para kjo që është dhe e dyta rrugë me sakrifica e punë për ta bërë një ditë realitet bashkimin e territoreve shqiptare të cilat janë gllabëruar nga shtetet fqinje grabitqare. 
Nuk ka rrugë të tretë mes urtësisë e dhunues, mes hajdutllëkut dhe ndershmërisë, mes moralit dhe imoralitetit, mes gënjeshtarit dhe të sinqertit, mes trimërisë dhe burracakërisë, mes luftëtarit dhe dezertorit, mes të shiturit dhe atdhetarit, mes patriotizmit dhe tradhtisë! Këto kanë emër, pra thirrni gjërat me emrin e vet nëse kemi vetëdije dhe guxim qytetar: Shteti i Kosovës është tradhti kombëtare, apo shpëtim kombëtarë, njëra nga të dyja, por jo të dyja bashkë!?

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …