Ahmet Qeriqi: Rikthimi përmes këngëve në një perceptim realist të Betejës së Kosovës të vitit 1389

Vështrim rreth librit “Beteja e Kosovës e vitit 1389, një epikë shqiptare”, vepër e autores, Anna di Lellio

Beteja e Kosovës e vitit 1389 është rikthyer në këtë 620-vjetor, me një libër të shkëlqyer të studiueses dhe publicistes së njohur, Anna di Lellio, e cila pasi ka gjurmuar shumë nga burimet historike lidhur me këtë betejë, ka botuar tetë këngët shqipe për Betejën e Kosovës. Këto këngë, nga gjuha jonë, në gjuhën angleze, i ka përkthyer, historiani i njohur, Robert Elsie. Fillimisht në libër është prezantuar parathënia e autores së këtij libri.

Merita kryesore e këtij libri dhe autores së saj është se ajo, e para është kujtuar që këto këngë t’i botojë si një tërësi, punë kjo, që do të duhej ta kishte bërë qysh moti Instituti i Albanologjisë, apo i Historisë, apo edhe studiuesit shqiptarë, në Prishtinë dhe në Tiranë. Mirëpo kjo nuk është hera e parë, që diçka e tillë ka ndodhur dhe ndodh me ne, shqiptarët.
Libri studimor, “Beteja e Kosovës …” i autores Anna di Lellio ngrë për shqyrtim problemet gjithnjë të mprehta të armiqësisë 13 shekullore në mes shqiptarëve dhe serbëve. Këtë armiqësi, për të mos thënë edhe patologjike, e kishte vërejtur, përveç tjerësh, udhëpërshkruesja dhe mikesha e madhe e popullit shqiptar, Miss Edith Durham, qysh në fund të shekullit 19-të, armiqësi për të cilën kishte shkruar sidomos në librin e saj “Brenga e Ballkanasve”, botuar në vitin 1903. Zonja e nderuar, Durham nuk arrin t’i zbulojë shkaqet historike të kësaj armiqësie, por kishte arritur ta evidentonte realisht këtë çështje, duke u mbështetur në opinionet e shqiptarëve dhe të serbëve.
Anna di Lellio, gjatë punë dhe qëndrimit në Kosovë, si drejtuese e Zyrës së medieve dhe këshilltare, ka mësuar mjaft mirë edhe historinë e popullit shqiptar, por edhe të popullit serb. Ajo është treguar e paanshme në interpretimin e fakteve, mirëpo fakti se është marrë me anën tjetër të medaljes, ka nxitur reagime te serbët e Beogradit, të cilët e kanë pritur me zemëratë këtë libër të mrekullueshëm, që është kontribut për historinë shqiptare dhe serbe, në të njëjtën kohë. 

Serbëve të zemëruar nuk iu vjen mirë kur botohet një libër i tillë. Ata duken të bezdisur dhe të indinjuar pse shqiptarët ende ruajnë në kujtesën e tyre historike, në epikën legjendare për Betejën e Kosovës dhe kryetrimin, Milush Kopiliqi. Kjo iu pengon, sidomos serbëve njëdimensionalë, atyre serbëve trabantë, që sikur thotë arkimandriti serb, Ilarion Ruvarasi, ( 1832-1905) paraardhësit e tyre i gjejnë edhe në Kinë, duke lënë trashëgim fabulën se serbët janë populli më i vjetër i botës dhe popull hyjnor. Kjo është trashëgimia e falsifikuar e historisë, e cila pretendon të edukojë brezat se serbët dikur qenkëshin shtrirë në tërë botën dhe jo vetëm në Ballkan.
Autorja, në librin e saj ka sintetizuar me sukses, shkrimet historike, analizat e mirëfillta, bisedat dhe intervistat me studiues të lëmenjve të ndryshëm, ka shkëputur sa e sa fakte historike të autorëve shqiptarë, serbë dhe të huaj, duke u mbështetur kryesisht në mbamendjen shqiptare, në eposin shqiptar lidhur me këtë betejë dhe duke e ndërtuar rrëfimin shqiptar për Betejën, pa e injoruar rrëfimin serb. 
Ajo ka paraqitur para publikut lexues një realitet, jo të panjohur për shkencën dhe historinë serbe në përgjithësi, por të fshehur dhe të injoruar tërësisht nga “shkenca” me përmbajtje mitike, serbe. Zonja di Lellio, me këtë rast i ka qëndruar besnike të vërtetës, e cila nuk i kënaq të gjithë, por zbardh atë që e ka errësuar koha, apo atë që është errësuar me qëllim dhe për qëllime të caktuara, të propagandës politike. Libri, me gjuhën e fakteve dhe të kujtesës gojore shqiptare vë edhe njëherë në ballafaqim faktet për Luftën e Kosovës, kësaj radhe me fjalën e popullit, me kujtesën e tij, me mbamendjen e tij historike. ( Të shtojmë me këtë rast se rapsodi, Hamëz Xhema nga fshati Bojkoviq i komunës së Vushtrrisë, qysh në vitin 1923 këtë këngë, duke qenë i prangosur dhe i mbajtur në burg nga regjimi despotik serb, ia kishte recituar studiuesit, Gligorije Elezoviq, ndërsa këngën shumë decenie më parë e kishte dëgjuar dhe e kishte mësuar nga rapsodi i njohur i shekullit 19-të, Maliq Zhabari. Ky fakt tregon se kënga epike legjendare, shqiptare, për Betejën e Kosovës, ishte përcjellë brez pas brezi nga elita e rapsodëve shqiptarë, të cilët kanë sjellë në kujtesë edhe motive të njohura të këngëve homerike).
Anna di Lellio është mbështetur fuqishëm në argumentin më të fuqishëm, në burimin gojor, ku nuk kishte depërtuar dot politika, por as shkolla serbe e falsifikimeve, madje as shkolla shqiptare, e cila është shumë e vonë, dhe për dallim nga shkenca serbe, e cila shpeshherë është arrogante dhe virulente, shkenca shqiptare është paksa e përgjumur, kryesisht pacifiste dhe e pozicionuar vetëm në mbrojtje. Tetë këngët për Luftën e Kosovës, të mbledhura nga Gligorije Elezoviq, Margaret Haslluck, Albert Llord, Anton Çetta dhe variante të tjera të kënduara nga rapsodët anonimë, përbëjnë tërësinë e një kujtese, që sjellë një lëndë të mjaftueshme, për të paraqitur para lexuesit botëror rrëfimin shqiptar për Betejën e Kosovës dhe të kryetrimit të kësaj beteje, Milush Kopiliq. Vetvetiu kjo lëndë e përmbledhur në këtë libër flet jo vetëm për Luftën e Kosovës por edhe për pjesëmarrjen masive të shqiptarëve ortodoksë në këtë dhe luftëra të tjera të mëvonshme. Përndryshe, përse shqiptarët e besimit islamë, të cilët në shumicë dërrmuese ishin konvertuar do ta ruanin kujtimin e tyre për një serb, po të kishte qenë serb, heroi i Betejës së Kosovës, Milush kopiliqi? Kjo është poenta dhe merita kryesore e këtij libri. Tetë këngë, dhe në to disa mijëra vargje, të mbijetuara nëpër breza, flasin vetvetiu, ndërsa tani e tutje këto vargje flasin edhe anglisht, dhe kjo është meritë e intelektuales, Anna di Lellio.
Librin e saj, autorja nuk e ka shkruar duke qëndruar e mbyllur në zyre dhe duke shfletuar vetëm internetin, por ajo ka hapëruar nëpër shumë vende, në Drenicë, në Kosovë dhe në Shqipëri, ka biseduar me fshatarë, gazetarë dhe historianë, ka dëgjuar duke e kënduar këtë këngë rapsodët shqiptarë, që edhe sot e kësaj dite e këndojnë këtë këngë sidomos në dasma e ahengje, ka gjurmuar si bleta nektarin dhe ka arritur që idenë e saj për raportet serbe shqiptare ta sintetizojë në një segment të një pozicioni të fortë shkencor. Ajo ka vlerësuar se drenicasit në tërë historinë e tyre të kaluar ishin kryengritës dhe asnjëherë nuk ishin pajtuar me asnjë pushtues. Ata, me kohë e kishin pranuar fenë islame, por nuk e kishin ndaluar kurrë luftën kundër Perandorisë turke. Kishin luftuar edhe Serbinë, Austro-Hungarinë, fashizmin italian dhe gjerman si dhe regjimin kriminal të Milosheviqit, duke tërhequr një paralele historike të qëndresës shekullore heroike, prej Milush Kopiliqit, Ahmet Delisë, Azem e Shote Galicës, Shaban Palluzhës e deri te legjendari i UÇK-së, Adem Jashari, ( Parathënie e librit: f.28-29.)
Duke u nisur nga dëshira për të zbuluar faqet e panjohura të së kaluarës së shqiptarëve, por edhe popujve të tjerë të Ballkanit, Anna di Lellio, në librin e saj “Beteja e Kosovës…” ka pasqyruar me besnikëri realitetin faktik, atë pjesë të realitetit që ka sjellë deri në ditët tona memoria e popullit, duke i ruajtur dhe duke i përcjellë rrëfimet, legjendat, por edhe toponimet për heroin e madh të Mesjetës, Milush Kopiliqin, të cilin serbët në shekullin 18-të e kanë konvertuar në Milosh Obiliq. Mbetet, që për këtë libër të interesohen më shumë institucionet e vendit dhe ta përkthejnë në gjuhën shqipe. Anna di Lellio i ka dhënë një kontribut të çmuar kulturës dhe historisë shqiptare me këtë vepër, e cila doli në dritë kohë më parë në gjuhën angleze dhe e cila iu dedikohet në radhë të parë lexuesve dhe studiuesve anglishtfolës.

Kontrolloni gjithashtu

Nesër përurohen dy vepra të prof. dr. Lutfi Dervishit, "Në frontin e lirisë (me UÇK-në)" dhe "Hijet"

LUFTIMI I TË KEQES NË LUFTËN E TË KUNDËRTAVE

Lutfi Dervishi “Hijet”, roman, LSHK, Prishtinë, 2021 Emri i Lutfi Dervishit është i njohur në …