Ahmet Qeriqi: Koha e Jeniçerëve

Dilaver Goxhaj: JENIÇERËT DJE DHE SOT

“Koha e Jeniçerëve” i autorit Ahmet Qeriqi është një roman letrar-historik që i kushtohet një periudhe para 300 vjetësh, një epoke që shpesh herë është cilësuar si epokë paqësore e qëndrueshme. Kjo periudhë e sundimit turk në trojet shqiptare është shumë pak e rrahur edhe prej letërsisë historike shqiptare. Ngjarjet zhvillohen në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të 17-të, deri në vitin 1735.

Kohët e fundit  lexuesit shqiptar i është prezantuar një libër që trajton ngjarjet pas kësaj periudhe, ai i Ben Blushit (“Të jetosh në ishull”), ndërsa z. Ahmet Qeriqi shkon gati edhe një shekull më herët në trajtesën e tij. Ngjarjet e romanit “Koha e Jeniçerëve” fillojnë pikërisht atëherë kur fillon rënia e fuqisë ushtarake e Perandorisë Otomane, në atë periudhë kur rriten interesat politike të Fuqive evropiane. Tema kryesore e romanit është ajo pjesë e gjeneratës së jeniçerëve shqiptarë, të cilët kërkonin të krijonin hapësira sa më të gjera, ku autoriteti i tyre të ishte sa më absolut.

Kjo ndodh menjëherë pas kryengritjes së koalicionit të ri antiosman i vitit 1689 nën drejtimin e generalit austriak Pikolomini, 300 vjet pas Betejës së Fushë Kosovës nga koalicioni Ballkanik. Pas kësaj kryengritjeje despotët lokalë shqiptarë, si ish jeniçeri Selim agai, falë shkathtësisë së tyre intelektuale dhe instinktit për t’u orientuar në atë situatë, si pjesë e aristokracisë së re rurale, bazuar në zotësinë për të krijuar shpura ndjekësish me jeniçerë vendas e të huaj dhe, mbi të gjitha, bazuar  në djegien e fshatrave që u bënin rezistencë  për mos konvertimin në islamë apo që nuk donin t’u paguanin taksa, eleminuan familje dhe fshatra të tëra  që mund të ishin edhe rivale të tyre, si familja e Gjon Lekut nga fshati Ndernik etj. Rritja e pasurive të shumë gjeneralëve dhe nëpunësve të lartë të Perandorisë e shtynte pjesën e talentuar të jeniçerëve të ngjitej lartë, drejt forumeve të ndryshme të karrierës ushtarake e civile, të pasurimit e të lavdisë. Këta despotë të rinj si Selim agai i Komorës, duke përfituar edhe nga largësia e madhe me qendrën e Perandorisë,  u karakterizuan nga mizoria e paskrupullt në zhdukjen e kundërshtarëve, ndërkohë që sulltani i konsideronte të paligjshëm dhe qëllimi final i të cilit ishte  asgjësimi fizik i tyre, (sikundër edhe ndodh edhe në këtë roman), por Porta e Lartë, meqë ishte në situatë të vështirë dhe këta ndodheshin shumë larg nga qendra ndiqte taktikën e integrimit të tyre në strukturat shtetërore, duke  u siguruar këtyre statusin e të privelegjuarit social, deri në momentin kur asaj i leverdiste. Mirëpo masa e fshatarësisë shqiptare, sidomos ajo e besimit të krishterë, varfërohej, jeta e vjetër e tyre e qëndrueshme po rrokullisej tatëpjetë. Si tipat e jeniçerëve ashtu edhe ata tipikë të fshatarësisë janë krijuar prej autorit Qeriqi me një dashuri të madhe.

Ahmet Qeriqi në këtë vepër  trajton edhe disa tema, deri tash tabu, sikundër është ajo e lëvizjeve të popullsisë shqiptare drejt veriut. Pak a shumë këtë trajtesë e kanë bërë autorë të ndryshëm sllavë, por në inversin e së vërtetës, ndërsa trajtesa që i bën kësaj dukurie z. Qeriqi, bazuar në dokumente autentike dhe në eposin popullor, dalin qartë ato lëvizje si dhe përfundimi i tyre, duke u asimiluar nga sllavët. Bazuar në përmbajtjen e romanit, autori para se të bënte këtë punë, duket se ka studiuar biblioteka të tëra lidhur jo vetëm me historinë e feve dhe ritet e tyre por edhe me historinë evropiane e asaj Otomane të asaj periudhe. Kjo duket tek paraqitjet gjerësisht të serive të ndryshme të deformacioneve fetare, dhe lexuesi e ndjen se nuk ka aspak trillime artistike në këtë drejtim. Çdo gjë, autori e pasqyron në mënyrë që lexuesi çdo ngjarje ta shikojë të gjallë, që ta perceptojë sikur të jetë diçka materiale.

Karakteristikë e Qeriqit është se tek libri i tij “Koha e jeniçerëve” bashkohet romantiku, realisti dhe satiristi në një formë krejt origjinale. Në këtë roman ka edhe saraje bejlerësh, edhe priftërinj, edhe hoxhallarë, edhe imamë, edhe komitë, edhe murgj, edhe satrapë, edhe konflikte, edhe hajna, edhe dashuri të pastër, edhe mblesëri, edhe ceremoni solemne, edhe kuvende burrash, edhe pasione të fuqishme, aty ka edhe prijës popullorë, ashtu si Gjon Leku apo Jak Dreni, diçka që duket përrallore. Dhe të gjitha mbështetur në realitete.

Romani përfundon me kryengritjen e jeniçerëve në Stamboll, nën udhëheqjen e komandantit të tyre, Halil Patronën, e cila na tregon se  jeniçerët shqiptarë kurrë  nuk e patën kuptuar se Turqia kish ardhur në Ballkan,  (si dhe fuqitë e tjera të mëvonshme) që të ushqente trupin e saj vigan dhe s’mund t’i linte shqiptarët të ngriheshin më shumë se roli i shërbëtorit trim e besnik, me gjakun e të cilëve shtronte popuj të tjerë si dhe i mbante ata të nënshtruar. E veçanta e kësaj ngjarjeje historike qëndron në atë se Ahmet Qeriqi e paraqet Halil Patronën, realisht, mbështetur nçë dëshmitë e shumta historike dhe  krejt ndryshe nga autori, Ben Blushi në romanin e tij i cili bën përpjekje për ta paraqitur në groteskë, krejtësisht ndryshe nga realiteti dhe historia.

Pavarësisht se romani “Koha e jeniçerëve” është shoqëruar me një pasthënie analitike dhe me shpjegime  nga autori për lexuesin, ku pasqyrohet edhe literatura e shfrytëzuar për këtë roman historik, përsëri lexuesi bindet se këtu, përveç romanit historik kemi të bëjmë edhe me një roman që mund të nënkuptohet edhe në segmentin alegorik. Faktet historike që autori i përdor me një mjeshtëri të përsosur artistike, jo vetëm që të bindin për njohjen nga autori me detaje të asaj periudhe, në të cilën zhvillohen ngjarjet, por cilido lexues, që e njeh historinë e këtyre 50 viteve të fundit në Kosovë, bindet se autori ka gjetur një formë të përsosur për të hequr paralelet përkatëse të ngjarjeve.

Qysh në rreshtat e para të romanit lexuesi e kupton atë çfarë kërkon të thotë autori, veç historisë së fundshekullit të 17 dhe fillim shekullin e 18. Kryesoja e nëntekstit të tij është se, në çdo 300 vjet Kosovës i ndodhin tragjedi të jashtëzakonshme, tragjedi ku me këmbëngulje është kërkuar nga të huajt, që ai popull të tjetërsohet si komb, të ndryshojë identitetin dhe mundësisht ta braktis Kosovën.

Në vitin 1389 kemi Betejën e parë të madhe të koalicionit Ballkanik për ndalimin e shtrirjes së Perandorisë Otomane. 300 vjet më pas, në 1689, ndodh kryengritja e aleancës së dytë antiosmane, të cilës tashmë i paraprin gjenerali austriak, Pikolomini. Dhe këtu autori përdor alegorinë. Ai nuk na e thotë haptas, por lexuesi e shkon menjëherë ndër mend se autori i thotë: Shih, përsëri, pas 300 vjetësh të tjerë, në vitet 1989-1999 kemi përsëri në Kosovë një koalicion edhe më të fuqishëm se dy të parët.

E përbashkëta e këtyre tre koalicioneve që ndodhin në çdo 300 vjet është, së pari, që shqiptarët janë në qendër të këtyre koalicioneve dhe të tre betejat zhvillohen në territorin shqiptar, në Kosovë.

Dhe veçoria e dytë e këtyre tre koalicioneve është se ata vinë e zgjerohen gjithnjë e më shumë në pjesëmarrje popujsh. 

Në koalicionin e parë kemi vetëm popujt e Ballkanit; në të dytin,  zgjerohet me Austrinë dhe princat e tjerë evropianë; ndërsa në koalicionin e tretë zgjerimi merr përmasa ndërkontinentale, kemi edhe kontinentin Amerikan. Ndryshe nga dy koalicionet e mëparshme, ku armiku i koalicionit ishin turqit, në koalicionin e tretë, ku autori i librit ka qenë pjesëmarrës, armiku i koalicionit janë sllavët, ish një ndër aleatët aleatët kryesorë të koalicioneve të mëhershme. Njëkohësisht, në rast se në dy betejat e mëparshme shqiptarët janë pjesëmarrës në të dy ushtritë ndërluftuese, në të tretën shqiptarët janë vetëm në një krah, vetëm me koalicionin.

Veçoria tjetër, që del prej romanit është ajo që shqiptarët, edhe pse kanë qenë elementi kryesor i koalicioneve, edhe pse janë ata që kanë dhënë investimin më të rëndësishëm në të tre këto koalicione, gjakun, pikërisht ata janë që nuk e kanë gëzuar paqen për të cilën kanë luftuar.  Në të tre rastet paslufta për shqiptarët ka qenë më e keqe se para saj. Të gjitha këto fakte mund të kundrohen në mënyrë alegorike.

Një element tjetër përsëritës në dy koalicionet e fundit është ai se institucionet fetare shqiptare kanë zbatuar të njëjtën politikë ndaj armikut të popullit të tyre, ato kanë mbështetur pushtuesin ose kanë qëndruar neutralë, si gjatë luftës edhe pas saj, dhe nuk kanë mbështetur forcat kryengritëse shqiptare. Ja se si e shpreh  këtë At Mikaili: “Asht e ditun qi e humbme betejën n t cilën na tërhoqi Austria dhe princat e Evrop’s për fitimet e veta, por turku njitasht nuk po na d’bon”(f.14). Mirëpo këtë dukuri sikur e vërejtëm dhe po e vërejmë si gjatë luftës çlirimtare në vitet 1997-99 edhe tash që po vërshojnë misionarët e feve të shteteve  pjesëtare të këtij koalicioni, gjë që lexuesi del në përfundimin se të gjithë, si pushtuesit ashtu edhe aleatët tanë fitues, që kanë ardhur tek ne, kanë sjellë me vete edhe fetë e tyre. Që do të thotë se vinë për të mos ikur më. Shumë qartë kjo shihet edhe në ceremoninë festive të çifligares bamirëse shqiptare, Urania, me rastin e shenjtërimit të burrit dhe kushëririt të saj, e cila pat “konstatuar se  njerëzit e saj të gjuhës e të gjakut po mbijetonin mirë, por ishin në rrugë të humbies së plotë të identitetit… Mirëpo nuk di si ndodhi që emrat e fshatrave të Drenisës, pyet Urania, të jenë ndëruar në tërësi. Më ndje e nderuara bamirëse, unë çova në vend porosinë e atit Mikail[1] para se të vdiste. Ishte amaneti i tij, që rajoni i Drenisës të skicohej si një vend i shenjtë i krishtërimit lindor, ku herokur do të kthehen të krishterët”(f.283), i përgjigjet ikonografi. “Popullsia rashjane vendase, shqiptarët e islamizuar i identifikonte si arnautë, ndërsa shqiptarët e krishterë të prejardhjes ortodokse e katolike pranoheshin si vëllezër”(f.53).

Edhe  pas koalicionit të tretë jemi dëshmitarë se po këmbëngulet që ta ndryshojmë identitetin e Kosovës, duke e quajtur multietnike! Dhe lexuesi shqiptar e ka fare të lehtë se me cilin politikan ta identifikoi Atin Mikail.

Por edhe gjatë qëndrimit nën ish Jugosllavinë, dimë që u bënë përpjekje që shqiptarët, të quheshin jugosllavë dhe shume prej tyre u konvertuan të tillë, sikundër u konvertuan në myslimanë gjatë periudhës së perandorisë Osmane, ku “nuk kishte asnjë lagje në fshat, ku s’kishte të ndërruar… por ti mor Gjon Leku na le çil ndo shteg. – Per nji tash e vetmia mundësi per me shty edhe per ndoj dit’, per te fitue edhe  pak kohë ansht ndrimi… Po,po, ndrrimi! Sepse na n’nji far mnyret edhe jemi ndrruo, por ose s’po e shohim, ose po bajmë sikur s’po e shohim! As jemi t’krishtenë mirfilli, por as turq. Tash per tash kemi mbetun n’mes t rrugës”, konstaton Gjon Leku(f.114).

Lexuesi, kur lexon këta rreshta i krahason me atë çka ndodhi pas koalicionit të tretë, ku kanë vërshuar fe nga më të ndryshmet për konvertimin e shqiptarëve. Dhe të gjitha këto “që ta ndihmojn dhe ta shpëtojnë rajën kur duhet ndihmuar,  dhe ta ndëshkojën kur ajo të rebelohet. Atë duhet ta kthejmë në fe të vërtetë dhe të bëjmë sa më shumë besimtarë besnikë të Perandorisë. Kjo është puna jonë, andaj mos e merr ters  vdekjen e 200 kryçalive. Krejt Maxharistanit dhe Rumelisë Veziri i Madh ua ka falun taksat për gjashtë muej, disa krahinave edhe për nji vit për shkak të sëmundjeve dhe jetës së vështirë të rajës”(f.83), satirizon autori, përmes kryeimamit të vilajetit të Kosovës, ngjashëm me atë çka porositi përfaqësuesi i parë special i OKB për Kosovën në vitin 1999.

Është e vërtetë që despotët lokalë, për të fituar besimin e Sulltanit bënin edhe represione për ndërrimin e fesë, por alegoria e Qeriqit qëndron në atë që i thotë lexuesit se: me ato shtrëngesa “po i greqizon tash e 20 vjet fetarisht pothuajse të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë të Shqipërisë patriarku i kishës ortodokse greke në Shqipëri, Anastasie Janullatos, i cili ka mundur të ndryshoi në tërësi fizionominë autentike të krishtërimit autentik shqiptar” në një shkrim të fundit. Ndërsa me mulla Hamitin autori tipizon patriarkun serb Gojko Pavle, i cili prej vitit 1957 e deri këtë vit që ndëroi jetë ka bekuar të gjitha formacionet vrastare serbe dhe që radio K4 e KFOR-it heshti disa ditë në shenjë zije për vdekjen e tij, ndërkohë që në kompleksin memorial të Adem Jasharit ka shkuar disa herë e ka bastisur. Edhe djegiet e kishave shqiptare nga të konvertuarit në myslimanë dhe ndërtimin mbi gërmadhat e tyre të xhamive, autori e përdor në mënyrë alegorike, ku kisha serbe deri në vitin 1912 dogji 3400 xhami, mesxhide dhe institucione të tjera islamike dhe në vend të tyre ngriti ato serbe, duke përzënë rreth 300 mijë shqiptarë në Turqi.

Një ngjashmëri interesante e romanit me aleancën e tretë është propaganda prej frike e pacifistëve të atëhershëm e të tashëm populli të mos e përkrahte kryengritjen, e vënë ajo në gojën e Shtjefën Gjukanit: “Nuk ka forcë tashma qi po e mund turkun (kupto serbin në koalicionin e fundit,DG), vllazën të krishten! Ne gjatë ikjes do t’marrim tan’ pasuninë e lujtshme, do t’lem kto kasolla dhe tokën shkretë”(f.15), dhe menjëherë të shkon mendja te agjensitë e shpërngules së shqiptarëve për në Evropë gjatë viteve 90-të, ku ”Shumica kishin ulur kurrizin dhe kishin pranuar pozitën e të humburit, pozitën e rajës, që në disa raste ishte e barabartë me pozitën e kafshës“(f.24).

Paralelet e koalicionit dhe kryengritjeve të viteve 1689 dhe 1989 – 1999 nuk janë një e dy, për mos të thënë në gjithçka çka trajtohet në roman. Ja psh. „rajoni Drenisës qendrore ishte qendra e rezistencës“(f.17), apo „sot kemi me vendosun, thotë Ujkan Qirjaqi, a ansht ma e randsishme feja jonë apo vendi ynë. A ansht’ ma mirë të qëndrojm  këtune ku jemi, dhe ku t’paret kan jetue me mija vjet, apo… të lem vendin, vorret, kullosat, pyjet dhe livadhet dhe tanë kto t’mira që dhunuo na i ka i Madhi Zot“(f.18). Dhe, kushdo që ka marrë pjesë në radhët e UÇK-së ka dëgjuar shprehje të ngjashme nga nënat Drenicase: “E n’koftë se e doni mendimin e nji nane të mbetune shkret’ e t’ djegun zemret, una per veti u thom, nuk luj prej këtij vendi“(f.16).

Por çuditërisht fenomene të ngjashme me ato para 300 viteve patëm edhe pas aq vitesh, si “Selim agai nga dy denoncues vendas kishte mësuar për kuvendin në Ndrenik dhe qëllimin e tubimit”(f.19). Dhe a ka ndodh ngjashëm me shpifjet për UÇK-në, “ata qi e kurdisën kët’ t’ ligë, ata janë përkujdesun per me ia lan’ fajin dikujt, dhe n’rastin ma t’keq, per ta derdh mllefin n’ drejtim t’ kundërt, thotë Krap loku”(f.39); apo “Ati Jeronim ka shkue në Komovë dhe ia ka puthun dorën selim agait… para se të largohet aga do t’kurdisim nji kurth per Jak Drenin, sepse ai nji vit ma par m’i ka ka rrahun tre murgji, meqë dikush i pat thanë se murgjt’ e mi po bashkpunonin me deli aganë e  e Vushtrisë”(f.214), e plot raste të tjera bashkpunimi me pushtuesin në dëm të komtëve dje dhe luftëtarëve të lirisë sot, dhe atyre që  flisnin keq për pushtuesin.

                Një nga pasojat më tragjike e të pashërueshme, sikundër del në romanin “Koha e jeniçerëve”, ka qenë dhe është përçarja mes shqiptarëve. Kjo tragjedi tipike shqiptare shfaqet shpesh në roman, ku jo vetëm të huajt e nxisin këtë dukuri, por edhe vetë shqiptarët e sikur e kanë në gjak, apo nga dëshira për t’u përkrahun nga të huajt për të bërë karrierë dhe pasuri: “Njaty asht e keqia vllazën, njaty ansht burimi i s keqes!, – e merr sërish fjalën Gjon Leku- U nda feja e Krishtit, u nda Perandoria dhe humbn’ t’ krishtenët. Po t’ ishim nja, kurren s’do t’na pushtonte turku. E shihni si jena nda tash, edhe ma keq. Dhe qe qysh po na ndodh edhe sot”(f.189), në 74 parti të ndryshme është nda populli në Kosovë. “Fillimisht kjo ndarje nuk hetohej, por nga viti në vit ishte krijuar një hendek i rrezikshëm, i mos durimit, të cilin e yshte selim agai, agallarët e bejlerët e tjerë, por edhe nga shtresa e të konvertuarve fanatikë… Mirëpo edhe në këtë drejtim barra e shtypjes kish rënë mbi të varfërit.(f.78).

                Por një prej faktorëve kryesorë për të përçarë popullin ka qenë dhe është korrupsioni. Ja se si ai e përçan popullin: “Të gjithë qeveritarët, pa dallim, korruptoheshin. Këtë e dinin autoritetet turke, por e lejonin të përhapej si dukuri, meqë kjo i nxiste njerëzit kundër njeri-tjetrit. Dhe, përderisa njerëzit akuzonin njeri-tjetrin, punët shkonin mbarë, meqë nuk kishte kohë të zbulonin  se cili ishte shkaktari i vërtetë i fatkeqësisë dhe i varfërisë së tyre”(f.28).Taksidarët pasuroheshin në mënyrë të paligjshme meqë korruptoheshin nga familjarët e ndryshëm(f. 34). Dhe të gjitha këto citime të kujtojnë menjëherë deklaratat e shpeshta të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, edhe këto ditët e fundit, se kanë për të arrestuar 40 zyrtarë të lartë në Kosovë për korrupsion. Këto fakte të bindin se kemi të bëjmë me një roman historik-alegorik. Në rast se Fan Noli e përktheu „Don Kishotin“ e Servantesit, pasi bejlerët e nëpunësit e Zogut “përpiqen tani të përjetësojnë në Shqipëri një gjendje feudale, prapanike dhe reaksionare si atë të Turqisë së vjetër, se ashtu ua do interesi i klasës“, edhe Ahmet Qeriqi na jep këto paralele, pasi  dukuritë negative të qeverisjes së atëhershme para 300 vjetësh janë aktuale edhe sot, në të gjitha aspektet.

Edhe para 300 vjetësh, edhe pas 300 vjetësh, atdhetarët e vërtetë kanë patur të njejtin fat, burgun. “Imam Fejzullahu nxorri nga çanta e sefjanit një letër ku qenë shënuar emrat e të ankuarve dhe tha: Këtu në defter shkruan se një njeri i panjohur për ne, por besnik i sprovuar i Kajmekamit, ka vërtetuar se kullët e Allahut, Gjon Leku dhe Zahari Gashi mbahen në burg pa faje”. A ndodhi dhe po ndodh kështu me shumë ish luftëtarë idealistë të UÇK-së?

Interesante është edhe trajtesa që autori i „Koha e jeniçerëve” i bën fenomenit të “kriptokrishterëve, që në popull njiheshin me emrin besimtarë laramanë“(.97), ”meqë shumë të krishterë kur ndodheshin nën ndonjë presion apo situatë të vështirë nga qeveritarët, deklaroheshin si myslimanë“(f.77), ku kryefamiljari pranonte të ndërronte vetëm emrin dhe të shkonte në xhami dhe ”me rastin e riregjistrimit nuk iu merrej kurrfarë detyrimi apo e dhjeta, për pesë vitet e para“ (f.28), ishte faza e parë e konvertimit. Mirëpo, duke qenë të tillë ishin bërë të pabesueshëm për të tre palët: për të krishterët, për të konvertuarit dhe për qeveritarët, ndaj gradualisht u konvertuan plotësisht. Mirëpo këtë fenomen e shohim edhe sot, ku  shumë shqiptarë i ndërrojnë teserat e partisë nga zgjedhja në zgjedhje, si dhe bëjnë ndarjet brenda familjes, ku pjesëtarët e saj anëtarësohen në parti të ndryshme opozitare mes veti, gjë që i ka bërë partitë të pabesueshme në popull, ndaj edhe pjesëmarrja në votime ka ardhur gjithnjë duke rënë dhe nuk po arrin të shkoi në zgjedhje as gjysma e votuesve. Edhe UÇK-ja ndoshta do të kishte një fat ndryshe po qe se në krye të saj nuk do të kishin dalë personat  që erdhën dhe në mënyrën sesi erdhën, apo po të qe gjallë Adem Jashari; ndoshta masivizimi i luftës do të ishte shumë herë edhe si një gjë e gjallë.

                Kur autori trajton rrugëtimin e banorëve të Malmirit drejt veriut (qytetit të Nishit), lexuesi nga Kosova, që ka jetuar ngjarjet e luftës sonë të fundit i shkon mendja te rrugëtimi i banorëve të Drenicës drejt Prishtinës dhe Mitrovicës në verën e vitit 1998 dhe vuajtjet e tyre nëpër rrugët e atyre qyteteve.

                Koha e jeniçerëve, që ishte para 300 vjetësh, të cilët ishin shndërruar ose në despotë, ose thjeshtë ushtarë me pagesë në shërbim të pushtetit dhe të të huajve, kryenin detyrën e politikanit, policit ashtu edhe atë të ushtrisë. Po sot, a është e njëjta gjë? Më qartë e shpreh këtë ngjashmëri Albin Kurti në një nga shkrimet e tij të kohëve të fundit, ku thotë: “Politikanët në Kosovë janë mall që shiten e blihen si mallrat. Nëpër vendet e zhvilluara në reklama i ke telefonat Nokia apo veturat Peugeot, sepse atje ka prodhim e zhvillim ekonomik, kurse te ne i kemi këta, të cilët ashtu siç shiten e blihen vetë duan t’i blejnë edhe votat e qytetarëve”. Edhe atëherë edukoheshin në zemër të Perandorisë, duke u shortuar në një rrënjë tjetër (f. 296), dhe po ashtu, edhe sot.

                Një trajtesë tepër e veçantë në roman është edhe rebelimi dhe kryengritja e jeniçerëve shqiptarë me në krye komandantin e tyre Halil Patronën, në qendër të Perandorisë, në Stamboll, në vitin 1730.

Me këtë kryengritje mbyllet edhe romani. Interesante është fakti që fundi i asaj kryengritjeje dhe i drejtuesve kryesorë të saj ishte i ngjashëm me kryengritjen pas 300 vjetësh në Kosovë.

Fillimisht edhe Halil Patrona dhe bashkëkryengritësit e tij u përkrahën  nga Sulltani. Edhe me UÇK-në po kështu ndodhi, ajo u përkrah nga Fuqitë e Mëdha  dhe më vonë bashkëveproi edhe me NATO-n. Sulltani, me të realizuar qëllimin e vet, ndërrimin e qeverisë, i vrau Halil Patronën dhe komandantët e tjerë. Edhe me UÇK-në kështu ndodhi, ajo u mbajt derisa u përzgjodhën njerëzit, që do t’u qëndronin besnikë ndërkombëtarëve, pavarësisht se reformat ishin ose jo në interes të popullit, dhe menjëherë i burgosën, ose i lëshuan në rrugën e madhe të gjithë luftëtarët idealistë.

Dhe këto ngjashmëri i nxjerrim prej fjalëve të kryeimamit  të atëhershëm të Prishtinës, Fejzullah: ”Forca nuk pyet për drejtësi. Halil Patrona me kreun e tij kryengritës krijoi forcën në rrugë, e krijoi prej njerëzve të llumit të Stambollit, dhe Sulltani nuk do që t’i prishet Perandoria nga brenda, për këtë lëshoi pe. Padishahu ynë nuk do që të derdhet gjaku i myslimanëve në Stamboll. Kjo bëri që Halil Patronës dhe të çmendurve të tjerë si ai t’u plotësohen kërkesat…. Halil Patronës, Padishahu ia ka plotësuar kushtet; për të blerë qetësinë në Stamboll dhe për të larguar kryengritësit nga sheshet e Stambollit, shton Selim agai. Mirëpo krejt kjo është bërë për të blerë kohën e artë, ndërsa Halili ynë nuk e ka kuptuar këtë. Ai është njeri i drejtë  dhe është në gjendje të vdesë për drejtësinë. Dhe, pikërisht, duke kërkuar këtë drejtësi ai do të humbë edhe kokën, sepse drejtësinë në tokë e ndan vetëm Allahu dhe askush tjetër”(f.288).

Dhe kjo, nga që si ajo kryengritje edhe kjo pas 300 vjetësh, do të përfundonin në të njëjtën mënyrë sepse nuk kishin udhëheqjen e vet politike.

Tiranë, 19.11.2009

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …