Me rastin e përurimit të librit, “Beteja e Kosovës, epos shqiptar” të autores së mirënjohur amerikane me origjinë italiane, Anna di Lellio, më 27 maj 2010 në Prishtinë, edhe një herë u soll në kujtesë, ngjarja e madhe historike e Ballkanit, në mesjetë, që quhet “Beteja e Kosovës”, e cila për disa mendje të errësuara në Kosovë, vazhdon të mbetet një mit dhe një luftë, që sipas dikujt paska qenë shkaktarja e vetme për vuajtjet 600 vjeçare të shqiptarëve dhe të serbëve. Këtë konstatim nuk e tha autorja e librit, por prezantuesi, kritiku dhe redaktori i librit, Mehmet Kraja, i cili po ashtu shtoi se dhe tre katër të tjerë, intelektualë, si ai paskan ditur se ekzistojnë këngë legjendare shqipe për “Betejën e Kosovës”, por nuk e paskan parë të arsyeshme të merren me to, sepse nuk dalka gjë nga kjo. Këto konstatime dolën si njëlloj “arsyetimi intelektual” përse një studiuese e huaj ka botuar një libër me tetë këngët historike për Luftën e Kosovës, dhe për këtë nuk janë kujtuar katër pesë intelektualët me “nam”, por mjerisht nuk është kujtuar as Instituti i Albanologjisë, as Instituti i Historisë, në të cilin janë shtrirë e bëjnë “qejf historik” rreth 15 historianë në një lokal mbi 1500 metra katrorë, mu në qendër të Prishtinës. Kjo përpjekje për të arsyetuar mungesën e interesimit, por edhe mungesën e dijes dhe studimit në këtë drejtim, është një donkishotizëm naiv i kohës, sepse faktet e argumentet historike madje edhe mbamendja 600 vjeçare e popullit, janë argumente të mjaftueshme dhe kokëforta, që hedhin dritë për këtë Luftë, për të cilën ka mijëra referenca shkencore në të gjitha historitë dhe enciklopeditë e botës, por ka fare pak në tekstet e historisë sonë kombëtare dhe ka shumë falsifikime e stërmadhime në tekstet e historisë së serbëve.
Fakti, se historianët dhe klanet e intelektualëve tanë e kanë mohuar praninë dhe pjesëmarrjen e shqiptarëve autoktonë të Kosovës në këtë betejë, nuk do të thotë se kjo Betejë paska qenë shkaktare e armiqësisë shumë shekullore të shqiptarëve me serbët, sepse tekefundit në Betejën e Kosovës, shqiptarët, serbët e popujt e tjerë të Ballkanit dhe të një pjesë të Evropës, asokohe kanë qenë madje edhe aleatë.
Autorja, Anna di Lellio, e njohur tashmë për publikun tonë, ka bërë një punë të mrekullueshme, e cila duhet të përshëndetet dhe të mbështetet sepse ajo bëri një hap më shumë sesa institucionet tona shkencore, që janë të stolisura me shkencëtarë dhe me lloj-lloj titujsh “shkencorë” e “akademikë”, por shpeshherë edhe me mjerimin intelektual përbrenda qenies dhe intelektit të tyre. Për më tepër, që ky libër është botuar në gjuhën angleze dhe tetë këngët për Luftën e Kosovës, nga gjuha shqipe i ka përkthyer intelektuali dhe njohësi i kulturës, gjuhës dhe historisë shqiptare, Robert Elsie.
Tani ky libër me ndihmën e shtëpisë botuese “Zëri” është në duar edhe të publikut lexues shqiptar, jo vetëm në Kosovë.
Ky libër është shtypur edhe në gjuhën serbe, nga Ivan Çolloviq, në Beograd, edhe pse me rastin e botimit të librit të Anna di Lellios, (një vit në parë), në gjuhën angleze, ajo ishte kritikuar e kërcënuar nga mendje-terratisurit e Beogradit.
Duhet pranuar faktin se nuk kanë munguar interesimet e shqiptarëve për këtë ngjarje historike, as para botimit të këtij libri, për të cilët autorja, Di Lellio e ka thënë fjalën e saj me sinqeritet, por ka munguar qasja shkencore e institucioneve, ka munguar edhe vullneti i shkencëtarëve me tituj, për të lexuar atë literaturë që është botuar sidomos pas luftës së UÇK-së dhe të cilën e kanë botuar “individët pa tituj të lartë”, anonimë për “klanet intelektuale”, por jo edhe aq anonim për rezistencën dhe luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi.
Ja një fakt. Nëse para vitit 2003 keni shtypur në google: “Milush Kopiliqi” nuk keni marrë asnjë rezultat, asnjë të dhënë, por nëse keni shtypur “Milos Obiliq” keni marrë sa e sa informacione në gjuhën serbe. Prej vitit 2003, kur është botuar një libër studimor lidhur me prejardhjen e Milush Kopiliqit ( A.Q. Milush Kopiliqi, serb apo shqiptar? Prishtinë 2003) e deri tani, në google, yahoo, e në kërkues të tjerë elektronikë, janë shtuar dhe po shtohen përditë përmbajtjet në këtë temë. (Ky fakt mund të vërtetohet fare lehtë, përmes internetit).
Autorja e librit, Anna di Lellio, ka bërë një punë të përkushtuar, jo me qëllim për ta rrëzuar mitin serb për Betejën e Kosovës, sepse, ajo nuk u udhëhoq nga ai qëllim, por për të treguar para botës se po për këtë betejë ekziston edhe rrëfimi shqiptar, madje një rrëfim me mijëra vargje, të shënuara vonë, por të përcjella nga tradita amoraje e mbamendjes popullore. Ajo ka zbuluar edhe faktin se edhe sot e kësaj dite, rapsodë të rij e të vjetër, në Kosovë dhe në Shqipëri, i këndojnë kësaj lufte dhe heroizmit të Milush Kopiliqit, duke konsideruar se ai ishte heroi i tyre fatkeq, por jo i harruar, madje as nga shqiptarët e besimit islamë, të cilët edhe pse pranuan islamin, nuk e kanë zbehur kurrë kujtesën për të kaluarën e tyre tragjike, por edhe heroike.
Mjafton të shtrohet pyetja, përse shqiptarët për 600 vjet do t i kenë kënduar këngë këtij heroi, nëse ai ka qenë serb?
Përse ata nuk i kanë kënduar këngë Brankoviqit, Mbretit Llazer e të tjerëve?
Përse shqiptarët islamë, do ta ruanin të freskët nëpër shekuj kujtimin për një prijës të krishterë, fenë dhe aspiratën e të cilit sikur e kishin harruar, apo e kishin “tradhtuar”?
Janë këto pyetje jo edhe aq të lehta për t’u përgjigjur, por mjafton një konstatim logjik në këtë rast. Milushi, Mileshi, apo Miloshini ishte nga Kopiliqi i Drenicës, territor me popullatën dërrmuese shqiptare, të krishterë lindorë. Në një pjesë të kësaj treve kishte zotërimet e tij Milush Kopiliqi, pastaj Vuk Brankoviqi dhe mbreti tribal, Llazer. Po të lexohet ku emër mbrapshtë dhe do ta gjeni të ruajtur lokalitetin e Drenicës që quhet Rezall.
LLAZER = REZALL
Emri u përfitua me kthimin mbrapsht të shkronjave të këtij vendi, me qëllim që të ruhej kujtimi për vendin e këtij prijës, i cili po ashtu kishte rënë në Luftën e Kosovës. Nuk besoj se kemi të bëjmë me një koincidencë, sepse afër fshatit Rezall, ndodhet edhe fshati Marinë, pronat e të cilit kanë qenë “miraz” i vajzës së Mbretit Llazer, e cila quhej Mara, gruaja e Vuk Brankoviqit, kundërshtar dhe rival i Kopiliqit, edhe pse të dy ishin dhëndurë të Mbretit Llazer. Emri i gjinisë femërore Marë, nga i cili është përfituar emri i fshatit Marinë, e jo Morinë, është një emër tipik tradicional shqiptar, që haset qysh në përrallat e moçme se “Mara e përhitur”, Mara e Terbaqit etj.
Edhe një fakt tjetër. Deri në vitet 90, të shekullit të kaluar në shumë fshatra të kësaj pjese të Drenicës, çdo vit, më 15 qershor organizoheshin gara të mundjes, në shenjë përkujtimi për 15 qershorin e vitit 1389, kur Sulltan Murati i Parë, u mund nga Milush Kopiliqi.
Serbët, në fletë-kadastrat e para, pas vitit 1918, emrin e fshati Kopiliq e kishin ndërruar në Obiliq. (Shih fletë-kadastrat e kësaj kohe të fshatit Kopiliq i Ulët). Më vonë u rikthye emri i vjetër Kopiliq, meqë Obiliqi (Kastrioti i sotëm) ishte ndërtuar në një vend afër Prishtinës, në Hashani, ku mendohej me të drejtë se ishte zhvilluar edhe Beteja e Kosovës, meqë po në atë vend, afër lumit Sitnica, ishte zhvilluar edhe Beteja e Dytë e Kosovës e vitit 1448. Pikërisht në këto anë të Rrafshit të Kosovës, serbët bënë edhe ndërrimin e dhunshëm të toponimisë, duke emërtuar fshatrat sipas motiveve të luftës së Kosovës, si Babin Most, Miloshevë, pastaj Devet Jugoviq etj.
Në fshatin Kopiliq kanë mbetur disa toponime, që lidhen me emrin e këtij luftëtari me nam. Pastaj, në vitin 1971, një fshatar në arën e tij, në mes të fshatit Kopiliq dhe Burojë, kishte zbuluar një gurë katror në formë kubike, me mbishkrime iliro-romake, të cilën e konfiskoi milicia titiste dhe ia humbi gjurmët. Asnjëherë nuk u bë e ditur ku u zhduk ai gur, ndërsa fakti, përse nuk u publikua as lajmi për këtë rast, lë për të dyshuar se zbulimi nuk i përshtatej rrëfimit serb për Luftën e Kosovës dhe për fshatin Kopiliq.
Janë këto vetëm disa nga faktet, që na japin për të kuptuar se në Betejën e Kosovës barrën më të rëndë dhe pasojat më fatale i barten mbi supe shqiptarët e krishterë, të cilët më vonë, sigurisht edhe nga dhuna që ushtroi Sulltan Bajaziti, djali i Sulltan Muratit, u detyruan ta ndërrojnë fenë. Në regjistrimin e parë të pushteti turk të vitit 1455, shtatë vjet pas Betejës së Dytë të Kosovës, në Vushtrri, ku shtriheshin pronat e Vuk Brankoviqit, hasim me shumicë emra islamë, turk e arabë, ndërsa në fshatrat e Drenicës, nuk kemi pothuajse as një emër të konvertuar. (Shih: Dr, Muhamet Tërnava: Popullsia e Kosovës në shekujt 15-16)
Beteja apo lufta e Kosovës?
Lufta e Kosovës, e 15 qershorit të vitit 1389, sipas kalendarit gregorian, ( 29 qershor, sipas kalendarin julian) ka ndodhur në ditën datën dhe në vendin e caktuar, pikërisht në Kosovë, ku ende gjallojnë edhe toponimet e shumta, që lidhen me këtë luftë, që e organizuan prijësit e krishterë të mesjetës, kundër forcave ushtarake të Sulltan Muratit të Parë, i cili kishte filluar depërtimin e shpejt drejt vendeve të Ballkanit, me qëllim për të vazhduar rrugën drejt shteteve të Evropës. Në këtë luftë, u mundën forcat e krishtera, por prijësi me origjinë nga Drenica, Milush Kopiliqi, e vrau Sulltan Muratin. Vrasja e Sulltanit u bë simbol qëndrese për të krishterët liridashës, të cilët kishin humbur betejën, por ata kurrë nuk e pranuan se e kishin humbur luftën, mirëpo pranuan se e kishin humbur vetëm një betejë, meqë pretendonin të luftonin sërish. Dhe, sërish në vitin1448, forcat e krishtera në flamurin e prijësit të njohur magjar, Janosh Hunjadit, dhe prijësve nga shumë shtete të Evropës juglindore dhe qendrore, po në Fushë të Kosovës, do ta humbin një betejë tjetër me pasoja edhe më katastrofale. Shkaku i humbje, thotë historiani i mirënjohur austriak Hammer, ishte se Hunjadi nuk i priti 10.000 mijë ushtarët e Gjergj Kastriotit, por i bindur në fitore, i sulmoi turqit te Lumi Sitnica dhe ushtria e tij e madhe u shpartallua në tërësi. Ai shpëtoi duke ikur me disa nga kalorësit e tij të zgjedhur. Ishin këto dy beteja të humbura të një lufte shumëshekullore, apo vetëm dy nga qindra beteja të tjera më shumë të humbura sesa të fituara, krejt deri në vitin 1912, kur forcat e bashkërenditura evropiane, franceze, italiane, gjermane, austrike ruse dhe të popujve të tjerë sllave fillojnë luftën vendimtare kundër Perandorisë Osmane dhe kundër shqiptarëve e hebrenjve.
Beteja e Kosovës e vitit 1389, është një ngjarje e mirënjohur në histori, dhe kjo betejë nuk ka të përbashkët asgjë më mitin apo mitologjinë, sikur pretendohet nga ata që nuk e dinë dallimin esencial mes mitit dhe historisë. Historia mbështetet në dokumente, të dhëna e argumente të shkruara, fillimisht të mbajtura në mend, pastaj të shkruara. Me qëllim për të mos harruar asnjë të dhënë lidhur me zhvillimet në luftë, prijësit qysh moti kishin angazhuar kronistët, të cilët kishin për detyrë të qëndronin në prapavijë të vendit ku luftohej, në mënyrë që të përcillnin zhvillimet dhe të shkruan atë që po ndodhte.
Është i njohur edhe fakti se të gjitha ngjarjet e mëdha të historisë janë shënuar edhe në kujtesësn e popujve, ngjarje këto që janë rrëfyre nga brezi në brez, që janë kënduar dhe po ashtu janë përcjellë nga brezi në brez.
Këngët shqipe për Luftën e Kosovës, të cilat i ka sjellë deri në ditët tona kujtesa e rapsodëve popullorë brez pas brezi, nuk kanë të bëjnë me mitin, për “Luftën e Kosovës” por kanë të bëjnë me rrëfimin e popullit lidhur me atë ngjarje, kanë të bëjnë me rrëfimin e këngëtarit, i cili ka thurur në vargje tregimin, historinë, ashtu sikur është rrëfyer, ashtu sikur e ka dëgjuar, e ka kënduar, dhe të tjerët, duke e dëgjuar e duke e mësuar përmendsh e kanë transmetuar deri në ditët tona. Fakti se nga brezi në brez ajo këngë ka pësuar ndryshime, jo vetëm artistike por edhe përmbajtësore nuk mund të mohohet, ashtu sikur nuk mohohet as fakti se përmbajtja e këngës, që ka arritur deri në ditët tona ka shumë elemente realiste, madje pa e tepruar mund të thuhet se e ka ruajtur shumicën e këtyre elementeve, të cilat fare lehtë mund t’ i krahasojmë me faktet e shkruara historike.
Këngët për Luftën e Kosovës, folkloristika shqiptare i ka trajtuar si këngë legjendare dhe jo si këngë historike me elemente legjendare.
Nëse vazhdimisht pranojmë të vërtetën se këngëtari më i madh i të gjitha kohëve, Homeri grek ka shkruar “Iliadën” dhe “Odisenë”, ku edhe deri në detaje ka përshkruar betejat e grekëve në Trojë dhe rrugëtimet e mëvonshme të Odiseut, ku bashkëjetojnë realja dhe irelaje, ku bota është e ndarë në botën e njerëzve sundimtarë dhe të zotave, që veprojnë sipas tekeve të tyre, atëherë përse të mos besojmë, deri në një nivel në realitetin e një këngë për Luftën e Kosovës, e cila ka ndodhur rreth dy mijë vjet pas Homerit, ndërsa është shkruar në letër pesëqind vjet pas Betejës.
Këngët serbe janë shkruar pak më shumë se para dy qind vjetësh, por nuk janë këngë tipike popullore. Ato janë krijime artistike, të interpretuara po ashtu nga këngëtarët si Vishnjiq, të publikuara nga Vuk Karaxhiq e shumë të tjerë dhe nga anonimët, të cilët dinin shkrim lexim dhe të cilët gjatë dy shekujve të fundit kishin ndërtuar një epos të vërtetë e shumë të fuqishëm artistik, një epos letrar, i cili, sundimtarëve serbë iu shërbeu si frymëzim për epopenë e lavdishme, për Betejën e humbur në Kosovë, e cila më vonë u bë edhe mesazh politik i sundimtarëve serbë, me qëllim për t u rikthyer në tokat e pushtuara në mesjetë nga sundimtarët e Rashkës dhe të Zetës.
Historiografia serbe, e cila në vazhdimësi e ka mohuar praninë e shqiptarëve autoktonë në Kosovë, gjatë dhe para mesjetës, ashtu sikur mohon edhe aktualisht pavarësinë e Kosovës, përmes eposit të Betejës së Kosovës ka arritur ta bind publikun sllav dhe atë evropian mbi të “drejtën” rikthimit në tokat e pushtuara të “banëve” e të “vojvodëve” të mesjetës. Këtë aspiratë të tyre ata e realizuan në kohën kur perandoria Turke po dobësohej dhe në kohën kur në luftë kundër Turqisë ishte formuar Aleanca e shenjtë sllave, të cilën e ndihmuan ushtarakisht dhe financiarisht po thuajse të gjitha shtetet e Evropës, shtete këto, që hezitonin ta njihnin pavarësinë madje edhe më shumë se të përgjysmuar të Shqipërisë.
Shqiptarët, shumica dërrmuese e të cilëve të cilët kishin pranuar islamin, nga Rusia dhe shtetet e fuqishme të Evropës konsideroheshin si turq dhe u lanë në mëshirë të hordhive sllave, ruse, bullgare, të cilët gjatë Luftërave Ballkanike vranë e masakruan rreth 400 mijë shqiptarë, turq, hebrenj,etj.
Shqiptarët nuk pranuan të ktheheshin në fenë e moçme dhe bashkë me te sikur abortuan edhe historinë e tyre të mesjetës, meqë ata, në kushte dhe rrethana ekzistenciale, kishin zgjedhur rrugën për të mbijetuar dhe jo për të rezistuar deri në shfarosje, përballë një Perandorie, që ishte shtrirë në mesin e tri kontinenteve, Azi, Afrikë, Evropë, dhe ku kishte sunduar për më shumë se 500 vjet.
Kujtesa popullore shqiptare,megjithëse nuk e kishte harruar të kaluarën, ajo improvizonte sikur e kishte abortuar besimin e të parëve por jo edhe traditën dokësore, madje as festat dhe traditën e krishterë. Ajo për një kohë të gjatë jetoi me dy fetë bashkë, me krishterimin në brendi dhe islamin në formë, duke anuar gradualisht kah kjo e fundit, kuptohet për favore ekonomike. Madje pas pushtimit sllav dhe barbarive që ata ushtruan, shqiptarët nuk kishin më asnjë motiv ta ndërronin fenë, edhe pse popat serbë në shumë vise të Kosovës kishin kryer konvertim të dhunshëm. Ata që nuk pranonin të konvertoheshin vriteshin, madje edhe i detyronin, që paraprakisht të hapnin vetë varrezat masive, ku pasi i vrisnin me gra burra e fëmijë, edhe i varrosnin.
Edhe në kushte të tilla të represionit mizor dhe fashist, kur shteti Serb Kroat Slloven nuk e njihe fare përkatësinë kombëtare shqiptare, të cilët i trajtonte si turq, rapsodët shqiptarë i kënduar luftës së Kosovës, kryeheroit, Milush Kopiliq, por edhe Sulltan Muratit, i cili paraqitet si një sundimtar i drejtë, të mençur dhe shumë popullor.
Tetë variantet e shënuara deri tani të këngëve për Luftën e Kosovës, përbëjnë një cikël të këngëve historike me elemente të mitit e të legjendës, elemente këto që janë futur gjatë shekujve nga vetë rapsodët, të cilët kanë jetuar në kohë dhe në rrethana të caktuara.
Kënga e rapsodit shqiptar në të kaluarën ka qenë, tregimi, romani, drama, novela, poezia, krejt ajo që është zhvilluar gjatë shekujve. Folkloristika jonë na ka mësuar se këta rapsodë kanë qenë analfabetë, vetëm për faktin se nuk kanë ditur shkrim lexim, edhe pse kanë ditur përmendsh deri në 20 mijë e më shumë vargje.
Si mund të quhet analfabet një njeri që di përmendsh 20 mijë vargje këngësh?
Edhe Homeri paska qenë i tillë, madje edhe i verbër, por ai i këndoi Luftës së Trojës, në anë mënyrë që kënga e tij u bë edhe shkolla e parë dhe e fundit e rrëfimit, eposit, e dramës.
Jemi mësuar që rapsodin popullit të shekullit të kaluar ta shohim si një këngëtar shëtitës, si një eod grek të dikurshëm, i cili jetonte dhe fitonte nga shpërblimi, që merrte për këndimin e këngëve. Të tillë rapsodë, të shtegtonin nga një vend në tregonin dhe u këndonin ndodhive historike, legjendare apo edhe ndodhive ditore kishte kudo në trojet shqiptare, por edhe në trojet e popujve të Ballkanit, sepse nga Ballkani, konkretisht nga Greqia e lashtë depërtoi drejt Evropës kultura, jo vetëm e rapsodëve grekë, por tërë një trashëgimi kulturore, që vazhdon të mbetet bazament i tërë historisë së kulturës dhe qytetërimit njerëzor evropian.
Jemi mësuar, apo na kanë mësuar të mendojmë të mos i marrim seriozisht këngët popullore, sepse ato janë anonime, janë ashtu sikur, të themi prona e shteteve socialiste, pronë e gjithkujt edhe e askujt në të njëjtën kohë.
Jemi mësuar që më shumë t i besojmë një letre të shkruar nga një ta zëmë kalorës, apo prift, sesa një historie të tërë të rrëfyer nga një anonimus popullor. Kështu na kanë mësuar dhe kushdo që bën përpjekje ta tregojë anën tjetër të rrëfimit, përgojohet dhe shpërfillet.
Për të dhënë mendim më të avancuar në raport me faktin e shkruar historike dhe kujtesën e rrëfyer brez pas brezi, duhet të kthehemi disa shekuj prapa.
Tradita kulturore e arabëve dhe e hebrenjve e njeh formën e mësimit dhe interpretimit përmendsh, të traditës si mënyrë me epërsi.
Trashëgimia kulturore hebraike, fillimisht ishte zhvilluar me interpretim gojor, dhe për shumë kohë kishte qenë e ndaluar kultura e shkrimit, sidomos ajo me përmbajtje fetare. Tradita e amorajve popullorë nga kasta e farisenjve konsideronin se “Fjala e gjallë mund të zhvillohet, mund të adaptohet në situata e në rrethana të caktuara…Ajo shumë me lehtë interpretohej e shumë më vështirë ndalohej, sikur ndaloheshin librat e shkruar. Për më tepër fjala i bishtnonte edhe censurës. Fjala nuk mund të ndizej në turrë të druve, përveç në rastet kur ndizej së bashku me interpretuesin” ( Talmudi, Prathënia e përkthyesit, Eugjen Veber, f 23-24, Beograd, 1990).
E tërë trashëgimia kulturore shqiptare është zhvilluar brez pas brezi me interpretim gojor. Tërë eposi, baladat, legjendat, këngët e ndryshme, mençuria popullore, tradita dokësore, Kanuni i Lekës dhe kanune të tjera janë mësuar dhe janë interpretuar përmendsh. Kultura shkrimore shqiptare është shumë e vonë dhe kjo nuk do të thotë se jemi popull i vonuar për shkak se kemi filluar të shkruajmë më vonë se të tjerët. Përkundrazi. Ky element tregon se shqiptarët, në kohën e formimit të tyre si etnos, ende e përfillnin traditën e vjetër të mësimit dhe interpretimit përmendsh të traditës. Tërë organizimi i jetës së tyre kulturore bazohej në interpretim gojor.
Kastën e amorajve shqiptarë e përbënin, rapsodët shëtitës, këngëtarët, lahutarët, pleqtë, ekzegetë të njohur të interpretimit të kanunit dhe këngëtarë të dëgjuar që dinin përmendsh mijëra vargje këngësh me motive të ndryshme.
Në këtë segment duhet të kundrohet Eposi shqiptar i Luftës së Kosovës, i cili me sa dimë ne, ruajti në kujtesë një ngjarje historike 600 vjeçare, të padeformuar, por të perfeksionuar nga aspekti stilistik e metaforik, duke e ruajtur tërë kompeksitetin e rrëfimeve, të cilat përbëjnë një tërësi të fuqishme kompozicionale.
Kënga për luftën e Kosovës, e kënduar nga këngëtari Hamëz Xhema, nga fshati Bojkoviq i Vushtrrisë, të cilën e ka shënuar studiuesi serb, Gligorije Elezoviq në vitin 1923, na jep një tablo, pse jo edhe homerike të Luftës së Kosovës, duke i qëndruar shumë afër historisë dhe duke e begatuar atë me elemente fantastike e legjendare, të denja për artisët e fjalës së kohës së tij.
E meta kryesore e kësaj këngë është se rapsodi Hamëz Xhema, nuk e kishte kënduar këngën, duke e përcjellë me lahutë, sipas zakonit, sepse ndodhej në burg, i akuzuar nga regjimi serb në vitet 20 të shekullit të kaluar. Studiuesi Elezoviq, e kishte vërejtur këtë fakt dhe kishte konstatuar me të drejtë se rrëfimi i vargjeve çalonte shumë, madje edhe me faktin se këngëtari ishte i prangosur dhe në një gjendje të rëndë shëndetësore e morale. Megjithatë, ai e kishte rrëfyer këtë këngë, ashtu sikur e kishte mësuar qysh fëmijë, dhe ashtu sikur e kishte kënduar dhjetëra e ndoshta edhe qindra herë.
Për dallim nga shtatë këngët e tjera, varianti i rrëfyer nga Hamëz Xhema, është varianti më i pasur, më i besuar dhe më i thururi artistikisht nga të gjitha variantet e tjera.