(Shënim për monografinë „Fati i luleve“ të shkrimtarit Kadri Rexha)
1. Tabllo realiste e Kosovës së përgjakur
Fati i luleve“ është monografi e shkrimtarit, kritikut e publicistit Kadri Rexha, kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit dhe patriotit Jusuf Gërvalla. Autori i ka jetuar e përjetuar mjaft nga ngjarjet që përbëjnë tabllonë e kësaj monografie, e cila nuk paraqet thjesht „fatin“ e një luleje, të Jusuf Gërvallës, por tabllonë e gjerë të një pranvere shqiptare nën robërinë serbosllave, „fatin“ e luleve në tabllonë tragjike të Kosovës, fatin e disa brezave që u flijuan për lirinë në çdo qytet, në çdo fshat, në fis e në çdo vatër të popullit shqiptar të martirizuar në gjysmën tjetër të atdheut, atë të robëruar.
Autori na flet fare pak për veten, gati me rezervë. Por lexuesi e kupton nga informacioni i madh, nga moria e fakteve dhe e ngjarjeve, nga përshkrimi i imtë i situatave, nga dokumentacioni i madh referues, nga galeria e madhe e njerëzve që skicon ose portretizon, se ai ka kaluar një proces të mundimshëm pune. Na ka dhënë më shumë se një portret për Jusuf Gërvallën. Ka skalitur një monument të vërtetë në prozë për djalin e mrekullueshëm të nënës Kosovë, Jusuf Gërvalla. Dhe, kuptohet, autori e ka njohur mirë heroin, e ka pasur shok ideali për lirinë e atdheut. Kanë ndarë tok gëzimet dhe kafshatën e hidhur të bukës nën robërinë serbe. Kanë ndjerë tok gazin e luftës së bijëve për jetën dhe nderin e nënës Kosovë, kanë ndjerë tok shijen e hidhur të njekjes, persekutimit, izolimit, paraburgimit, burgimit, të fyerjes dhe të poshtërimit dhe… sot jo vetëm Kadri Rexhës, por mbarë rinisë kosovare i shungullojnë ende krismat që vranë Jusuf Gërvallën…
Autori, për të dhënë këtë tabllo të përgjakur te të gjithë Kosovës, jo rastësisht e ka titulluar librin e vet „Fati i luleve“, sepse ajo nuk flet vetëm për heroin Jusuf Gërvalla. Autori ka rendur pas gjurmëve të Jusuf Gërvallës nga Duboviku, në Pejë, Prishtinë, Shkup, Slloveni, Gjermani… Kjo gjë i ka dhënë dorë që, si rastësisht, nën vështrimin e tij, të zbulohet akt pas akti tragjedia shqiptare e këtij shekulli dhe sidomos, atë që po vazhdon të ndodhë sot.
2. Dokumentaritet i një proze
Kjo vepër dokumentare është një tragjedi optimiste, siç ishte dhe mbeti për jetë emri i Jusuf Gërvallës i cili thoshte: „Liria do të vijë!“ „Sot burgu, nesër mali, pasnesër liria…“.
„Fati i luleve“ është monografi patetike e Kadri Rexhës. Prozë dokumentare, e shkruar nga një penë e talentuar. Është tepër e vështirë të shkruash për shokun e flijuar për idealin e përbashkët. Duke e lexuar këtë vepër për fatin e „luleve“, fatin e rinisë shqiptare në Kosovë, të përftohet përshtypja se autori qan, duke i nxjerrë fjalët. Se ato dalin nga thellësi e shpirtit për të thënë të vërtetën, faktin sa më të saktë.
E lexojmë këtë monografi me një frymë, ndonëse në faqe të tëra, rilexon, ndalesh. Sepse ndryshon edhe stili. Ai bëhet më lakonik, më ekspresiv. Dendësia e mendimit dhe furia e ndjenjës janë tronditës. Lexuesi ka përshtypjen e efekteve të një proze poetike. Tonin optimist kësaj vepre ia jep jeta e Jusuf Gërvallës, kënga e tij që shoqërojnë skenat, tabllonë, njerëzit: „Liria do të vijë!“ „Liria do të vijë“, nënë Kosovë!
Tablloja e tragjedisë shqiptare në Kosovë nis që në fillim të shekullit, kur kryengritësi Bardhosh Dinë Gërvalla luftonte me shokët e tij, që atëherë kur Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Galica ishin gjallë dhe me bëmat e tyre e rritën emrin, nderin dhe lavdinë shqiptare. Që në fillim, atëhere në kohën e „Vitit të Mbrapshtë“ (1913), kur atdheun na e ndanë në dy pjesë: njëra – shtet i pavarur, tjetra – nën robërinë serbe, malazeze, maqedonase, greke.
Jusuf Gërvalla në këtë monografi është heroi tragjik i saj. Fati i tij dhe i njerëzve brenda faqeve të këtij libri është një dhimbje e madhe e shpirtit të madh të kombit tonë, i martirizuar si asnjë tjetër për lirinë, pavarësinë, bashkimin, dinjitetin e tij mes kombeve të tjerë.
Përmes figurës së heroit Jusuf Gërvalla autori na e jep fatin tragjik të rinisë, të mbarë popullit shqiptar në trojet e veta etnike, nën robëri. Shtrirja kohore në tre breza, që lidhen me Jusuf Gërvallën, i shërben autorit të japë pasazhe nga dokumentacioni historik mbi barbarizmin serb në Kosovë. Krimi monstruoz zhvillohet në sytë e Evropës së qytetëruar. Në vend të Makbethëve: Garashanin, Pashiq, Gjorgjeviç, Savo Batarja, Kosta Vojvoda, Miliç Kërstiç, Drazha Mihajlloviç, Ivo Andriç, Vasa Çubriloviç, Aleksandër Rankoviç, Sllobodan Millosheviç… Nga brezi në brez në 239 faqe të këtij libri shfaqet dora gjakatare e krimit ndaj popullit shqiptar.
3. Mesazhet e veprës
Vasa Çubrilloviç, përbindësh i krimit! Vepra studimore e këtij krimineli miret me zhdukjen dhe shfarosjen e shqiptarëve nga trojet e tyre etnike. Ky teoricien racist dhe kriminel mbahet si idhull dhe studjohet. Dhe kjo ndodh sot kur Evropa e përcëlluar nga luftërat botërore e shikon Hitlerin në filma, ndërsa arrogancën e Millosheviçit dhe krimin ndaj Bosnjes e ka të pranishme në ekranet televizive.
Lexojmë monografinë e Kadri Rexhës, kushtuar Jusuf Gërvallës dhe para sysh na del populli i tradhëtuar, populli që ka kult besën është i goditur, i pushtuar ushtarakisht nën një dhunë e aparteid të jashtëzakonshëm.
Jusuf Gërvalla, përjetësisht i ri në faqet e kësaj monografie, na sjell një mesazh neve dhe brezave që vijnë: lirinë e kemi vetë në duar, në shpirtin tonë, në vatrat tona. „liria do të vijë!“ Jusuf Gërvalla me këtë mesazh bëhet një simbol, një zë e flamur për çdo shqiptar drejt lirisë.
Monografia „Fati i luleve“ është një akuzë ndaj krimit.
Sa shumë thuhet ndër rreshtat e këtij libri, sepse nuk flet për një „Lule“, por për një kurorë, për një pranverë të popullit shqiptar. Akuza për krime ende të pagjykuara. Akuza për gjenocid. Vrasje masive. Vrasje monstruoze serbe ku nuk kursehen pleqtë, fëmijët, gratë, nxënësit, studentët, punëtorët, militantët, veteranët e Luftës së Dytë Botërore, një aparteid i vërtetë këtu në Ballkan. Dhe e gjithë kjo ndodh sot, ndonëse kanë kaluar pesëdhjetë vjet që Hitleri u largua në horizontin e Evropës.
Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla u vranë nga kriminelët serbë më 17 janar 1982! Po sa bij të Kosovës martire janë vrarë më 1994, 1989, 1988, 1981, 1968, 1945, 19…
„Fati i luleve“?! Prehen, mbuluar nga flamuri kombëtar, të gjallë ndër shekuj, mes nesh, mes brezave që do të vijnë, të përjetshëm. Se, kush vdes për Shqipërinë, jeton përjetësisht tok me të. Monografia „Fati i luleve“ e Kadri Rexhës ka vlera të veçanta njohëse dhe edukative për të gjithë kategoritë e lexuesve, është prozë e një pene të talentuar, e një poeti të ri, që e di mirë ç’shkruan.