Qeveria e Kosovës, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së FSK-së për dërgimin e kontingjentit të kësaj force në operacion humanitar në Republikën e Shqipërisë. Zëvendësministri i FSK-së Brahim Mehmetaj tha se kërkesa për ndihmë ka ardhur nga ambasada e Shqipërisë në Kosovë. “Dje në Ministrinë e FSK-së ka ardhur një kërkesë nga ambasada e Shqipërisë, për mbështetje logjistike të FSK-së, në ndihmë zonave të përmbytura në Shqipëri.MFSK menjëherë i ka bërë shkresë Qeverisë që të aprovohet misioni, për ndihmë zonave, që janë të përmbytura në Shqipëri. Ne kërkojmë që kjo të aprovohet si procedurë, pastaj shkon te kryeministri dhe presidenti dhe presidenti autorizon FSK-në që të marrë pjesë atje në mision. Kërkesa është për një urë atje sipas informatave që kemi janë dëmtuar mbi 70 ura dhe ata kanë nevojë. FSK e ka mundësin me ndiku dhe është gati me kontribuua në këtë drejtim”, tha Mehmetaj.
E kryeministri Ramush Haradinaj tha se shpreson që vendimi të merret me kohë për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në Shqipëri. “Kjo ura ka të bëjë me vërshimet. Dje ishte e pamundshme sepse kërkesa erdhi pasdite.. Procedura është e parapare sepse nuk është vendim i kryeministrit por i Qeverisë. Për këtë arsye iu ftuam edhe sot dhe shpresoj se nëse ne marrim me kohë këtë vendim dhe presidenti autorizon në kohë FSK-në, atëherë të paktën kjo urë dhe ky veprim t’i ndihmojë qytetarët në Shqipëri”, tha Haradinaj.