Mr. Kadri Rexha: NË SHQIPËRI GJETËM NJË NËNË

 ( Me rastin e 55-vjetorit të arratisjes së rapsodit Dervish Shaqa)

Rapsodi kombëtar në kohë zezone

Në odat e Dukagjinit dhe më gjerë kënga e rapsodit Dervish Shaqa ishte bërë institucion i historisë dhe traditës, arkiv i kronikave të gjalla, ishte bërë ndjenjë dhe përjetësim kombëtar. Kënga e tij, kudo që dëgjohej, ushqente krenari për të kaluarën dhe shpresë për të ardhmen. Ajo mbillte farën e dashurisë për atdheun dhe farën e urrejtjes për armikun. Nuk duhet harruar se veprimtaria frytdhënëse e Dervish Shaqës zhvillohej në një kohë terrori, në një zezonë të madhe, kur edhe për një fjalë goje të hante burgu dhe të shkonte koka. Është koha kur qeveria e Beogradit po vazhdonte përpjekjet e ethshme që në çdo pore të jetës së popullit shqiptar të godiste sa më shumë në mënyrë që të shuante çdo ndjenjë kombëtare dhe liridashëse. Kreatorët e  politikës shoviniste serbe të ngritura në institucion antishqiptar, si dikur Klubi Kulturor Serb, i mbante shpresa se kishte ardhur koha të japin kontributin historik në serbizimin e Kosovës. Qeveria zyrtare në çdo hap mbillte ndjenjën e inferioritetit të popullit shqiptar, si popull i dorës së dytë, si popull i shkallës së fundit. Presioni i pushtetit kishte hyrë derë më derë dhe manifestohej në rrugë, në treg, në fushë, në bjeshkë e gjetiu. Në manifestimet e shpeshta që organizoheshin me rastin e festave shtetërore, të përurimit të shtëpive të kooperativave, të shtëpive të kulturës, të stacioneve të milicisë e kështu me radhë, nën hijen e flamurit serb dhe jugosllav, fjalimet e deklamuara nga udhëheqësit e shtetit dhe të partisë përfundonin si me lutjet në ritet fetare me parullat e zakonshme: poshtë armiku i brendshëm, poshtë Shqipëria dhe poshtë Enver Hoxha!… Ishin këto qëndrime të caktuara antishqiptare që po zbatoheshin me shpejtësi të furishme drejt serbizimit të Kosovës, drejt asimilimit të popullit shqiptar dhe drejt përgatitjes për pushtimin e Shqipërisë, të cilat për së shpejti do të ktheheshin në represalie dhe në terror të përgjakshëm kudo në trojet shqiptare që rënkonin nën pushtetin serbo-jugosllav. 
         Sikur të mos mjaftonte gjithë kjo barrë e rëndë që peshonte mbi popull, gjatë dimrit të vitit 1955/56 pushteti organizoi edhe një tmerr të ri dhe të llahtarshëm. Si për fillim rrugët u mbushën me milic të armatosur. Shtëpitë po përmbyseshin. Njerëzit merrnin frymë me zor. Për çdo natë arrestoheshin me qindra. Që në fillim të aksionit për mbledhjen e armëve ftohet edhe Dervish Shaqa. Ato ditë edhe natyra ishte tërbuar. Temperatura kishte rënë në minus 30°C. Patrullat e milicisë me mashinka në krah po depërtonin edhe në rrugicat më të ngushta. Burrat vetullngrysur, një grusht zhelesh në këmbë, me pushkë kraheqafe ose pa të fare, ecnin dy-tri metra para milicëve të krekosur. Nisën poshtërimet edhe në sy të familjeve, në rrugë, në treg e gjetiu. Bodrumet me ujë i freskonin plagët e njerëzve që i kishin marrë nga goditjet e konopit të lagur dhe nga dajaku atje lartë në zyrat e UDB-ës. Të tjerët, ata që nuk kishin çka të dorëzonin, të mbyllur në qelitë e burgut, qëndronin në pozitën e kërrusur, as ulur as në këmbë, me currilin e ujit që u binte në lugun e qafës… Por mëkatar kishte shumë sa nuk i zinin burgjet të gjithë. Prandaj me të tillë u mbushën përplot edhe sallat e shtëpive të kooperativave, mësonjëtoret e shkollave… Të tjerët i lidhnin për trungjet e pemëve pranë stacioneve të milicisë, në fushë, buzë rrugëve, në zabele dhe mbaheshin me net të tëra me këmbë të zbathura në borë. Pjesën tjetër i detyronin të zhyteshin në përrenj, në kanale, në lumenj… që të qëndronin me orë të tëra në ujët deri në fyt. Ata që ankoheshin nga të ftohtit i priste stufa…
         Ky ankth nuk kishte hyrë vetëm në Llukë të Epërme dhe në komunën e Deçanit. E tërë Kosova dridhej nën ethet e acarit, nxehej nën peshën e pendrekut dhe rrihej nën valët tronditëse të rrymës elektrike. Aty ku mungonte arma, për të shitej lopa, delet, toka… Bashkëpunëtorët e UDB-ës shitnin armë me çmime të larta. Vetëm një pushkë qarkullonte deri në tridhjetë herë në duart e fshatarëve, të cilët detyroheshin ta blinin nga organet e sigurimit. Personat që nuk kishin me çka ta blinin atë armë të mallkuar, merrnin botën në sy dhe hidheshin përtej kufirit. Të tjerët, duke dashur t’ia lehtësonin vetes mundimet, mbyteshin në puse dhe vareshin në litar. Rankoviqi pothuajse e kishte lëshuar Beogradin dhe çonte lesh në foletë e ngritura me kujdes nga këlyshët e tij në Deçan dhe në mbarë Rrafshin e Dukagjinit. Për çdo ditë gjuante arinj në Bjeshkët e Nemuna, ndërsa për çdo natë tridhte burra në zyrat e milicisë. Ai tash i shkrehur e me nge shikonte punën e zellshme të argatëve të tij në zbatim të programit mbi zhdukjen dhe shpërnguljen e popullit shqiptar për në shkretëtirat e Turqisë. Dhe nuk kishte pse mos të ishte i lumtur: bota ende nuk kuptonte se një shtet socialist në emër të lirisë, të komunizmit dhe të përparimit po i zbatonte pikë për pikë doktrinat fashiste të Çubrilloviqit dhe të Andriqit mbi zhdukjen e shqiptarëve, një populli të lashtë që jetonte gjysh pas gjyshi në trojet e veta.    

Vdes, por qen udbe  nuk bëhem kurrë
   
Dervish Shaqa e kishte dorëzuar pushkën, por me kaq pushteti nuk ishte i kënaqur. Nga dera e Shaqë Ramës, pjesëmarrësit te të gjitha luftërave që ishin bërë në mbrojtje nga serbo-malazezët, UDB-a kërkonte pushkë të tjera. Dervish Shaqa akuzohej për punën që kishte bërë si gardian burgu në Prizren dhe në Tiranë gjatë kohës së Shqipërisë, për bashkëpunimin me armiqtë e shtetit si Asllan Boletini, etj. si dhe për propagandë armiqësore të zhvilluar me këngë dhe gojarisht kundër shtetit dhe popullit. Pas vrasjes mizore nga Ozna të trimit Tal Babani nga fshati Llukë e Epërme UDB-a kërkonte vrasës tjerë të kolonëve gjakpirës serbo-malazez. Me akuza për vrasje trajtoheshin disa burra të Llukës së Epërme, ndër të cilët Demush Neziri, Adem Rama dhe Ukë Kaçorri, ajka e katundit, të gjithë shokë të Dervish Shaqës. Ndër shokët tjerë të Dervish Shaqës që akuzoheshin për pushkë dhe për vrasje ishin edhe Sadik Rama i Isniqit, Mehmet Hajdari i Irzniqit dhe ndonjë tjetër në katundet për rreth.
      Lidhur me akuzat që i bëhen Dërvish Shaqa ankohet në Prishtinë te Mazllum Nimanai, vëlla i Xhavit Nimanit, kryeudbash për Kosovë. Mazllum Nimani , pasi pohon se është në dijeni për të gjitha ato që po bëhen ndaj tij, ia pret shkurt: “Ose rri me ne, me punë e më këngë, ose do të kalbësh në burg përgjithmonë.” Dërvish Shaqa kthehet në shtëpi me vendim të prerë: “vdes, por qen udbe nuk bahem kurrë.”
      Kish ditë që Dervish Shaqa pyetej dhe maltretohej psikikisht dhe fizikisht në stacionin famëkeq të milicisë në Deçan. Siç tregon Shpendi, i biri i Dervish Shaqës, një ditë, para mëngjesit, Dervishi kthehet në shtëpi. Nga lëndimet e mëdha mezi ulet në shtrat. E shoqja Zoja dhe i vëllai Syla i afrohen dhe e pyesin për gjendjen. “Nuk po ankohem për rrahjet dhe plagët, por për çka po më pyesin dhe me çka po më ngarkon UDB-a, ma nuk ka mbetur rrnesë në Kosovë, veç më duhet me ikë…” përgjigjet Dervishi. Ai, më në fund, e kishte vendosur të kalonte kufirin dhe të dilte në Shqipëri. Më shumë se për shpëtimin e trupit të vet, me kokë dhe me zemër,  ai e mendonte shpëtimin e këngës. Brezi i ri, ardhmëria e shqiptare, kishte nevojë për këngën, për frymëzim me dashuri për atdheun dhe lirinë, historia e popullit ishte në këngë dhe kjo duhej kënduar, duhej përsëritur deri në bashkimin e trojeve. Në anën tjetër Demush Nezirin e kishin dërmuar sa nuk qëndronte dot në këmbë të veta. Bllazh Bubiqiqi, udbash, kishte lënë vendlindjen në Mal të Zi dhe ishte vendosur në Pejë. Nga Demush Neziri kërkonte gjakun e të atit të vrarë në Shekullar. Ai ngulte këmbë se babën ia kishte vrarë Demush Neziri. “Sidoqoftë, je apo jo vrasësi i tim et, një ditë me duar të mia do ta nxjerri zemrën dhe do ta qes, ja këtu, në tavolinë”, i kishte thënë ai Demushit. 
         Por dasmat e shqiptarëve nuk ndaleshin. As Dervishi me Demushin nuk e ndalën këngën. Ishte kjo kënga e zogjve këngëtarë që sfidojnë vdekjen duke kënduar. Dhe, ata, nga dita në ditë, po pritnin momentin që të kalojnë në Shqipërinë nënë. Për rapsodët ishin këto çaste të rënda që nuk përshkruhen. 


  Kënga e fundit në vendlindje

 Nata e 7 dhe 8 marsit 1956 për shtetin është festë, ndërsa për rapsodët është nata më gjatë në jetën e tyre. Atë natë po këndonin në Llukë të Epërme, në dasmën e Ahmet Isufit. Duke kënduar deri në kupë të qiellit ata trimëronin dasmorët në odë,  përbuznin dhimbjen dhe plagët në shtat e në zemër, sfidonin udëbenë dhe pushtetin gjakatar: 

                                Prej qat sene qi a kanë hyrjeti
                                Ksaj Kosov’s kurrë s’ju nda gazepi
                                U çu’  hyrjeti, osmanlia
                                Na erdh Nemci na erdh Serbia  
                                Nam të madh po bajnë hafija
                                Kjo hafija nam po banë
                                Burrë të mirë nuk do me lanë
                                O vjen nji ditë do t’bahen pishman…

Aty para mesit të natës Dervish Shaqën e ftojnë në divanhane. Bashkëfshatari i tij, Tafë Sahit Thaçi, ia lëshon në dorë thirrjen e nënvizuar me tri vija të kuqe dhe porosinë që “edhe treqind shpirta nëse i ke n’rafsh nesër në dorë të udëbesë asnjë shpirt nuk ka me të mbet në trupin tënd”. Dervishi kthehet edhe një herë në mesin e dasmorëve dhe pa lënë ndonjë dyshim ulet përballë Demushit. Pasi Dervishi i jep shenjë Demushit, telat e sharkisë dhe çiftelisë kumbuan si kurrë ndonjë herë, hidhur dhe pikëlluar, ndërsa zëri i thekur i rapsodëve, si në flakë të pushkëve, mbushi odën dhe si gjëmë dheu pushtoi fshatrat dhe fushat për rreth. Fjalët e këngës aq sa evokonin një moment jo fort të largët të historisë sonë po aq rrëfenin dramën e trishtuar të asaj nate të pa harruar:   

                      Kamber Loshi Kamber Sejdija
                      Çou bre djalë t’ka rrethu Serbia
                      Thrret Kamberi vllaznit e mi
                      Boll e keqe kjo Serbi
                      Shumë ma t’zi shqiptartë  e këqi
                      Që i bajnë vllaut monafiki
                      Për Serbi pata me pshtue 
                      Po janë shqiptarët tue ndihmue
                      Mos mbet zoti pa i marrue
                      …………………………………
                      Ai prefekti fjalë o i ka çue
                      Kamer Loshit me u dorzue
                      Tri sereze o t’kem rrethue
                      Me i pasë kraht me fluturue 
                      Prej Belice s’munesh me pshtue
                      Kamber Loshi o po i çon fjalë
                      Ty prefekt o mos t’kofsha falë
                      Nuk t’bi nore sa t’jam gjallë
                      Për pa u kallë kjo shpi me kashtë
                      Për pa më ra mu zjarri n’qafë 
                      O Kalle flakë more qitja timin 
                      Sa t’jam gjallë s’ta jep dorëzimin…

Se kjo ishte kënga e fundit e rapsodëve në vendlindjen e tyre e parandien të gjithë të pranishmit në odën e burrave: dasmorët dhe mysafirët e shumtë enkas të ardhur pas darke nga fshatrat për rreth. Thonë: si kurrë ndonjëherë më parë, atë natë, rapsodët dhe dasmorët u bënë një, u shkrinë në një dhembje, në një pikëllim, në një qëllim, në një porosi… Dhe, kështu, kah mesnata, pas një preteksti të krijuar, Dervish Shaqa së bashku me Demush Nezirin, duke marrë lejen e të zotit të dasmës, ngrihen në këmbë, i mbledhin pamjet e fundit të dasmorëve të përlotur dhe, në heshtje, duke lënë lamtumirën e fundit, me dhimbje në shpirt, dalin përjashta…
         Thirrje të ngjashme si për Dervish Shaqën, atë natë, UDB-a kish dërguar edhe për Demush Nezirin dhe Adem Ramën. Pasi të tre u morën vesh e ftuan edhe Isa Hoxhën, nip i Llukës së Epërme, që atë natë ishte i pranishëm në dasmë. Isa Hoxha kish ditë që kishte ikur nga milicia e Junikut dhe ilegalisht fshihej te dajat në Llukë të Epërme. Aty për aty u morën vesh që Isa Hoxha t’u printe për në Shqipëri, pasi si Botushas që ishte, i njihte shtigjet mirë për kalimin e kufirit. Me angazhimin e Isa Hoxhës në rolin e prijësit, Dervish Shaqa edhe një herë ia djegi planin udëbesë për likuidimin e tij: UDB-a, gjoja në fshehtësi të madhe, kishte përgatitur planin për kalimin e Dervishit dhe të Demushit në Shqipëri. Si realizues të planit për udhëheqës UDB-a kishte caktuar, gjoja në besë, një mik të Demushit nga Isniqi, i cili për këtë aksion Demushit ia kish sjellë një pushkë me fishekë… 
         Para se të niseshin në drejtim të kufirit, edhe një herë, që të tre, u kthyen në familjet e tyre për t’u përshëndetë dhe për të lënë lamtumirën e fundit. Pikëpjekjen për nisje e lanë në shtëpi të Sokol Smailit. Dervishi me vrap kthehet në shtëpi. Në prani të vëllait, Sylës, të gruas, Zojës, dhe të fëmijëve, Shpendit dhe Aliut, njëri shtatëvjeçar e tjetri gjashtëmuajsh, në pika të shkurta bisedojnë për shumë çka. Syla e siguron për fëmijët dhe gruan, ndërsa Zoja, në heshtje, e siguron për besnikërinë e përjetshme dhe për kujdesin e devotshëm ndaj fëmijëve. Pasi edhe një herë, me lot burri, i përqafon Shpendin dhe Aliun, shpejt e shpejt, hallallshtiset, përshëndetet me ta dhe niset. Në krye të shkallëve nëna Rukë e ndalë Dervishin, e përqafon me lot, duke i thënë: prit pak, bir i nënës, se po më duket sonte paske udhë të gjatë. Pas pak ia sjell një palë meste dhe një palë këpucë, të cilat atë dite Zenuni për vete i kishte blerë në Pejë. Me lot për faqe Dervishi i zbret shkallët, bie në fund dhe, para se të dalë për portë të kullës, edhe një herë e kthen kokën dhe i shikon Shpendin dhe Aliun në ngryk të nënës Zojë, që dridhej si plepi në ditë vjeshte…
         Pas pak të tre u takun sërish te caku dhe u nisën.I pari prinë Isa Hoxha, pas tij vijnë Dervish Shaqa, Adem Rama dhe në fund, me pushkë në dorë, Demush Neziri. Çajnë rrenë e borës së trashë dhe heshtin si ajo natë dimri Dukagjini. Secili në brendësi tjerr mendime dhe në shpirt mbrun nga një dhimbje të madhe sa malet me borë. Ecin në kolonë dhe ndihen si lisa të rrëzuar në stuhi. Nga të ftohtit që u kishte hyrë në zemra nuk e ndienin fare acarin e egër të natyrës. Për t’i ikur çdo dyshimi dhe çdo rreziku u nisën për në Kodrali, rrotull kaluan Junikun, u ngjitën në bjeshkë dhe u ndalën në stanet e Botushës. Për pak çaste aty pushuan, me tallat që i kishin sjellë me vete i ngrohën duart dhe rreth orës katër të mëngjesit kaluan kufirin. Emocione, dhimbje, ofshamë dhe dënesje të heshtur në të njëjtën kohë. Prapa kufirit të mallkuar shqiptaro-shqiptar po linin më të dashurit, miqtë, rininë, përpjekjet… Nuk kishte kohë për vaj as për rënkim… Albumin e kujtimeve, arkivin e këngëve dhe idealin i mbanin në zemër. 

Në Shqipërinë Nënë

Sipër oxhaqeve ngrihej tymi i mëngjesit. Dita e re po fillonte.  Nga qafa e rrëpirë e Padeshit me thirrje të gjata provojnë t’u bëjnë zë malësorëve poshtë në fshat. Por kot, nga lartësia e madhe zërat e tyre humbnin në humnerë. E merr Isa Hoxha pushkën nga Demushi dhe fillon t’ia ngrehë këmbëzën. Kot. Pushka shkrepë, nuk ndez. I mungon gjilpëra. As fishekët, e provuar më vonë, nuk bënë punë. Që përpara udëba i kishte zier dhe baruti nuk ndizej. Atëherë Dervish Shaqa e nxjerr bombën e vetme që përherë e mbante në xhep dhe e vërvitë shkëmbinjve teposhtë. Nga ushtima e bombës alarmohen kufitarët dhe burrat e Shipshanit, të cilët, sa hapë e mbyllë sytë, u shkojnë në ndihmë. Natën e parë pushojnë në Shipshan. Natën e dytë në Bajram Curr. Ditën e tretë i bartën në Tiranë. 
         Pas pyetjeve të para, të përgjithshme, nga Tirana i dërgojnë në kampin për strehim në Llakatun të Vlorës. Atje pyeten gjatë kohë: rreth shkakut të arratisë, rreth gjendjes së rëndë në Deçan, rreth situatës politike në Kosovë. Hetues kryesor për të arratisurit nga Kosova ishte Sali Shatri, intelektual nga fshati Tomoc, Komuna e Burimit, i arratisur politik në vitet e pasluftës. 
         Në kamp ditët dhe netët janë të gjata. Koha nuk ecën fare…
         Tashti Dervish Shaqa ka kohë të mendojë. Ka kohë të bëjë analiza për veprimin e ndërmarrë. Me mendime kthehet në Llukë të Epërme. Në mëngjesin e akullt të tetë marsit. Me sytë e mendjes rreth kullës së Shaqë Ramës sheh korba të zi. Në krye të milicëve korbi Fetah Gasha. Qeni serb. Gjithçka në kullë përmbyset. Nga oda e burrave e deri në ahur të bagëtisë duar të përgjakura kërkojnë armë… Përplasje dyersh… Shkatërrime orendish… Pëllitje lopësh… Blegërima delesh… Në oborr rrëmujë… Zëra të çjerrë… Pyetje… Britma… Ulërima… Mallkime… Kërcënime… Tmerr…E tërë familja gjashtëdhjetë anëtarëshe me këmbë zbathur në borë. Burrat qehrengrysur sfidojnë. Gratë e fëmijët, të mërdhirë, vetëm heshtin… Në mbrëmje kulla ngryset pa burra… Tortura barbare tërë natën… Sylën, Zenunin, Isën dhe burrat tjerë, të thyer brinjësh e të përgjakur, mëngjesi i zë para stacionit të milicisë në Deçan. Të gjithë të lidhur për pemë…  Të gjithë në këmishë e tëlina, në borë, deri në shokë.
         Kjo skenë përsëritet edhe në oborr të Demush Nezirit, Adem Ramës, Isë Hoxhës… në oborret e mbarë Rekës… Dhe kudo në Kosovë:

                                Zot, çka janë k’ta korba t’zi
                                N’atë Kosovë n’atë shqiptari
                                K’ta nuk janë korba të zi
                                Po asht udba me milici
                                Tmerruen robë e tmerruen fëmijë…

Janë vargjet e para, tharmi i këngës “E pesëdhjetë e gjashta sene ka hi”… Zemra i digjet e loti i rrjedh … Por. Ah…Këngë të tjera do të lindin pas saj… Parandjenja e ligë për ardhmërinë e Kosovës te Dervish Shaqa nuk gjen strehë. Kish ikur nga vdekja poshtëruese, por jo nga lufta. Luftën nuk do ta ndalë deri në liri… Dhe ai ndihet luftëtarë i atdheut. Dhe ai ndihet i pamposhtur në idealin e tij… Për pushkë ka sharkinë. Zërin ka për plumb:
                                                   
                                Ah, more Titë, more Titë tradhtari
                                Qëso vuajtjesh s’duron shqiptari
                                Kët’ terror që po e ban ti
                                Tash gjithkush mirë asht ka e di
                                Don shqiptarët me i çue n’Turqi
                                Nuk jem  turq me shkue n’Turqi  
                                Jem shqiptarë e dojmë Shqipni…
                                                 
         Jo. Jo. Nuk dorëzohen armët e mia, pa dëgjuar bota e të shtatë krajlia….  

         Një ditë, në bisedë e sipër, Sali Shatri i tregon Qerim Ukës për Dervish Shaqën dhe për të arratisurit tjerë nga Kosova. Qerim Uka nga Ozdrini, po ashtu, i arratisur nga dhuna e krajlit serb dhe i vendosur në Shenavlash të Durrësit në kohën e A. Zogut. Me t’u përmendur emri i Dervish Shaqës, Qerim Uka, me lot për faqe, ngrihet në këmbë. Ndër të tjera, rrëfen se babanë e Dervishit, Shaqë Ramën, e njeh ngase në Llukë i ka dajat. Tregon se familja e tij  ka qenë dhe është derë e dëshmuar për tradita dhe atdhedashuri. 
         Qerim Uka ishte pronar i ndërmarrjes bujqësore që posedonte qindra hektarë tokë në rrethinat e Shenavlashit dhe Rashbullit, të cilat i kishte blerë me para në kohën e Zogut. Ai kishte kullë të madhe private në Shenavlash dhe argatë të shumtë me rrogë. Shtëpia e tij, me leje dhe përkrahje të Sigurimit, ishte kthyer në qendër të Lëvizjes irredentiste ku ushtroheshin grupet diversante për veprime atdhetare në Kosovë dhe në vise tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia. 
         Qerim Uka menjëherë i lutet Salihut që t’ia sjellin në kullë Dervishin me shokë. Qerimi, po ashtu me leje të Sigurimit, pas tetë muajsh, i nxjerr nga strehimi Dervishin me shokë dhe u tregon atyre se tashti e tutje do të banojnë në kullë të Qerim Ukës dhe se do të punojnë në  ndërmarrjen e tij. Adem Rama i lutet Sali Shatrit që ta lejojnë të shkojë tek dajat në Tropojë. Salihu ia plotëson kërkesën, ndërsa me Dervish Shaqën, Demush Nezirin dhe Isa Kastratin shkojnë te Qerim Uka. 
         Qerimi i pret mirë, i vendosë për banim në kullë të vet dhe u gjënë punë të treve. Në ndërmarrjen e tij bujqësore Dervish Shaqa bën punën e rojës së fushës dhe ekonomisë, ndërsa kohën e lirë e kalon në ushtrime diversantësh pasi qysh në fillim qe bërë anëtar i Lëvizjes. Thonë: si diversant, Dervish Shaqa ka hyrë disa herë në Kosovë. 
         Derisa Demush Neziri shpejt krijon familje të re në Shenavlash, Dervish Shaqa vazhdon të njëjtën punë në pronën e Qerim Ukës rreth gjashtë vjet me radhë. Gjatë kësaj kohe, sidomos pas suksesit të madh që korrin në një dasmë në Qerret, rapsodët Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, me këngët e tyre do t’i hapin dyert e suksesit në të gjitha fshatrat e rrethit të Durrësit. Puna e Dervish Shaqës në ndërmarrjen bujqësore do të zgjatë deri në kohën kur Qerim Uka ia dhuron pa asnjë kompensim Kooperativës dhe Shtetit tërë pasurinë dhe tokat e veta. 
         Në ndërkohë, me përkrahjen e Sali Shatrit dhe të Qerim Ukës, diku rreth vitit 1958, Dervish Shaqa i bën incizimet e para në Radio Tiranë, këngë me motive patriotike dhe lirike dashurie. 
      Pas formimit të kooperativës së Shenavlashit, një kohë, Dervish Shaqa jeton në Elbasan. Për të qenë më afër Radio Tiranës, pas pak muajsh, diku në vitin 1964, Dervishin e tërheqin nga Elbasani dhe e dërgojnë në Tiranë. Për pak kohë e vendosin në Shtëpinë e studentëve e më vonë i gjejnë banesë në Tiranë. Gjatë kësaj kohe Dervish Shaqa përsëri punon në një kooperativë bujqësore, e quajtur SMT, e cila merrej me kultivimin e rrushit, fiqve, ullinjve dhe pemëve të tjera. Në këtë kooperativë, me kërkesën personale, Dervish Shaqa merret me mprehjen e veglave të punës.

        
                        Dervish Shaqa dhe Grupi kosovar i Rashbullit
                         
         Në ndërkohë, në Shenavlash, në tokë të Qerim Ukës, Kooperativa ia falë Demush Nezirit një truall për ndërtimin e shtëpisë. Po në këtë kohë nga Tropoja kthehet në Shenavlash edhe Adem Rama. Kooperativa e Shenavlavshit pas pak vitesh përparon dhe bëhet njëra ndër kooperativat më të forta të kohës. Në rrethanat e zhvillimit të estradës dhe kulturës së vendit, si thirrje e kohës, në Kooperativën e Shenavlashit lindë nevoja për themelimin e një shoqërie kulturore artistike. Për fillim, në vitin 1965, themelohet shoqëria muzikore “Grupi Kosovar i Shenavlashit”. Sipas të dhënave të mbledhura nga studiuesi Jetish Kadishani aktivitetin e parë për formimin e Grupit, me sugjerimin e kompozitorit Pjetër Dungu, e ka bërë Demush Neziri. Në fillim Grupin e përbënin Demush Neziri, Hafiz Buçeza, Vlash Lorenci, Bajram Disha dhe Sylë Hasani, për t’u përtërirë dhe zgjeruar një vit më vonë edhe me shumë anëtarë të rinj dhe të talentuar. Edhe pse në start Grupi nuk kishte pretendime të mëdha, tashti, pas një viti përvoje, nami i shoqërisë do të dëgjohet edhe përtej rrethit të Durrësit dhe do të nxitë interesimin e mbledhësve të folklorit, etnografëve, etnomuzikologëve dhe kompozitorëve. Në saje të suksesit të dëshmuar si dhe të simpative të personaliteteve partiake dhe shtetërore për këtë Grup, kryetari i KB Shenavlash-Rashbull, Bahri Kërçova, nga fondet e Kooperativës, Grupit do t’i ndajë mjete materiale për sigurimin e instrumenteve muzikore, gardërobës dhe lokalit për ushtrime.
         Në vitin 1967, në fqinjësi me Shenavlashin, në fshatin Rashbull, themelohet grupi tjetër muzikor me emrin “Grupi Muzikor i Rashbullit”. Këtë Grup e themelon familja e madhe Kabashi me origjinë nga rrethinat e Burimit. Rreth këtij Grupi të ri mblidhet një numër i konsideruar këngëtarësh, instrumentistësh dhe valltarësh të melosit popullor kosovar. 
         Duke e parë se anëtarët e të dy grupeve muzikore përbëhen kryesisht nga shqiptarët me origjinë nga Kosova dhe se qëllimi kryesor i tyre ishte kultivimi dhe paraqitja folklorit burimor nga trevat e Kosovës, me kohë, lindi ideja e bashkimit të grupeve. Konkretisht me bashkimin e grupeve muzikore u mor Agim Berisha, arsimtar i muzikës në Durrës, po ashtu me origjinë nga Peja. Nga dy grupet e bashkuara, në vitin 1967, krijohet “Grupi kosovar i Rashbullit”, ansambli i famshëm i këngëve dhe valleve kosovare, i cili për dy dekada me radhë, nga gjiri i vetë do të nxjerrë këngëtarë, instrumentistë dhe valltarë të talentuar, do të nxjerrë nga harresa, do të kultivojë dhe do të përhapë me dashuri dhe mburrje folklorin burimor kosovar si dhe do të thyejë rekorde pas rekordesh në një konkurrencë të jashtëzakonshme me ansamblet e njohura muzikore të mbarë Shqipërisë. 
         Menjëherë pas formimit të Grupit Kosovar të Rashbullit, kryetari i kooperativës, Bahri Kërçova, shkon në Tiranë, bisedon me Dervish Shaqën, i premton shtëpi dhe e fton që të kyçet në Grupin muzikor, aty ku edhe e kishte vendin dhe ku mund ta jepte kontributin e tij jetësor. Në vitin 1968, Dervish Shaqa, përfundimisht, vendoset në shtëpi të re në Rashbull dhe anëtarësohet në “Grupin Kosovar të Rashbullit”. Me inkuadrimin e Dervish Shaqës Grupi fitoi peshë të madhe, gjak të ri, vrull të pandalshëm kombëtar dhe vlerë të lartë profesionale. Grupi udhëhiqej nga Agim Berisha dhe, diktuar nga nevoja, shpesh do të arrijë në pesëdhjetë anëtarë aktiv. Puna vetëmohuese e anëtarëve dhe vlerat e shumëfishta artistike e kombëtare Grupit ia hapën rrugën e fitores anembanë Shqipërisë. Në saje të vlerave ky Grup muzikor arriti të ngjitet në skenat e qyteteve më të njohura të Shqipërisë duke marrë pjesë në përvjetorët e festivalet më të njohura të kohës nga ato të rrethit të Durrësit, Tiranës, Vlorës, Kukësit, Shkodrës, Tropojës, Pukës, Dibrës e deri në Festivalin Kombëtar të Folklorit në Gjirokastër. Në këto paraqitje Grupi dhe pjesëmarrësit u shpërblyen me duartrokitje frenetike nga shikuesit, me vende të para, me fletëlavdërime dhe me mirënjohje të ndryshme nga juritë profesionale. Ndër anëtarët më të shpërblyer dhe më autoritar të Grupit, me plot meritë, qenë Dervish Shaqa, Demush Neziri, Shaban Salihu, Merushe Badolli, Ali Kabashi, etj.1) 
         Me vendosjen përfundimtare në Rashbull rapsodi Dërvish Shaqa stabilizohet fizikisht dhe shpirtërisht. Tashti  përsëri është afër Demush Nezirit dhe Adem Ramës. Tashti është në mesin e popullit me të cilët përjeton dhe ndanë shumëfish mallin e familjes, të vendlindjes dhe të mbarë Kosovës. Aty përsëri e gjeti kuptimin e jetës dhe  kuptimin e këngës përvëluese. Tashti aq sa u jep të tjerëve dashuri dhe këngë po aq merr nga të tjerët për vetveten dhe për këngën. Inkuadrimin në Grupin muzikor e ndjen si detyrë të shenjtë dhe si ngushëllim shpirtëror. Respektin e thellë që i bëhet nga anëtarët e ansamblit, nga fshatrat e rrethit të Durrësit dhe nga mbarë Shqipëria Nënë e përjeton si nderim të jashtëzakonshëm e të çmuar. Kosova dhe Shqipëria për të gjithmonë kishin qenë një trup, një trup i ndarë nga shkau. Kishte ikur nga vdekja dhe kishte hyrë në jetë. Sa familja kosovare kishte pasur fatin e tij. Të gjithë sot gëzonin jetën, shkollën, punën, shërbimin ushtarak. Të gjithë nën të njëjtin kujdes. Në duart e Shtetit… Vërtetë, vendlindja, prindërit, bashkëshortja, fëmijët, më të dashurit… kanë kuptim të veçantë, të pazëvendësueshëm… Por ka edhe diçka përtej dhimbjes, përtej dashurisë… Dhe, pikërisht, ky shpirt sublim, kjo ndjenjë hyjnore, ky ideal…bëhet fjalë, bëhet tingull, simfoni, dashuri, frymë dhe derdhet ujëvarë në këngën himn “Kur ta kthyem moj Kosovë shpinën”:

                                Vatrat tona i kemi lanë
                                Por n’Shqipni gjetëm një Nanë
                                Bacë Enverin, nanë Partinë
                                Vëlla e motër, tanë Shqipninë…

                        
                        Kënga e kthyer në kushtrim

         Nga kjo kohë për rapsodin Dervish Shaqa fillon një përvojë e re edhe në lëmin e këngës dhe muzikës. Kontaktet e tij me mbledhës dhe studiues të folklorit, si Qemal Haxhihasani, Zihni Sako, etj. me etnomuzikologë, me etnografë dhe me kompozitorë, si Pjetër Dungu, Tish Daija, Mustafa Krantja, etj. ia përforcuan hala më shumë bindjen për vlerën kapitale të folklorit si dhe i hapën horizonte të reja për këngën dhe rolin e saj në shoqëri e në jetë. Me këtë bindje kishte kënduar në Kosovë. Me këtë bindje i këndon këngët që i kishte sjellë nga Kosova. Me këtë bindje do t’i këndojë këngët që do t’i krijojë vetë ose do t’ia shkruajnë të tjerët. Këngët që i këndon në dasma fshatrave, ato në kuadër të programit të “Grupit Kosovar të Rashbullit” ashtu edhe këngët që i regjistron në fonotekën e Radio Tiranës dhe të Radio Kukësit për Dervish Shaqën qenë jo vetëm material shpirtëror, traditë, kronikë dhe histori por edhe frymë, ndjenjë, atmosferë dhe mision. Nga kjo kohë e deri në ditët e fundit shohim se rapsodi kombëtar Dervish Shaqa ngadhënjeu mbi vetminë, ngadhënjeu mbi vetveten. Zemrën e ktheu në sharki e sharkinë e ktheu në erë. Fjalën e ktheu në zë e zërin e ktheu në piskamë. Piskamën e ktheu në kushtrim e kushtrimin e ktheu në pushkë. Sepse gjëmët e Kosovës dëgjoheshin edhe në Rashbull. Rënkimet e Kosovës dëgjoheshin kudo në Shqipëri. 

———
1) Jetish Kadishani, Dervish Shaqa – rapsod homerik i këngës shqiptare, “Bujku”, 30 shtator deri 6 tetor 1995, fq.13

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …