Varfanjaku Efraim, ishte duke pritur në rrugë për ta takuar Mojsiun, i cili qe nisur për në Malin Sinaj, ku fliste me Hyjin JAHVEH. E kishte vërejtur nga larg dhe në mend i silleshin fjalët e gruas së tij:
-Shko, nuk është turp, pyete…
-Mbase nuk është turp por, po më duket një pyetje koti, ia kishte kthyer gruas, i pavendosur për ta kryer porosinë.
– Përse të jetë pyetje koti? Ai është profeti i Madh dhe i din të gjitha, te la pyes Hyjin e tij si do të vejë halli ynë, a do të kemi edhe ne ndonjë ditë të mirë e të begatë, apo kështu deri në fund do ta mbajmë jetën duke shitur dru me një gomar, që është bërë asht e lëkurë.
Nga larg kishte vërejtur profetin, i cili mbante në dorën e majtë disa fleta të pergamenit. Leshrat e kokës dhe të mjekrës i derdheshin në gjoksin e bëshëm, ndërsa vështrimin e kishte hedhur drejt Malit ku do të ngjitej fill i vetëm me shkopin e tij të shenjtë, me të cilën kishte çarë rrugën mu në mes të Nilit…
Asokohe edhe vetë Efraimi, kishte kaluar nëpër Lumin, Nil, kur Hyji i Mojsiut e kishte ndaluar ujin dhe izraelitët kishin ikur nga ndjekja e faraonëve…
Në vendin ku parakalonte, Mojsiun e shikonin njerëzia. Disa iu kishin qepur prapa, disa i kërkonin lëmoshë, ndërsa ai ecte në rrugën e tij pa e kthyer kokën anash.
Në kohën kur ishte afruar, Efraimi mori zemër dhe i doli para. E përshëndeti dhe kërkoi t’ ia dëgjonte lutjen e tij.
Mojsiu e njihte mirë dhe e dinte se Efraimi ishte një besimtar i përkushtuar, por shumë i varfër.
-Shalom, i thirri duke e përshëndetur me dorë, për t’ ia tërhequr vëmendjen profetit, që s’ para e kthente kokën anash.
-Shalom elohum, ia ktheu Mojsiu përshëndetjen dhe si për habinë e të gjithëve u ndal dhe ia dha dorën varfanjakut, Efraim.
-Nuk do të bezdisja o mbret i besimtarëve, por nuk me shqitet ime shoqe. Ajo më përbeu në emrin e Hyjit tonë JAHV, të pyesësh ATË, se si do të vejë halli ynë, punojmë e rropatemi pa ndalur dhe gjithnjë e më të varfër jemi.
-Do ta pyes, i tha Mojsiu dhe vazhdoi rrugën.
Efraimi ishte kthyer në kasollen e tij, të lyr me llaç. Kishte vetëm një dhomë, për veten, gruan, djalin dhe gomarin. Edhe pse i varfër ishte i lumtur. Pas dyzet vjet robërie në tokën e Faraonit, në Egjipt, ishte kthyer në Jude, së bashku me Mojsiun dhe hebrenjtë e tjerë. Nuk punonte më ditë e natë angari, sikur kishte punuar vetëm për një kothere buke, në Egjipt. Një kothere edhe ashtu nuk ishte e mjaftueshme, por e mbante shpirtin. Nuk i kishte borxh askujt. Kur kishte punë te ndonjë i pasur, punonte, siguronte bukën për disa ditë, pastaj priste se ç’ do të dërgonte Hyji nga qielli, ai Hyji i madhërishëm me të cilin fliste Mojsiu, të cilin e donte dhe e nderonte. Vërtetë ishte i varfër, madje e dinte se njerëzia e thërrisnin Efraim varfanjaku, por nuk iu mbante mëri. I tillë ishte, sepse Hyji JAHV, ashtu e kishte përcaktuar dhe ai ishte tejet i bindur se gjithçka në këtë botë bëhej sipas vullnetit të Hyjit, pikërisht sikur e kishte shkruar ai. Duke u mbështetur në besimin e tij, i kishte ardhur rëndë ta pyeste Mojsiun, për të ardhmen, por ja që gruaja e tij, Dalila, nuk e linte të qetë, meqë e dinte se burri i saj e njihte Mojsiun.
Ishte mbështetur në cungun përballë vatrës dhe nga lodhja e uria kishte filluar të dremiste, duke i drejtuar Hyjit lutje me zë të ulët…
***
Dalila, ishte bija e David Hulit.
Në rininë e saj kishte qenë njëra ndër femrat më të bukura të fisit të Hulëve. Në kohën kur kishte lëshuar shtat kishte tërhequr vëmendjen e rojtarit të pronave të orizit, ku ajo punonte me të ëmën. Nga shikimi i tij, ishte frikësuar aq, sa për pak që nuk kishte këlthitur, por e kishte përmbajtur veten. Nëna e saj, Sarah, e kishte vërejtur shikimin epshtar të rojtarit, që sillej poshtë e lartë me heshtën në dorë dhe shikonte mbarëvajtjen e punëve në orizore, ndërkohë që, në mbrëmje, rojtari me disa të tjerë i kontrollonin punëtorët nëpër rrobat e shtatit, mos kishin vjedhur kokrra të orizit.
-Mos shiko andej, i kishte thënë bijës me zë të ulët, duke mos e ngritur kurrizin. Dalila e kishte kuptuar qortimin e heshtur të së ëmës.
Pas pak rojtari i kishte bërë me shenjë, Dalilës ta ndërpriste punën dhe të paraqitej para tij. Ajo e habitur kishte shikuar të ëmën, e cila i kishte dhënë leje. Punëtorët e tjera ishin trazuar, por asnjëra nuk kishte marrë guxim të shikonte kah rojtari.
Ai ishte një burrë rreth të tridhjetave, shtathedhur dhe me një vështrim tinëzar. Ishte ulur në breg të Orizorës nën hijen e një hurmeje.
Dalila po qëndronte para tij pa bërë zë me vështrimin e hedhur për tokë te këmbët e tij.
-Si të quajnë, e pyet me një zë joshës.
Ajo kishte shqiptuar emrin e saj me një gjysmë zëri.
Rojtari po e vështronte tërë epsh, pa e fshehur qëllimin e tij.
-Ti dhe ajo gruaja, që mbase është nëna jote jeni punëtoret më të zonjat, por jeni më të varfrat. Të gjithë të tjerët vjedhin nga disa kokrra në ditë dhe i fusin gjithandej nëpër rrobat ku ne nuk i gjejmë dot, ndërsa ju dyja, nuk merrni as edhe një kokërr të vetme.
Dalila e shikonte me një ndjenjë të turbulluar, por nuk kishte nxjerrë zë nga goja.
-Kurdo që të jem unë në roje, merr kokrra orizi dhe futi nëpër rrobat. Do të bëhem sikur të kontrolloj, por nuk të zbuloj. Duhet ta mbash shpirtin. Dhe për këtë që të thashë, po i tregove edhe nënës sate, do të ndëshkoj.
-E kuptove?
-Po tha ajo me gjysmë zëri.
-Shko tani, i tha duke mos ia ndarë sytë krejt derisa ajo ishte futur në rresht dhe kishte filluar të punonte.
Dalila, nuk kishte folur.
Më kot ishte munduar nëna e saj të mësonte arsyen përse rojtari e kishte ndarë dhe çfarë i kishte thënë.
-Ti, po fsheh diçka moj bijë, i kishte thënë më në fund dhe e kishte shtrënguar fortë në gjoks. Tregoji nënës sate, është më mirë për ty dhe për mua.
-Po ai më ka thënë, që as ty të mos tregoj.
-Po ti fol moj bijë, po ku rrëfej unë e mjera për ty. Kë kam tjetër veç teje?
Dalila kishte hezituar për pak çaste, por pasi e kishte përqafuar fortë të ëmën i kishte treguar.
-Ndoshta është njeri i mirë. Ai më tha, “shpirtin, duhet mbajtur disi”.
-Ai të ka thënë të vjedhësh moj bij!
-Të gjithë vjedhin nga pak, ajo Dila e Makut, madje mbush gjoksoret. I kam parë edhe gratë tjerë ku fusin nga një grusht oriz jo më disa kokrra.
-Po sikur, ta bëjë me qëllim?
-Përse do ta bënte?
-E bën sepse është njeri i lig. Ti mashtrohesh, merr disa kokrra, i fut diku në rrabet dhe ai, në fillim nuk të zbulon, pastaj, një ditë të befason dhe për të mos kamxhikosur ai kërkon një shërbim tjetër, moj bijë…
Dalila kishte stepur. Mornica të ftohta ia kishin kapluar shtatin. Nuk e kishte paramenduar një kurth të tillë.
***
Ditët kishin kaluar dhe Dalila nuk kishte marrë asnjë kokërr orizi, përveç sasisë, të cilën e merrte për punën që bënte në orizore, së bashku me të ëmën. Rojtari kishte përcjellë me kujdes lëvizjet e saj, por nuk kishte zbuluar asgjë të dyshimtë. Një ditë sërish e kishte ndaluar dhe e kishte pyetur sesi ia dilnin të mbijetonin me orizin, që merrnin. Dalila nuk kishte folur por e kishte shikuar me habi, në përpjekje për të mësuar qëllimin e rojtarit, i cili ishte shumë i ashpër me fshataret e tjera, ndërsa ndaj saj kishte një sjellje krejtësisht tjetër.
Ti je bija e David Hulit?
Dalila kishte pohuar me kokë, por përmendja e emrit të babait, i cili ishte mbytur shumë vjet më parë e kishte shqetësuar.
Babai yt ka punuar me babanë tim. Ishin shokë, por pësuan nën gurët e Piramidës, gjatë ndërtimit… ti mbase nuk e di, ke qenë shumë e re…
Dalila nuk kishte folur, por kishte fituar bindjen se rojtari nuk kishte qëllime të këqija.
-Dëgjo unë nuk jam i martuar. Jam për disa vjet më i moshuar se ti, por…
Dalila ishte larguar pa bërë zë. Sapo ishte kthyer në shtëpi kishte treguar së ëmës, ndërsa ajo kishte sjellë në kujtesë ditën e kobshme, kur e kishin lajmëruar se tre punëtorë i kishte shtypur guri i madh, që e kishin sjellë nga Habeshi, gjatë përpjekjeve për ta vendosur në murin anësor të Piramidës së Madhe.
-Ai të ka kërkuar dorën moj bij, si thua, të pëlqen?
-Nuk di, kishte thënë dhe kishte vazhduar vjeljen e kallinjve të orizit.
-Duket se nuk ka qëllim të keq. E ka provuar sjelljen tënde dhe tani beson se nuk vjedh.
Dalila nuk kishte folur. Në mendje i sillej vërdallë biseda me rojtarin, të cilit nuk ia dinte as emrin, ndërsa ai e kishte njohur qysh moti, por nuk kishte bërë zë.
Më vonë kishte mësuar se rojtari quhej, Shloma i biri i Ezaut, që kishte qenë shok me babanë e saj. Nuk kishte njeri tjetër në shtëpi. Nëna i kishte vdekur gjatë kthimit nga Egjipti dhe atë e kishte rritur daja i tij, pronari i orizores, ku punonte.
Dalila e kishte pëlqyer Shlomën dhe kishte menduar të futej dhëndër brenda, meqë rronte me dajën.
Sarah kishte pranuar që bija e saj të martohej me Shlomën dhe pa vonuar ishte kryer ceremonia e pëlqimit, ndërkohë që kishin filluar edhe përgatitjet për martesë.
Shloma ishte më i moshuar, por ishte punëtor dhe mjaft i pashëm.
Por fati qe shkruar ndryshe. Hyji nuk kishte dashur që çifti i martuar të kishte fat në jetë. Vetëm dy maj pas martesës, Shlomën e kishin rrëmbyer valët e lumit, gjatë një stuhie në përpjekje për ta ndaluar ujin që kishte vërshuar, në orizore.
Atë ditë të kobshme, Dalilës iu kishte këputur diçka në zemër. Lajmi për vdekjen e bashkëshortit e kishte tmerruar. Kishte qarë me zë dhe disa herë i kishte rënë të fikët. Edhe Sarah ishte mjeruar për fatkeqësinë e së bijës dhe dhëndrit që e kishin pasur shtyllën e shtëpisë.
Fatkeqësia nuk kishte ndalur me aq. Një vit më vonë kishte vdekur edhe nëna e saj, Sarah. Dalila kishte mbetur kërcure.
Daja i dhëndrit ishte treguar zemërmirë dhe i kishte ndihmuar, por ajo nuk e merrte dot veten. Vdekja e papritur e burrit dhe e së ëmës i kishin lënë vragë të pashërueshme në jetë. Ishte tërhequr. Nuk fliste me askënd. Qante, vuante dhe e luste Hyjin që edhe asaj t’ ia merrte shpirtin. Edhe pse e re kishte rënë nga shëndeti. Ishte tharë e terur, aq sa dukej për shumë vjet më e moshuar.
Nuk mendonte të martohej, më, meqë i dukej se do ta tradhtonte dashurinë e parë.
Kalonin ditët, muajt, vitet dhe ajo i kishte mbushur të tridhjetat, kur kishte takuar Efraim varfanjakun. Ai kishte dëgjuar për fatkeqësinë e saj, meqë kishte pasur një lidhje miqësie me dajën e Shlomës.
Efraimi, kishte vetëm një kasolle dhe një gomar, me të cilin barte dru dhe bënte tregti të imët nëpër fshat. Rronte shkujdesur. Nuk rruhej dhe rrallë pastronte hiramët e gjatë, të cilët i shkonin zvarrë për tokë. Mirëpo ishte njeri shpirtmirë dhe nuk i kishte bërë askujt keq. Të gjithë e donin dhe e mëshironin. Madje rabini, Isak, shpeshherë e kishte marrë si shembull të një besimtari të përkushtuar, i cili edhe pse i varfër kryente të gjitha obligimet fetare dhe kurrë nuk qahej për varfërinë e tij. Nuk pranonte lëmoshë edhe kur nuk kishte bukë për të ngrënë.
Dalila, duke qene se mendonte që kishte humbur gjithçka dhe për të mos mbetur dyerve të botës, ishte martuar me Efraim varfanjakun dhe Hyji iu kishte falur një djalë, Davidin, të cilin e kishin pagëzuar me emrin e babait të Dalilës.
Ajo e kishte ditur se Efraimi nuk kishte kurrfarë pasurie veç një kasolle të mbuluar me kashtë dhe një gomar, me ndihmën e të cilit nxirrte bukën e gojës. As Dalila nuk kishte trashëguar ndonjë pasuri, meqë daja i burrit të parë, nuk ia kishte dhënë mirazin sipas ligjit, për shkak se Shloma nuk kishte trashëguar pasuri të veten, por kishte jetuar në bashkësi me familjen e dajës së tij….
***
Efraimi e donte dhe e nderonte Mojsiun më shumë se veten, më shumë se çdo gjë në botë. Ai ishte profeti, që me ndihmën e Hyjit JAHV izraelitët i kishte nxjerrë nga robëria e faraonëve. Ishte profeti që kishte bërë sa e sa mrekullia, por faraonët nuk i kishin besuar. Më në fund, ai me lejen e këshillat e Hyjit kishte arritur t i lironte të gjithë izraelitët.
Sa vite kishin kaluar nga ajo kohë. Mbante mend kur Mojsiu kishte folur me Hyjin.
Erdhi e treta ditë dhe zbardhi drita, u ndien bubullima, shpërthyen vetëtima, një re e dendur tesve e mbuloi malin. Boria jehoi thekshëm dhe populli që ishte në tebanishte u drodh nga frika. Atëherë Mojsiu i tha popullit të dalë nga tebanishta, në takim me Hyjin. Populli i izraelit qëndroi në këmbë rrëzë malit.
Krejt mali i Sinajit nuk ishte tjetër pos tym, sepse Hyji kishte zbritur me zjarr mbi te, e tymi ngrihej posi tym furre. I tërë mali tundej tmerrësisht. Zëri i borisë sa vinte e rritej.
Mojsiu fliste me Hyjin dhe Ai i përgjigjej me bubullimë.
Zbriti Hyji mbi malin Sinaj, në maje të malit dhe e thirri Mojsiun, në vendin ku kishte zbritur.
Hyji i tha Mojsiut:
Porosite popullin tënd, të mos e kapërcejë cakun, me qëllim që ta shohë Hyjin, përndryshe, një shumicë e tyre do të vdesin. Edhe rabinët që do t’ i ofrohen Hyjit le të jenë të pastër, sepse Hyji do t’i shqimë.
Pasi Mojsiu i tregoi Hyjit se populli nuk do të afrohet dhe nuk do t’ i kalojë caqet, Hyji e tha Mojsiut, shko merre Aronin dhe ngjitu me te, por caqet mos t i kalojnë as rabinët.
Atëherë Hyji i tha këto fjalë:
Unë jam Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë.
Nuk ka zot tjetër përveç meje!
-Mos bëj kurrfarë idhulli, as kurrfarë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë nën tokë.
-Mos i adhuro ato dhe mos u jep fare nderim, sepse unë Hyji, jam Hyji yt, jam ziliqar dhe e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin dhe në të katërtin brez, të gjithë atyre që më urrejnë, por jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan dhe i zbatojnë urdhrat e mia.
-Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Hyjit, sepse Hyji nuk e lë pa i ndëshkuar ata që e përmendim kot emrin e tij.
-Shenjtëroje ditën e shtunë. Gjashtë ditë puno, kryeji punët dhe ditën e shtatë pusho, sepse e shtata ditë, është e shtuna, Dita e Hyjit. Të shtunën mos puno, as ti, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti e bëri qiellin, tokën e detin dhe gjithçka që gjendet në to, ndërsa ditën e shtatë, të shtunën pushoi.
-Nderoji prindërit që ta kesh jetën e gjatë në tokë.
-Mos vra!
-Mos the kurorë!
-Mos vidh!
-Mos bëj dëshmi të rreme!
-Mos i lakmo shtëpisë së të afërmit tënd!
Mos i lakmo gruas së tij, shërbëtorit, shërbëtores, kaut gomarit dhe asnjë gjëje që i përket atij!
Gjatë tërë kohës sa foli Hyji me Mojsiun, populli dëgjonte borinë dhe shihte malin duke tymuar, i trembur dhe i frikësuar kishte qëndruar në vendin e caktuar pa lëvizur.”1)
Efraimi mbante mend dhe nuk e kishte harruar kurrë tërë ndodhinë e asaj dite. Në mendimin e tij Mojsiu nuk ishte vetëm një profet, por ishte Zoti i tokës, ndoshta edhe biri i Hyjit. Ishte i shenjtë dhe bënte mrekulli.
Ai fliste me Hyjin dhe pastaj fjalët e tij ia shpjegonte popullit të Izrealit.
Një ditë derisa ishte kthyer nga Sinaji, Efraimi i kishte dalë para dhe Mojsiut iu kishte kujtuar përnjëherë.
-Çka tha Hyji për mua varfanjakun, e pyeti Mojsiu.
– Më tha se ashtu është shkruar dhe ashtu do të jetë.
Efraimi shpresëhumbur ishte kthyer në shtëpi ku po e priste e shoqja, Dalila.
-Çka të tha Mojsiu, e pyeti ende pa u ulur në cungun buzë oxhakut, sikur bënte zakonisht.
-Më tha se ashtu është shkruar, dhe ashtu do të bëhet.
Dalila ndjeu në shpirt zhgënjimin, ndërkohë që iu drejtua burrit.
-Do të takosh sërish Profetin tonë nëse më do.
-Po çfarë t’i them, ai më tregoi se çfarë i ka thënë Hyji.
-T’ i thuash se Je ti Hyji i madhërishëm dhe i gjithëfuqishëm, që pa qenë e ke shkruar dhe je ti, Ai i madhi, që mund ta ndryshosh atë që ke shkruar, sepse fuqia dhe dija jote janë të paskajshme e të pakufishme.
-Më vjen rëndë ta bezdis sërish profetin, oj grua. Më kupton. Më lehtë rri dy javë pa bukë dhe i provoj të gjitha mundimet, sesa t’i drejtohem edhe një herë.
Dalila kishte insistuar dhe më në fund, duke parë se burri po ngushtohej, i kishte thënë se do ta pyeste vetë, por qe se ai e lejonte.
Efraimi, i cili e donte shumë bashkëshorten, ishte pajtuar dhe ditën e nesërme, ia kishte transmetuar Mojsiut pyetjen e së shoqes, duke i bërë me dije se më, nuk do ta bezdiste.
Mojsiu nuk ia kishte parë për të madhe Efraimit, meqë e donte dhe e kishte njërin ndër besimtarët më të përkushtuar.
Pasi ishte kthyer nga Sinaji, Efraimi i kishte dalë përpara në mesin e turmës, së besimtarëve që e përcillnin Mojsiun gjatë nisjes për në Sinaj dhe gjatë kthimit.
-Eja Efraim, ia kishte bërë me dorë, Mojsiu, duke e vërejtur nga fundi i turmës. Kam një lajm të mirë për ty. Hyji do t’ia plotësojë tri dëshira familjes tënde të varfër. Të parën, gruas tënde, të dytën ty dhe të tretën djalit tënd.
Efraimi, e kishte pranuar me lehtësi premtimin e Hyjit, e kishte falënderuar atë, por edhe Mojsiun, mirëpo po habitej me vetveten, pse nuk ndiente aspak gëzim. Filloi të dyshoj, mos ishte gjë i papastër, apo mos kishte bërë ndonjë mëkat që Hyji ia kishte ngurtësuar gëzimin.
Kishte hapur derën e shtëpisë dhe ishte ulur në drurin e votrës për të pushuar nga rruga e gjatë. Ishte i uritur dhe zorrët po e grinin, meqë nuk kishte ngrënë asnjë kothere buke. Djali kishte dërguar shkarpa me gomarin e tij te Farka e madhe e Abraham Eshkenazit, por nuk ishte kthyer. Kur t’ i shiste shkarpat do të blinte miell dhe do të kthente në shtëpi.
Dalila, në orët e pas ditës, pasi kishte kryer punën në orizore, ishte kthyer në shtëpi. Burrin e kishte gjetur në gjumë. Nuk i kishte bërë zë, me qëllim për ta pyetur, meqë e dinte se ishte i uritur nga rruga e gjatë, ndërkohë që priste miellin, që do ta sillte djali. Ajo kishte ngrënë drekë në Orizoren e Moshe Makabit, por ishte në hall me se do ta ushqente burrin e lodhur nga rruga.
Pas pak, djali, Zemrani, ishte kthyer nga farka dhe kishte sjellë disa okë miell, ndërkohë që kishte dërguar gomarin në kullosë.
Dalila, sakaq kishte gatuar bukën dhe e kishte pjekur në çerep. E kishte zgjuar burrin nga gjumi dhe së bashku kishin filluar ta hanin bukën e nxehtë, e cila avullonte. Nuk e kishte pritur djalin, meqë ai kishte ngrënë bukë te farkëtari.
-Çka të tha profeti o burrë, a ka ndonjë shpresë për ne që pop jetojmë në varfër, i drejtohet Efraimit ende pa mbaruar ushqimin.
Efraimi, kishte përtypur bukën e mbetur në gojë dhe ishte përgjigjur.
-Kam lajm të mirë, oj grua, por zemrën e kam të ftohtë dhe nuk ndiej asnjë gëzim.
-Thuaje pra, do të bëhet mirë?
-Profeti jonë Mosji, më tha se Hyji ka pranuar tri lutje tona. Një për ty, meqë e para ke kërkuar, nga Hyji që ta fshijë atë që ishte shkruar për ne, një tjetër për mua dhe një për djalin.
Dalila kishte kërcyer nga gëzimi, ndërsa Efraimi e kishte qortuar gruan se nuk po kujtohej t’ i drejtonte një lutje falënderimi Hyjit për plotësimin e tri dëshirave.
Ajo kishte dalë në oborr, kishte ngritur duart nga qielli dhe kishte thënë.
-O Hyj i botërave, o më i fuqishme ndër më të fuqishmit, o më i bukuri ndër më të bukurit, më bën si kam qenë dikur, më bëj vajzë të re!
Dalila kishte ndier sesi trupi po i merrte tjetër formë, preku flokët që i shtriheshin mbi supe, preku fytyrën pa asnjë rrudhë. U gëzua aq fortë sa fluturonte nga gëzimi.
Sakaq hapi derën dhe qëndroi para burrit.
Efraimi u habit nga vajza e re, e cila ishte futur në dhomë, pa trokitur.
-Kush je ti dhe çfarë kërkon e kishte pyetur.
Dalila kishte qeshur me të madhe dhe iu kishte përgjigjur.
-Jam Dalila, gruaja jote, o Efraim varfanjaku. Ti vetë the se Hyji na ka dhënë nga një dëshirë për të na plotësuar. Unë kërkova të bëhen 20 vjeçe dhe ja si jam tani, nuk po të pëlqej apo, i kishte thënë dhe e kishte përthekuar për shtati.
-Qërohu nga këtu moj e mjerë, nuk je gruaja ime ti! Ajo sapo shkoi te djali. Shporru nga këtu!
-Jam Dalila, o Efraim, Dalila, Hyji ma plotësoi dëshirën…
Efraimi ishte habitur nga fjalët e gruas së tij, por edhe ishte zemëruar tejmase. Ai ishte plak dhe çka i duhej një grua e re. U inatos shumë dhe tejet i zemëruar iu drejtua. Nëse ti je Dalila dhe ke kërkuar nga Hyji të bëhesh kjo që je, Hyji i madhërishëm të bëftë gur!
Në një çast në vend të gruas iu dëftua një shtatore guri krejtësisht me pamjen e Dalilës. Ai e preku. Ajo ishte ftohtë, akull. Ishte ngurtësuar. Atëherë, e kishte kuptuar se Hyji ia kishte plotësuar dëshirën, dhe gruan e tij të re e kishte kthyer në shtatore guri. Ishte ulur te druri i votrës, kishte shtrënguar fortë kokën me duar dhe po qante me ngashërim. Prapë ishte ngritur nga vendi, ishte drejtuar drejt malit Sinaj dhe kishte filluar ta këndonte një lutje.
Ndërkohë, djali kishte hapur derën dhe ishte habitur kur kishte parë shtatoren e gurit në mes të dhomës.
-Përse ke futur këtë idhull në shtëpi, baba, mos u marrose?
-Nuk është idhull mor bir, është nëna jote.
-Nëna ime nuk është prej guri, ti paske lojtar mendsh, o baba.
-Jo mor bir, jo. Iu lutëm Hyjit dhe ai na plotësoi tri dëshira, një nënës tënde një mua dhe një ty.
Nëna jote kërkoi nga Hyji të bëhet njëzet vjeç dhe Ai ia plotësoi dëshirën. Unë u zemërova aq shumë, kur e pashë te re, ndërsa vet jam plakur dhe nga zemërimi i thashë, Hyji të bëftë guri. Dhe hyji ma plotësoi dëshirën. Tash ke radhën ti, mor bir. Dil në oborr, drejtohu Sinajit dhe lutu Hyjit të bëhemi sikur kemi qenë.
Djali, pa vonuar doli dhe iu lut hyjit. Kur hyri në shtëpi pa nënën të ulur buzë oxhakut duke qarë me dënesje. Efraimi po i lutej Hyjit dhe po e falënderonte me gjithë shpirt që sërish ishin bërë sikur kishin qenë…
1. Pjesa e shfaqjes së Hyjit para Mojsiut është interpretuar nga Besëlidhja e Vjetër.