Prej kohësh kam ndjekur, lexuar dhe interpretuar në heshtje mendimin poetik të fjalës së poetit Jusuf Zenunaj. Një ndjesi e tillë është fituar nga fjala e tij, arti i saj i plotë i komunikimit, por edhe nga një arsye tjetër që fiksohet mes linjash që përcjellin mesazhe sa kritike aq edhe aktuale. Në këtë tematikë shpeshherë poezi të shkurtëra të poetit Zenunaj, komunikojnë në një linjë me prozën e gjatë, përpos asaj që ata kursejnë shumë fjalë, por japin një fushë të plotë mendimi dhe konceptimi perceptues. E tillë është edhe poezia e fundit e tij, “O zog i bekuar”, ku poeti përdor metaforën për të ndërtuar mbi bazën e ngjashmërisë midis dy gjërave dhe ndërsa afron më tej dhe metoniminë për të plotësuar në bazë të metaforës lidhjen e varësisë. Sinekdoka që afron mes vargjeve të poezisë, dhe kjo në jo pak raste plotëson fuqishëm atë që vetëm kjo figurë stilistike e bën ku në themel të saj qëndron lidhja sasiore. Vargjet e mëposhtme që në thelb kanë një numër biblik të fuqishëm siç është ‘shtata’ plotësojnë edhe anën strukturore të lidhur me këtë figurë letrare dhe stilistike, por edhe me anën filozofike të vargut. Ja si shprehet poeti: “Kur isha fëmijë pata dëgjuar,/për shtatë pashë tokë,/për shtatë qiej me yllësi,/më pas përshtatshin/lexova prozë e poezi./Tash që flokët më janë thinjur,/o zog i bekuar si s’më thotë njeri,/sa palë të shtatshit ke kaluar/me këngën që ditke ti ?!/Zbrit poshtë , o zog i bekuar !/Jehonën në tokë e kem dëgjuar,/këngën ndoshta engjujt e kanë kuptuar … (Jusuf Zenunaj, 15 maj 2011).
Siç shihet qartë në këtë poezi në të dy rastet kur shta mbetet si një cikëlim dhe cilësim sasior dhe metafizik, është përdorur njëjësi për shumësin, dhe mesazhi u drejtohet të gjithëve. Poeti gjen fuqinë të shprehet me një atë që ka një lidhje varësie me veten, fëmijërinë e tij dhe tërë rrugëtimin jetik të poetit dhe vargut e fjalës së tij. Këto fjalë të figurshme lidhin ndjeshëm forcën me të cilën poezia komunikon. Këtë komunikim poeti, Dr Koçi Petriti, do ta quante si një emblemë të lidhjes filozofike “Fjala poetike kuti e Pandorës, ku në studimin e tij të botuar nga “Globus R” ai maratonon edhe faktet teorike. Fakte të cilat i gjejmë edhe në poezi të tilla të poetit Zenunaj, si “Kohët dhe TI”; “Nuk e di as sot”; “Si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë”; “Si askund në Botë” etj.
Duke lexuar dhe argumentuar mes poezisë së Zenunajt, natyrshëm ndjejmë një linjë së cilës ‘kjo kuti e Pandorës’ i referohet me një simbiozë të lidhur me fate, situata, ndikime, apriori, proporcione apo edhe këndvështrime që afishojnë sintezën e shpirtit poetik me mospajtueshmëri të ndryshme qofshin edhe politike në dëm të faktit njerëzor. Ky njeri i projektuar mes këtyre gromcave poetike qetëson vetëm në shpirtvargun e metaforës dhe metonimisë së poetit, ndërsa merr prushin e duhur poetik, jo në fikje e sipër të fuqizuar nga tropet dhe sinekdoka.
Në poezi të tilla si “Kushtetuta jonë”; “Biseda teknike” etj., fatet njerëzore sfidohen në ecje e sipër, sfidojnë ama çdo anarki që vjen nga isinuata e ingranazhe që historia i detyron të ikin strukazi. Një poezi e tillë kërkon në shtratin e diskursit politik një vëmendje të merituar, pasi ajo ka forcë të determinojë forcën dhe akuariumin politik të sfumimit. Në një këndvështrim të tillë Nexhip Gami, do ta shihte këtë si një ‘kristalizim tiparesh’. Ndërsa Ali Aliu do ta zgjeronte më së shumti duke e kërkuar tek ‘e përbashkëta dhe veçanta në poezi’. Sipas Aliut, në studimin e tij të hershëm që parashtrohet si variacione krahasuese në disa nga poezitë e Agollit, Arapit dhe Kadaresë, ai shtron edhe sistemin trishkallësh. Ky sistem trishkallësh sipas Aliut është ‘të fiksuarit e atmosferës së pritjes’; ‘kalimi i kohës’ dhe ‘koha me një varg të vetëm’ (Aliu, 1977). Kjo risi e lidhur me poezinë, pra trishkallëshi kohor është edhe një risi që e dallon poezinë e poetit Jusuf Zenunaj. Poezi të tilla, veç atyre që ne përmendëm si “Tre gishtërinjtë e Radës”; “Celulari dhe politika”; “Në dhomën e vëllait mërgimtar” apo edhe tek “Kthimi i Kanjushës së verdhë” praktikisht lidhen me këtë teori të Aliut, që ka në thelb stigmën filozofike të teorisë së ‘sistemit të relacioneve’ me të cilin Deleuze na ka dhënë argumentimin e duhur filozofik (Deleuze, 2000:52).
Si referim me këtë strukturë filozofike të fjalës së artë të poetit, trishkallëshi kohor duket si një arsye më shumë edhe në lidhjen, metaforë, metonimi dhe sinekdokë në poezinë e tij. Me pak argumentim gjuhësor, ndoshta më të avancuar në drejtim të krehjes së saj ‘gramatikore’ dhe me pak përkushtim rreth artit të fjalës, poezia e Jusuf Zenunajt, përbën një vëmendje të duhur në tërë lëminë krijuese shqiptare. Ajo ka ardhur nga talenti i poetit, mesazhi i saj është një arsye që duhet tejçuar dhe përcjellë në të gjitha format për brezat.