leoni

Karl Marks

Karl Marksi: Populli shqiptar është një popull trim, i cili flet gjuhën e tij në mesin e familjes së madhe Indoeuropiane

Interesimin e Marksit për historinë dhe për karakterin e popullit shqiptar e ndeshim qysh herët. Në vitet e rinisë, gjatë përpjekjeve që bënte për formimin e tij shkencor, ai do të studionte e konspektonte historinë e disa vendeve, duke filluar nga historia e Francës e deri te “Historia botërore” e Shloserit. Rëndësi të veçantë për ne kanë shënimet e nxjerra nga studimi i historisë së Perandorisë Osmane. Në to ai përmend shqiptarët dhe flet me simpati e vërtetësi për ta.

“Midis kombeve të tjera, – shkruan Marksi i ri, – po ndalemi para së gjithash tek shqiptarët. Ky është një popull trim malësor, i cili përbën popullsinë autoktone të vendit që shtrihet në shpatet e brigjeve të Adriatikut; ai flet gjuhën e tij të veçantë që bën pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indoeuropiane”. Në historinë shqiptare vëmendjen e Marksit e tërheqin në radhë të parë epoka e luftërave të Skënderbeut dhe personaliteti i tij. Për të, vepra e Heroit tonë Kombëtar i ka shërbyer objektivisht progresit të njerëzimit.

Duke e vlerësuar lart luftën antiosmane të popullit shqiptar, ai e cilëson atë si “Një goditje kundër të vetmit shtet me të vërtetë ushtarak të mesjetës, i cili i kundërvihej zhvillimit historik që po lindte dhe përparimit botëror”.

Qëllimi ynë në këtë artikull nuk është hulumtimi e studimi tërësor i trashëgimisë së Marksit, që lidhet drejtpërdrejtë ose tërthor me Shqipërinë dhe me historinë e popullit shqiptar. Është fjala për një album folklorik të përgatitur nga vetë Marksi në kohën e rinisë. Albumi, siç do ta shohim më poshtë, nuk u hartua me qëllim botimi dhe mbeti në mes të dorëshkrimeve të tjera.

Për herë të parë ai u botua më 1929 në Berlin në serinë e veprave të plota të Marksit dhe të Engelsit (Karl Marx, Friedrich Engels, Gesamtansgube – Mega – ), në vëllimin e parë: Karl Marks, Vepra: Artikuj, sprova letrare deri në mars 1843. Tekste. (Karl Marx – Werke, Artikull Literarische Versuche Bis März 1843. Text).

Albumi është një koleksion këngësh popullore të popujve të ndryshëm, të cilat Marksi i përmbledh enkas dhe ia dhuron më 1839 të fejuarës së tij Zheni Vestfalen në Berlin. Në krye ai ka këtë kushtim: “Këngë popullore gjermane (në të gjitha të folmet), spanjolle, greke, letone, estone, shqiptare etj.) të mbledhura e të kopjuara nga përmbledhje të ndryshme për Zhenin tim të shtrenjtë. K. Marks, Berlin 1839”.

Ky ishte albumi i dytë që Marksi i ri i dhuronte Zhenit, pas koleksionit të parë të shkruar me dorën e tij nën titullin: “Një përmbledhje me këngë e legjenda të vjetra gjermane”. Fillimisht ne njohëm nga albumi vetëm kushtimin. Vëmendjen tonë e tërhoqi fakti se aty përfshiheshin edhe këngë popullore shqiptare.

Por më vonë, duke hulumtuar në trashëgiminë e K. Marksit, ramë në gjurmët e albumit dhe e gjetëm të botuar në veprën e tij të plotë. Njohja e drejtpërdrejtë me të, jo vetëm zgjidhi përfundimisht hamendjet tona, por na lejon ta shqyrtojmë nga afër e ta gjykojmë më saktë përmbledhjen, kriteret e zgjedhjes, vendin që zë kënga popullore shqiptare në të.

Albumi përmban gjithsej 80 këngë popullore, të ndara në 9 grupe: këngë gjermane, këngë spanjolle, këngë estoneze, këngë të vjetra greke, këngë të reja greke, këngë laplande, këngë letone, këngë italiane dhe këngë finlandeze.

Kënga shqiptare është vendosur më vete në grupin e gjashtë dhe, megjithëse jepet përkatësia kombëtare, ajo përfshihet si këngë në greqishten e re. Një pikëpamje e tillë ishte zotëruese në studimet gjuhësore të kohës, pasi deri në vitet ’60 të shekullit të kaluar, gjuha shqipe vendosej në një grup gjuhësor me greqishten e vjetër dhe latinishten.

Po pavarësisht nga kjo hollësi formale në renditjen e këngës, përmbledhësi është i ndërgjegjshëm se ajo i takon folklorit të popullit shqiptar.

Albumi përbëhet në radhë të parë nga këngë popullore lirike, nga legjenda, balada, këngë humoristike, epigrafe. Aty gjejmë dhe disa këngë nga poezia e kultivuar, që siç duket kanë qenë dhe të popullarizuara, si nga Safo e ndonjë tjetër. Kryesisht mbizotëron motive i dashurisë.

Vetvetiu, kur lexon albumin, lindin një varg pyetjesh e problemesh që kanë të bëjnë me arsyet që e shtynë Marksin të përgatisë këtë përmbledhje, me burimet që shfrytëzoi dhe me kohën e tij. Por para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, le të njohim prirjet dhe interesat e djaloshit gjenial në vitet e rinisë së hershme.

Siç kanë vërejtur biografët e tij, Marksi në këto vite është marrë me krijimtari letrare. Madje, sipas tyre, disa nga idetë e filozofit të ardhshëm fillimisht u shfaqën nëpërmjet imazheve poetike. Kështu, Oulanemi, heroi i tragjedisë së tij omonime, lindi duke u përftuar nga një ide e rëndësishme, të cilën autori më vonë do ta shprehë me fjalët e filozofit “në çdo gjë abstrakte ka një gjë konkrete”.

Në vitet e para të rinisë, për një kohë, Marksi u dha seriozisht pas letërsisë. Shkroi vjersha e poema, u mor dhe me prozë, nisi një tragjedi, përgatiti dhe një vëllim poetik për botim, të cilin ia kushtoi të atit (1837). Por dashuria e tij për letërsinë nuk zgjati shumë, ai u nda shpejt prej saj.

Për këtë ndikoi i ati, po më shumë e kuptoi vetë, sepse, siç i pohonte në një letër babait, ai “nuk do të ishte kurrë një poet i vërtetë” dhe “do të pushonte së shkruari gjëra të tilla, gjë që deri më sot nuk e kish bërë dot”. Pas kësaj Marksi “gjithë forcën e kritikës së tij e drejtoi kundër krijimeve të muzës së vet”.

Me sa duket, prirjet krijuese të djaloshit nuk kishin të bënin në thelb me letërsinë artistike, por me disa sfera më të gjera e më të thella. Dhe vërtetë, Marksi në moshën 18-vjeçare e la përfundimisht letërsinë.

Por, në qoftë se nuk shkroi letërsi, kjo nuk do të thotë se u shkëput prej saj. Në një kuptim më të gjerë, ai do të mbetet i lidhur me krijimtarinë artistike. Marksi do të bëhet një krijues gjenial dhe sipas F. Meringut, një nga stilistët më të fortë të letërsisë gjermane.

Kalimi i interesave të Marksit nga krijimtaria e tij origjinale në krijimtarinë popullore ndodhi pikërisht në kohën kur ai vendosi të mos merrej më me letërsi. Vjershat që kish shkruar, i qenë kushtuar në pjesën më të madhe dashurisë për Zhenin. Por kur hoqi dorë përfundimisht prej muzës poetike, ai kërkoi që dashurinë e tij ta shfaqte përmes folklorit. Kështu, gjuha e thjeshtë e poezisë së popullit u bë gjuha me të cilën ai do t’i shprehte Zhenit ndjenjat e veta të fuqishme. Nga ana tjetër, kjo mënyrë e re u përgjigjej dhe dëshirave e kërkesave shpirtërore e intelektuale të Zhenit, mbasi ajo ishte e dashuruar pas këngës popullore.

Interesimi i Marksit për folklorin ndodhte në klimën romantike, kur idetë e këtij drejtimi përbënin një nga prirjet kryesore të kohës. Gjermania e këtyre viteve ishte bërë atdheu i kësaj lëvizjeje shoqërore e letrare. Që në shekullin XVIIIHerderi kishte mbrojtur pikëpamjen sipas së cilës kultura popullore vështrohej si pjesë e rëndësishme e kulturës kombëtare.

Botimi prej tij i antologjisë universale “Zëri i popujve në këngë” (1778-79) kishte zgjuar interesimin e njerëzve e sidomos të intelektualëve për folklorin. Në vitet ’30 të shekullit XIX, kur shoqëria gjermane ishte para revolucionit demokratiko-borgjez, mjaft nga poetët e lidhën poezinë e tyre me idetë romantike e me frymën popullore, duke shkruar në një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme për masat. Vetë Gëtja do të shkruante një varg poezish me motive nga folklori oriental, disa prej të cilave kanë motive të popujve të Ballkanit.

Marksi e përjetoi atmosferën e shëndoshë të romantizmit. Ai ishte bashkëkohës i vëllezërve Shlegel, teoricienëve të këtij drejtimi. Idetë romantike të lirisë po i shërbenin zgjimit kombëtar të popujve dhe luftës së tyre për pavarësi. Dita-ditës krijimtaria popullore po njihej më mirë nga një varg botimesh.

Marski i ri, që prirej shpirtërisht nga dukuritë e reja, nuk mund të qëndronte larg ideve e koncepteve novatore të romantizmit. Ai do t’i bënte për vete e do të ushqehej me letërsinë burimore të popullit. Sipas Engelsit “Marksi adhuronte bukurinë e jashtëzakonshme të poezisë së lashtë të popullit” dhe që nga viti 1834 do të shpallte si moto të vetën fjalët: “Lumturia jonë do t’u përkasë milionave”.

Marksi me Zhenin, përveç ndjenjës së përbashkët, kishin dhe mendime e koncepte të njëjta për jetën dhe shoqërinë. Kjo dukej fare qartë në adhurimin e thellë që kishin për folklorin e përgjithësisht për kulturën popullore. Zheni, nga ana e saj, kishte lidhje me rrethet letrare që udhëhiqnin lëvizjen e romantizmit në Gjermani.

Ajo ishte shoqe me Betina Arnimin, e njohur për korrespondencën me Gëten dhe për idetë e krijimtarinë romantike. L.M. Bretano dhe H.A. Arnimi kishin botuar përmbledhjen tjetër folklorike “Briri magjik i djalit”. Marksi kishte miqësi me folkloristin gjerman Karl Frederik Kopensin, i cili në këto vite merrej me mitologjinë nordike dhe me runet (këngë finlandeze).

Kështu, në atmosferën e frymës së romantizmit të përhapur në Gjermani, te Marksi dhe Zheni po lindte shpirti herderian. Një shpirt i tillë kishte të bënte jo vetëm me adhurimin e folklorit dhe çdo gjëje popullore, po dhe me konceptimin e drejtë të krijimtarisë orale. Marksi do ta tregojë shpirtin herderian me punën konkrete që bën për hartimin e albumit folklorik.

Duke ndjekur parimet e Herderit, ai e vështron poezinë anonime si pasqyrë të ndërgjegjes popullore, si dëshmi të jetës së njerëzve të thjeshtë dhe model të thjeshtësisë. Nga ana tjetër, ai ka parasysh kriteret e Herderit edhe në hartimin dhe strukturën e albumit, duke i ndarë këngët sipas popujve dhe këngët gjermane sipas krahinave.

Lëndën poetike që Marksi e përfshiu në këtë album, nuk e voli nga burime origjinale, po nga botime folklorike të kohës. Në këtë punë i erdhi në ndihmë miku i tij, fokloristi K.F. Kopensi, qoftë me rune-t e botuara, qoftë me të dhëna të tjera të drejtëpërdrejta. Në zgjedhjen e koleksionit të poezive që do t’i dërgonte Zhenit, Marksi nuk u mbështet në përmbledhjet e njohura folklorike.

Ai shfrytëzoi në radhë të parë botimet më pak të njohura si ato të Hofmanit, Hipelit, Bajronit, Agrumit, Shroterit e sidomos burime të kohëve më të reja si “Fletoret” e Kreçmerit (1838-39). Më shumë mori nga përmbledhja e Eslahut, botuar në vitet 1834-36, disa nga Xukalmalio. Një vend të nderuar zuri Herderi, si ati i fokloristikës gjermane.

Sipas studimeve të bëra, vihet re se një pjesë e këngëve nuk janë ruajtur si në origjinal, po janë prekur nga mbledhësit. Ndryshime do t’u sjellë atyre dhe Marksi, qoftë duke i ridhënë me fjalë të tjera, qoftë duke ndryshuar radhët e strofave ose duke zëvendësuar emrat me emrin e tij e me atë të Zhenit.

Nuk duhet të harrojmë se përmbledhja nuk u përgatit me qëllim botimi, po si një album që i drejtohej një të afërmi intim, siç ishte e fejuara. Prej kësaj vjen dhe ajo liri kriteresh që kanë vërejtur studiuesit, e cila është krejtësisht e përligjur në rastin konkret.

Në të vërtetë vlerat e kësaj përmbledhjeje folklorike nuk duhen parë në këtë aspekt, po në aspekte të tjera, kryesisht për njohjen e interesave intelektuale dhe të botës shpirtërore të Marksit të ri.

Kështu duhet vështruar dhe kënga popullore shqiptare që gjendet në album. Ajo mban titullin “Këngë shqiptare” dhe është shoqëruar me fjalët: “E bërë e njohur në shënimet e Lord Bajronit te “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, Shtegtimi 30-të”. Pra, menjëherë duket qartë se nga është marrë.

Besojmë se kjo këngë nuk është zgjedhur rastësisht nga Marksi por, së pari, sepse i ka pëlqyer dhe, së dyti, sepse është nxjerrë nga një burim serioz i garantuar, siç është poema e njohur e Bajronit.

S.S. Praueri në veprën e vet “Karl Marksi dhe letërsia botërore” na sjell një të dhënë me mjaft interes, kur duke shqyrtuar nga afër albumin folklorik vë në dukje, ndërmjet të tjerash, se “në një nga shënimet që i shoqëronin këto poezi, Marksi i shkruante Zhenit se ai ishte në këto vargje bashkë me të, njësoj si vargjet e krijuara prej tij, në një shoqëri poetike shumë të nderuar”. “Një këngë me origjinë shqiptare, – shpjegonte ai, – figuronte në “Shtegtimet e Çajld Haroldit”.”

Dihet se Bajroni në vjeshtën e vitit 1809 udhëtoi nëpër Shqipëri, provoi mikpritjen e Ali Pashë Tepelenës, njohu e çmoi shqiptarët dhe vendin e tyre të bukur. Nën këto përshtypje lindi dhe poema e Çajld Haroldit, të cilën filloi ta shkruante që në Janinë. Një këngë të tërë, të dytën ua kushtoi Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Dihet, gjithashtu, se gjatë udhëtimit poeti mbajti shumë shënime, mblodhi të dhëna të ndryshme, u shkroi letra nënës e miqve. Në to ne gjejmë mendime e konsiderata sidomos për vlerat e kulturës popullore shqiptare.

Veçanërisht në rastin tonë tërheq vëmendjen fakti se në këtë udhëtim Bajroni mblodhi në Shqipëri dhe në mjediset e arbëreshëve të Greqisë edhe folklor shqiptar. Sipas pohimit të poetit, marshi luftarak “Tamburxhi! Tamburxhi!”, që këndohet në poemë, zu fill “nga këngë të ndryshme shqiptare” të mbledhura prej tij.

Përveç këtij marshi, Bajroni mblodhi dhe botoi në shënimet e këngës së dytë të “Shtegtimeve të Çajld Haroldit” edhe “dy këngë popullore shqiptare”. Në shënimet ai shkruan se “si shembull të dialektit shqiptar ose arnaut të ilirishtes po jep këtu dy prej këngëve korale më popullore, të cilat këndohen zakonisht në valle nga burra e gra pa dallim …”.

Pastaj shton se “ato u kopjuan prej një njeriu i cili e flet dhe e kupton fare mirë këtë gjuhë dhe që është vendës nga Athina”. Poeti e ka fjalën për shqiptarët Vasil Dangëllisi e Dervish Tahiri, të cilët e shoqëruan për 20 muaj nëpër Shqipëri, Greqi e Turqi dhe i dhanë mundësi të njihet sa më shumë me vlerat e kulturës popullore shqiptare.

Marksi, që e pëlqente në mënyrë të veçantë Bajronin, për frymën e revoltës dhe pakënaqësinë ndaj realitetit borgjez, jo vetëm e rilexonte poemën “Shtegtimet e Çajld Haroldit”, po dhe diti të përfitonte dhe nga vlera të tjera, siç ishin shënimet e autorit që shoqëronin veprën.

Prej tyre Marksi mori dhe këngën shqiptare. Ajo është nxjerrë nga “Vepra të përmbledhura” të Lord Bajronit, përkthyer në gjermanisht nga Adolf Botger dhe botuar në Lajpcig më 1839. Me sa shihet, botimi është fare i freskët, sepse po atë vit Marksi përgatit e i dhuron Zhenit albumin e tij.

“Kënga shqiptare” i përgjigjet frymës së përgjithshme të albumit, qoftë për faktin se ajo është këngë popullore e mirëfilltë, me karakter të theksuar lirik. Nëpërmjet monologut, poeti popullor tregon dëshirat e zjarrta që i ka zgjuar dashuria. Ajo është patetike, e furishme, pak liçencioze, po realiste, e natyrës rustike dhe ndofta për këto arsye dhe për sinqeritetin e çiltër i ka pëlqyer dhe djaloshit nga Triri.

 “Kënga shqiptare” u botua nga Bajroni në origjinal, ashtu siç u dëgjua dhe u përkthye në anglisht prej tij. Por, siç dihet, varianti origjinal paraqet vështirësi kuptimi, prandaj dhe kemi disa variante transkriptimi. Po japim variantin e botuar në revistën “Albania” të F. Konicës, që na duket paka shumë më i qartë:

Në sevda tënde u llavosa (plagosa)/Vetëmë u përvëlofsha/Ah, vashëzë më përvëlove/Se më rend (zemrën) më llavose./U (unë) të thashë, rrobe s’dua,/Siti (sytë) e vetullat e tua./ Rrobat stin orji (në djall të venë), s’i dua./ Kurmthin (trupin) vetë dua./Kurmthin dua çë vëlon.

Rrobet zjarrmi t’i djeg./U (unë) t’agapiva (dashurova), vashëzë,/Ë me zemërën të haptë/Ë t’i m’u bëre e pabesë/Si një dhëndro të lartë.

Kënga shqiptare” në gjermanisht, e rikthyer fjalë për fjalë në gjuhën shqipe paraqitet kësisoj:

Jam plagosur nga dashuria jote, dhe doja të plagosesha./Ti më bëre krej për vete, o vajzë në zemër më godite!/Të kam thënë se pajë tjetër s’dua,/Përveç syve dhe qerpikëve të tua!/Pajën e dëshiruar nuk ta kërkoj/ Dëshiroj vetëm syt’ e tu,/Më jep hirin e bukurisë sate/Dhe dorëzoja atë pastaj flakëve!/Të kam dashur, o vajzë me shpirt t’pafajshëm,/Por ti më thave e më bëre dru./Po të vija dorën në gjoksin tënd, ç’do të fitoje?/E tërhoqa dorën, po flaka vazhdon të më djegë!

Siç shihet, varianti i ri në shqip i “Këngës shqiptare” jepet prej përkthimit nga origjinali në anglisht dhe nga anglishtja në gjermanisht. Ajo rikthehet kështu në gjuhën amtare nëpërmjet dy gjuhëve të huaja.

Nga krahasimi i bërë ne mes origjinalit dhe përkthimit gjermanisht mund të vërejmë se në tërësi nuk ka ndryshime thelbësore. Është ruajtur brendia, mendimi poetik i këngës, figurat më të rëndësishme. Megjithatë, kënga e rikënduar në anglisht nga një poet i madh si Bajroni dhe e përkthyer pastaj në gjermanisht ka ndryshuar, duke fituar vlera të reja shprehëse. Nga një anë, është bërë më i qartë mendimi e figurat kanë dalë më në reliev dhe, nga ana tjetër, këngës i janë shkurtuar dy vargje.

Sipas një shënimi të Bajronit, dy distikët e fundit, meqë janë në masë të ndryshme, duhet t’i përkasin një balade tjetër, po në “Këngën shqiptare” të përkthyer nuk ndihet ndryshimi i distikëve të tjerë me dy distikët e fundit.

Kjo vjen ngase kënga ka një hero lirik të përbashkët, se fjalët e saj, si në rastin e parë dhe në të dytin i drejtohen vajzës nga djali i dashuruar. Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë me disa figura fjalësh, si, në vend të vetullave është vënë qerpikë, në vend të kurmit është hiri i bukurisë e ndonjë tjetër.

Po kështu, vargjet me rimë të origjinalit, janë dhënë në gjuhë të huaj me vargje të bardhë. Megjithatë, pavarësisht nga këto ndryshime, “Kënga shqiptare” është ridhënë me bukurinë dhe thjeshtësinë e vet, ajo jep qartë momentin psikologjik dhe frymën lirike të origjinalit.

S’ka dyshim se janë këto vlera që tërhoqën vëmendjen e Marksit të ri dhe e bënë “Këngën shqiptare” të jetë një nga këngët popullore të parapëlqyera prej tij.

http://maqedoniashqiptare.com/2016/0…er-shqiptaret

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …