Fushata që nuk po pushon asnjë ditë kundër kreut të luftës së UÇK-së, kundër vlerave të kësaj lufte, kundër dëshmorëve e martirëve, kundër ish të burgosurve politikë, e stisur dhe e organizuar nga një “front i bashkuar” i ish-pushtetarëve jugosllavo-shqiptarë, i bijve dhe bijave të tyre, ka marrë përmasa tani në prag të ngritjeve të aktakuzave të para të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së, e cila po pritet me entuziazëm nga plehurina titiste dhe me indinjatë e pezëm nga luftëtarët e lirisë.
Të shumë janë shembujt dhe po aq të shumtë akuzuesit nga foltorja e Kuvendit e deri te jugo-mediet e jugo-portalet simotra të Serbisë, në Kosovë
Më 7 dhjetor 2017 në Kuvendin e Kosovës, kryekuvendari, Kadri Veseli u akuzua për krime madje kundër bashkëluftëtarëve, edhe pse dihet mirë se rasti i vrasjes së Komandant Drinit, nuk është zbardhur, por është dënuar gjoja për nxitje, një epror i UÇK-së. Këtë vrasje mizore, një deputete e Vetëvendosjes ia adresoi Kadri Veselit, mbase edhe duke e ngatërruar me eprorin e lartë të UÇK-së, Sali Veseli, si rëndom, pa asnjë fakt. Një tjetër deputet gjithnjë i “agraisur” kundër luftës së UÇK-së, Dardan Molliqaj Kadri Veselin e shpall “kapo” të krimit, ndërsa SHIK-un organizatë terroriste, krejt njëjtë, krejtësisht me gjuhën e njëjtë të Daçiqit e Vuqiqit, pa asnjë fakt relevant gjyqësor, pa asnjë aktakuzë të ngritur deri tani, por duke u shërbyer me gënjeshtra të jugo-medieve dhe të shërbimeve, nga të cilët marrin dhe japin informata të tilla.
Shembull konkret i kësaj propagande të zezë është fushata e zhvilluar kundër Sami Lushtakut për 15-vjet rresht dhe tani kur ai u shpall i pafajshëm, nuk u gjet asnjë deputet i Vetëvendosjes, asnjë gazetar, që pretendon që ka një kredibilitet njeriu të kërkojë falje, për ato që kishin thënë, shkruar e botuar kundër tij. E dini sa mijëra faqe shkrime denoncuese ka botuar Koha Ditore, Klan Kosovo Bota Sot, Zëri, Telegraf Kosovo, Insajder Kosovo kundër Lushtakut, kundër Sabit Gecit, Sylejman Selimit, Azem Sylës dhe krerëve të luftës së Drenicë, të cilët i emërojnë si “grupet” sikur ato sportive a.b.c.d, si grupe të Drenicës, të Llapit, Dukagjinit, me qëllim për diskreditim dhe mospranim që ka ekzistuar një Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Komandat e Shtatë Zonave Operative të luftës.
Pastaj, fushata që është zhvilluar dhe po zhvillohet kundër Azem Sylës, ish Komandantit të SHP të UÇK-së deri në mars të vitit 1999, është maja e Ajsbergut e një fushate të tillë mizore e barbare, sepse Azem Syla ende nuk është shpallur fajtor, për ta etiketuar si Komandant të Çagllavicës. Sapo ishte arrestuar me një ndërhyrje spektakolare, gjatë një aksioni me qindra milicë e policë, me kamera e spiunë të UDB-së, në uniformat e Policisë së Kosovës, me pjesëtarë nga radhët e policisë së sotme që kanë bashkëpunuar madje edhe me regjimin kriminal të Milosheviqi, sapo iu lidhen duart me pranga, Azem Sylën u shpallën, fajtor, përnjëherë u incizua filmi për Komandantin e Çagllavicës dhe u “pushkatua” mediatiksht e politikisht.
Ku ishin ata që e kishin dashur e nderuar aq shumë dajën e “Dajën e madh”, e kishin përkrahur, ia kishin rrahur shpinën, ishin betuar e përbetuar për të? Vetëm dy tre vetë kanë reaguar publikisht kundër asaj fushate. Dhe kur të lirohet i pafajshëm, sepse një ditë me siguri se do ta marrë pafajësinë, këta që e kanë mbrojtur publikisht duhet të presin në radhë për ta vizituar, janë ata të tjerët, që do të gjenden pranë me servilizëm e profani tipike për njerëz të llojit të tillë.
A thua krejt kjo lukuni gazetarësh, redaktorësh, kryetarë partish politike nuk e dinë se çdo i arrestuar, kudo në botën demokratike është i pafajshëm, derisa nuk merret vendim gjyqësor, madje vendimi definitiv, i cili duhet të kalojë nëpër të gjitha instancat e parapara ligjore. Vetëm Atëherë, mund të shpallet fajtor një i akuzuar, por as atëherë nuk mund të diskreditohet sikur bën plehurina e disa gazetarëve dhe jugo-medieve shqipfolëse e shqipshkruese në Kosovës.
Këtë e dinë të gjithë, dhe përderisa këtë të drejtë të pamohueshme nuk e kanë mbrojtur me deklarata publike, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe krerët e tjerë, drejtuesit e disa medieve dhe opinioni sylesh e ka pranuar shkinisht, (si “zdravo za gotovo”). Po thonë, Azem Syla qenka fajtor dhe “ia paftë hajrin”, kështu tekstualisht kanë thënë disa nga shokët e tij. Çka do të thonë nesër ata të tjerët, për këta “të hajrit”?
Partitë politike në Kosovë, të gjitha pa dallim, mundohen të fitojnë mbi fatkeqësinë e njëri- tjetrit dhe kjo është luftë e papastër, e pandershme dhe e pa cipë. Ata, duke qenë gjithnjë të zënë në luftën e tyre për pushtet kanë harruar edhe Serbinë, edhe kërcënimet që kurrë nuk kanë qenë më të shprehura që nga paslufta, kanë harruar se bashkimi i shqiptarëve nuk bëhet dike linçuar e duke vrarë politikisht e mediatikisht kundërshtarët politikë. Lufta për pushtet e ka zbritur në nivelin zero, vëllazërinë, vuajtjet e përbashkëta, solidarësinë, njerëzinë dhe mbi të gjitha rrezikun e përbashkët që na vjen nga trekëndëshi, Moskë, Beograd, Athinë.
Askush nuk ka të drejtë morale, njerëzore as politike dhe aspak të drejtë kombëtare ta shpall fajtor të pandehurin, pa e shpallur gjyqi. Paragjykimet se këta pushtetarët qenkan mbi gjyqet, se nuk paskan mundur t i dënojnë “krerët e luftës”, nuk qëndrojnë dhe janë krejtësisht të pavërteta, tërësisht shpifarake, të ulëta dhe mizore, sepse dihet mirëfilli se në Kosovë është vetëm EULEX-i ai që e ka të drejtën e vetme dhe ekskluzive për të arrestuar, dënuar, linçuar, për të shpallur fajtor dhe për të ndëshkuar, për t’ iu thënë “kafshë” çlirimtarëve të Kosovës, për të urdhëruar arrestimin arbitrarisht. Kjo ka qenë e vetmja detyrë që EULEX-i e ka kryer njëjtë sikur ta kishte kryer Prokuroria dhe gjykatat në Serbi.
Fushata kundër çlirimtarëve dhe përgjithësisht kundër partive të krahut të luftës është luftë me vetveten, është njëjtë sikur fushata që e shpalli Kosovën truall të pëlleshëm për ISIS-in, vetëm për të zhvatur fonde e para të majme, është njëjtë sikur në kohën kur politika pacifiste e kishte shpallur terroriste luftën e UÇK-së. Këto gabime të rënda nuk i bëjnë njerëzit që kanë të instaluar përgjegjësinë dhe ndërgjegjen kombëtare e njerëzore në trurin e tyre. Po kështu sulmet, fyerjet madje edhe kërcënimet bëhen në përgjithësi duke atakuar krejt partinë dhe jo një segment prapa saj. Veprimet e tilla janë tërësisht të pamoralshme dhe të dëmshme.
Fushata kundër luftës së UÇK-së, kundër dëshmorëve e martirëve kundër invalidëve dhe veteranëve të vërtetë të UÇK-së, kundër ish kreut të luftës po financohet dhe po sponsorizohet nga mafia mediatike, nga bosët e parasë së pistë, nga ish mbetjet e ricikluara të regjimeve antishqiptare, nga ajo pjellë njerëzore që ndër shekuj i ka shërbyer dhe iu shërben të huajve, cilët do qofshin ata për nga prejardhja, feja kombi, ideologjia, qofshin nga lindja apo nga perëndimi, sepse vetëm duke iu shërbyer të tillëve kanë mbijetuar nëpër shekuj dhe po mbijetojnë.