Mr. Sheremet Krasniqi: Dromca kujtimesh nga takimet me shkrimtarin Sulejman Krasniqi

Me shkrimtarin e madh Sulejman Krasniqi u njoha para 31 vjetësh, më 1980, kur një grup studentësh të shkallës së tretë qëndruam një muaj në Shqipëri me punë  studimore. Atëbotë, ai ma dhuroi romanin e tij “Prijësja e komitëve “ kushtuar Shote Galicës.


 


Më 1995 e kalova ilegalisht kufirin dhe aty qëndrova nja 3-4 muaj duke punuar në Arkivin Qendror të Shtetit. Një ditë, së bashku me Ali Boletinin, nipin e Isa Boletinit, i vajtëm në apartamentin ku banonte. Edhe pse nuk qëndronte mirë nga shëndeti ( E gjetëm duke bërë ushtrime në një karrocë , që ja kishte sjellë vajza nga Zvicra), zbriti nga karroca dhe tërë shend e verë na përqafoi fort e fort , duke e sinjalizuar të shoqen se na ka ardhur një vëlla nga Drenica . Ata na pritën e na gostitën siç është më së miri, ashtu siç e ka pasur zakon gjithmonë shqiptari .


Kurrë nuk mund t’i harroj ato rrëfimet e tij kur e kishte vuajtur burgun politik në Prizren më 1952- ’53 kur ishte ende adoleshent.


Siç dihet, ai më 1958 braktisi Kosovën, për të shpëtuar kokën nga UDB-ja jugosllave.


 “ Kur u arratisa në Atdhe (Shqipëri) në një mbledhje të Partisë iu thashë se kam ardhur në Shqipëri për t’u përgatitur dhe për t’u kthyer në Kosovë, për të çliruar Kosovën nga kthetrat serbe. Jam gati të hidhem në zjarr për Kosovën çdo minutë. Mjaft kemi stërvitur , kur do të hidhem në Kosovë ? Sekretari i Partisë m’u përgjigj : 


-Këtë punë e di Partia !


– Partia e di hamamin e Hyrës !-iu thashë.


Për këtë fjalë goje hëngra një vit e gjysmë internim në Seman të Fierit.


Kur e pyeta se kam vërejtur një lloj urrejtje ndaj kosovarëve nga shqiptarët e këtushëm , ai m’u përgjigj: “ Disa horra kosovarë vijnë në Shqipëri me serbë udbashë, me pasaporta të falsifikuara, dhe bëjnë njëqind e një të zezë duke e quajtur veten kosovarë. Të tillët janë aq të fëlliqur sa nuk u vjen era njerëz. E të tillët kanë krijuar urrejtje këtu.”


Si sot më kujtohet, kur ia bëra pyetjen  se çfarë zgjidhje parashikoni për Kosovën, ai u përgjigj : Figura edhe më të mëdha se Slloboja janë përpjekur ta dëbojnë ose t’i  zhdukin shqiptarët autoktonë nga Kosova, por kanë vdekur me ëndrra të dështuara.


 


                                             ***                                               


Në vitin 1995, bëra një intervistë me pseudonimin Sh. Godeni, intervistë kjo e cila u botua në gazetën “ Bujku” me cungime drastike nga ekipi i atëhershëm drejtues e redaktues  i “ Bujkut”. Më 4 korrik 1999, u kthye në vendlindje , pas 41 vjetësh, i mbushur me emocione të papërshkrueshme .


                                              ***


 Pas luftës, Derisa ishim duke pirë kafe së bashku me Sulejmanin, para Pallatit të “Rilindjes”, atypari kaloi poeti Agim Gjakova. Ai e ndali dhe ia tha këto fjalë : “Çka ke llomotitur në “Zëri ? “. Unë jam ai Sulejmani i ushtrimeve ushtarake. Në “Zëri”,  sa më kujtohet, Agimi kishte thënë se Sulejmani ka qenë i përkëdhelur nga regjimi i Enverit dhe i caktuar nga Sigurimi i shtetit që t’i përcillte kosovarët që vinin në Shqipëri.


-Gati të gjitha veprat e mia, thoshte atëbotë Sulejmani, e marrin temën nga historia, e cila mbështetet në kohë , data e dëshmi të sakta. Në tërë këto vepra mesazhi im është : bashkimi i të gjitha trojeve shqiptare ashtu siç i ka falur Zoti, qëkur i mban mend dielli shqiptarët në këtë siujdhesë të lashtë të Ballkanit.


-Kishte besim të plotë se Kosova do ta fitojë pavarësinë, por jo me politikë pacifiste, të cilën ai e quante donkishotizëm këtë politikë,  por vetëm me grykën e pushkës. Kishte një admirim të papërshkrueshëm për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.


 Kurrë nuk më hiqet nga mendja një thënie e tij , do të thosha enciklopedike :


 Kosovën nuk e çliroi as Amerika, as NATO-ja. Kosovën e çliroi UÇK-ja, sepse UÇK-ja ishte ajo e cila e solli këtu edhe Amerikën edhe NATO-n”.


Ruaj shumë kujtime nga takimet që kam pasur me të madhin Sulejman. Ndoshta, këto, një ditë do t’i hedh në letër ?  Kujt do t’i shkonte mendja se ai do të ndahet kaq shpejt nga jeta !


I qoftë i lehtë dheu i tokës arbërore !


 


Prishtinë, më 17 dhjetor 2011 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …