Në radhët e rapsodëve shqiptarë, të cilët kanë bërë emër me këngët e tyre, pa dyshim se në mesin e më të dalluarve, ka qenë edhe këngëtari i mirënjohur, Bajrush Doda, i cili fizikisht u nda nga ne në ditën e fundit të vitit 2o11. Janë pak në numër këngëtarët e vërtetë, ata të cilët këngës i japin shije, forcë, dinjitet, fuqi mobilizimi, afsh dashurie dhe mbi të gjitha, të cilët kanë treguar dhe tregojnë respekt për këngën, për dëgjuesin dhe sidomos për atë, të cilit i kushtohet kënga, në rast kur iu këndohet trimave, dëshmorëve, heronjve e heroinave. >>>
Bajrush Doda, ka lindur në trevën e Dukagjinit, në fshatin Maznik, të Deçanit, në vitin 1936. Ashtu sikur shumica e këngëtarëve popullorë, ai, deri te kënga erdhi në saje të talentit, zërit të lindur për këngëtar, që është parakushti kryesor për këtë profesion, memories së pasur mbase edhe në saje të një rastësie, për të cilën nuk kemi informacion. Po sido qoftë, ai u lind dhe u rrit në një trevë, ku kënga e pushka, nderi e burrëria, dashuria e vdekja ishin tema të përjetësisë metafizike, që ishin përsëritur ndër shekuj dhe po përsëriteshin, në kohë dhe hapësirë, që nga koha e Ilirisë, e pushtimeve romake, pushtimeve sllave, turke e kështu me radhë. Treva e Dukagjinit dhe veçmas ajo e Deçanit është ndër trevat më të njohura të historisë sonë kombëtare. Atje, në mesjetë, ishte fuqizuar pushteti i prijësve të dinastisë nemanjide, rashjane, ndërsa Manastiri i Dozhanit, apo i Dukagjinit, ishte konvertuar nga sunduesit sllavë në Manastirin e Deçanit, manastirit ortodoks, i cili gjatë shekujve të robërisë turke u ruajt nga shqiptarët, në nderim dhe respekt për fenë e të parëve dhe jo në respekt për vrastarët e sundimtarët serbë.
I ndikuar nga këngëtarët në zë të viteve 50-60, të shekullit të kaluar, Bajrush Doda “thithi” nektarin e këngës, të cilën do ta këndojë lirshëm, me dashuri të zjarrtë, me një zë melodik por edhe burrëror, që është karakteristikë e rrallë e pranisë së këtyre dy elementeve te i njëjti këngëtar. Edhe pse nuk ekziston një ndarje e prerë mes zërit melodik dhe zërit të ashpër mashkullor, megjithatë shumica e këngëtarëve dallohen nga këto dy karakteristika. Këngëtari i mirënjohur, Riza Bllaca kishte zë burrëror dhe krejt pak timbër muzikal, ashtu sikur edhe Sali Krasniqi, Tahir Drenica, por Feriz Krasniqi, Hashim Shala e të tjerë dallohen për zërin e tyre melodik. Prania e zërit burrëror, zërit të fuqishëm dhe në njëjtën kohë edhe ngjyrës së zërit, është dhunti e lindur. Këto dy komponente, sipas mendimit tim, janë të pranishme te një numër këngëtarësh të njohur popullorë si te: Dervish Shaqa, Lan Dobra, Aziz Ndreu, Arif Vladi, Shkurte Fejza, Ilir Shaqiri, Sali Mani, Liri Rasha, Irini Qiqiako, Nikë Çarku etj. Shquhen për timbër të fuqishëm melodik: Fitnete Rexha, Naile Hoxha, Feride Kurti, Luçie Miloti, Nexhmije Pagarusha, Shyhrete Behluli etj.
Këngëtari, Bajrush Doda, këngëve që i ka kënduar u ka dhënë melodicitet, shqiptim të qartë të fjalëve dhe rrokjeve, përsëritje të kursyer të vargjeve, ndërsa zërin e fuqishëm, në të njëjtën kohë edhe shumë melodik ua ka përshtatur tematikës së këngëve. Këngëve të dashurisë, të cilat janë krijime të fuqishme popullore, ai u ka dhënë fuqinë e ekzaltimit dhe të afshit, por pa rrëshqitur në banalitete e perversitete, sikur kanë rrëshqitur disa këngëtarë të njohur.
Bajrush Doda, ka qenë në mesin e këngëtarëve, që ka përcjellë me vëmendje zhvillimin muzikor dhe krahas këngëve tashmë të traditës, ai ka kënduar edhe këngë të reja, madje edhe me orkestrinë, si dhe këngë për emancipimin kulturor dhe arsimor të shqiptarëve.
Opusi i këngëve që ka kënduar është i larmishëm, duke filluar prej këngëve të moçme, pastaj këngëve të trimërisë, këngëve të dashurisë dhe këngëve të reja të transformimit shoqëror e deri te këngët për trimat dhe trimëreshat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Përveç karakteristikave uniforme të zërit, Bajrush Doda shquhet për origjinalitet të shprehur në këndimin e këngëve, që nuk është karakteristikë për të gjithë këngëtarët, disa nga të cilët nuk kanë treguar kujdes për ta ruajtur tërësinë, përmbajtjen, ashtu sikur e kanë dëgjuar apo e kanë mësuar. Në këngët e tij hetojmë pedanterinë e lindur artistike, korrektësinë e mbi të gjitha ruajtjen fanatike të vargjeve dhe të tërësisë së këngës. Kujdesi, që ai ka treguar për këngën, zbulon seriozitetin e tij si këngëtar i përgjegjshëm dhe i dhënë shpirtërisht pas saj, e cila nuk është thjesht një këngë për argëtim, por ajo mbi të gjitha është një rrëfim historie, qoftë edhe rrëfim fragmentar, apo një ndodhi që ka hyrë në kujtesën e njerëzve apo një rast i veçantë që ka hyrë në këngë, sepse në këngë nuk hynte çdo kush, ndërsa duhej pasur kujdes që trimit të mos i këndohej për së gjalli, sepse kanë mjaftuar dhe mjaftojnë madje ato tri ditë e fundit e jetës, për ta prishur biografinë e mirë, për ta prishur edhe këngën.
Për dallim nga rapsodët e njohur, të cilët zakonisht këndojnë në duet, apo edhe krejt vetë sikur kanë kënduar, Raza Bllaca, Tom Nikolla, Frrok Haxhia, këngëtari Bajrush Doda ka qenë shumë komunikues dhe ka kënduar pothuajse me të gjithë këngëtarët, me të cilët iu ka dhënë rasti. Ai zakonisht ka kënduar së bashku me Zenun Gashin, e Hajdar Dodën, Qazim Hajdarin, Qazim Berishën, me Feriz Krasniqin, por edhe më këngëtarin, aktualisht më të spikaturin e Dukagjinit, Rifat Berishën, pastaj me Kadri Manin, Augustin Ukaj e shumë këngëtarë të tjerë. Në të gjitha këngët e kënduara në duet apo në grup, zëri i Bajrush Dodës dallohet për timbrin, fuqinë e kordave të zërit, zërin e qartë dhe melodik, e mbi të gjitha shquhet me shqiptimin e qartë të tingujve, të rrokjeve dhe fjalëve.
Bajrush Doda ishte i vetëdijshëm për nivelin artistik të këngëve të tij, madje për zërin, kondicionin, këndimin në duet dhe në grup. Krejt kjo tregonte anën e tij fisnike, dashurinë e madhe për këngën, përmes së cilët shprehte botën e tij artistike si dhe ndjenjën e shprehur të kolegjialitetit, të mençurisë dhe njerëzisë.
Opusi i këngëve të kënduara dhe të regjistruar në yuotube, në kaseta të ndryshme dhe në fonoteka të radiove e televizioneve është mjaft voluminoz. Ndërsa për mendimin tim nga opusi i këngëve të tij shquhen për vlera antologjike këngët: Ibrahimi i Tepelenës, Kënga e Zenel Gjolekës, Kënga e Musë Tahirit, Oj Kosovë oj bukuroshe, Kënga e Hasan Riza Pashës, Moj e mirë kavlush-kuqe, Oj Shkodër moj mizore, N’ Mitrovicë rrehi teli, Kaçanik e n’ Boletin etj.
Trashëgimia rapsodike që ka lënë prapa, këngëtari, Bajrush Doda, por edhe e disa rapsodë të shquar shqiptarë, duhet të ruhet në mënyrë institucionale, meqë ajo i përket artit, kulturës dhe traditës mbarë-kombëtare.