Fjalët si Demushi, punët si kurkushi

Satiriku i madh serb, Radoje Domanoviq, ( 1873 – 1908) njëri ndër kritikët më të pakursyer, që ka shkruar satira stigmatizuese drejtuar politikanëve fodullë dhe të prapambetur serbë, duke përshkruar  paaftësinë e zyrtarëve poltronë e  gjysmakë, prepotencën dhe ulokësinë e tyre  ka thënë: (Jedu govna a kazhu da jedu zhumance) ”“Po e hanë mu-në dhe po thonë se po e hanë të kuqtë e vezës”. Ky konstatim, shumë i goditur  i shkrimtarit, Domanoviq është aktual jo vetëm për Tadiqin, Daciqin, e Jeremiqin, por edhe për një pjesë të kreut politik të Kosovës.


E marr me mend se një krahasim i tillë i nxen gjakrat dhe nga shumë anë do të më adresohen të shara, por ja që unë i kam sharë më parë, sepse  kam marrë vendim për të folur të drejtën e të vërtetën, e cila, çuditërisht, sa më e drejtë dhe më e vërtetë të jetë,  aq më tepër të armiqëson me njerëzit, me njerëzit e politikës, të cilët edhe ashtu nuk ma varin as ma kanë varur ndonjëherë, por ama edhe unë nuk i kam kursyer, edhe pse e di se nuk kam fituar asgjë pos urrejtjes, kërcënimeve, shantazheve e gënjeshtrave, që kanë kurdisur dhe ende kurdisin në adresën time, gënjeshtra nga të cilat nganjëherë mbeten pa tekst, sepse, duhet ta pranoj se në këtë drejtim ma kalojnë e ma stërkalojnë me qindra herë.


Por, në këtë zanatin tim të identifikimit dhe  interpretimit të satirave, nuk ma kalojnë, sepse unë rezervoj të drejtën time të shprehjes së fjalës dhe mendimit të lirë. Edhe pse thënë të drejtën, po të kishte ligj në Kosovë, një krahasim i tillë nuk do të mbetej pa u ndëshkuar, por përderisa  këta ligjin e kanë bërë pelë të shalës dhe e shalojnë kah të duan, atëherë edhe unë po i jap të drejtë vetes të ironizoj pak, sepse na plasën ky soji me “fjalët si demushi e punët si kërkushi”.


Është për të ardhur keq, që puna vajti deri atje sa të huazoj motivin e një satiriku serb, edhe pse e çmoj lart këtë shkrimtar, të cilin jo rastësisht kritika e ka krahasuar, si Nikollaj  Vasileviq Gogoli i  Serbisë.


Është hera e dytë që i referohen publikisht këtij shkrimtari, të cilin brezi i ri në Kosovë nuk e njeh, ndërsa brezi i moshatarëve të mi e më të vjetër se unë, e njeh mirë meqë veprat e tij i kemi lexuar si literaturë shkollore, por tash meqë jemi prishur me Serbinë, sepse ata na kanë dhe ende po na shajnë, nuk është në modë leximi i shkrimtarëve serbë.


 


Tregimin,   Vogja, “prijësi” e kam analizuar krahasimisht  në kohën e politikës durimtare të Ibrahim Rugovës. Në një tubim me partiakët e LDK-së, në një qytet të Kosovës kam bërë një krahasim mes personazhit të Domanoviqit dhe prijësit të LDK-së, Ibrahim Rugova, i vetëdijshëm se bashkëpartiaku i tij, një i afërm imi, ia kishte rrëfyer tregimin, me të cilin ai natyrisht se kishte qeshur, me atë të qeshurën e tij karakteristike, babaxhane në dukje, por e hidhur tërë helm  në brendi. Po ashtu, isha qind për qind i sigurt se Rugova e kishte lexuar tregimin e Domanoviqit.


Sidoqoftë, ata lexues të kësaj satire që nuk e kanë lexuar Domanoviqin, përkthim i vitit 1963, një përkthim tejet i dobët në një gjuhë ge-gege, apo gjuhë e gegjave,  të stilit të Migjen Kelmendit, ua preferoj ta lexojnë në origjinal, kuptohet ata që dinë serbisht, apo ta lexojnë ndonjë version të përkthyer,  nëse vërtet duan të mësojnë fenomenin e ngjashmërisë në veprime  të politikanëve tanë me politikanët serbë, me ata që pa pikë turpi e hanë mu-në dhe thonë se është i kuq i vezës. Me serbët, tani edhe mund të bëjmë shaka, meqë i kemi përzënë dhe nuk kemi  frikë se do të kthehen më, të paktën nuk do të kthehen me tankse e me topa, sesa për vajtje ardhje të rëndomta, për Velikdan e Bozhiq, këtu do t i kemi, krejt derisa të mos fshihet fusnota e Tahires dhe të mos krijohet Shqypnia e Madhe.


“Vogja” i Domanoviqit është një njeri i thjeshtë, i cili nuk flet, rri mendueshëm dhe  tërë ditën rri ulur,  në një  tavernë të kafenesë në Kazasë, shikon në thellësi të horizontit, duke mos e luajtur as qerpikun. Serioziteti i tij bën që tufa e  tubuar e bashkëkombësve ta zgjedhin për prijës, i cili do t i çonte në vendin e premtuar, atje ku ata mendonin se do të kishte  begati, atje ku do të gjenin  ara e kullosa, fusha e male, atje ku balta duhej të ishte  më e ëmbël se mjalta.


Prijësi e pranon propozimin dhe bashkëkombësit e tij të ekzaltuar se kishin goditur në shenj, pa një pa dy, ngarkojnë plaçka e gjësende mbi shpinë, kush duke i tërhequr zvarrë dhe  i shkojnë prapa. Prijësi kishte me vete edhe levën e gjatë, ashtu si Mojsiu dikur, madje edhe mjekrën e zezë e të dendur e kishte si të Mojsiut. Për më tepër, ai, në paraqitjen e tij ishte më serioz sesa profeti, që i nxori hebrenjtë nga robëria e faraonëve, nga ata faraonët e farës tonë, sikur thotë një profesori ynë i nderuar, i cili ka zbuluar se shqiptarët janë popull më i vjetër  se vetë raca e majmunëve, apo sukur thotë me ironi  analisti i RTK-së, me fytyrë kulumbrie  se “majmunët” po thonë se e kanë prejardhjen prej shqiptarëve. Këto e shpikje të tilla i bëjnë pa pardon, meqë pasi kanë pranuar që mu-së t’i thonë i kuq i vezës, të gjitha të tjerat i hanë pa dert, mjafton të mos u ngelin në fyt.


Të kthehemi atje ku mbetem.


Kur ata që i shkonin pas prijësit hetuan se ai i çonte nëpër thera e driza, nëpër gurë dhe nëpër humnera, tërë devotshmëri duronin vuajtjet, meqë besonin se prijësi  i tyre e dinte një rrugë, nëpër të cilën nuk kishte kaluar askush. Natyrisht se ishin vrarë e therur, ishin përgjakur këmbë e duar, ishin ndeshur me sa e sa të papritura, por të gjitha i kishin duruar deri në kohën kur vërejnë se prijësi, po i drejtonte drejt një humnere të pjerrtë, nga ku nuk mund të zbrisnin as dhitë e egra, që ata i kishin marrë me vete.


Në moment, njëri nga ata që e pasonin prijësin, qysh prej fillimit, meqë gjatë rrugëtimit historik  shumë të vetë martirizuar kishin mbetur nëpër rrugë, ai tërë devotshmëri e kishte ndaluar prijësin dhe iu kishte drejtuar:


-Prijës i nderuar! I tha pasi mori frymë thellë nga lodhja e rraskapitja. 


-Të ndoqëm prapa qe sa ditë e net, u lodhëm fort  e shumë nga ne mbeten maleve,  por tash a po e sheh se në çfarë humnere  na ke drejtuar?


-Jo, iu përgjigj prijësi, ndërsa turma mbeti gojëhapur.


-Po si nuk po e sheh more këtë humnerë pa fund, po të lëshohemi këtu asnjëri nga ne nuk mbetet i gjallë?


-Më ndjeni vëllezërit e mi, por unë jam i verbër.


-I ke humbur sytë gjatë rrugës apo ke qenë  i verbër?


-Kam lindur i verbër dhe kurrë në jetën time nuk e kam parë dritën e diellit, iu tha prijësi, i cili ishte bërë tërë  gjunga, si mos më keq, nga rruga e gjatë nëpër shkëmbinj, nëpër therra e driza.


Turma mbeti gojëhapur dhe pastaj filloi ajo “hajka” e njohur serbe,  seria  e të sharave tipike serbiane. Pas pak njëri nga ata kishte pyetur.


-Tash kah t ‘ia mbajmë?


Të tjerët i kishin rrudhur krahët…


 


Trajta e shkurtër e rrëfimit, nuk përmbush as edhe të njëqindën pjesë të rrëfimit të vërtetë të Domanoviqit, i cili thuhet se me këtë satirë kishte përqeshur vetë Nikolla Pashiqin, me origjinë turko-serbe, njëri ndër politikanët më të nderuar në Serbi dhe njëri ndër më shqiptarvrasësit e kohës së tij.


Satira e Domanoviqit është prodhimi më autentik letrar i kohës, në vendin dhe rrethanat kur ai e ka shkruar . Sot pas më shumë se 120 vitesh, ende politikanë tanë e hanë m-në për të kuq veze, ende na tregojnë përralla dhe mendojnë se iu besojmë. Dhe, këtu qëndron e keqja më e madhe. Ata mendojnë se po na mashtrojnë. Mendojnë se ne iu besojmë fjollave të “flokëbardhës” së lyer me të kuq të vezës në fytyrën e mufatur, të tërhequr përpara si kokë bufi e të pudrosur për të mos u parë rrudhat. Fjolla e borës, sërish na përkujton satirën e Domanoviqit  dhe fjalën e tij të sertë, të cilën e vendosëm në titullin e kësaj skice të huazuar satirike.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …