Dilaver Goxhaj: Një libër i goditur dhe i pasur në mendime

Shënime rreth librit “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”, i Ylli Polovinës.


 


Para katër vitesh, në muajin maj 2008, shkrimtari Ylli Polovina iu prezantua lexuesit shqiptar me librin “Gjysma e harruar e Skënderbeut”, i cili ishte libri i  shtatëmbëdhjetë i tij. Edhe pse Polovina në promovimin e atij libri u prezantua si një publicist i thjeshtë, ai libër ishte një krijim i vërtetë historik. Jo vetëm pse kemi të bëjmë me një gërmim thellë në histori, duke na sjellë fakte, në shumicën e tyre të panjohura për lexuesin e gjerë, por ai u kundërvihet me sukses dhe në mënyrën më bindëse shumë autorëve (shumica e tyre amatorë në histori), të cilët e kanë përshkruar Skënderbeun si një nacionalist ekstremist, duke thënë se përgjaku në mënyrë të panevojshme popullin tonë, si një renegat nga që u shkëput nga ushtria turke dhe iu kundërvu asaj edhe pse ata e kishin titulluar “Skënderbe”, madje duke e shpallur edhe hileqar province, etj.


 


Argumentet që sjell në atë libër z. Polovina koha vërtetoi se janë jo vetëm bindëse por edhe të patundshme, pasi asnjë prej autorëve që ai u kundërvihet nuk ka marrë mundimin ta kundërshtojë, qoftë edhe në një aspekt të veprës së tij. Njëkohësisht në atë botim Ylli Polovina jep edhe atë anë të panjohur deri më sot të Skënderbeut: përmasat e tij evropiane, të cilën e shpreh qysh në titullimin e vetë librit.


Plot katër vjet më pas, në maj 2012, ai na prezantohet me librin e dytë po për atë epokë, “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut”. Polovina nuk mundohet të shkruajë histori dhe as nuk merret me përshkrimin e bëmave të larta të Skënderbeut apo të Muzakajve. Ai veçse thellohet në njohjen për Skënderbeun, familjen e tij si dhe në marrëdhëniet e tij me princat e tjerë shqiptarë, e veçanërisht me Muzakajt, duke  e analizuar paragraf për paragraf testamentin e Gjon Muzakës. Por, veç thellimit të njohurive në aspektin e paraqitjes së aspektit pozitiv të figurës së Gjergj Kastriotit, i cili “është mirëfilli një dardan, si e gjithë familja prej ku lindi”, ai na prezanton edhe disa nga anët negative të veprimtarisë së tij si kryekomandant i ushtrisë shqiptare, por edhe si princ i derës së  Kastriotëve, duke e zhveshur në këtë rast nga mitizimet e deritashme. “Gjon Muzaka, thotë z. Polovina, është i pari në histori që Skënderbeun e ka vështruar si njeri dhe jo si mit, ndërsa koha… kërkonte romantizimin e të vërtetës. Pëlqente histori, por edhe propagandë”. Me këtë libër, në mënyrën më modeste z. Ylli u jep indirekt historianëve një udhëzim të vogël dhe disa këshilla, dhe kështu edhe ai merr pjesë në ndërtesën e historisë sonë, duke çikur me majën e gishtave gurët e kështjellës Histori e Skënderbeut dhe e princave të tjerë shqiptarë.


Metoda që ka përdorur Ylli Polovina nuk është një punë e lehtë dhe se nuk mund të bëhet shkel e shko, por ka kërkuar kujdes shumë të madh; dhe mendoj se ia ka arritur qëllimit. Kam bindjen se ky autor, me këtë prurje të tij ka për t’ua ndërruar mendjen shumë prej historianëve dhe studiuesve të epokës së Skënderbeut. Por, nuk përjashtohet mundësia që atyre, të cilët i kanë përfunduar studimet e tyre për atë epokë dhe i kanë publikuar, sidomos ata që jetojnë ende mund t’u duket edhe i mërzitshëm. Madje, nga ata që vepra e tyre është pritur mirë, është marrëzi të presim që të korrigjojnë veprën e tyre. Kështu që libri “Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut” është shkruar për lexuesin e sotëm dhe historianë e studiuesit e ardhshëm, duke pasur në tavolinë edhe një model të caktuar se si duhen analizuar faktet dhe ngjarjet; është një libër që për cilindo që kërkon të shkruajë histori të mëson se si të zgjedhësh një gjë dhe të mënjanosh një tjetër. Ylli Polovina nuk ndalet në lëvdata, ai e ndan historinë nga panagjiriku, duke mos i duruar dot ato. Po të kemi parasysh se Polovina është një romancier, dikur edhe një poet, mendoj se e ka pasur të vështirë në mbajtjen e këtij pozicioni dhe vlen të përgëzohet për këtë gjë, pasi nuk ka asnjë lloj lajkatimi qoftë për Skënderbeun ashtu edhe për Muzakajt e qytetit të tij, Beratin. Çdo fjalë e ka peshuar ashtu si peshojnë sarafët monedhën e floririt.


Ky lloj interpretimi e bën librin jo vetëm tërheqës në të lexuar dhe të kuptueshëm për të gjitha nivelet e lexuesve, por, paralel me prezantimin e Skënderbeut, autori nxjerr në pah edhe një nga principatat shqiptare më të mëdha të asaj kohe, sikundër janë Muzakajt, pronarët e tërë Myzeqesë, Tomoricës, Oparit, Skraparit, duke i bërë një analizë tepër të hollësishme dhe inteligjente testamentit të Gjonit, ku, në kundërshtim me atë çka thotë Fan Noli, (i cili “shpreh mospërputhje të plotë me qëndrimin në testament të princit të Beratit”),  Polovina argumenton të kundërtën,  mbështetjen që Gjon Muzaka i jep historisë së shkruar nga Barleti. Testamenti i Gjon Muzakës “nuk tregon tjetër veç adhurim të Gjon Muzakës për biografin e Skënderbeut dhe gëzim për botimin e librit të tij”.


Ylli Polovina, duke shpjeguar të gjitha lidhjet e princave që morën pjesë në Lidhjen e Lezhës na e bën të qartë se ajo ishte një lidhje e themeluar midis Miqve. Të gjithë princat pjesçmarrës në Kuvendin e Lezhës ishin të lidhur mes tyre me krushqi; asnjë prej tyre nuk ishte pa lidhje me të tjerët. Natyrisht që, në atë lloj shteti që ata deshën të krijonin, ata vendosën ta kishin të përbashkët gjithçka, bazuar në kushtin që të gjithë të ishin të barabartë midis të barabartëve. Me anën e kësaj lloj marrëveshjeje mes miqsh, nuk mund të ishin të kryekomandantit të gjitha pronat e principatave që pranuan kryekomandant Skënderbeun. Ky lloj organizimi në shumë gjëra ngjason me  demokracinë e sotme, por që, sikundër e vë në dukje autori, Skënderbeu pati raste që e theu atë marrëveshje, me synimin që “i gjithë shteti të trashëgohej brenda Kastriotëve”, dhe këtu fillojnë ftohjet dhe largimet nga Lidhja, ku disa prej tyre shkuan deri edhe në tradhti. Të gjitha këto lexuesit i jepen qartë si në një panoramë filmike, dhe kjo është një nga meritat e autorit.


Ylli Polovina në këtë libër mban qëndrim kritik në shumë aspekte të veprimtarive të Skënderbeut të prezantuara nga Marin Barleti, Fan Noli, Abas Ermenji, Emanuele Politos, Sulejman Kylçe, Dhimitër Frëngu etj, por edhe ndaj testamentit të vet Gjon Muzakës, duke i ballafaquar me një arsyetim tepër logjik dhe duke shfrytëzuar “lajthitjet” e tyre.


Kështu, për herë të parë mësojmë përmes argumentit të autorit se marrja e vulës nga sekretari Sulltanit, nuk është ashtu sikundër e paraqet Barleti, kur thotë se, “Me t’u shkruar letra, sekretari u vra aty për aty bashkë me shokë të tjerë që po iknin bashkë me të” dhe “nuk shfryu  vetëm kundër këtyre, por u vranë gjith sa ranë atëherë në duart e Kastriotit”. Y. Polovina jo vetëm që e quan gënjeshtër por ai na jep mundësinë  për ta interpretuar më realisht udhëheqësin Skënderbe si dhe kohën kur ai jetoi.


Një pjesë e veçantë e librit trajton shkaqet që e bindën Skënderbeun të ndërmerrte atë rrezik, shkëputjen nga Turqia dhe kundërvënien ndaj asaj perandorie aq të fuqishme. “Historiografia jonë, por edhe mjaft albanologë të huaj, thekson Polovina, kanë një të tillë analize të këtij kapërcyelli të hovshëm të Skënderbeut, i cili nuk e vë aspak në dyshim sikur ka qenë gjest i pa llogaritur mirë. Gjykohet si veprim racional dhe historik”. Ylli Polovina, përmes analizës së fakteve dhe referimit të historianëve të ndryshëm e bind lexuesin se “në fillimet e luftës së Skënderbeut kundër Perandorisë Osmane ai ka pasur rrethana lehtësuese më shumë nga sa dimë ne”.


Autori, duke ndjekur hap pas hapi ecurinë e gjithë familjeve të mëdha shqiptare të epokës së Gjergj Kastriotit dhe lidhjet mes tyre si dhe me Malin e Zi, Serbinë, Italinë dhe Hungarinë, na sjell një sërë ngjarjesh të cilat të bindin se historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve nuk fillon me Skënderbeun, por shumë e shumë më herët; se populli ynë ka pasur trima e kapedanë që i janë kundërvënë jo vetëm Perandorisë Osmane në mënyrë të pandërprerë para ardhjes së Gjergj Kastriotit, por edhe Perandorisë Bizantine e asaj Romake. Vepra e Skënderbeut, lë të kuptojë autori, nuk është rastësi, por një vijim i natyrshëm i rezistencës mijëra vjeçare të shqiptarëve.


Në mënyrë të veçantë autori merret me trajtimin e betejës së Beratit, që me të drejtë ai e quan një dështim të  strategjisë së “Rrethimit të qyteteve”, duke korrigjuar historinë e derisotme dhe duke e bërë të qartë për herë të parë se ajo betejë nuk u humb për shkak të tradhtisë së Moisi Golemit, (dhëndër i Muzakajve), apo të ndonjë tradhtie tjetër, por thjesht për faj të Skënderbeut. Vetëm duke e lexuar këtë libër lexuesi mëson lojën politike që luan Gjergj Kastrioti dhe bindesh se të gjithë historianët e tij në këtë pikë janë të gabuar. “Moisi Golemi nuk ka asnjë përgjegjësi, del në përfundim z. Polovina, për atë kërdi që u bë në 26 korrik 1455”.


Interesante është trajtesa që autori i bën nipit të Gjergj Kastriotit në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë, i cili ka hyrë në kujtesën e të afërmeve të tij me emrin Skënderbeu i Ri, veprimi i të cilit solli edhe ftohjen e mbretit të Napolit ndaj Kastriotëve të mërguar në Itali. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për nipin tjetër të Skënderbeut, (1457-1530), i biri i Ivan Beut Cërnojeviçi, i cili u kthye në fenë islame, emri zyrtar i të cilit ishte Skënder Bej, por që “në rreth të ngushtë të krishterësh thirrej edhe Stanko Bushatlliu”, dhe që u emërua nga Sulltani guvernator i Malit të Zi.


Edhe Progani i dikurshëm, biri i krishterë i Nikolla Dukagjinit, i myslimanizuar, i cili mbërrin kryeqeveritar i perandorisë osmane për Rumelinë (1512-1515), ndërsa dy pararendës të tij Hamid Ali Pasha dhe Koca Mustafa Pasha qeverisën respektivisht 1509-1511 dhe 1515-1516, përbëjnë një risi tjetër të këtij libri.


Përfundimisht mund të themi se parashtrimet që bën Ylli Polovina në këtë libër tregojnë finesë dhe zotësi, cilësi të kultivuara nga puna e tij e gjatë letrare dhe kërkimore. Mendimet që ai shfaq janë plotësisht të lira, nuk ka frikë prej askujt dhe nuk e ka për gjë ta paraqesë Skënderbeun thjesht si një politikan autokrat dhe pa asnjë anësi. Për këtë kemi të drejtë të themi se Polovina nuk mban parasysh lexuesin e tanishëm, por atë të ardhshëm.


Autorit, duke vënë përballë Skënderbeut Muzakajt e Beratit,  ndriçon jo vetëm origjinën dhe shtrirjen e Muzakajve, por edhe kontributin e tyre  në aspektin e rezistencës shqiptare në një periudhë jashtëzakonisht të madhe si dhe zbulon para bashkëkombësve vlerat që i janë harruar Beratit dhe popullsisë së tij në vite, pa u munduar t’u bëjë qejfin bashkëkohësve. Ai u lë pasardhësve një dëshmi të vërtetë të ngjarjeve në Berat dhe rrethinat e tij në epokën e Muzakajve dhe të Skënderbeut.


Nëse Ylli Polovina do ta shoqëronte librin edhe me hartën skicë të principatës së Muzakajve, ashtu si e pat ndarë Andrea Muzaka i III, si dhe me rrugën që e lidhte Beratin me Pogradecin dhe Stambollin, do të ishte një shtjellim edhe më i plotë.

Kontrolloni gjithashtu

Isuf Ismaili: Një natë mbresëlënëse e krenarisë shqiptare

Isuf Ismaili: Një natë mbresëlënëse e krenarisë shqiptare

Në një sallë të madhe u mblodhën shumë zogj të bukur, nxënësit e mrekullueshëm të …