(Një kujtim me rastin e vdekjes së veprimtarit, të burgosurit politik të viteve 60, Zeqir Hajrizi)
Më 10 shtator, 2012 derisa po redaktoja lajmet, në faqen e Radios, në kompjuter, më erdhi një lajm pikëllues për vdekjen e Zeqir Hajrizit, i burgosur politik i viteve ‘60. Ishte edhe vëlla i veprimtarit të mirënjohur dhe të burgosurit politik, Mehmet Hajrizi, xhaxha i dëshmorit të kombit, Naser Hajrizi dhe po ashtu xhaxha i Jahir Hajrizit, i burgosur politik i viteve ’80.
Çuditërisht lidhja ime me këtë familje ka qenë spontane, por më vonë kjo lidhje është zhvilluar dhe ka vazhduar mbi baza të kërkimit të rrugës së lirisë.
Me Zeqir Hajrizin jam njoftuar në një ditë të ftohtë të shkurtit të vitit 1969, në Stacionin e trenit, në Zagreb. Atë ditë, pas 18 muaj shërbimi kisha kryer ushtrinë, në qytetin Krizhevci të Kroacisë, ndërkohë që po atë ditë lirohej nga ushtria edhe Tefik Graiçevci, daja im, bashkëmoshatar.. E kishim lënë të pritnim njëri tjetrin te Stacioni i trenit, për t’‘ u kthyer së bashku në Kosovë.
Tefiku, gjatë letërkëmbimit në ushtri më kishte treguar se kishte një shok ushtrie, një ish të burgosur politik, që kishte vuajtur burgjeve dhe që ishte i sëmurë. Ai ishte disa vjet më i moshuar se ne, por duke qenë i sëmurë e kishte shtyrë shërbimin ushtarak.
Atë ditë, Zeqa kishte dalë për të më takuar dhe për të na uruar rrugë të mbarë..
Biseduam gjerë e gjatë, por brenga se ai nuk do të vinte me ne, hetohej herë pas herë, në pritje të orës kur do të shtrëngonim duart dhe do të ndaheshim. Zeqa, të linte përshtypjen e një burri serioz, i cili në jetën e tij të mundimshme ishte rrahur me vaj e uthull. Fliste qartë dhe bindshëm. Interesohej për fatin tim, meqë dinte se edhe unë kisha qenë në burg dhe isha përjashtuar nga shkolla. Ai kishte hallin e shëndetit të dëmtuar, nga pasojat nëpër burgje, deri në Burgun famëkeq të Goli Otokut…
Zeqa, kishte qëndruar ashtu si qëndrojnë burrat…
Edhe ai do të kthehej në familje dhe do ta vazhdonte jetën e angazhimin për të mirën e Kosovës, për bashkimin e saj me Shqipërinë…
Gjatë kthimit, mua dhe Tefikut na kujtoheshin fjalët e tij. Tefiku kishte qëndruar gjatë me të dhe sillte në kujtesë sa e sa rrëfime e kujtime të tij nga burgu, duke shprehur edhe brengën e thellë në shpirt, sepse ai kishte mbetur ende në spitalin e Kazermës së Zagrebit…
Vitet kalonin.
Zeqen, pas lirimit nga ushtria e kam takuar disa herë te Tefiku, në Prishtinë. Ai dukej se e kishte marrë vetën dhe punonte për të ngritur familjen, për të ndihmuar vëllezërit…
Në vitin 1979, në kohën kur punoja mësimdhënës i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Akademinë Pedagogjike, ish Shkolla Normale e Prishtinës, rastisi ta kem nxënës, Naser Hajrizin, nipin e Zeqir Hajrizit. Naseri ishte nxënës i zellshëm, i dhënë sidomos pas leximit të librave, që vinin ilegalisht nga Shqipëria dhe që lexoheshin me të madhe nga nxënësit, studentët dhe veprimtarët e ilegales. Nga qëndrimi i tij serioz për moshën dhe nga natyra e tij shpërthyese djaloshare, të linte përshtypjen e një të riu me vullnet të fortë, kurdoherë i gatshëm për t’u ballafaquar me sfidat e jetës.
Më 2 prill të vitit 1981, Naser Hajrizi, së bashku me shokun e tij të Shkollës, Asllan Pireva, bie dëshmorë në qendër të Prishtinës, i goditur në gjoks nga plumbat e milicisë jugosllave. Ai, në çastin e goditjes ishte duke mbajtur lartë flamurin kombëtar…
Vitet kalonin…
Në vitin 1982 po mbahesha në arrest, nën hetime, në Burgun e Prishtinës.
Në vitin 1983 dënohem tetë vjet burg për veprimtari antijugosllave të orientuar, sikur shkruante në aktakuzë, kundër “vlerave të bashkim vëllazërimit të shqiptarëve me popujt sllavë”…
Mars i vitit 1987…
Nga burgu i Suboticës më transferojnë në Burgun e Novi Sadit. Takohem me shumë të burgosur politikë nga Kosova.
Takoj Mehmet Hajrizin, vëllanë e Zeqir Hajrizit dhe xhaxhanë e dëshmorit, Naser Hajrizi. Edhe më parë kishin dëgjuar për njëri-tjetrin, por nuk ishin parë. Ai ishte dënuar 12 vjet burg. Në mesin e të burgosurve, në Novi Sad ishte edhe Jahir Hajrizi, kushëriri i Naserit, i dënuar 10 vjet burg.
Lidhjet dhe vajtje-ardhjet me familjen Harizi vazhduan pas lirimit nga burgu. Na kishte bashkuar ideali i përbashkët, ideali i lirisë dhe i bashkimit. Ai ideal ishte mbrujtur me vite të tëra nëpër burgje, me gjakun djaloshar të Naserit e sa e sa të tjerëve…
Zeqir Hajrizi ka lindur në fshatin Strofc të Vushtrrisë, në vitin 1940. Pas Luftës së Dytë Botërore për shkak të kushteve të rënda sociale dhe presionit sistematik që i bënte pushteti jugosllav, meqë familja kishte qenë e rreshtuar me forcat çlirimtare të Shaban Palluzhës, familja Hajrizi largohet nga Strovci dhe më në fund vendoset në Prishtinë.
Zeqiri ishte regjistruar në Shkollën e Mesme të Bujqësisë, në Lypjan. Në vitin 1960 angazhohet në Organizatën Revolucionare Antirevizioniste për Bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, udhëhequr nga atdhetari i shquar, Kadri Halimi, Ali Aliu e të tjerë.
Ishte në mbarim të shkollës së mesme kur, në vitin 1961 u arrestua nga Milicia jugosllave. Pas një vit e më shumë qëndrimi në burgjet e Kosovës, u dërgua në Goli Otokun famëkeq për të vuajtur vitet e mbetura të burgut. Puna e rëndë dhe në kushte tejet të këqija ia dëmtuan shëndetin. Edhe pse i sëmurë rëndë, ai nuk jepej, nuk ankohej, por punonte dhe nuk ndalej. Në vitin 1998 mbetet në dializë. Veshkat iu kishin shkatërruar. Sëmurja ishte reflektuar edhe në zemër, por Zeqa nuk jepej. Liria ishte në prag dhe ai nuk do të vdiste dot pa e parë Kosovën të lirë dhe të pavarur, aspiratën e tij jetësore. Djali ishte ushtar i UÇK-së, vëllezërit ishin aktiv në Lëvizjen e rezistencës. Duke folur për luftën e UÇK-së dhe çlirimin e Kosovës në një intervistë për “infopress” ai ka thënë:
Daljen e UÇK-së e kam përjetuar me kënaqësi shumë të madhe, si një fazë e pashmangshme dhe finale e lëvizjes kombëtare. Unë nuk mund të luftoja, por biri im ishte bërë herët luftëtar i UÇK-së. Burrat dhe gratë e UÇK-së e bënë atë që nuk arritëm ta bëjmë dekada më parë. Sidoqoftë, ende nuk është arritur e tëra për çka jemi përpjekur edhe ne. Qëllimi ynë final ka qenë bashkimi kombëtar. Shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008 është një akt i dytë i 28 nëntorit të vitit 1912, është ndreqje e një padrejtësie historike ndaj Kosovës. Unë jetoj në Finlandën mike për shkaqe shëndetësore, por me mallin që më djeg për Kosovën time të dashur. Unë dhe pjesa e familjes sime këtu, sikur edhe shqiptarët e tjerë në Finlandë e kudo që ndodhen, e kemi kremtuar me gëzim e krenari ditën e madhe të Pavarësisë. Bashkë me ne janë gëzuar edhe shumë miq tanë finlandezë. Pavarësia e Kosovës është rezultat i shumë përpjekjeve, i shumë vuajtjeve, i gjakut dhe sakrificave të panumërta. Kosovën e ndihmuan edhe shumë miq në këto kohë vendimtare. Ta gëzoni pavarësinë, por Kosovës i duhet tash lufta për zhvillim dhe përparim. Kurrë nuk i dalim hakut Kosovës.
Zeqir Hajrizi ka jetuar 14 vjet në Finlandën e largët, në vendin mik të Kosovës, ku ai gjeti strehim e mbi të gjithë mirëkuptim njerëzor dhe trajtim maksimal shëndetësor. Brenga e tij e shpirtit ishte Kosova, të cilën e vizitonte nga viti në vit, edhe pse në gjendje të rënduar shëndetësore. Ishte në Prishtinë te djali dhe familja e gjerë, pak kohë para se të vdiste, më 10 shtator 2012.
Zeqir Hajrizi, ashtu sikur të gjithë atdhetarët e përkushtuar të çlirimit dhe bashkimit, do të mbetet në kujtesë për karakterin e tij të çiltër, për modestinë e lindur, për qëndrimin burrëror dhe të pathyeshëm në drejtim të realizimit të aspiratave kombëtare…