Filmi “Besa” i Srgjan Karanoviqit, pa dyshim se është një realizim i shquar filmik, në radhë të parë për temën që trajtohet, por edhe për të gjitha segmentet krijuese, të cilat e përbëjnë një film të arrirë. E veçanta e këtij filmi është edhe për faktin se është xhiruar 10 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe është filmi i parë i një regjisori serb, që trajton një temë delikate etnopsikologjike të popullit shqiptar, nga një kundrim pak sa më realist, por jo realist në kuptim e plotë të kësaj fjale.
(Filmat e parë serbë që trajtojnë tema nga jeta e shqiptarëve në Kosovë janë: Zarobljeni arnauti, (Arnautët e zënë rob) në vitin 1913 me xhirime të produksionit Pathe 2. Oduzimanje oruzja od arnauta u Duhle-hanu na putu za Prizren, (Marrja e armatimit nga arnautët në Hanin e Dulës në rrugën për Prizren), më 16 mars të vitit 1913, kino Stinberg, Beograd, 3. Smrt Muje iz Ljipljana,(vdekja e Mujës nga Lipjani), më 24 mars të vitit 1913 kino Stinberg, Beograd, 4. Juris srpske konjice na Kosovom Polju, (Sulmi i kalorësisë serbe në Fushë-Kosovë), 5. Proslava nezavisnosti velike Srbije na Kosovom polju, (Festimi i pavarësisë së Serbisë së madhe në Fushë-Kosovë). Shukri Kaçaniku, “Historia e kinematografisë…”)
Si regjisor i njohur, Karanoviqi, në filmin e tij ka bërë një hap para në drejtim të kundrimit të raporteve po thuajse gjithnjë armiqësore, serbo-shqiptare. Filmi “Besa”, në njëfarë mënyre shënon përfundimin e epokës së filmave racistë dhe përbuzës ndaj shqiptarëve, sikur janë filmat e xhiruar pas Luftës së Dytë Botërore sikur janë filmat e Zhika Mitroviqit, Miodrag Stamenkoviqit, Zdravko Velimoroviqit dhe disa regjisorëve të tjerë, të cilët kanë trajtuar tema nga Lufta Nacionalçlirimtare në Kosovë dhe ndërtimi i vendit nën regjimin jugosllav.
Të gjithë filmat që i ka xhiruar Avalla-filmi, Kosmet-filmi e më vonë edhe Kosova-filmi kanë ngjyrime ideologjike në platformë të LKJ-së dhe asnjë prej këtyre filmave nuk ka shënuar ndonjë ngjarje filmike, që do t’ i ketë qëndruar kohës. Filmat si “Doktor Eshallon”, i Zhika Mitroviqit, xhiruar në vitin 1955, pastaj “Kapetan Lleshi”, “Ballafaqimi” në vitin 1962 janë filma tipikë racistë, ku shqiptarët përshkruhen si njerëz të egër, të pa emancipuar, të vrazhdë, vrasës, hajna, banditë dhe të gjitha këto iu visheshin “ballistëve” në përpjekje për të krijuar tipin e shqiptarit kaçak, mercenar dhe të prapambetur. Në anën tjetër paraqitej alternativa e qytetërimit mbi principet e bashkim vëllazërimit, mbi liritë dhe të arriturat e shqiptarëve, që e kishin pranuar modelin e regjimit komunist jugosllav. E tërë kjo fushatë ishte vënë në shërbim të propagandës së hapur antishqiptare. I tillë, për nga përmbajtja është edhe filmi, “Uka i bjeshkëve të Nemuna” i Miodrag Stamenkoviqit.
10 vjet pas luftës në Kosovë, kur raportet shqiptaro-serbe kanë pësuar ndryshime nga pozita, sundues dhe i sunduar, kur ka marrë fund përgjithmonë sundimi i pakicës serbe mbi shumicën shqiptare, kur serbët ankohen për fatin e bashkëkombësve të tyre në Kosovë dhe kur asgjë nuk ka ndryshuar në mentalitetin e politikës antishqiptare të Beogradit, regjisori Srgjan Karanoviq, ka marrë guximin intelektual për ta paraqitur shqiptarin diçka më ndryshe, mbase për fillim, apo me qëllim të reflektimit mbi një temë tabu, për të dhënë një mesazh pak më ndryshe për shqiptarët.
Filmi trajton një ngjarje nga fillimi i Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, kur forcat serbe ishin thyer nga forcat austro-hungareze e bullgare, ndërkohë që serbët, gjatë Luftërave Ballkanike kishin pushtuar shumicën e territoreve shqiptare, dhe kishin depërtuar në tërë territorin e Shqipërisë, që e kishin përgjakur cep më cep. Ngjarja e melodramës, “Besa” zhvillohet në një vend të Kosovës, e cila në film trajtohet si provincë e Serbisë. Drejtori i shkollës, i martuar me sllovenen Lea, mësuese e shkollës, merr thirrje për mobilizim ushtarak. Ai, i lë në përkujdesje gruan e tij të re, shërbëtorit të shkollës, Azemit, një shqiptar i pashkollë, por i njohur si njeri i besës. Ai i premton drejtorit serb se me çdo çmim do ta ruajë bashkëshorten e tij nga dhunuesit e mundshëm.
Azemi, (rolin e të cilit e luan për mrekulli, artisti serb, Miki Manojloviq) në këtë film përfaqëson shqiptarin tradicional, patriarkal, i cili i përket një bote autentike, botës së mbajtjes së premtimit me çdo kusht, në radhë të parë si princip fetar, njerëzor, por edhe si sentiment kombëtar. Ai, në rrethana të sfidës së përhershme nga mësuesja e re Lea, me të cilën jeton në ambientet e shkollës, duket se lufton me vetveten, por në fund arrin ta përmbajë veten dhe realizon besën, premtimin e dhënë, një fenomen i njohur ndër shqiptarët patriarkalë të së kaluarës.
Mesazhi i filmit është tejet i qartë, është njerëzor në kuptimin esencial, por trajtohet si një fenomen i tejkaluar për mesin shoqëror ku jeton Azemi, në mesin e serbëve, të cilët nuk i përmbahen këtij sentimenti. Pikërisht për këtë, drejtori i shkollës, bashkëshorten ia beson atij, meqë ka krijuar bindje pozitive për të dhe nuk dyshon, duke e llogaritur si njeri të besës.
Azemi, sipas këtij filmi, është peng i fjalës së dhënë, jo sepse ia din vlerën universale këtij premtimi, por sepse është edukuar në një ambient të tillë dhe ka mbetur në korniza të besimit të trashëguar nga të parët, me vetë faktin se ai nuk është njeri i arsimuar, nuk ka parë botë dhe në kushte të robërisë e skamës nuk e zhvilluar sensin e lakmisë për gjërat e huaja. Vetëpërmbajtja e tij, duke u zier përbrenda e paraqet atë si mohikanin e fundit të mbajtjes së besës. Azemi e mban besën në aspektin fizik, por jo në botën e tij të brendshme emocionale. Ai, nuk e kalon cakun edhe atëherë kur provokohet nga Lea, edhe atëherë kur pranon të bie në të njëjtin shtrat me të. Ai i afrohet deri te trupi gjysmëlakuriq, femrës së re e të bukur, por nuk e kalon pragun.
Fitohet përshtypja se regjisori i njohur, Karanoviq, pavarësisht pedanterisë që tregon lidhur me filmin e tij, ka dashur të tregojë se “besa” ndër shqiptarët ka qenë një fenomen i njerëzisë, i moralit, i traditës biblike e kuranore. “Mos thyej kurorë”, “mos lakmo pasurinë e tjetrit”, janë dy nga 10 principet universale të ligjit të Mojsiut që kanë gjetur shprehje të edukatës fetare në të gjitha fetë monoteiste, veçmas te popujt e vjetër, që kanë ruajtur me fanatizëm urdhëresat e ndalesat e Hyjit.
Dyndja e serbëve nga fshati, në fund të filmit, ka një domethënie të fuqishme, edhe pse ajo është paraqitur në kuptimin kohor historik, si zhvendosje e përkohshme, në rrethana kur kishte plasur një luftë e madhe, që kishte përfshirë gati tërë botën.
Azemi i fal çiftelinë Leas në shenj kujtimi, ndërsa ajo i lë gramafonin, të cilin ai e dëgjon me një vëmendje të posaçme. Përfundimi i tillë i filmit duket se ka lënë hapur perspektivën për mbijetesë të vendorëve, të cilët nuk kanë kah të shkojnë.
Figura e Azemit dhe e familjes së tij janë ilustruar dhe tipizuar me këndvështrimin që kanë pasur dhe kanë serbët, për arnautët, në përfytyrimin e tyre, si njerëz të pa emancipuar, gati të egër, si indigjenë të Ballkanit. Ky këndvështrim e dëmton filmin, madje vende-vende vë në pikëpyetje edhe mesazhin kryesor. Azemi, paraqitet si një lloj “king-kongu” shqiptar, i cili ruan me fanatizëm një femër të huaj, pa e kuptuar se ajo është pjesë e ingranazhit shtypës. Edhe pse mësuese, madje me origjinë sllovene, ajo këndon këngë për Serbinë e Madhe për ushtrinë heroike serbe, e cila “heroizmin” e vet e kishte treguar duke vrarë, masakruar e dëbuar nga trojet e tyre rreth 400 mijë shqiptarë. Në film nuk kemi as edhe një sekuencë lidhur me pësimet fatale të arnautëve, edhe pse fondi i arkivit filmor i Serbisë, disponon pamje të panumërta filmike, me pamje autentike nga krimet që kanë kryer serbët kundër shqiptarëve, sidomos gjatë Luftërave Ballkanike.
Në tërë filmin është tipizuar vetëm një personazh shqiptar, ai i Azemit. Për ata shikues në botë, që nuk e njohin armiqësinë dhe marrëdhëniet 13-shekullore serbo-shqiptare, ky film përjetohet si një fiksion ireal, meqë shtrohet pyetja sa është etike t’ ia ruash nderin përfaqësuesit të një Qeverie që të shtyp, të vret, të masakron dhe të dëbon nga vendi? Raste të tilla mund të ketë pasur dhe mund të ketë, por ato nuk janë raste tipike. Në rrethana të tilla, njeriu i besës duket anakronik, torollak, thjesht një budalla, meqë në ndërtimin dhe tipizimin e figurës së tij nuk është paraqitur asgjë nga vetëdija e tij kombëtare, si njeri i shkelur i sunduar dhe i keqtrajtuar. Ai madje nuk e kupton as pozitën e tij të robit edhe kur e rrahin dhe e torturojnë mizorisht ushtarët serbë, sepse ai i ruan besën një serbi, një drejtori të shkollës, ku ai merr një rrogë sa për bukën e fëmijëve, ndërsa për vete merr në shkollë një dhi, për t’ia pirë qumështin.
Në tërësinë e vet, filmi “Besa” nuk i ka kaluar me sukses skemat e betonuara shoviniste serbe ndaj “arnautëve”, por megjithatë ka thyer diçka nga ato korniza që vazhdojnë të jetë të ftohta, të hekurta, të bunkerizuara dhe anakronike për kohën në të cilën po jetojmë.
Filmi Besa është xhiruar në bashkëpunim me shtëpitë filmike nga Serbia, Sllovenia, Franca, Hungaria, Kroacia me fonde të gjashtë vendeve. Producenti kryesor është “Bash Çelik” nga Serbia.
Ky film ka qenë i nominuar për çmimin “Oscar” nga Serbia.
26. 10. 2012
(Ahmet Qeriqi)