-Babai im u arratis nga burgu në Kosovë dhe erdhi në Shqipëri në vitin 1946, në Jugosllavi ishte dënuar me vdekje
-Ja jeta ime, nga punëtore në ndërtim deri në filmin gjerman dhe “Miss Albania” për 50-vjeçaret
– Në Itali shkova në vitin 1997 me gomone, aventurë, pasi kisha 4 fëmijë që nuk i ushqeja dot
– Klaudia Kardinalen artisten e madhe Italiane e takova për herë të pare në “Festivalin Di Kan” në Francë.
– Në Spanjë fitova “Miss Internacional” për moshat 50 vjeç si shqiptare, pra “Miss Shqipëria”
Një jetë e pabesueshme deri në kufijtë e absurdit. Babai Lumes Istref Hoti u dënua nga sistemi i Titos pasi kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Ai u arratis nga burgu duke bërë tunel dhe vjen në Shqipëri në vitin 1946. Vendoset në Berat ku hap një kafene. Por ëndrra e tij ishte sërish bashkimi Shqipëri-Kosovë. Sistemi komunist e dënon me burgim në Ballsh. Fëmijët ishin në gjendje të keqe ekonomike. Në këtë mënyrë Lumja martohet me mblesëri në Librazhd. Lind 5 fëmijë ku një djalë i vdes i vogël. Punon në bujqësi dhe ndërtim. Vuante shpirtërisht nënvleftësimin si e përndjekur politike. Me ardhjen e demokracisë shkon emigrante në Itali në mënyrë klandestine, me gomone. Një aventurë e vërtetë. Këtu filloi ti buzëqeshë fati…
-Nga është origjina juaj dhe si erdhët në Berat? Cila ishte arsyeja?
Unë jam me origjinë nga Kosova. Babai im, Istref Hoti u lind në vitin 1912 në fshatin Likoc të Skënderajt, në një familje me tradita patriotike dhe liridashëse. Udha e tij jetësore tregoi se në kohën që jetonte pushka kishte përparësi se pena, pasi vendi ynë sapo kishte shpallur Pavarësinë. Në vitin 1944 kur vendi vuante ende nën sundimin nazist, babai u caktua komandant i Brigadës së IV Sulmuese të Kosovës. Pas përfundimit të luftës ai kërkonte bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe për këtë arsye, Titua e burgosi. U dënua me burgim të përjetshëm. Por ai mundi të arratisej nga burgu në vitin 1946 së bashku me tre shokë duke bërë një tunel në burg dhe u arratis duke ardhur në Shqipëri. Babai kaloi kufirin në Kukës dhe pastaj u fut në brendësi të tokës shqiptare. Në fillim u vendos në Vlorë ku punoi si rritës patash dhe rosash. Pasi bëri disa lekë ai erdhi në Berat ku bleu një kafene.
Babai im u shpall i humbur në Kosovë (sepse regjimi i atëhershëm nuk linte asnjë lidhje) u vendos në Qytetin e Beratit ku punoi si kafexhi i këtij qyteti. U bë një kafexhi i njohur ku vinin e pinin kafe të gjithë intelektualët madje dhe ish-ministrat e sistemit komunist kur vizitonin Beratin. Ai e bënte me shumë pasion punën dhe la gjurmë në këtë profesion. Por nga ana tjetër babai ishte një patriot i madh. Ai vazhdimisht në shtëpi fliste për Kosovën që duhej patjetër të bashkohej me Shqipërinë. Deklarata të tilla në atë kohë ishin me spec shumë të rrezikshme. Në Berat ai krijoi emrin e tij. La gjurmë. Por zemra i rrihte tek Kosova tek bashkimi. Një ditë papritur atë e burgosën. U habitëm. Në gjyq e dënuan me 10 vjet burg pasi kishte thënë mes shokëve se Shqipëria duhet të bashkohet me Kosovën pasi janë një komb, një shtet. Ishte vitit 1978. Pra babai im u dënua dy herë për çështje patriotike pasi si në Kosovë dhe në Shqipëri kërkoi bashkimin në një shtet të vetëm. Kjo deklaratë i kushtoi me jetë. Ne ishim të vegjël unë, vëllai e motra Muhameti e Fatmira ngelëm jetimë. Patëm shumë vuajtje shpirtërore. Ne shikonin shtrembër në ço hap që hidhnim. Na shikonin si një pjesë ndryshe të shoqërisë. Na shikonin me indiferentizëm. Ne rrinim kokulur. Babi burgun e bëri në Ballsh të Fierit.
-Po rinia juaj si shkoi? Kur dhe si u martuat?
Jeta ime kali mes një kalvari të madh vuajtjesh. Babai im njihet me një mik dhe ai i dënuar që ishte nga Librazhdi. E quanin Haxhi Çota. Ishin të dy të burgosur politikë. Ata të dy i qanin hallet njeri tjetrit duke pyetur edhe ëpr familjet. Babai I kishte thënë se çfarë fëmijësh kishte. Ahere për ne vajzat fati ishte shumë i vështirë pasi babai quhej “Armik i popullit”. Të martohej një vajzë me një baba të tillë do ishte mrekulli. Rrallëherë krijonin familje të mira vajzat që kishin të dënuar të tillë nga familja. Babai më ka thënë se në burg është torturuar keq nga hetuesi B.H, i cili i fuste gjilpëra në mishin e thoit madje e çoi deri në verbim të pjesshëm. Në këto kushte familja jonë po kalonte krizë të rëndë ekonomike por edhe psikologjike. Kushtet ekonomike të familjes po përkeqësoheshin për çdo ditë. Në këto kushte babai më fejoi me djalin e mikut të tij nga Librazhdi. Isha vetëm 18-vjeç.
-A shkonit e takonit babanë në burg?
Po. Shpesh herë shkonim me nënën (në fakt njerkën pasi kur erdhi guraja e babait nga Kosova, nëna ime u nda me babanë, por ajo u tregua më shumë se nënë me mua) në burg, në Ballsh. Ishe torturë të shkoje atëherë aq larg nga Berati. Rrugët nuk ishin si sot. Ekonomikisht ishim dobët. Njerka më vlerësonte dhe më lejonte të shkoja sa herë të doja tek nëna ime e vërtetë. Mbetet një grua e lartë, e rrallë.
-Pra në moshën 18-vjeç u martuat në Librazhd?
Po. U martova 18 vjeç me Lutfi Çota, bashkëshortin tim i cili ka 14 vjet që nuk është mes nesh (ndjesë pastë) me të cilin unë linda 5 fëmijë ku një djalë më ndërroi jetë në moshën 1 vjeç (i paharruar tek unë). Tani kam 3 djem dhe një vajzë në moshat 33-31- 28 dhe vajza 23 vajza. Në Librazhd dhe pse kam vuajtur ekonomikisht, dua të theksoj se banorët e këtij qyteti ishin shumë të sjellshëm, shumë të mirë dhe pse me cen në biografi janë sjellë shumë mirë me mua. Por respektin e shprehnin të ndruajtur pasi kishin frikë regjimin.
-Ku punuat në Librazhd? A e përballonit jetesën nga ana ekonomike?
Eh jeta ime dikur! Vitet e para kur shkova në Librazhd kam punuar në fermë, pra në bujqësi. Në prashitje, vaditje, korrje, shirje, në të ftohtë dhe në baltë, me çizme llastiku të grisura dhe herë pa ngrënë. Më vonë kam punuar në ndërtim së bashku me tim shoq. Kjo ishte akoma më torturë, edhe varrit kam për t’ja treguar. Llaç, gurë, tulla, lopatë ujë çimento në verë dhe dimër. Duart copë dhe trupi i përkulur. Një grua me 5 fëmijë në ndërtim. Sot është e pabesueshme. Disa herë kemi shkuar edhe në gropë të gëlqeres. Jetë si në ferr. Provokim nga më të ndryshmet, nga disa komunistë dhe përbuzje. Punoja kokulur me burrin i cili vuajtjet donte ti kalonte duke pirë. Punonim orar pa orar dhe kurrë nuk gjetëm ngrohtësi. I rrisja fëmijët me lekë gjaku dhe kurrë nuk I shikoja të kënaqur. Disa më shikonin me nënvleftësim. Lufta e klasave ishte në kulm. Një baba i dënuar padrejtësisht për arsye patriotike dhe gjithë familje vuante pasoja të rënda. Netëve qaja nën zë duke mbuluar kokën me jorgan. Lotët e mia u bënë të zakonshme sa mu thanë. Kujt ti qahesha? Ku ta përplasja kokën? Jetë mizerje. Isha shumë e re kur duhej të isha në universitet. Dyert e shkollës ishin mbyllur për mua. E kisha shumë dëshirë shkollën. Një ëndërr të madhe. Por koha ma kishte privuar. Në vend të isha mes librave në auditorët e universitetit bëja llaç dhe ngarkoja gurë. U bëra nënë shumë shpejt kur shoqet e mia studionin. Kështu shkoi jeta ime deri në ardhjen e demokracisë.
-Kur dhe si u largove në Itali? Cili ishte qëllimi?
Kur mora vendimin ishte 27 korrik 1997. Ishin ditët më të vështira për Shqipërinë. Kohë më keq se gjatë diktaturës. Në Shqipëri po gjëmonin pushkët, mitralozat, pistoletat dhe granatat. Ekonomia familjare ishte në zero. Fëmijët ishin rritur dhe kërkonin shkollim dhe ushqim. Vendosa të largohesha drejt Italisë. Ishim në momentet e mjerimit. Bashkëshorti nga varfëria dhe pse ishte njeri i mirë filloi të pinte më shumë. Jeta në varfëri ishte bërë e padurueshme. Kështu me disa mikesha të mia sigurova lekët dhe me gomone në mënyrë klandestine shkova në Itali. Konkretisht në Bari. Ikja me gomone ishte një aventurë e pamendueshme. Në vend ta bënte një burrë e bëra unë. Nuk durohej më. Gomonia e vogël nga çasti në çast dukej se do përmbysej. Isha me frikë në zemër. Po lija katër fëmijë dhe burrin pas, kush do kujdesej për ta nqs gomonia përmbysej? Qëllimi ishte të siguroja një jetë më të mirë për fëmijët, ti shkolloja ata dhe që ata të mos shikonin fëmijët e tjerë se si rriteshin më mirë, veshur më bukur. Më dukej vetja e pavlerë kur nuk mundja të shkolloja fëmijët dhe që ata nuk bënin një jetë normale si fëmijët e tjerë. Ky ishte qëllimi i ikjes.
-Ku u sistemove në fillim ?
Unë kisha si mbështetje një të njohurën time që kishte shkuar aty më parë. Pra ndaj e mora nismën. Në fillim punova si bariste në një Bar pranë një karburanti. Atë kohë kishte shumë punë. Pas një muaji pune ditë natë sigurova të holla për të tërhequr djalin e madh. Si e kam pritur ardhjen e Saimirit. Isha në ankth deri sa mbërrit. Kur e pashë afër meje ju hodha në qafë dhe e putha pambarimisht. Lotova. Kishte ardhur si kokrra e mollës. Tashmë ishim bërë dy pjesëtarë nga familja. Edhe Saimiri filloi të punojë me mua. Dalëngadalë filluam të bëjmë dhe dokumentet. Të gjitha në zonën ku punoja ishin njerëz të mirë që më ndihmuan. Ishin vite tepër të vështira por që i përballova me sukses. Tashmë ishte hapur një dritare e madhe me dritë për mua. Për fëmijët e mi kishte marrë fund varfëria. Fillova të çoj lekë në Shqipëri që ata të jetonin mirë. Dielli filloi të ndriçojë realisht në jetën time. Atdheu më mungonte shumë, por përpara jetës së fëmijëve malli po strukej për të marrë nuancat e duhura në ditë të veçanta.
-Si filloi jeta juaj e artit. Si hyre mes grave stiliste të modës së rrobave dhe të konkurrencës së bukurisë për moshat 50- vjeç?
Kur isha e vogël gjithmonë kisha ëndërruar si çdo fëmijë të bëhesha këngëtare. Ndiqja me vëmendje çdo këngë në radio por prisja me një uri Festivalet në RTSH që i shikoja tek një shoqja ime. Këngëtaret shqiptare në Festivale më mahnitnin. Më dukeshin si hyjnore. Por ëndrrat e mia rinore mbetën ëndrra, jeta kishte caktuar të punoja në llaç dhe gurë. Në vitin 2000 unë punoja kameriere në qytetin e veriut të Italisë, Imperia. Aty vjen një grup artistësh filmi e regjisorë filmash që po realizonin aty një film artistik. Njëri prej tyre duke i shërbyer më pyet se nga je? Unë i përgjigjem se jam shqiptare. Të gjithë më panë me habi. Pas pune ata më thërrasin në zyrë. Ishin nga Gjermania dhe po xhironin një film në Itali. Më thanë me shumë dashamirësi se do lush një pjesë në filmin që po xhirojmë. Në film unë do të luaja rolin e një nëne nga Italia jugore që përkonte të ishte nëna e personazhit pra aktorit kryesor Romeos. Në rolet kryesore si skenar ishin Julia dhe Romeo, i cili u dashurua me një vajzë gjermane. Bashkëshorti im në film do të ishte polic në Policinë Financiare. Unë në film kisha dy sekuenca ku në rolin e nënës gatuaja dhe i gjendesha pranë vajzës që djali më solli në shtëpi e cila nuk kuptonte italisht. Djali nuk na kishte thënë asgjë për dashurinë e tij dhe burri im në film nxehej shumë. Kështu nisi të marrë udhë ëndrra ime.
-Kur dhe si more certifikatën si Sozia zyrtare e Claudia Cardinale (Klaudia)?
Në vitin 2011, rastësisht u takova me znj. Miranda Giuffre, Sozinë zyrtare të Liz Taylor e cila ishte në Sanremo. Ajo ishte pjesëmarrëse e rregullt e Festivalit më të mirë në botë Sanremos. Unë kam vite që banoj në Sanremo se jam martuar aty me një italian. Një mbrëmje teksa dilte nga Festivali po binte shi. Ajo ishte e papërgatitur për këtë situatë. Unë ndodhesha afër saj me çadër dhe i ofroj ndihmë. Ajo e pranoi me dëshirë ndihmën time dhe unë e çova deri tek hoteli ku kishte pronontuar. Kur do ndaheshim ajo për minuta të tëra nuk ma ndante shikimin, madje më shikonte nga koka deri në këmbë. Më shikonte dhe tundte kokën. Diçka mendonte. Më ktheu dhe pak skiç. Largohej afrohej dhe më shikonte me vëmendje të madhe. Shikimi i saj shprehte habi. Pastaj me zë të plotë më thotë se ti i ngjan shumë artistes tonë të madhe Claudia Cardinale (Klaudia). Unë shtanga, Nuk e besoja. Kur do largohej më jep numrin e telefonit dhe më fton ën Agjencinë e saj në “Fans Klab” Milano.
-Kur shkuat në Agjencinë e saj çfarë ndihme ju ofroi?
Shkova me dëshirë por edhe me ndrojtje. Në Agjencinë e saj ajo zhvillonte shumë aktivitete mode, performancë veshjesh të ndryshme dhe të moshave të ndryshme. Duke parë sjelljen por dhe idenë e saj se isha sozi e Claudia Cardinale (Klaudia) ajo krijoi një komision të posaçëm që a e përfitoja e certifikuar të qenit sozi e Claudia Cardinale (Klaudia)? Pra, duke parë mendimin e Jurisë në mënyrë unanime komisioni më dha Certifikatën Zyrtare si Sozia italiane e Klaudia Kardinales. Pas disa eventeve në Agjencinë e saj, në Festivalin e Sanremos në Shkurt të viti 2013 mora çmim dhe u caktova pjesë e kalendarit Zyrtar Botëror të Sozive. Ndërsa Klaudia Kardinalen artisten e madhe Italiane e takova për herë të pare në “Festivalin Di Kan” në Francë.
Ky kalendar del dhe aprovohet në media dhe në Festivalin e Sanremos. Më vonë, në vitin 2015 mora çmimin “Gruaja e Karrierës”. Këtë çmim e mora në një event të veshjeve të Epokës ku organizatorja e këtij eventi më kishte pikasur në një event dhe më ftoi të isha pjesë e organizimit të saj. Veshjet e Epokës më shkonin shumë për shtat ku kam marrë shumë duartrokitje dhe përgëzime, Ishte një sukses i paparashikuar. Të qenit pjesë e sfilatave të veshjeve më bën të ndihem mirë, pasi gjithmonë veshjet i kam pasur merak.
-Po çmimin e fundit?
Çmimin e fundit e mora në Spanjë ku mora pjesë në një konkurs Miss Internacional të bukurisë (nga 6-60 vjeç) ku unë konkurrova për moshat 50 vjeç si shqiptare. Në këtë event fitova kupën si “Miss Shqipëria 50-vjeç”. Një ndjesi e veçantë. Nuk e besoja. Më dukej ëndërr.
Me këto trofe jam bërë pjesë e shumë shkrimeve në gazeta dhe revista nga më të mëdhatë në Itali. Mund të them se kam qenë në kopertinë në disa gazeta që as vetë nuk e besoj. Së fundi kam marrë pjesë në Karnavalet e Venecias si përfaqësuese e Shqipërisë për brezin e grave mbi 50-vjeç. Dhe pse disa herë në këto evente, duke pasur nënshtetësinë shqiptare më kanë thënë të përfaqësoja Italinë, nuk e kam pranuar. Unë jam shqiptare dhe jam krenare që jam nga vendi i shqiponjave.