Hilmi Saraçi: Nga recensioni me rastin e promovimit të veprës: “Rilindjet e orës arbërore “ të autorit Dr. Zenun Gjocaj

Tani sikur jemi mësuar të kemi në dorë dhe  me ëndje të lexojmë   veprat e Dr. Zenun Gjocajt, autor i njohur në fushën e gjuhësisë  dhe në fushën e letërsisë. Ai shkroi disa vepra  me vlerë të veçantë shkencore dhe letrare.Vepra  “Rilindjet e orës arbërore”- pjesa e parë e trillogjisë epiko heroike është një margaritar i çmueshëm shkencor e letrar për gjuhësinë dhe për letërsinë shqipe..


Në këtë  vepër Dr. Gjocaj ka shtjelluar historinë tonë kombëtare në vargje epiko heroike në disa periudha kohore. Këto vargje kanë një vlerë dhe rëndësi të veçantë për poezinë (epike) në gjuhën  shqipe. Autori në mënyrë artistike dhe me çasje objektive  shpiegon ngjarjet  gjatë historisë sonë kombëtare. Të gjitha këto ngjarje historike i shkroi  me përkushtim të madh, me mjeshtri të veçantë prej vjershëtari (këngëtari) dhe me njohuri të rrallë shkencore- me përmbajtje gjithpërfshise për historinë tonë kombëtare  në disa periudha kohore…


Autori fillon me  kreshnikët  dhe përfundon me trimat e periudhës historike në krye me  Azem Galicën , Hasan Prishtinën  e të tjerë. Dr. Gjocaj gjatë hartimit të veprës shihet se e njeh në hollësi mënyrën e jetesës së popullit shqiptar, zhvillimin kulturor tradicional, gjuhën popullore e artistike. Tiparet shoqërore shpirtërore i ka shkrirë në thesarin artistik me atë folklorik popullor ashtu siq bënë edhe shumë shkrimtarë në tri gjinitë letrare si De Rada , Fishta e të tjerë .Kështu ka  arritur që vepra të shkruhet dhe të ndertohet mjeshtërisht, me njohuri të veçantë në fushën e gërshëtimit të poezisë (epike) . Në letërsinë tonë kombëtare janë të rrallë studius dhe krijues që kishin për t’i hyrë një pune kaq të vështirë siq i ka hyrë dr. Gjocaj. Ai si duket punoi me vite të tera    këtë vepër vuliminoze në vargje , për të  kënduar me dhembje dhe krenari,  për  të kaluaren e hershme  të popullit tonë, për figurat më të shquara të kombit tone. Autori ka zgjedhë një rrugë të vështirë të ndërtimit të veprës në vargje, një metodë specifike të paraqitjes se ngjarjeve historike me njohuri dhe kujdes të veçantë edhe si një historian i standardit të lartë shkencor . Dr. Gjocaj është  i frymëzuar në fushën e atdhedashurisë dhe i preokupuar me zemër dhe shpirt për bashkimin e trojeve shqiptare, prandaj do të theksojë më dhembje, por me respekt dhe  dashuri të zjartë  për bashkimin kombëtar që deri me tani, për fat të keq nuk është realizuar,


 Autori ka treguar se historia  jonë kombëtare  është  e lavdishme, e begatshme , me fytyra të ndritëshme patriotike dhe kombëtare, por në këtë fushë duhet pasur vullnet, dashuri, forcë, njohuri, aftësi dhe talentë për të paraqitur , sidomos  në vargje , historinë tonë kombëtare , luftën heroike të popullit tonë  për liri dhe pavarësi kombëtare. Në hyrje të vepres autori do të theksojë:


 Epope,moj kosovare/ Djep i këngës sonë shqiptare/ Përjetësoi në zemer këto vargje/ mos i lë trimat në varre…


Autori mendon se nuk është bërë sa duhet në këtë fushë , prandaj duhet të shkruhet dhe të ndriqohet e kaluarja jonë e lavdivshme historike dhe kombëtare.                                   


Autori këndon për kreshnikët, si një këngëtar i madh popullor me lahutë për fuqinë që kishin kreshnikët gjatë jetës dhe luftës që zhvillonin kundër kundërshtarëve të tyre, bisedat dhe vendimet që merrnin për ruajtjen e nderit dhe të burrërisë nëpër momente të vështira ,dyluftimin me kundërshtarin dhe fitorën gjatë luftës në log të mejdanit, Autori përshkruan dashurinë, dhembjën dhe rrespektin që kishin ndaj njeri tjetrit, sidomos ndaj vendlndjes  kishin një rrespekt të veçantë


Autori gjatë këndimit për kreshnikët , këndon për vashat e bukura : Ajkunën, Mehremën, Drenushën , duke thurur vargje të llojit të veçantë artistik, të qendisura me figura stilistike mjaft të qëlluara , siq  bie në sy në veçanti krahasimi. Në këtë fushë  dashuria, fuqia dhe besa si nocion zënë një vend të veçantë, sidomos shquhet martesa e Halilit të cilën autori e këndon (përshkruan) me mjeshtëri të rrallë artistike. Të gjitha këto me vargje të theksuara ,ndër më të qelluarat të këtij lloji në letërsinë shqipe .                                  


 Në pjesën e dytë  autori flet për Skenderbeun , periudhen e lavdivshme , jetën dhe luftën kundër pushtuesit osman, prandaj thotë : …


”Të shkruaj bukur për Skenderbeun/ Shembëlltyrën madheshtore/ Shpirt e gjak, fuqi arbërore / Me përmasa botërore”…


 Dhe kështu do të flasë për lindjen e Skenderbeut , fëmijrinë , baban e tij Gjonin, vëllezerit, miqët , bashkëluftëtarët, qendrimin në Turqi dhe këthimin në atdhe për të luftuar kundër pushtuesit të atdheut të tij, Shqipërisë .Duke shkruar për familjen e Skenderbeut , për miqët dhe shokët e luftës , autori do të këndojë (përshkruaj) shumë ngjarje me rëndësi të veçantë që kanë të bëjnë  për luftën që zhvillohet kundër osmanlinjëve dhe për të arriturat kulminante në fushën  e dashurisë për atdheun dhe kombin shqiptarë.Vargjet e thurura për Skënderbeun kanë një peshë të veçantë  frymëzuese , në këndvështrimin e kundërshtarit të madh ndaj armikut, prandaj takimet, bisedat dhe fjala e Skendërbeut para bashkëluftëtarëve dhe miqëve të pranishëm janë ndër përshkrimet e dalluara në këtë vepër.


 “A  durohet kështu atdheu /A durohet thundra e huaj / Ta dërmojë zemrën tuaj / A durohet të shkilet prore /Toka jonë arbërore”…                            


Në pjesën e tretë autori do të flasë për  Besëlidhjen shqiptare, për çlirimin e trojeve shqiptare të pushtuara dhe të coptuara padrejtësisht nga shtetet e mdha evropiane siq ndodhi në kongresin e Berlinit kur shtetet e mdha e coptuan Shqipërinë:


 “Sot në Evropë krisi rrufeja / Duan të bëhen do vija të reja / Në Bërlin u bë tregti/ Me shqiptarë e Shqipëri”…


Autori i prekur nga kjo padrejtësi ndaj popullit shqiptarë do të  drejtojë fjalë mllefi dhe qortimi:


 ”Heu Evropë, ti dalesh fare / Si e shkele të miren shqiptare “…


 Populli shqiptar  i udhëhequr nga prijsit atdhetarë do të organizohet dhe do të mbajë kuvende të shquara për të  marrë vendime për çlirimin kombëtar. Dr. Gjocaj do të flasë në veçanti për Lidhjen e Prizrenit të prirë nga fytyrat e shquara patriotike si Ymer Prizreni, Avdyl Frashëri, Ali Pasha, Haxhi Zeka, Geg Shllaku, Ali Vrioni nga Berati, Isuf Sokoli nga Ulqini, Zija Prishtina e kështu me radhë nga të gjitha viset shqiptare :


 Avdyl Frashëri mirë po flet /Zjarr e mjalt  goja po i qet/ Të lidhim besën e shqiptarisë / T’ia kthejmë pushkën osmanlisë”.


Pas këtyre kuvendeve ata do të kërkojnë që Shqipëria të jetë e lirë me teritorin e saj kompakt, kudo ku janë shqiptarët, të pavarur si bota mbarë se për ndryshe Evropa nuk do të ketë qetësi kurrë.  Për Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, autori do t’i kushtojë vend të veçantë dhe do të këndojë me krenari dhe dashuri.


Gjatë përpjekjeve për  çlirimin e Shqipërisë nga pushtues të ndryshëm , autori përfshin të gjitha fytyrat e shquara patriotike nga mbarë trojet shqiptare  që angazhohen në detyra të veçanta  për liri dhe pavarësi kombëtare -për bashkimin e trojeve shqiptare .


 Dhe kështu autori me mbrehtësi dhe njohuri do të shënojë momente të larta morale dhe patriotike të prijsve tanë që kurrë nuk pushuan për çlirimin kombëtar nga zgjedha e hua…                                        


 Në pjesën e katërtë dr. Gjocaj do të këndojë për luftën  heroike në Drenicë, në krye me Azem Galicën, por edhe në vise të tjera të Kosovës dhe Shqipërisë kundër pushtuesit serbë që vrante dhe bënte zullum të paparë ndaj shqiptarëve, prandaj këto luftëra autori do t’i paraqes me theks të veçantë krenarie dhe atdhedashurie . Në këtë periudhë kohore shquhen gjithashtu shumë trima dhe heronjë që nuk pranuan zullumin e Serbisë, dolen në mal dhe me vite të tera luftuan për çlirimin e vendit. Në këtë periudhë kohore shquhet sidomos Azem Galica i cili  me trimërinë e tij ia shtiu tmerrin armikut. Ai gjatë dymbëdhjetë viteve  të luftës  i ka bërë  shtatdhjetë beteja që kanë mbetur të pashlyera në historinë tonë kombëtare .  Dr. Gjocoj do të tregojë trimërinë edhe të shumë trimave tjerë që luftuan heroikisht dhe ranë në altarin e lirisë gjatë kësaj periudhe. Kta trima luftëtarë të mëdhenjë  luftuan me zemer e shpirt kundër pushtuesit. Vepra e tyre kurrë nuk do të harrohet në historinë tonë kombëtare . Prandaj autori do të thotë : “ Historia i përjetëson / Kombi ynë kurrë  s’i harron / Lum ata që japin jetën / Ballëpërballë me Azem Bejtën…”


19 nëntor 2012


Prishtinë


 


 


 


Zenun Gjocaj: (me rastin e përurimit të trilogjisë: “Rilindjet e orës arbërore”, “Kosova e kuqe” dhe “Krahët e  shqipes”, më 19 nëntor 2012, në orën 14,oo, në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në  Prishtinë


 


Qysh si fëmijë, i frymëzuar nga folklori i kënduar nëpër dasma, i treguar nëpër oda e i mësuar në shkollë e literaturë historike, së fundi i përjetuar në demonstratat, që nga viti 1968, deri në luftën e fundit shqiptaro-serbe në Kosovë, të kurorëzuar me pavarësinë e Kosovës,  e  pashë të nevojshme të qes edhe një gur në këtë godinë të re, një si dy krah të një shqipje ende të plagosur. Kosova ishte pjesë e kësaj historie, kombi e gjaku këtu e gjashtë shekuj më parë, pothuaj më i madhi vilajet ndër katër të tjerët.


Tanimë, kjo pjese e kombit e meriton një epope kombëtare, si  shumë popuj të liruar sidomos që nga Gilgameshi, Iliada dhe Odiseja, Eneida, Nibelungët, te ne, Lahuta e Malësisë etj.


Tash e njëzetë vjet e pata nisur ta hartoj një vepër, por lufta heroike çirimtare e fundit në Kosovë dha material të mjaftueshëm, për më shumë se një vepër, andaj vepra mori karakterin e një trilogjie, që përfshin periudhën kombëtare, që nga periudha e Skënderbeut (1444), e dyta që nga pavarësia e Shqipërisë përendimore (1912), dhe së fundi lufta e fundit (1998-99). Ndërkaq, veprën e luftës së fundit, e vazhdova nëpër krisma, nëpër tym e flake, si cjapi te kasapi dhe i përfundova në ditët e bardha.


Trilogjia është biografi letrare epiko-heroike e popullit shqiptar e periudhës kombëtare e nisur që nga periudha e Skënderbeut e këndej.


U mora me epikën heroike të karakterit historiko-letrar, sepse ky krah kombëtar është pjesë përbërëse e trollit iliro-shqiptar jo vetëm që nga viti 1912, kur Kosova ishte një nga katër vilajetet e hapësirës etnike shqiptare të periudhës osmane e këndej.


Ishte vilajeti, si thonë në Malësi të Shkodrës, rrënjë e lisit të gjakut dhe tamblit në mbarë hapësirën etnike shqiptare, i rrënjës së shqipes si gjuhë, komb e gjak, i shpartalluar nga pushtimet dhe padrejtësitë diplomatike ndër shekuj.


Meqenëse luftën e fundit shqiptare-serbe 1998-9 e kam përjetuar për së afërmi, mundësisht jam përpjekur të hyj në thellësitë e shpirtit dhe idealit të luftëtarit në minutat e fundit të pararënies së dëshmorit, por edhe të atyre të plagosur, por të mbijetuar, duke u munduar t’i kap fjalitë, fjalët e tingujt, porositë e këshillat e tyre. Gjithë këto përmblidheshin me një fjali. Ndër ta nuk u dëgjus ofshama, as vaj, as porosi për ndonjë kujdes ndaj fëmijëve të tyre të vegjël, për baba e nënë të plakur, për pasuri, plang e shtëpi të rrënuar, pos “Vazhdonie luftën deri në fitore. Lamtumirë!”


Iu kam ikur skenave të dhimbshme të popullatës së pambrojtur, të strehuar nëpër male, si cjapi te kasapi, masakrave, sepse edhe aty vërehej një qëndresë, qëftë edhe tragjike…në kuptimin” e një si porosei: edhe nëse shkojmë ne, le të lulëzojë liria për të tjerët. Lirinë e fitoi lufta heroike, pa marrë parasysh pasojat, bashkë me qëndresën e mbarë popullatës, jo me vaj në buzë,.por me këngë në gojë me krenari në shpirt për rënie në altar të lirisë.


Veprat janë të liruara nga skenat e qeniet mitologjike (zanat, dragonjt, kulshedrat etj), tani në kohën e armatimit modern, të përdorur në tri frontet luftarake, sidomos atyre pushtuese serbe e NATO-s,  përkrahëse të Ushtrisë çlirimtare të Kosovës.


Gjatë hartimit të veprës së fundit jam përpjekur t’i përfshij rreth tridhjetë betejat më të flakta, meqenë ishte e pamundur të përfshihen të gjitha konfliktet e vogla e të mëdha.


Në shumicën e betejave jam përpjekur t’i përfshij, mundësisht të gjithë dëshmorët.


 


Vepra është përpjekje për një epope kombëtare të kohës sonë, e vazhduar prej ku e pat lënë Gj. Fishta me “Lahutën e Malcis” e realiteti i hidhur historik, kur bija u nda nga e ëma, por edhe më pare, duke marrë parasysh se Kosova ishte vilajet, më i madh se Kosova e sotme, pjesë etnike e shqiptarisë që nga Iliria, sidomos që nga periudha e Skënderbeut.


  Pa u munduar të matem a të krahasohem me fuqinë epike fishtiane, vullneti e ideja më dha shtysë për ta çuar më tej rrugën e pavarësimit të plotë kombëtar në vargje, të mbetur në gjysmë në vepër e    jetë,  më 1912.


 Është epikë e kohës sonë, shtat i ri me petka tradicionale epiko-metrike, si vetë realiteti i sotëm historik e kombëtar.


Versionin e parë e shkrova me qefin në gji, nëpër shkrumb e hi, nëpër teh shpate, nëpër tym e flakë,  nëpër klithma e krisma,  me veshë në krahë,, duke pritur si cjapi te kasapi, së fundi të  fshehur në rër, për ta përkryer në ditë të bardha të lirisë.


Në vepërndoshta  jam zgjatur se nuk pata kohë të shkurtohem, për shkak të motit të lig..


Fundja, natyra epike është e tillë, si nata e zezë dimërore por krenare e historisë sonë.


Ishte rrugtim i  skuqur i një nate të gjatë  të luftës vendimtare për liri, por me flijime e krenari.


Brezave të ardhshëm mos u mbettë tjetër pos lirisë, mëkëmbjes, shkollimit, përparimit, buzëqeshjes e lumturisë!


 


Mora t´shkruaj një epope                             Vjet e shekuj e ndarë nga nëna


N’petka t’vjetra në vashë të re                 Skrumb në zemër, mbi kokë hëna      


Është një vrap paksa i thjesht’                  Kësaj epike ia fillova


I brumosur me shumë vullnet                 Ku e la Fishta e vazhdova


      Na la kombi amanet                                Ku e la bota e padrejtësia  


T´shkruajm´ për nënë e bij të vet.            Deri t’bëhet një Shqipëria


     S´pat nevojë për koka të botës             Mire e nisi e mirë e shkroi


Si Homeri për pushtim të Trojës            Si e lanë t’mëdhenjt, e përfundoi


As si Dante për ferr t’nëntokës               sakatosur e të drmuar


Si Virgjili për krijim t’Romës                  Komb e vepër të gjymtuar


Mga dy foshnjet e Ulkonjës                      Komb e shtet, dëshirë e vepër


Por për luftëra të Kosovës                            Se të mëdhenjt nuk lanë rrugë tjetër


Për liri e pavarësi                                           Prej nënë-lokës u nda e bija     


Për jetë t’lumtur e drejtësi.                      „Prap zojë n´veti s´doli Shqipnia“


I pata sytë pak të mjegulluar                         Pa dëshirë e lanë me njerkë


Nga Kosova e shkrumbuar                             Bijat kurrë nuk u nënshtruan


I pata veshët pak të shurdhuar                Bijat kurrë nuk u nënshtruan


Nga ulurima e harbuar                          S´u ligshtuan e s´u gjunjëzuan


E ulkonjës së tërbuar                            Rrëzohu e çohu, gjith´ u munduan


Pata trupin e bllokuar                               Rriti nëna bija e bij


Nga zullumi i tepruar                                 Të luftojnë për pavarësi


Pata shpirtin e sfilitur                             Përkund nëna djalin e vet:


Për dëshmorë t´rritur e t´mitur          Nina-nëna foshnjen në djep


Por të gjitha i përballova                     „Ja bashkim, ja ´dhe një shtet“.


Katrahurën e mbijetova                                 I vetëdijshëm se s´e kam vrapin


Diçka mbolla, diçka shkrova                   si dikush s;mund ta kem hapin


N´tym e flakë, shkrumb e hí            Por një vrap sado i vogël           


Varg për varg me qefin n’gjí                 Lidh Prishtinë, Shkup e Shkodër      


Rrugë e skuqur me flijime                    Prevezë, Ulqin me Elbasan,             


Por krenare me rini trime                    Preshevë, Ohër, Tetovë, Rozhajë    


Nuk do t´mbeten bijat jetime               Gjirikastër, Prizren e Vlorë,             


Po krijohet një epope                             Gjithandej deri n’Kumanovë.            


Mëmë e bija me shtëpi të re.      


 



Çiftelia dhe lahuta


Shpata, lapsi edhe pushka


Janë simbolet e atdheut


Prej Teutës e Skenderbeut


Me këto armë luftuan shqiptarët


Ia zunë majën Adem Jasharët.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …