Akademia Kineze e Shkencave Sociale në Pekin, Institituti i Letërsisë Etnike, më 17 e 18 nëntor 2012 organizoi konferencën shkencore ndërkombëtare për studimet epike, «Konferenca ndërkombëtare 2012 e studimeve epike: drejt diversitetit, kreativitetit, qëndrueshmërisë». Kjo konfere-
ncë, në të cilën morën pjesë shtatëdhjetë e një studiues të epikës nga Azia, Evropa, Afrika dhe Amerika, e ndër ta edhe studiuesit tanë, epikologët Zymer Neziri, Nicola Scaldaferri dhe Rigels Halili, është nismë për një forum të rregullt për studimet ndërkombëtare epike nga fushat ndërdisiplinore, për të diskutuar çështjet thelbësore të studimeve epike në gjithë botën.
Temat kryesore, që u shqyrtuan në konferencë, qenë: 1. Diversiteti, kreativiteti dhe qëndrueshmëria e traditave epike. 2. Reflektime për metodologjitë për dokumentacionin gojor epik. 3. Sfidat aktuale në bashkëpunimin shumëpalësh për mobilizim dhe ndërveprim midis epikëkërkuesve, komuniteteve dhe institucioneve kërkimore. 4. Fizibiliteti dhe praktika e krijimit të një shoqate ndërkombëtare të profesionistëve të epikës dhe të institucioneve.
Pjesëmarrës të konferencës qenë:
Abdyldazhan Akmataliev, Kirgistan; Ahmed Aly Morsi, Egjipt; Madis Arukask, Estoni; Khan Sabir Badal, Itali; Mehri Bagheri, Iran; Qubumo Bamo, Kinë; Mark Bender, SHBA; Andrian Borisov, Republika e Sakhës (Jakuti), Rusi; Gejin Chao, Kinë; Ganglong Chen, Kinë; Rongnu Chen, Kinë; Ademola Omobewaji Dasylva, Nigeri; Olga Merck Davidson, SHBA; Ana Díaz Alvarez, Meksikë; İbrahim Dilek, Turqi; Rahile Dawut, Kinë; David Franklin Elmer, SHBA; Wenkai Feng, Kinë; Dmitry Funk, Rusi; Hehong Gao, Kinë; Lori Garner,SHBA; Getie Gelaye, Gjermani; Yushu Gong, Kinë; Xiaohong Guo, Kinë; Rigels Halili, Poloni; Lauri Harvilahti, Finlandë; James Hegarty, Britani e Madhe; Qun Huang, Kinë; Zhongxiang Huang, Kinë; Almaz Huseynova, Azerbejxhan; Danday Iskakuly, Kazakistan; Jiangbian Jiacuo (Vjam-dpal-rgya-mtsho), Kinë; Mamatkuli Jurayev, Uzbekistan; İhsan Kalendero, Turqi; Seit Kaskabassov, Kazakistan; Abbas Kazmi, Pakistan; Abduweli Kerim, Kinë; Mirsad Kunić, Bosnjë e Hercego-vinë; Evgeniya Kuzmina, Rusi; Ying Lang, Kinë; Lianrong Li, (Brtson-vgrus-rgya-mtsho) Kinë; Yahu Liu, Kinë; Leonard Charles Muellner, SHBA; Gregory Nagy, SHBA; Zymer Neziri, Shqipëri; Norbu Wangdan, Kinë; Nina Ochirova, Rusi; Svetlana Orus-ool, Republika e Tuvës, Rusi; Yongxian Qu, Kinë; Karl Reichl, Gjermani; Rinchindorji, Kinë; Tamara Sadalova, Republika e Altajit, Rusi; Nicola Scaldaferri, Itali; Sechinmenghe, Kinë; Yang Shi, Kinë; Qin’e Shi, Kinë; Gisli Sigurdsson, Islandë; Aaron Phillip Tate, SHBA; Tsering Phuntsok, Kinë; Tsetsenbat, Kinë; Manbaite Tuerdi, Kinë; Vagif Verdiyev, Azerbejxhan; Huansheng Wang, Kinë; Qiao Wu, Kinë; Xiaodong Wu, Kinë; Enhong Yang, Kinë; Azat Yeghiazaryan, Armeni; Hubin Yin, Kinë; Xiaofei Yu, Japoni; John Zemke, SHBA; Adil Zhumaturdu, Kinë.
Në praninë e personaliteteve të shquara shkencore e kulturore të Kinës, pas fjalës së përshëndetjes së Jang Li, nënkryetar i Akademisë Kineze të Shkencave Sociale, punimet e konferencës i shpalli të hapura Gejin Chao, drejtor i Institutit të Letërsisë Etnike të asaj akademie, e pastaj u lexuan katër referate: Gregory Nagy, Universiteti i Harvardit, Oral poetics through the lens of the Panathenaic festival in Athens (Poezia gojore përmes paraqitjeve të festivalit Panathenaic në Athinë); Karl Reichl, Universiteti i Bonit. Oral Epics Today: Death, Survival, and Change (Epikat gojore sot: vdekja, mbijetesa dhe ndryshimi); Lauri Harvilahti, Textual Research and Challenges of the Digital Era (Hulumtimi tekstual dhe sfidat e epokës digjitale); Gejin Chao, Akademia Kineze të Shkencave Sociale, Disciplining Epic Studies in China (Disiplinimi i studimeve epike në Kinë).
Studiuesi Zymer U. Neziri nga Prishtina mori pjesë në këtë konferencë me kumtesën: The Epos of the Frontier Warriors: Albanian poetic tradition and living heritage of oral epic world (Eposi i Kreshnikëve: tradita poetike shqiptare dhe trashëgimia e gjallë epike gojore botërore). Pjesëmarrës në konferencë qenë edhe dy studiues të tjerë shqiptarë, arbëreshi Nicola Scaldaferri, nga Universiteti i Milanos, Itali, me kumtesën: Textualizing the Performance: Issues on the Albanian and Arbëresh Epic Tradition (Tekstualizimi e performanca: Çështje të traditës epike shqiptare dhe arbëreshe), si dhe Rigels Halili, nga Universiteti i Torunjit, Poloni, me kumtesën: Between tradition and modernity – a typology of Albanian epic singers in Albania and Kosova nowadays. (Midis traditës dhe modernitetit – një tipologji e këngëtarëve epikë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë në ditët e sotme).
Çështje të trajtuara me interes qenë: Konsensusi, kolektivja e vendimmarrja në Iliadë: refleksione të lashta greke (Elmer, David Franklin); Eneu dhe figura e tij te Homeri e te Virgjili (Wang, Huansheng); Epika homerike dhe periudha klasike (Chen, Rongnu); Mahabharata (Hegarty, James); Epika, interpretimi, transformimi: formula për të shfaqur mesazhet didaktike për komunitetin (Bagheri, Mehri); Shoqata ndërkombëtare për studime të traditës gojore: një rrjet virtual për studime të epikës (Zemke, John); Epika gojore: bashkëpunimi transnacional (Bender, Mark); Të folurit dhe tradita: pyetje të shkallës hermeneutike në studimet e epikës gojore (Tate, Aaron Phillip).
Eposi Gesar është analizuar nga disa autorë kumtesash: Raport hulumtues për Gesarin (Guo, Xiaohong); Ndryshimi i identitetit të këngëtarëve epikë të Gesarit (Norbu Wangdan); Vazhdimësia dhe zhvillimi i traditës gojore të Gesarit (Yang, Enhong). Në vijim, vlen të përmenden kumtesat lidhur me tre heronj të mëdhenj heroikë të Kinës dhe civilizimi nomad (Chen, Ganglong) dhe për studimet epike në Kinë: perspektiva në traditën gojore (Yin, Hubin).
Janë shqyrtuar edhe çështjet e studimit të epikës Xhangar (Ochirova, Nina) dhe Manas: Epika Manas dhe artistët e tij (Zhumaturdu, Adil), si dhe: Manas është një thesar i kulturës botërore (Akmataliev, Abdyldazhan). Me interes jane pritur edhe kumtesat e studiuesve Dmitry Funk dhe Andrian Borisov.
Po ashtu me interes janë kumtesat për disa epika gojore: tradita gojore poetike mesjetare persike (Davidson, Olga Merck); Eposi i popullit altaian (Sadalova, Tamara); Epika kazake (Iskakuly, Danday; Kaskabassov, Seit); Faktorët për zhdukjen e këngëtarëve epikë të Kazakistanit (Huang, Zhongxiang); Epika uzbeke (Jurayev, Mamatkuli); Epika azerbajxhane (Verdiyev, Vagif); Epika turkmene (Kalendero, Ihsani); Epika ujgure (Kerim, Abduweli); Epika kirgize (Lang, Ying; Tuerdi, Manbaite); Epika tibetiane (Jiangbian Jiacuo (Vjam-dpal-rgya-mtsho); (Tsering Phuntsok); Epika mongole (Rinchindorji; Sechinmenghe; Tsetsenbat); Edda mesjetare dhe saga e Islandës (Sigurdsson, Gisli). Nga Afrika janë shqyrtuar: traditat gojore epike afrikane (Dasylva, Ademola Omobewaji) dhe epika etiopiane (Gelaye, Getie), kurse nga Meksika: Kodikët Mixtec (Díaz Alvarez, Ana).
Interesim të veçantë të studiuesve zgjuan edhe rapsodët e disa epikave të njohura me paraqitjet e tyre në këtë konferencë, me këngë ose me fragmente këngësh nga repertori i tyre:
Manbetable Alaman (1941), këngëtar epik aktiv i ciklit Manas. Shumë i popullarizuar. Kirgiz, figurë e njohur në listën përfaqësuese kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore; Dawa Grags-ba (1974), këngëtar epik tibetas i Gesarit. Figurë e njohur në listën përfaqësuese kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore; Uuganbaator (1971), mongol, këngëtar epik i Gesarit; Dorjinima (1988), këngëtar epik mongolas i Xhangarit; Chen Tianlun (1966), këngëtar epik i Mbretit Yalu.
Fjalën përfundimtare të mbylljes së kësaj konference të madhe ndërkombëtare në Pekin për studimet epike, e organizuar dy vjet pas asaj të Universitetit të Harvardit (kushtuar dy epikologëve të njohur amerikanë, Milman Parry dhe Albert Lord, dhjetor 2010), si dhe të asaj të Institutit Albanologjik të Prishtinës (për Eposin e Kreshnikëve, gusht 2010), e mbajti Gejin Chao.
Në një ekspozitë e veçantë janë paraqitur koleksione epike dhe studime në Kinë, në Bibliotekën e Akademisë (CASS), duke përfshirë libra, gazeta, publikime në lidhje me studimet epike në Kinë (dhe më gjerë) gjatë 10 dekadave. Të gjithë pjesëmarrësit janë lutur për të sjellë nga vendet e tyre monografi ,vëllime studimesh, përkthime, botime të teksteve tradicionale, piktura, DVD / VCD / CD, videokaseta dhe materiale të tjera që do të shfaqen në ekspozitë. Nga botimet shqip aty u ekspozuan: Visaret e Kombit, I; Visaret e Kombit, II; Sh. Sinani, Mitologji në Eposin e Kreshnikëve; Sh. Sinani, Tradita gojore si etnotekst; Q. Murati, Kërçova, hulumtime gjuhësore, etnografike dhe folklorike; A. Dushi, Elemente të epikës gojore në prozën e Ismail Kadaresë; Koncepte moderne, përzgjodhi dhe përktheu A. Dushi; Rizah Bllaca, Këngë popullore, I; M. Zeqiri, Epika historike shqiptare e regjionit të Kumanovës; Z. U. Neziri, Studime për folkorin, I: Eposi i Kreshnikëve dhe epika historike; Z. U. Neziri, Epika legjendare e Rugovës, I; Z. U. Neziri, Epika legjendare e Rugovës, II; Z. U. Neziri, Epika legjendare e Rugovës, V; Z. Neziri, Këngë të kreshnikëve; Lahutari i fundit (Le dernier joueur de lahouta), film dokumentar, regjisor S. Kokolli; Rr. Ulaj, Këndon lahuta e Gucisë, CD; Tinguj tradicionalë të Kosovës, përgatitur nga V. Shkodra, K. Bajraktari dhe B. Xhemili, CD; Këngë epike historike, 1997-2001, CD, përgatitur nga Z. U. Neziri. Pas konferencës, këto materiale shqip iu dhuruan Arkivit, për një projekt ndërtimi, i cili është duke u zhvilluar në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale.
Komiteti Organizues, në krye me profesorin Gejin Chao, meriton lëvdatë. Kjo meritë u takon edhe bashkëdrejtuesve të Komitetit, profesorëve John Miles Foley (SHBA), tashmë i ndjerë, Lauri Harvilahti (Finlandë) dhe Karl Reichl (Gjermani). Falënderim i veÇantë i takon studiueses Yulan (Ulaan) nga Sekretariati i Komitetit, studiueses Yina (Yeshi Lhamo) nga Logjistika e Komitetit, profesorit Hubin Jin, si dhe të gjithë të tjerëve që kontribuan që kjo konferencë të bëhet shembull për organizimet e këtilla të ardhshme. Komiteti Organizues mori përsipër edhe të gjitha shpenzimet e rrugës dhe të qëndrimit të kumtuesve në Pekin.
Pas përfundimit të punimeve të konferencës, u formua Shoqata Ndërkombëtare e Studimeve Epike, kurse kryetar i parë i Shoqatës u zgjodh Gejin Chao.
P.S. Në programin e konferencës, Komiteti Organizues shkroi, pa kundërshtimin tim: Zymer Neziri, Instituti Albanologjik i Prishtinës, e pastaj: Republika e Shqipërisë, si zëvendësim i Republikës së Kosovës, për shkak se kjo ende nuk është njohur zyrtarisht nga Kina.