(Çast me këngën popullore “Hajmedet për ket Shqipni” e botuar në librin “Folklor kosovar – Epikë historike”, ASHRPSSH, IKSH, Tiranë, 1985, fq.392)
Kënga, “Hajmedet për ket Shqipni”, mund të konsiderohet prolog që hap ciklin e periudhës së pushtimit dhe copëtimit të gjysmës së Shqipërisë gjatë luftërave ballkanike si dhe atë të qëndresës aktive shqiptare për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Atdheut. Ndonëse e shtjelluar me pak vargje dhe ndërtuar me një strukturë të thjeshtë poetike kjo këngë arrin ta pasqyrojë marshimin e përgjakur të divizioneve të armatës serbo-malazeze mbi tokat shqiptare, ta shpalosë dhembjen, vuajtjen dhe tmerrin e popullit tonë të pambrojtur si dhe ta shfaq hapur akuzën shqiptare kundër vendimeve të padrejta dhe të pabesa të Konferencës së Londrës të vitit 1913. Në realitet, në tërësinë e rrëfimit të saj, kjo këngë epike përgjithëson tërë dramën historike dhe shoqërore të atij viti të zi me të gjitha elementet e një tragjedie kombëtare, në aktet e të cilës pasqyrohet copëtimi dhe pushtimi i gjysmës së trojeve shqiptare, rezistenca e përgjithshme shqiptare, ploja dhe masakrat serbe, shpërngulja e popullatës nga dhuna dhe, në fund, kundërshtimi i vendosur i popullit, akuza kundër vendimeve të pa moralshme të qarqeve të caktuara evropiane si dhe besimi për të nesërmen më të mirë dhe më të denjë të shqiptarëve.
Si rëndomë në këngët e këtij cikli edhe kënga “Hajmedet për ket Shqipni” hapet me pasthirrmën vajtuese “hajmedet”, arketip poetik me të cilin populli shpreh efektin artistik dhe emocional të dhimbjes, mjerimit, mynxyrës, kobit dhe të fatkeqësisë që ka katandisur atdheun. Kënga hapet me një kumt të përnjëhershëm. Dy vargjet e para të këngës krijojnë tablonë e zymtë të tragjedisë së Atdheut, shpalosin zinë tronditëse që të lë pa frymë:
Hajmedet për ket Shqipni
Katër krala n’ta janë hi
Kumti ngashërues i këngës është i rëndë dhe pohon një realitet historik të ri dhune ndërkombëtare: shqiptarët, si komb, po dënohen me vdekje. Dhe, ky vendim i shteteve të mëdha po bëhej qëllimisht. “Na u desh ta sakrifikojmë popullin shqiptar për hir të paqes në Evropë”, pohon Eduard Grej, kryesues i Konferencës së Londrës. Shqiptarët dhe Shqipëria përsëri po bëheshin monedhë kusuri për hir të këlyshëve të Rusisë në Ballkan. Është koha kur pas luftërave të përgjakshme anti osmane dhe anti serbo-malazeze, me gëzim të madh, populli shqiptar po bëhej gati ta jetësonte fitoren e merituar të lirisë me shpalljen e Pavarësisë. Është koha kur populli shqiptar po i lidhte plagët e luftës pesëshekullore dhe po kthehej me fytyrë nga ndërtimi dhe përparimi i atdheut për ta zënë kohën e humbur. Është koha kur populli shqiptar, pas të gjitha veprave të kulturës dhe të artit që kishte dhëne anë e mbanë meridianeve si dhe pas gjithë atij gjaku të derdhur në mbrojtje të Shqipërisë dhe të vetë Evropës, me të drejtë po priste ta zinte vendin e merituar në panteonin e shteteve të qytetëruara të botës. Është koha kur populli shqiptar, më në fund, si çdo popull sovran, duke i zotëruar trojet etnike, po krijonte baraspeshën e qëndruar demografike dhe territoriale në Ballkanin e shqetësuar. Është koha… Por, jo. Gëzimi dhe perspektiva e popullit dhe e shtetit shqiptar u pre në buzë ende pa filluar. Sëpata e vendimeve arbitrare ruso-evropiane pamëshirshëm ra dhe e gjymtoi tragjikisht trungun e lashtë iliro-shqiptar. Dhe lukunia barbare e ujqërve të uritur dhe të tërbuar vërshuan trojet shqiptare. Serbia, me ushtri, me diplomaci dhe me komplote, duke e bërë shkrumb e hi Kosovën me vise, me revan të shfrenuar, marshon drejt Durrësit për të dalë në det dhe realisht për ta shpallur vdekjen kombëtare shqiptare. “Hajmedet për ket Shqipni/ katër krala n’ta janë hi”, thotë kënga. Është Serbia, Mali i Zi, Greqia apo Bullgaria për muzën popullore është njësoj. Secili shtet nga këta është më mizor se tjetri, secili shtet nga këta është më gjakpirës së tjetri, secili shtet nga këta është më antishqiptar se tjetri.
Në vazhdim kënga pasqyron rezistencën shqiptare si dhe masakrat e armatës serbe mbi masat e gjëra e të pa armatosura shqiptare. Rezistenca shqiptare është e jashtëzakonshme. Lufta mbrojtëse bëhet për jetë o vdekje. Armatës së përgatitur mirë dhe të ndihmuar moralisht dhe materialisht nga shtetet ruso-evropiane i dalin përballë forcat mbrojtëse shqiptare në viset e rrezikuara në veri, në verilindje dhe në lindje të grupuara dhe të udhëhequra nga prijësit Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Bajram Curri, Isa Boletini, Idriz Seferi, Hasan Prishtina, Mehmet Deralla, Elez Isufi, Ramadan Zaskoku, Islam Spahiu, etj. Në këtë luftë të pabarabartë, ndonëse qëndresa dëshmon akte të panumërta heroizmi, rezistenca shqiptare thyhet:
Gjashtë ditë luftë Plavë e Gusi
Sall tri ditë Rekë e malsi.
Krimet, vrasjet, tmerrin, zjarrin, shpronësimin, dëbimin, djegiet, grabitjet, masakrat e pashembullta dhe, me një fjalë, asgjësimin fizik të popullsisë shqiptare të shkaktuara nga armata serbe, që për këtë periudhë kohore i dokumenton historia, kjo këngë, fragmentarisht dhe në mënyrë tejet të kursyer e përgjithësues, i jep vetëm përmes këtyre vargjeve:
Katër krala n’Gjakovë janë hi
Nëpër Rekë po bajnë devri
Ku po i gjajnë djemtë e ri
Tanë po i qesin për me i gri
Metoda e shpërnguljes me dhunë ashtu si në realitetin jetësor edhe në këtë këngë paraqet aktin më tragjik dhe më të dhimbshëm të masave popullore të pushtuara. Serbia, siç dihet mirëfilli, platformë të luftës së saj gjatë shekujsh kishte dhe ende e ka zgjerimin e vet territorial në trojet shqiptare. Këtë synim ajo e ka realizuar duke pushtuar me zjarr e hekur, duke shpërngulur dhe asimiluar me dhunë shtetërore popullatën e trevave të tëra kompakte etnike shqiptare, si Sanxhaku i Nishit dhe Sanxhaku i Pazarit të Ri, metodë të cilën do ta zbatojë edhe Greqia mbi Çamërinë shqiptare. Për zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare Serbia dhe Mali i Zi, pos vrasjeve dhe djegieve, si masë efikase përdorën po ashtu metodën e shpërnguljes. Në këtë rrjedhë, pas evidentimit të masakrave, kënga në fjalë pasqyron edhe shpërnguljen e masave të gjëra, të cilat, në ikje e sipër, detyrohen t’i lënë në duart e armikut shtëpitë, ekonominë dhe gjithçka kishin të shenjtë:
Nanat e tyre kanë dalë n’kojshi
Gratë e tyne janë shku n’gjini.
Kush a kanë idikatli
Kanë lanë mallin janë dalë n’Malsi
Dhe, Malësia e Gjakovës, Shqipëria londineze, e rrezikuar edhe ajo në çdo çast dhe nga çdo drejtim, duke mos pasur alternativë tjetër mbrojtjeje dhe ndihme, refugjatëve të luftës ua shtrinë duart vëllazërore, ndonëse në zi buke të përgjithshme, e ndan me ta kafshatën e gojës, pjesëton me ta krejt çka ka për vete, varfërinë dhe skamjen e saj, vëllezërve të një gjaku dhe të një gjuhe ua hapë dyert e shtëpive, dyert e zemrës së çiltër dhe dyert e ngrohta të shpresës për të ardhmen. Pritja vëllazërore që i bëhet kësaj popullate fatkeqe, solidariteti vëllazëror në këto çaste të rënda të kombit, në këngën e popullit pasqyrohet me nderimin e përzemërt të momentit, me urimet mirë ndjellëse për mbarëvajtje të gjithanshme, me ndjenjën vëllazërore të shpresës për të ardhmen e lumtur të kombit. Është ky falënderimi më tokësor dhe më hyjnor, mirënjohja dhe urimi i heshtur dhe i zëshëm që për më shumë se një shekull, deri te lufta e UÇK-së, deri me sot, buron nga zemra dhe nga goja e shqiptarëve të ndarë dhe të robëruar për këtë copë toke të shenjtë, për Shqipërinë
Shpresë, për Shqipërinë Nënë:
Njefsha t’mirë për ket Shqipni
Shumë po e mban ket muhaxhiri
Me tefter gjashtëmbdhetë mi
Dymdhetë vetë ma e vogla shpi
Të gjitha këngët e këtij cikli janë protesta dhe akuza sublime në adresë të Fuqive të Mëdha dhe vendimeve të tyre antinjerëzore. Si e tillë, edhe kënga në shqyrtim, artistikisht manifeston gjëmën dhe klithmën e popullit shqiptar të robëruar dhe të lënë në gojë të ujkut. Lufta mbrojtëse e shqiptarëve, protestat popullore nëpër kuvendet e trevave të rrezikuara shqiptare, protestat e shqiptarëve me letra dhe me telegrame në rrugë diplomatike, udhëtimet zyrtare të Ismail Qemailit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit dhe Hasan Prishtinës dyerve të qeverive të Evropës nuk u morën parasysh, u shpërfillën. Dhe, mbi gjysma e trojeve shqiptare u bënë pre pushtimi e Serbisë dhe Malit të Zi. Terrori dhe masakrat serbe mbi popullatën shqiptare janë të llahtarshme dhe tejkalojnë krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Krime që nuk do të fshihen kurrë nga kujtesa shqiptare. Në këtë krim të madh aq sa fajësohet pushtuesi sllav po aq fajësohen fuqitë evropiane me vendimet e tyre. Ndaj, kjo popullatë, tashti nga pozita e viktimës, fton Fuqitë e Mëdha për reflektim, fton ato t’i shikojnë me sy rezultatet e vendimeve të tyre dhe kobin që ato sollën:
A po e shihni çka u ba me mue
Na kanë djegë, na kanë coptue
Rob e thmi na kanë marue
N’Mal të Zi mallin na e kanë çue
Me manzerre janë tuj luftue
Tuj liftu’ e haj medet
Mesazhi drejtuar fuqive të mëdha që jepet në fund të këngës është kuptimplotë. Me gjithë agresionin vdekjeprurës serbo-malazez, me gjithë vrasjet dhe masakrat në masë, me gjithë shpërnguljet që shkretuan vendin, me gjithë ngulitjen e kolonëve të ardhur nga larg, trojet shqiptare nuk u zbrazën kurrë dhe populli shqiptarë dominoi gjithandej e në çdo kohë si shumicë absolute. Duke sfiduar traktatin e Londrës dhe agresionin serbo-malazez shqiptarët nuk po i lëshonin armët nga duart. Populli shqiptar po bëhej gati për një qëndrese të gjatë deri në fitore:
Krejt Avropa ta marrë vesh
S’i biem n’dorë kti krali t’keq
Është ky një testament artistik i shkruar me gjakun e muzës popullore, është ky një betim i bërë mbi qindra mijëra viktimat e pafajshme të atij viti të kobshëm, është ky një urdhër për zbatim lënë brezave që do të vijnë.