Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili ka rëndësi shumëdimensionale për ardhmërinë e Kosovës. Sipas OEK-ut, është e vërtetë që Kosova posedon rezervat më të mëdha të linjitit, por edhe më tutje është e varur nga importi i energjisë elektrike që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në ngritjen e çmimit, qoftë për konsum qytetar, po ashtu edhe për bizneset. Shpresojmë që partneriteti me kompaninë amerikane “Contour Global”, përveç efektit ekonomik do të gjenerojë edhe efekt social, por mbi të gjitha do të arrijë standardet më të larta ndërkombëtare sa i përket aspektit mjedisor dhe ambientalist.
“Krahas fillimit të ndërtimit të këtij termocentrali duhet të kemi parasysh edhe investimet e nevojshme në rehabilitimin e Kosovës A dhe Kosovës B, të paktën në disa blloqe me qëllim që në periudhën pesë vjeçare sa do të zgjasë ndërtimi i “Kosovës së Re”, të mos jemi të varur nga importi dhe atë me çmime shume të larta. Do të jetë sfiduese qasja e “patriotëve mjedisor” sa i përket këtij projekti, por sidoqoftë këtu nuk do të mungojë edhe presioni i tregtarëve rajonal për shitje të energjisë elektrike që të ngadalësojë këtë proces me rëndësi strategjike. Oda Ekonomike e Kosovës rekomandon që ne ndërtimin e këtij projekti më të madh në Kosovën e pasluftës të ketë angazhim sa me të madh të kompanive vendore për të krijuar vende të reja pune, por në të njëjtën kohë të shfrytëzohet edhe të gjitha lënda e parë e cila mund të gjendët në Kosovë me qëllim të gjenerimit të efekteve pozitive multiplikative në interes te Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.