Isuf Ismaili: Të flasim me një zë, të kemi vetëm një zë, atë të bashkimit...
Arbëreshët me bashkëatdhetarë, në Lezhë, 23 prill 2017

Isuf Ismaili: Të flasim me një zë, të kemi vetëm një zë, atë të bashkimit…

 “Edhe dega, kur shkëputet nga trungu qan, bërtet, bën “ krrau” …  Po kërcet edhe trungu, bir, qan bërtet…”  ( Drama: “ Gjaku i arbrit ”,  Fadil Kraja)

Të flasim për arbëreshët a të shkruajmë për ta, të vëmë në pah atë shpirt dhe atë krenari arbërore, atë dashuri që ata kanë për rrënjët e tyre, për Shqipërinë, Arbërinë e dikurshme, të theksojmë, se   kultura e folklori e traditat arbëreshe janë të mrekullueshme, është jo vetëm dëshirë, atdhedashuri, nderim, por edhe kënaqësi e njëkohësisht edhe detyrë fisnike e natyrshëm edhe gëzim, që vështirë se mund të përshkruhet në tërësi.

Mendoj se ne shqiptarët e viseve të ndryshme të Shqipërisë së përbashkët e etnike duhet të bëjmë shumë më shumë për vëllezërit tanë arbëreshë në Kalabri e Sicili, por edhe për të tjerët në Greqi e Zarë të Kroacisë, në Argjentinë e Ukrainë, në Bullgari, në Turqi, për mërgatën tonë në Amerikë e vendet perëndimore të  Evropës e kudo botë.

Kanë kaluar 550 vjet që kur një pjesë arbëreshësh janë vendosur në Itali dhe është mrekullia e mrekullive, është shumë madhështore, që një pjesë e madhe arbëreshëve edhe sot e kësaj dite e flasin arbërishten qartë e bukur, edhe pse italishtja ose latinishtja, sipas tyre ka lënë gjurmë të ndjeshme në të folmet e ngulimeve arbëreshe, sidoqoftë një pjesë prej vëllezërve arbëreshë e  kanë mbajtur me zjarrin zemrave të tyre jo vetëm gjuhën, por edhe kulturën edhe folklorin edhe kostumet edhe shpirtin edhe dashurinë për rrënjët e tyre, për Arbërinë e lashtë, me një ndërgjegje të pastër, me një këmbëngulje të madhe, ata i kanë mbajtur emrat  arbëresh, Arbëri, kanë kujtuar gjithmonë Motin e Madh dhe Heroin tonë Kombëtar  Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sepse zemrat e tyre kanë rrahur bashkërisht me fuqinë e karakterit e të dinjitetit të pastër arbëror, sepse  gjaku i tyre i ka mbajtur të gjalla këto kujtime, të shoqëruara me veprimtari konkrete, duke vënë në pah, se janë e do të jenë arbëreshë të lidhur pazgjidhshmërisht me Arbërinë e lashtë, me Shqipërinë etnike, me shqiptarët, pikërisht, ashtu siç edhe jemi, natyrshëm vëllezërit e motrat e tyre të përjetshme.

Ata duke e folur arbërishten, si gjuhën e zemrës, duke u paraqitur me kostume të bukura arbëreshe-shqiptare, duke kënduar këngë arbëreshe me një dashuri të madhe e me emocione të fuqishme, duke e përcjell  brez pas brezi folklorin dhe madhështinë e qenësisë së pastër arbëreshe, duke ju rrahur zemra fuqishëm e me dashuri për atdheun, botës i kanë treguar se nuk shuhen e nuk treten kurrë, por do të jenë  përkrah vëllezërve të tyre shqiptarë, se ashtu i udhëheq zemra e gjaku i damarëve të përbashkët, se ashtu duan të shkëlqejnë si vetë rrezet diellore në dheun e Arbërisë sonë të përbashkët.

Heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu është shkëlqimi më i fortë në shpirtin e arbëreshit, në jetën e veprën e tyre. Lidhjet e fuqishme emocionale me Arbërinë, me shqiptarët me lavdinë e heroizmin e epokës së Skënderbeut, ata i shfaqin kudo dhe kjo jua bën zemrën flakë të dashurisë atdhetare. Këto lidhje i shfaqin në sytë, në mimikën e tyre, me flamurin tonë të shenjtë kuq e zi, në kostumet kombëtare, në punët e veprimet si dhe përkushtimin e tyre për të mbijetuar me nder e faqebardhës, krenar e të pamposhtur në shekuj, siç ishin të parët tanë arbërorët heroikë. Ata duan jo vetëm të mbijetojnë, por edhe të trashëgojnë këto veti të shenjta tek brezat e ardhshëm. Ata duan të lidhen me ne sa më shumë. Një arbëresh në Lezhë, me rastin e manifestimeve për nder të fitores së Skënderbeut mbi ushtrinë otomane në Krujë, na tha:

“Na jemi një grup folklorik ka Ungra, e kemi hare që jemi këtu me ju, e do të kemi hare edhe për ju, nëse vini e na gjeni atje.”

Janë shumë emocionale dhe shumë shprehëse dëshirat e tyre, të mallëngjejnë e të krijojnë njëkohësisht një gjendje  shumë të mirë veprimi, për t`u përkushtuar, pa u ndalur në lidhshmërinë e trashëgiminë arbëreshe e shqiptare, duke mos harruar aspak se lidhjet tona duhet të barten patjetër edhe tek gjeneratat e reja, që të mos shuhemi e tretemi, po të jemi të lidhur vëllazërisht, siç edhe jemi.  Veprimet e tyre, fjalët e tyre atdhetare kanë e  do të kenë fuqinë e admirimit e dashurisë vëllazërore.  Ja si shprehen disa:

“-  A do të vijë dita të mblidhemi të gjithë së bashku në Arbërinë tonë, a do të vijë dita të bashkohemi?”

E kush nuk emocionohet nga këto, e kush nuk i admiron këta vëllezër, pa mëdyshje nuk ka asgjë në shpirt.

Arbëreshët janë aq shumë të   lidhur me Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sa nuk mund të ketë asnjë manifestim e të mos kujtohet ai. Skënderbeu jeton e nuk vdes kurrë në zemrat arbëreshe.

Të shprehurit e tyre, thirrjet e tyre në festa e në grumbullime e ndeja : “ Rroftë Skënderbeu” dhe brohoritjet e të gjithëve njëzëshëm : “Rroftë,rroftë, rroftë”, përbëjnë kulmin e krenarisë, të kujtimit të atij Moti Heroik të Skënderbeut, përbëjnë  identifikimin më të pastër e më të qartë me rrënjët e tyre, me neve, me tokat tona, me Arbërinë e lashtë. Ata me këtë tregojnë se janë gjallë, të fortë, tregojnë se kanë jehonën e asaj kohe, se kanë vullnetin e përkushtimin e bashkimit  vëllazëror arbëresh-shqiptar.

Ata, kujtimin për Skënderbeun e çmojnë më shumë se çdo gjë, ai është edhe kryetrimi edhe heroi kombëtar edhe i shenjti edhe udhërrëfyesi edhe mbrojtësi ose prindi ynë, prindi i Arbërisë, siç thonë arbëreshët. Një lidhje kaq e fuqishme emocionale,  s`ka si të mos i bëjë ata krenarë e natyrshëm edhe çdo atdhedashës shqiptarë. Ata te figura e Skënderbeut shohin fuqinë shpirtërore, përkushtimin prindëror, ngazëllimin e dëshirave për të jetësuar ditët e lavdisë arbërore. Ata shprehen e veprojnë duke ju përkushtuar qëllimeve të bashkimit të tërësishëm arbëror, ata sikur i thërrasin në ndihmë shpirtrat e etërve  gjatë shekujve për të ringjallur Arbërinë e lashtë, Arbërinë e Skënderbeut.

Të flasim për arbëreshët a të shkruajmë për ta, të vëmë në pah atë shpirt dhe atë krenari arbërore, atë dashuri që ata kanë për rrënjët e tyre,
Grupi i Shoqatës “Arbëria ” të Ungrës, në Krujë, më 22 prill 2017

  

  1. Ngulimet e arbëreshëve në viset e Italisë

 

Të përkujtojmë se ngulimet arbëreshe në Itali, sipas të dhënave që i publikon profesori i dialektologjisë në Tiranë, Gjovalin Shkurtaj,  janë rreth dyqind mijë arbëresh, që deklarohen si arbëreshë,  njëqind mijë prej tyre akoma edhe sot e flasin arbërishten, ndërsa rreth njëqind mijë të tjerë nuk e flasin arbërishten, por janë të vetëdijshëm se janë gjak arbëreshësh.

 Të gjithë së toku këta dyqind mijë arbëreshë bëjnë përpjekje dhe veprojnë pa u ndalur për të mbijetuar dallgët e trysnisë globale, të cilat, sidomos, mërgatën e kërcënojnë për ta shuar.

Është mbase interesat të sjellim si shembull ndjenjën e fuqishme për ruajtjen e gjakut arbërorë kur arbëreshi thotë:

“Vashën e dua arbëreshe, të arbëresh gluhë e të zakonshmi”

Arbëreshët në Itali vajtën edhe nga veriu, por më të shumtit janë nga jugu ashtu siç pati edhe nga Morea e vende të tjera. Mbase është mirë të sjellim disa të dhëna nga gjuhëtari ynë më i njohur, Eqrem Çabej, nga ky shkencëtar i shquar e atdhedashës i madh: “ Si përfundim, prej nga janë dyndur arbëreshët, pa hyrë në hollësira të mëtejme, mund të pranohet si gurrë kryesore Shqipëria e Jugore, kryesisht pjesa e bregdetit që nga anët e Vlorës e deri te anët e Prevezës në Çamëri” (Histori gjuhësore dhe strukturë dialektore e arbërishtes së Italisë. Botuar më,1975)

Sipas të dhënave që na i jep profesoreshë Linda Mëniku, arbëreshët vajtën në Itali si refugjatë që nga shek. 15 e deri në shek. 18. Së pari ata përmenden në vitin 1437 në zonën e Marikës në Ankona dhe Rekanati. Më pas 1448 përmenden një grup arbëreshësh me në krye Dhimitër Verën. Mbasi vdes më 1458 Alfonsi i Aragonës,  mbreti i Napolit, djali i tij Ferdinandi i kërkon ndihmë ushtarake  Skënderbeut. Arbërorët duke qenë luftëtarë të shkathët dhe trima e të suksesshëm dhanë një ndihmesën vendimtare dhe fitorja pashmangshëm ngadhënjeu .  Pas fitores në ato luftime Skënderbeun e falënderojnë dhe i japin toka në zonën e Pulies, ku më vonë një pjesë madhe e Kastriotëve vendosen atje, së bashku me shumë familje të tjera arbëreshe. Por valët e mërgimit të arbëreshëve drejt Kalabrisë dhe Sicilisë do të shtoheshin pas vdekjes së Skënderbeut më 1468.

Më 1534 pas rënies së tokave të fundit të Venedikut në More në Peloponezin e sotëm të Greqisë, gjeneral Andrea Doriaj e zhvendos një pjesë të mirë të popullsisë arbërore nga Morea drejt Italisë. Edhe në vitin 1647 kemi zhvendosje të popullsisë arbëreshe drejt Italisë. Po ashtu më 1744 një pjesë e popullatës arbërore , një numër i madh prej tyre nga Piqerasi,  rrethi i  Sarandës,  shkojnë në drejtim të Italisë, në Brindisi de Montagna (Montanja)

Sa për sqarim mund të themi se profesor Gjovalini shkruan te libri “Dialektet e shqipes” ribotim më 2016 në Tiranë, se arbëreshët në Greqi “ pjesa më e madhe  e tyre duhet të jenë vendosur nga shekulli XI deri në shekullin XV.”

Një pjesë prej këtyre arbëreshëve nga Morea më vonë janë vendosur në Itali. Prandaj kënga “ Moj e bukura More “ është një këngë malli dhe dhembje shpirtërore që nënkupton mëmëdheun – Arbërinë.

Të flasim për arbëreshët a të shkruajmë për ta, të vëmë në pah atë shpirt dhe atë krenari arbërore, atë dashuri që ata kanë për rrënjët e tyre,
Roza Karabone                                                                            Saverina Bavaso

 

3. Takime me vëllezërit arbëreshë, biseda dhe manifestime atdhetare në Krujë, Lezhë e në Shkodër

(” O zë  i ngrohtë i vendit tim,  o dritë  e syve të mi”- Drama ”Gjaku i arbërit”)

Në Krujën heroike, atë  ditë të 22 prillit, të organizuar kishin dalë krutanët, grupet folklorike, nxënësit e shkollave dhe qytetarët e moshave të ndryshme me të cilët u bashkuam natyrshëm. Aty kishte grupe folklorike nga jugu e veriu, nga treva të ndryshme të atdheut, si nga Kosova e nga viset shqiptare nën Maqedoninë e Malin e Zi, por ajo që qe më e veçanta dhe më gëzuara, që përmblidhte kuptimin e manifestimit, kuptimin e një hareje të madhe, qe ardhja e stërnipërve  dhe stërmbesave e Heroit Tonë Kombëtarë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, arbëreshët tanë, vëllezërit dhe motrat tona të një gjaku, të një gjuhe, ata që nuk thyen, nuk u tretën, por qëndruan ballëlartë, duke pasur të shenjtë krenarinë e përbashkësisë sonë arbërore, të cilën e ruajnë të ngrohtë në shpirtin e zemrat e tyre. Pjesa më madhe e tyre vinin për herë të parë. Në sytë, në fytyrat e tyre të çelura, në shkëlqimin e vështrimeve të tyre, në fjalët dhe në tërësinë e qenieve të tyre lexohej qartë dashuria vëllazërore, dashuria për tokën e të parëve. Nuk  ishte vështirë për të kuptuar vullkanin e emocioneve të fuqishme, të të gjithëve, që në minutat e para kur po i shtrëngonim duart. Vetë veshjet kombëtare, vetë çiltërsia në fytyra fliste shumë.

Ka raste kur fjala nuk e ka forcën shprehëse, kur ndjeshmëria njerëzore është e një shkalle të lartë, kur njeriu lidhet pazgjidhshmërisht me damarët e atdheut, me tokën stërgjyshore (të tatë-mëdhenjve pjeq), siç janë të lidhur të gjithë atdhedashësit, të gjithë liridashësit, të gjithë ata që kanë dhembje për çdo gurë, për çdo mal a fushë, për çdo pëllëmbë të atdheut, siç patën dhembje arbëreshët në kohën e Skënderbeut dhe brezat e më pasmë, deri tek arbëreshët e tanishëm, të cilët e pohonin se kanë ardhur në tokën e të parëve, që duan me zjarrin e zemrave të tyre, e që po e prekin për herë. Por, shumë prej tyre nuk kishin folur në publik,  megjithëkëtë vetë qenia e tyre fliste, meqë njeriu edhe pa folur shfaq aq shumë dashuri njerëzore e atdhetare sa mund të lexohet qartë kjo ndjeshmëri, kjo dashuri. Njerëzit me dinjitet kanë përkushtim dhe prirje të natyrshme të mbijetojnë në shekuj. E arbëreshët e kanë këtë dinjitet e kanë këtë forcë shpirtërore, që shfaqet në organizimet e tyre, në veprimet e tyre, duke ruajtur të shenjtë gjakun e kulluar e traditat e etërve arbëreshë.

Atë ditë të bukur me diell që prej Prishtinës, në orët e hershme të mëngjesit të 22 prillit po e përjetoja një gëzim të madh shpirtëror. Me aktorin e mirënjohur, e atdhedashësin e devotshëm Xhevat Limani një natë më parë u takuam te teatri: “Dodona”. Pas një bisede të këndshme me të, meqë gjithnjë është kënaqësi e veçantë takimi me të, e lamë të takoheshim herët për t`u nisur pastaj së bashku për në Krujë.  Kishte ardhur nga Amerika për të shkuar në Krujë, në Lezhë, në Shkodër, për të interpretuar për Skënderbeun, për t`u takuar me motrat e vëllezërit arbëreshë, krutanë, lezhjanë, shkodranë, prishtinas, gjirokastritë, vlonjatë, preshevarë jugorë e veriorë.

Xhevati më kishte thënë para një muaji,  se nga Kalabria  do të vinin vëllezërit arbëreshë në Krujë, prandaj isha shumë i gëzuar, që do t`i takoja.

Xhevati përveç zërit të fuqishëm burrëror e harmonisë gjuhësore e artistike, shqiptimit të drejtë fjalëve në gjuhën letrare, aftësisë të përkryer të interpretimit teatror, artistik, ka edhe një pasuri të madhe diturore, ka një rrjedhshmëri logjike të të folurit në çdo rast dhe ka një përkushtim atdhetar në punën, fjalën e veprën tij artistike e shoqërore. Ai nuk të lë të mërzitesh, sepse është i gatshëm kurdoherë për ta thënë fjalën e pasur e me vlera shumanshme.

Frëngova e Strugës e këtij qyteti shqiptar dhe familja e tij e dashur e kishin ushqyer shpirtërisht me dashurinë për atdheun e përbashkët: Shqipërinë e dashur, Arbërinë e lashtë. Ai është veç të tjerave është edhe themelues i teatrit shqiptar në Amerikë.

Pranë përmendores së Skënderbeut ishin rreshtuar nxënësit e shkollave krutane, grupet folklorike dhe pjesëtarë të shumtë të trevave shqiptare dhe në ballë të tyre ishte aktori i madh Xhevat Limani, aty pranë ishte edhe aktori Pajazit Murtishi edhe ai kishte ardhur nga Amerika. Pajaziti e ka interpretuar në mënyrë të shkëlqyer monodramën: “Unë jam Adem Jashari” të shkruar me një përkushtim e dashuri të madhe atdhetare nga shkrimtari Lebit Murtishi.

Xhevat Limani ishte veshur me rroba të imituara porsi të Skënderbeut, në kokë e kishte vënë përkrenaren e në brez e mbante shpatën.  Ai duke qenë një aktor i përkushtuar e profesionist i shkëlqyer, kishte ditur të përzgjidhte veshjen, por edhe të merrte pozicione të interpretimit artistik. Prandaj të gjithëve ju bënte përshtypje dhe pothuajse të gjithë donin të bënin fotografi me të. Papritmas afër nesh erdhi një gjirokastrit dhe filloi të thërriste: “Rroftë Arbëria”, “Rroftë Skënderbeu”, Ai filloi të këndonte një këngë të gjatë për Skënderbeun, një këngë labe.

Duke dëgjuar këngën për Skënderbeun që po e këndonte gjirokastriti Filp Bogaj, u dëgjua një zë.

– Po vijnë arbëreshët.

U radhitën pritësit, ata që do të uronin mirë se ardhjen arbëreshëve, në krye, në fillim Xhevat Limani, më pas ne të tjerët. U bë një rend i gjatë. Ishte një gëzim i madh edhe dita me diell e rreze të shkëlqyera ia shtonte bukurinë asaj dite.

Po vinin arbëreshët një nga një, në krye të tyre printe një arbëresh me një shtat të gjatë e me një vështrim shqiponje, krenar e me një shkëlqim mallëngjimi në fytyrë, me një dashuri të madhe për rrënjët e tij, për zanafillën e tij, si shqiponja kur kthehet në çerdhen e saj, ishte një stërnip nga dera e Kastriotit nga Heroi Ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe ai quhet Loris Kastrioti (Loris Castriota Skanderbegh), pranë tij vinte Fancesko Romeo, arbëresh nga katundi Ungra (Lungro) me një përkrenare në kokë, imitim i përkrenares së Skënderbut, i veshur si një princ Kastriot, më pas motra e vëllezër të tjerë arbëreshë, në mesin e tyre Anna Stratigo, këngëtare e mirënjohur, pasardhëse e poetit të shquar arbëresh Vinçenc Stratigo nga (ose ka) Ungra, siç thonë arbëreshët, e po ashtu edhe Roza Karabone (Roza Carabone) si kryetare a udhëheqëse e shoqatës “Arbëria” ( Pro Loco Arbëria) së bashku me sekretaren e kësaj shoqate Saverina Bavasso, e cila edhe zotëron për bukuri të shprehurit në gjuhën letrare a standarde shqipe. Gati të tërë i shin veshur me kostume kombëtare dhe disa me kostume artistike, disa të tjerë me kostume otomane, si veshje, kuptohet, dramatike, sepse siç do të shohim më pas do të kemi pjesë artistike, se si u mundën ushtarët otomanë. Djem e vajza të reja arbëreshe si zogj shqiponjash, krahëlehtë, të shkathët, valltarë e këngëtar të shkëlqyer, që përhapnin me të tërë arbëreshët të tjerë rrezatim, krenari, dashuri, hare të madhe.

Takimet me ta ishin njëkohësisht gëzim i pa-përshkruar, por  herë – herë sikur vinin edhe dallgë gjëmimesh shekullore, dallgë dhimbjesh,  sepse ata ishin shkëputur nga dheu i etërve të lashtë, megjithëkëtë, forca e gjallërisë kishte ngadhënjyer dhe ja aty u bënë takime të përmallshme dhe një shfaqje shpirtërore e vazhdimësisë e trashëgimisë së përbashkët vëllazërore arbëreshe e shqiptare.

Në një moment Xhevat Limani e hoqi nga koka e tij përkrenaren dhe ia vuri në kokë Loris Kastriotit. Ai në një intervistë tha kështu:

Këto manifestime janë shumë të bukura, sepse bashkohen dy grupe të largëta, por që lidhen nga gjaku. Nevojitet ta forcojmë këtë vëllazëri që e gjejmë mes nesh. Ka pasur nisma edhe më parë për t`u takuar nga komunat tona atje me këto këtej, por tani duhet të jenë lidhjet tona më të fuqishme, manifestimet duhet të jenë të përbashkëta që të përfshijnë më shumë qytete e vende dhe të bëhen këto festime të përvitshme. Shpresojmë të na bashkëngjitet edhe qeveria shqiptare. Ne duam të themi, se janë të rëndësishme festat si kjo e valleve, sepse kujton fitoren e fundit të Skënderbeut. Skënderbeu është i rëndësishëm jo vetëm për ne por edhe për tërë Evropën, meqë e mbrojti edhe atë.

Shkrepnin aparatet e bëheshin fotografi të shumta e të ndryshme, më vonë Xhevati  dhe Françesko me përkrenare në kokë, ishin në ballë, kur edhe filloi kënga e burrave krutanë, të cilët këndonin jo vetëm me zë por edhe me zemër për Kryetrimin e Heroin Skënderbe, më vonë me ta u bashkuan këngëtarë nga Ulqini e Struga,këndoi edhe Pajazit Murtishi. Kështu jua uruam mirëseardhjen vëllezërve arbëreshë. Pasi u brohorit disa herë: “Rroftë Skënderbeu” u nisëm ngadalë e ngadalë në drejtim të tregut karakteristik e tradicional të Krujës për të shkuar në kështjellën e Krujës, në kështjellën e Skënderbeut.

Të përkujtojmë, se në prill të vitit 1467 Skënderbeu filloi luftën kundër  Ballaban Pashës, në të cilën u shqua heroizmi madhështor e shpirti çlirimtar i ushtrisë arbërore, kundër ushtrisë osmane (turke) që e mbante të rrethuar Krujën. Ushtria otomane u shpartallua dhe komandanti Ballaban Pasha u vra në këtë luftë. Lufta arbërore me Skënderbeun në krye u kurorëzua me fitore të madhe. Kruja tanimë ishte e lirë. Për nder të kësaj fitoreje arbërore dhe për nder të luftëtarëve trima e çlirimtarë, gratë e vajzat arbërore bënë manifestime. Emblemat e këtyre manifestimeve janë vallet. Këto organizime dhe përkujtime bëhen pas festës së pashkëve, tri ditë radhazi dhe bëhen rregullisht e për çdo vit në ngulimet arbëreshe në Itali. Sivjet ato u bënë në Krujë, në Lezhë, në Shkodër, në Shëngjin dhe Durrës. Arbëreshët në ngulimet e tyre, ose siç thoshin ata, në Arbëri, atje ku jetojnë në Kalabri e Sicili, shpreheshin me emocione të shumta, duke thënë se kanë gëzim të madh, kanë hare të madhe, që erdhën në tokën e të parëve, në vendin e zanafillës së tyre, e takohen me vëllezërit e motrat e një gjaku e një gjuhe e të zemrës së përbashkët arbërore me dëshirën e bashkimit dhe të të shprehurit me një zë.

Duke ecur drejtim të kështjellës së Krujës takova këngëtaren e mirënjohur e me një përvojë të gjatë Anna Stratigo, së bashku me dy arbëreshë të rinj. Ajo më thotë se kishte qenë në Prishtinë dhe se kishte kënduar kur ishte Seminari për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, më pas më thotë se në Shqipëri kishin ardhur të organizuar edhe nga shoqata:  “ Arbëria”. Meqë unë isha i interesuar të intervistoja arbëreshët, Ana më thotë se aty ishte edhe presidentja apo drejtuesja e shoqatës:

“Arbëria” dhe ajo quhet Rosa Carabone (Roza Karabone).  Krutanët po i shikonin me një kureshtje e me dashuri, veshjet e bukura kombëtare të arbëreshëve, natyrisht ju linin përshtypje të mëdha, kishte nga ata që edhe ju flisnin.  Arbëreshët dukeshin të emocionuar. Në një kalë kishte hipur Xhevat Limani, ai po shfaqte pjesë artistike, një arbëresh i veshur si ushtar turk iu afrua dhe Skënderbeu(kuptohet aktori) e goditi me shpat në kokë dhe ushtari turk u shtri në shesh. Kështu vazhdoi udha për në kështjellë. Në një atmosferë të gëzuar vazhdoi programi artistik me muzikë dhe pjesë artistike të veçanta dhe të bukura. Krutanët e kishin ndezur atmosferën me këngë të bukura të përsosura artistikisht. Aty filluan të hidheshin valle, u krijua një atmosferë e hareshme, dorë më dorë të lidhur bashkë arbëreshët dhe vëllezërit e tyre nga treva të ndryshme shqiptare hidhnin valle. Në ndërkohë derisa disa hidhnin valle, disa të tjerë filluan të bënin disa skeçe dramatike, një pjesë qenë të veshur si ushtarë turq e pjesa tjetër si ushtarë të Skënderbeut. Filloi një dy lutim, që simbolizonte fitoren e arbërorëve mbi ushtarët otomanë. Ishte shumë bukur, manifestime të gjalla me plot shije artistike e me një përmbajtje atdhetare që simbolizonte fitore e bashkim.

Kjo natyrisht na la një përshtypje të paharruar dhe shumë vështirë ta paraqesim tërësinë e dhe ndërthurjen e veprimtarive dhe emocioneve. Për një pjesë të shqiptarëve ishte hera parë që i shikonin arbëreshët, ashtu rrugëve, shesheve e vendeve historike duke festuar. Ndërsa arbëreshët festojnë rregullisht dhe gjithnjë me një përkushtim e dashuri të veçantë, duke pasur një çiltërsi dhe një harmoni veprimesh e ndjenjash atdhetare, një mallëngjim që jua ka mbajtur të pashuar zjarrin e përkushtimit arbëror dhe identifikimit me Shqipërinë me Arbërinë e të parëve tanë të përbashkët. Manifestime të tilla flasin qartë, se kur njeriu do të jetësojë pasurinë shpirtërore dhe qëndrueshmërinë e admirueshme ia arrin qëllimit.  Më pas u kënduan këngë nga arbëreshët dhe të tjerët , pastaj fjalën e mori Xhevat Limani dhe të gjithëve na ftoi të futeshim në muze për ta parë edhe muzeun, por edhe për ta vazhduar më tej programin artistik.

Po ngjiteshim shkallëve për në muze, u bë një polifoni zërash e një pamje e bukur e grupeve të ndryshme me veshje kombëtare e ngjyra të bukura. Në hyrje shkrepeshin aparatet, bëheshin filmime, fotografi. Në ballë sfondi i Skënderbeut, një pikturë e madhe që shfaqej, e cila simbolizon madhështinë e Motit të Madh të Heroit Kombëtar me trimat e tij. Një grup polifonik po këndonin këngë atdhedashurie, më pas kënduan arbëreshët, gra, burra, vajza e djem sy shqiponjash, që këndonin edhe këngë të vjetra, por edhe këngë më të reja,disa të krijuara në Shqipëri, të gjitha të kënduara e me ndjenja të theksuara dashurie e malli për tokën e të parëve. Këngë e brohoritje të fuqishme:”Rroftë  Skënderbeu!”

Muzeu në Krujë ka një pamje madhështore që ka vlera të shumta arkitektonike, historike, artistike, shkencore, shoqërore e ajo që i përmbledh të gjitha është vlera atdhetare me një shkëlqim bukurie të gjithanshme.

Pikturat e betejave dhe luftimeve janë madhështore, që kanë vlera të mëdha artistike e me larmi ngjyrash,të kundruara me realizmin e motit historik të Skënderbeut, që shfaqin shumë ndjenjë, shumë krenari, shumë heroizëm, të punuara me një mjeshtëri të rrallë, me përkushtim e që i flasin mirëfilli çdo kohe. Hartat janë po ashtu madhështore që shfaqin Arbërinë e lashtë, tokën për të cilën u bënë luftime të përgjakshme për t`u mbrojtur jo vetëm atëherë, por edhe më vonë e deri në ditët tona.

Më pas skulpturat e Skënderbeut e trimave dhe bashkëluftëtarëve arbëreshë realizuara prej skulptorëve të nderuar shqiptarë.

Kudo shkreptinin aparatet, bëheshin fotografi, një pamje që mrekullonte, një festë që lë mbresa të pashlyera në memorie. Arbëreshët shinin me interesim të madh, të emocionuar shumë, bënin foto pranë pikturave e skulpturave të Skënderbeut, shpreheshin, këndonin e ngazëlleheshin, dukej sikur përmallimin që i kishte sfilitur e gërryer me shekuj etërit e tyre, donin ta shuanin stërnipërit dhe stërmbesat e tyre.

Ata thoshin se ishin shumë të emocionuar, por kjo edhe dukej qartë në të gjithë pamjen e tyre, në sytë, në të folur, në vështrimet e përmallshme, në këngët e tyre, në sjelljet e tyre përgjithshme.

Aktori Xhevat Limani interpretoi një pjesë të poemës “Skënderbeu”, një realizim i shkëlqyer artistik, një interpretim shpirtëror, atij i fliste zemra, ndërgjegjja atdhetare për bashkim, i mëshonte zërit të bashkimit shqiptar e arbëresh me fuqinë e shpirtit.

Më pas recitoi edhe Pajazit Murtishi, pjesë të poemës “Bagëti e bujqësia” të Naimit tonë të madh, i cili së bashku me vëllain e tij Sami Frashërin i thoshin Jeronim de Radës, vëlla, ashtu siç ua kthente edhe ai në komunikimet që kishin me njëri – tjetrin.

  Po zbrisnim ngadalë drejt tregut, shquheshin grupe njerëzish që ndalonin tek shitësit që kishin gjëra të ndryshme tradicionale, flamuj, orendi, skulptura të bukura, qeleshe, plisa e veshje kombëtare, punime nga druri e guri e të tjera. Në një lokal të madh afër tregut jepej një darkë, aty filloi një pjesë tjetër e shfaqjeve artistike, këndonin arbëreshët, këndonin edhe vëllezërit e motrat e tyre shqiptare. U krijua një atmosferë e këndshme dhe gëzimi.

Vizita në Lezhë te Varri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Aktori, Xhevat Limani dhe Françesko Romeo, në Krujë, 22 prill 2017

Vizita në Lezhë te Varri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

Të nesërmen pra vajtëm në Lezhë dhe aty do të shikonim, se sa madhështore e se sa e rëndësishme ishte vizita që i bëmë qytetit të Lezhës e në veçanti varrit të Skënderbeut. Aty flitej me një çiltërsi të madhe për takimin dhe përkujtimet e festimet për fitoren e madhe të kohës së Skënderbeut.

Arbëreshët erdhën në Lezhë, po zbrisnin nga autobusi, i pritëm në hyrje, te sfondi i muzeut, aty ku paraqitet simboli i bashkimit të princave arbëror. Bëmë edhe disa fotografi dhe vazhduam në drejtim muzeut, aty filloi kënga dhe manifestimet të tjera. Ndër të tjera foli kryetari, Neo Andreano të Kazalvekios (Casallvechio) krahina e Foxhias, i cili ndër të tjera tha, po citoj siç ai tha arbërisht:

U jam kryetari i Kazalvekios. Ne jemi shumë të ndendur ( d.m. th. të kënaqur, që na u plotësua dëshira), se sot dallandishat (dallëndyshet), që shkovën matanë detit erdhen te atdheu jonë, janë dallandishat që vjen të gjejnë vllezrat e jonë. Kur të tjerët bëjnë mur ne duam të bëjmë urë.

Ndërsa Saverina Bavasso e cila siç theksuam më parë e zotëron për mrekulli gjuhën letrare shqipe tha:

Mirë se  ju gjetëm të gjithëve. Ne jemi nga Ungra ose Lungro në Kalbri. Jemi këtu me delegacion, që edhe ne të sjellim emrin e Skënderbeut midis juve, sepse edhe ne në Ungër festojmë, për nder të Skënderbeut. Nuk e di nëse e keni parë, se edhe në Ungër ne bëjmë një festë për nder të Skënderbeut. Ne kështu, këtu u kënaqëm, që erdhëm të festojmë së bashku juve, sepse mendojmë se shqiptarët në Shqipëri e kudo, por edhe jashtë atdheut gjithmonë janë një, një gjuhë, një kulturë dhe një zemër. (Ajo natyrshëm edhe arbëreshët i quajti shqiptarë.)

Xhevat Limani ndër të tjera tha:

 Nëse më lejoni do t`ju them dy-tre fjalë, në emër të qytetit tim Strugës, atje ku dymijë e tre a katërqind vjet më parë, lindi Iliri dhe Harmonia, dhe fluturuan bijtë e lirë të shqiponjës që Shqipëria të jetë kryezonjë… I kam vënë vetës një detyrë shenjtë, që të përhap ngado që do të shkoj, idenë e madhe të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për një gjuhë, një flamur e një komb, porosi kjo që duhet ta çojmë në vend, që Shqipëria të mos shembet kurrë. Kjo natyrisht është edhe porosi gjyshërve dhe etërve tanë.

Ndërsa një arbëresh tjetër u shpreh:

Ne erdhëm këtu në mesin tuaj, në mes të vëllezërve tanë, si në shtëpinë tonë, se edhe ne e duam këtë vend, meqë e ndjejmë se është edhe vendi ynë.

Më pas e vizituam varrin e Skënderbeut. Edhe aty u mbajtën fjalime, bëheshin fotografi dhe këndohej.

Kryetari Neo Andreano foli përsëri:

Shumë i madh është flamuri ynë, shumë madhe është zemra jonë. Sot që jemi me ju, ne duam të bëjmë një urë të madhe, që ne të vijmë tek ju e ju të vini tek ne. Ne kemi një gjuhë një gjak e një zemër.

Në të vërtetë shumë shqiptarë e dinë italishten, por është shumë mirë ta ruajmë gjuhen shqipe. Për këtë duhet të punojnë institucionet, qeveria shqiptare.

Ne e shohim historinë këtu tek ju. Duhet të mësojmë nga njëri- tjetri.

Është e rëndësishme të jemi të bashkuar. Si ka thënë Skënderbeu: “Bashkimi bën fuqinë” Kështu duhet të jemi bashkë që të na njoh Evropa. Arbëreshët duhet të njihen nga UNESKO.

Ndërsa një arbëresh tjetër tha:

Unë jam arbëresh nga Pulia, vij për herë të parë në Shqipëri, jam shumë i emocionuar. Kam emocione të mëdha, sepse për herë të parë kam prekur tokën e zanafillës sonë, jam njëkohësisht shumë i gëzuar që jemi bashkë këtu me vëllezërit shqiptarë.

Saverina Bavaso tha:

Unë do të flas si përfaqësuese e Ungrës në Kalabri. E vetmja gjë, më e mira, që mund të bëjmë në Shqipërie, në Arbëri  është të lidhemi bashkë shqiptarë e arbëreshë, të kemi një zë dhe kjo është e vetmja mënyrë për t`u mbrojtur, për të mbrojtur kombin e vendin, se ne jemi të njëjtë e duhet të bashkohemi.

Faleminderit që na keni pritur dhe shpresojmë të vijmë prapë, se këto janë të paharruara.

Një arbëresh tjetër u shpreh:

Na jemi një grup muzikant ka Italia. Jemi arbëresh, shqiptari i shprishtë ka Italia. E kemi shumë hare se erdhëm këtu e ju gjetëm ke shpija e juaj dhe kemi hare nëse vini edhe ju të na gjeni neve. Rrini mirë të gjithë! (që do të thotë mbetshi mirë, mirë-mbetshi)

Vizita në Lezhë te Varri i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
Isuf Ismaili dhe Loris Kastrioti, në Shkodër

 

  1. Biseda vëllazërore, intervista e rrëfime të ndryshme

 

Tek i dëgjoja arbëreshët duke folur isha futur në botën e emocioneve dhe të një krenarie, që të lidhë të gjithë qenien me fijet e pashkëputura të dëshirave të mëdha për Shqipërinë a Arbërinë, siç thonë arbëreshët, për ribashkimin e atdheut dhe të gjithë shqiptarëve e arbëreshëve. Pas përkujtimeve dhe nderimeve te varri i Skënderbeut Ana Stratigo më tha se do të më njihte me presidenten e shoqatës “Arbëria” të Lungros. Nga grupi i vajzave dhe grave që shkëlqenin me rrobat e bukura popullore arbëreshe u shkëputën dy veta, që rrezatonin krenarisht përkatësinë arbëreshe , ballëlarta e të hareshme edhe për arsyen që kishin ardhur në tokën e të parëve, në mes të vëllezërve e motrave shqiptare, për të shfaqur  bashkërisht me të tjerët atë shpirtin e qëndresës heroike të arbëreshëve, të cilët edhe pse të shkëputur nga trungu i Arbërisë së lashtë e kishin  krijuar një Arbëri shpirtërore në ngulimet e tyre në Itali, në Kalabri e Sicili. Dhe aq  shumë ishin  të këndshme shprehjet e tyre: “Na jemi nga Arbëria” dhe “Punojmë për Arbërinë” sa që preknin çdo fije të shpirtit atdhedashës dhe njëkohësisht të ngjallnin emocione të fuqishme e po aq natyrshëm shfaqej edhe një respekt e dashuri vëllazërore.

“Gjaku ngë bunet ujë”, – thotë një shprehje arbëreshe, që do të thotë: “Gjaku nuk bëhet ujë”, shprehje edhe tek shqiptarët, gjaku nuk humbet, gjaku arbëror na jep shpirt e dritë, na ndriçon mendjen e na forcon afërsinë. Kështu natyrshëm filluan edhe intervistat, filluan pyetjet e mia që ua bëra arbëreshëve

Pranë meje qenë Roza Karabone (Roza Carabone) dhe Saverina Bavaso (Saverina Bavasso)  së bashku me një vëlla tjetër arbëresh Françesko Romeo. Pranë meje rrinte edhe nipi im Erblini.

Roza e flet arbërishten rrjedhshëm e bukur, por Saveriana e flet edhe shqipen e sotme standarde shumë bukur, meqë edhe e ka studiuar gjuhën shqipe në Kozencë, te profesori arbëresh  Françesko Altimari. Ajo na u gjet e gatshme për të na lehtësuar bashkëbisedimin. Ne natyrshëm e kuptonim edhe të shprehurit në arbërisht edhe pse ndonjë fjalë nuk e kuptonim, prandaj Saverina na lehtësoi edhe komunikimin me arbëreshët të tjerë, por edhe vetë ajo u përgjigj në disa pyetje.

Është nder dhe gëzim i madh të flasim së bashku, – i thashë Rozës, – me vëllezërit e motrat tona arbëreshe, sepse ju keni ruajtur me një dashuri e përkushtim të madh atë gjakun e pastër arbëresh, ç`mund të na thoni diçka më shumë?

Po është e vërtetë, se ne atje në katundet arbëreshe kemi bërë përpjekje të mëdha me të gjitha mundësitë tona shpirtërore, materiale e shoqërore të ruajmë gjuhën tonë arbëreshe, kulturën, vallet, këngët, veshjet e traditat e mrekullueshme të të parëve tanë dhe ia kemi arritur të jemi kështu origjinal e të vijmë edhe këtu në mesin tuaj në vendin e etërve tanë të dikurshëm dhe kemi shumë gëzim, sepse kjo na ka munguar shumë.

Ju nga cili katund vini?

Ne jemi nga Ungra (Lungro it.) në Kalbri.

Ju  a jeni të organizuar në ndonjë shoqatë, në ndonjë organizatë?

Ne jemi të organizuar, dhe këtu kemi ardhur pasi kemi bërë një veprimtari organizative për të festuar e për t`u gjendur në mesin tuaj, në mesin e vëllezërve dhe motrave shqiptare.

Shoqata e juaj si quhet?

Shoqata jonë quhet: Pro Loco “Arbëria”. Ajo është themeluar në vitin 1995 dhe është rinovuar në vitin 2015. Pjesëtarët e shoqatës mua më kanë zgjedhur drejtuese a presidente e e kësaj shoqate.

Sa anëtarë ka shoqata “Arbëria” në Ungra ?

Ne bëhemi rreth 100 pjesëtarë të kësaj shoqate.

Për arsye të manifestimeve, por edhe sepse Roza dhe Saverina do të këndonin, bashkëbisedimin e  vazhduam në Shkodër. Qyteti i  i Shkodrës të lë mbresa të mëdha, janë bërë ndryshime të mëdha, qendra dhe pamja e qytetit, gjelbërimi dhe bukuria e kështjellës e maleve e lumenjve e liqenit të rrëmbejnë me bukuritë e pashoqe. Në qendër të qytetit kishin dalë  shkodranët dhe shqiptarë të tjerë nga trevat shqiptare nën Malin e Zi, shqiptarë nga Presheva, Bujanoci nga Medvegja, nga Kosova e trevat të tjera shqiptare.

Këndonin e vallëzonin të gjithë së bashku. Dëgjoheshin brohoritje: “Rroftë Skënderbeu”, “Rroftë Arbëria”, “Rroftë Shqipëria”, “Shqipëri e bashkuar” dhe pa humbur kohë brohorisnim “Roftë, rroftë, rroftë”. Ashtu nëpërmes qytetit marshuam deri te kështjella: “Rozafa” Kështjella është madhështore në një gjendje të mirë dhe atje u bë ndezja e zjarreve. Më pas në këmbë arritëm deri te restoranti “Tradita gegë dhe toskë” Rr.”Edit Durham” nr. 4 Shkodër, aty ku ishte edhe shtëpia e poetit atdhetar Filip Shiroka. Aty u dha një darkë për nder të vëllezërve arbëreshë dhe natyrisht u dhanë edhe pjesë artistike muzikore dhe recitale. Natyrisht u bënë biseda dhe intervista të shumta, të cilat fatkeqësitë të tëra nuk arrita t`i regjistroja. Pas darkës i shoqëruar nga nipi im Erblini, i pamë Rozën dhe Saverinën, me të cilat i vazhduam bashkëbisedimet të cilat të plota po jua sjell tani.

Të vazhdojmë bashkëbisedimin? – ju thashë dhe ato u treguan të gatshme të na përgjigjeshin.

Shoqata e juaj organizon festime dhe përkujtime me karakter atdhetar e shoqëror, ç`mund të na flisni më shumë?

Ne natyrisht jemi shumë të lidhur shpirtërisht me kulturën arbërore, prandaj bëjmë edhe manifestime të shumta. Bëjmë përpjekje të mëdha të jemi  vetvetja, prandaj ne duam të jemi vetëm pamja jonë, të ruajmë dhe të vazhdojmë ashtu si brezat kaluar arbëreshë kulturën tonë të pastër. Damarët e gjakut tonë janë të lidhur pazgjidhshmërisht me gjuhën arbëreshe, me datat historike arbëreshe me përkujtime dhe ne të gjitha këto i bëjmë me një dashuri të madhe edhe për Arbërinë edhe për Heroin Tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, por edhe me ju këtej, sepse edhe ju jeni gjaku ynë. Prandaj festat e përkujtimet tona lidhen me shpirtin e arbrit, që rron e nuk shuhet. Ne mblidhemi disa herë gjatë vitit për të festuar. Manifestime bëhen në shkurt e në gusht. Protagonisti i këtyre manifestimeve është Skënderbeu. Këngët arbëreshe janë të vjetra, por të ruajtura me pastërtinë e shpirtrave tanë, prandaj edhe i këndojmë me pasion e dashuri të madhe. Ne krahas këngëve arbëreshe i këndojmë edhe disa këngë shqiptare, po me aq pasion dhe natyrisht me këtë duam të dëshmojmë lidhjet e fuqishme vëllazërore me  ju shqiptarët.

Ju a keni shkolla ku fëmijët arbëreshë mund të mësojnë në arbërisht?

Fatkeqësisht ne nuk kemi shkolla, ku mund të mësohet në arbërishten tonë.

Në pyetjen që ia bëra Rozës, se si është organizuar shoqata e tyre, unë do të bëj përpjekje sa më me vërtetësi të shkruaj fjalët e saj në arbërisht.

Prolocu inë ka di vjet. Jemi njëqind vetë që shurbemi te katundi. Na jemi drejtues shtatë vetë. U jam presidentja, Saverina sekretarja. Anembanë vitit bëmi manifestime, kemi prezantime historike për Skënderbeun, bëmi të ngrënit arbëresh në gusht. Këndojmë kalimeret për pashkë, bëjmi edhe kreshmit (Krishtlindjet) dhe merret një pemë e digjet në zjarr. Bëjmi javën e madhe të shenjtë, mblidhemi gjithë katundi.

Meqë Saverina e zotëron gjuhën standarde shqipe për mrekulli, nuk patëm vështirësi fare të komunikonim me arbëreshët edhe pse siç shihet edhe më sipër ne kuptohemi, por Saverina natyrisht na ndihmoi shumë, prandaj duke qenë, se shprehet natyrshëm dhe është e pajisur me njohuri të shumta ia drejtova disa pyetje

Ju jeni stërnipërit dhe stërmbesat e arbëreshëve të vjetër ashtu si edhe ne këtu dhe ne jemi shumë të gëzuar, që ju kemi në mesin tonë, njëkohësisht neve na lini përshtypje të jashtëzakonshme, duke ju parë me këto veshje kombëtare të mrekullueshme, duke ju dëgjuar tek e flisni gjuhën vjetër arbërore, ju lutem si keni arritur të keni një vazhdimësi arbëreshe deri në ditët e kohës sonë?

Edhe ne kemi një gëzim të madh që erdhëm në Shqipëri. Unë besoj se kemi pasur dy a tre veçori, të cilat na dhanë mundësi të vazhdojmë të flasim arbërisht dhe të kemi traditat tona. Njëra  veçanti është pozicioni ku jemi vendosur, territori që është nëpër male. Një veçanti tjetër është se katundet arbëreshe janë afër njëri me tjetrin dhe gjithashtu larg katundeve italiane. Kjo na ndihmoi t`i ruajmë traditat tona , të flasim gjuhën tonë dhe të ruajmë kulturën tonë. Pastaj priftërinjtë edhe sot e kësaj dite flasin arbërisht dhe mbajnë meshën në gjuhën tonë, sipas riteve ortodokse.

Ju keni ardhur për herë të parë në Shqipëri, si ndjeheni në mes vëllezërve e motrave tuaja këtu në Shqipëri?

Domosdo, patjetër ne ngjajmë edhe mënyra e të priturit edhe të folurit me përzemërsi edhe kuptimi gjuhësor edhe respekti edhe mënyra si çelemi, themi ne andej, tregojnë për identitetin tonë të përbashkët  dhe patjetër jemi vëllezër e motra me shqiptarët.

Gjergj Kastrioti- Skënderbeu si për juve edhe për neve është Krye-heroi ynë  kombëtar dhe kështjella e tij në Krujë ka qenë madhështore, si u ndjetë kur e vizituat muzeun , kështjellën e tij në Krujë dhe varrin e tij në Lezhë?

Po janë emocione të forta dhe kemi shumë gëzim, që na u dha rasti për t`i parë këto vende historike, të shenjta, janë vende që na mungojnë, janë histori që i kemi ruajtur, por që këtu tani në vendin e të parëve, u takuam dhe po sjellim në vëmendje e po festojmë së bashku, sigurisht kjo është shumë e rëndësishme, shumë e madhe. Këto janë shenja shumë të mira, janë shenja historike, janë gjurmët e porositë e Skënderbeut.

Roza më tha pak më përpara, se ju nuk keni shkolla,  ku mund të mësohet në arbërisht, në mungesë të këtyre shkollave ju sigurisht gjuhën e mëmës- arbërishten e flisni në shtëpi e në vende të tjera.

Po sigurisht po, ne arbërisht flasim brez pas brezi, flasim pra edhe sot në familjet tona, në shtëpitë tona, kështu nga etërit tanë  e deri te fëmijët kemi një vazhdimësi të pasur gjuhësore e kulturore arbëreshe.

A keni organizata apo institucione për kulturën dhe gjuhen arbëreshe?

Po, po kemi. Shoqatat dhe organizatat tona janë aktive për t’i ruajtur vlerat tona arbëreshe. Shoqata jonë “Pro loko “Rroftë Arbëria” do të dijë t`i ruajë vlerat tona, do t`i mbajë vlerat kulturore dhe historike tona. Edhe në katunde tjera ka shoqata të tilla. Shoqatat natyrisht kanë rol te rëndësishëm në jetën tonë, sepse përmes tyre nxitet që të ruhet edhe më tej kultura dhe gjuha jonë.

Si jeni të organizuar dhe a organizoheni bashkë në katunde të tjera?

Atë që ne e bëjmë nga ana administruese, bashkitë ose komunat bashkohen me projekte në festa dhe vetvetiu bashkohen arbëreshët për të kënduar, vallëzuar dhe festuar. Kështu ne kemi një pasuri të madhe folklorike dhe ne mblidhemi për të ruajtur kulturën dhe gjuhën dhe kështu veprojmë për Arbërinë.

Kur ju i bëni festat në çfarë kohe?

Varet nga katundi në katund. Për shembull ne në Ungër i bëjmë festat në shkurt dhe në verë, në fshatrat tjera për një maj, në disa të tjera për pashkët etj. Festat lidhen me rëndësinë që kanë datat në katund. Për gëzimin dhe për rëndësinë e festës vijnë edhe arbëreshë nga katunde të tjera, por edhe ne shkojmë kur ata kanë festa.

Në Ungër fjala vjen a keni ju institute siç ka për shembull në Frasnita muze etnografik?

Jo, jo, por ne kemi institute për historinë tonë.

A mund të kemi edhe më tej vazhdimësi të sigurt arbërore?

Po kjo varet edhe nga katundet, sa shumë janë të lidhura me kulturën, gjuhën dhe festat arbëreshe. Për derisa ne flasim në familje dhe jashtë saj gjuhën arbëreshe, nuk ka asnjë rrezik, se do të shuhemi, por në ato katunde ku zbehet për çdo ditë gjuha dhe kultura arbërore patjetër që ka rrezik.

Ku janë të shtrira fshatrat arbëreshe?

Janë pesëdhjetë katunde të shtrira më së shumti rreth Kozencës, po ka edhe në Sicili,në Molizë  dhe në Pulia.

Arbëreshët janë katolikë apo ortodoksë?

S’jemi ortodoksë por jemi katolikë, por me ritin ortodoks.

Priftërinjtë janë arbëreshë apo të huaj?

Më të shumtit janë arbëreshë.

Në mungesë të shkollave  ka mundësi që fëmijët arbëreshë të mësojnë arbërishten në kishë?

Po ka mundësi të mësohet arbërishtja, kur ka ndonjë projekt, por jo gjuha standarde shqipe, ajo  mund të mësohet në universitet.

Po ju a keni pasur vështirësi për të mësuar gjuhën standarde shqipe?

Jo, jo, absolutisht jo.

Dikush më tha se kishte arbëreshë që kishin ardhur nga Brazili. Po e kërkoja ndonjë prej tyre. Se kush qe ai që  më njohu me një arbëresh që quhet Augusto Vicchio, nuk e di, por atij ju afrova e përshëndeta dhe i thashë se kisha dëshirë të bashkëbisedonim, ai pranoi me kënaqësi, prandaj ia bëra disa pyetje.

Ju jeni arbëresh që keni ardhur nga Brazili?

Saverina u gjend pranë nesh me një arbëresh më të moshuar që njihnin arbërishten dhe shqipen standarde në një nivel më të lartë, ndaj na ndihmuan për të pasur më të lehtë bashkëbisedimin me Auguston.

Unë kam qenë në Brazil së bashku me prindërit e mi, por në moshën tre vjeçare më kanë prurë ca arbëreshë të tjerë në Kalabri, meqë prindërit atë kohë m`i vranë ca banditë të atjeshëm. Po unë e di se në Brazil janë rreth njëzet katunde, të cilat janë të populluara me puro arbëreshë. Ata kanë vetëm një fjalë dhe thonë: “Na jemi gjaku shprishtë, gjaku arbëresh.”

Po ti di gjë, se a janë të organizuar arbëreshët, a kanë shoqata?

Unë nuk e di, por unë kam tridhjetë vjet që jetoj në Kalabri. Unë kam gëzim të madh që kam ardhur këtu dhe them se kur jemi unik me ju të tërë bashkërisht, jemi shumë të  fortë.

Natyrshëm më vijnë në mendje disa fjali të shkëlqyera të profesorit dialektolog Gjovalin Shkurtaj tek libri i tij: “Shpirti i arbrit rron” të botuar në Tiranë, në vitin 1984. Ai ndër të tjera shkruan: “ … njohja dhe studimi i këtyre ngulimeve ka rëndësi jo vetëm sepse ata kanë zanafillën nga Shqipëria, por edhe për arsyen se arbëreshët, në disa epoka historike, ashtu si edhe sot qëndruan me mendje e me zemër pranë nesh”

Ata gëzojnë kurdoherë kur gjenden pranë nesh, ashtu siç gëzojmë edhe ne dhe janë krenarë e jemi krenarë, se në damarët tanë qarkullon gjaku i përbashkët arbëror dhe dashuria vëllazërore.

Ata na thonë: “- Të flasim me një zë, të kemi vetëm një zë, atë të bashkimit”,

“- Kur të tjerët na bëjnë mure, ne të bëjmë, patjetër, ura të bashkimit vëllazëror.”

Arbëreshët ndodhen në një gjendje të vështirë qoftë ekonomikisht, qoftë edhe në pikëpamje administrative, kur është fjala e shkollimit në gjuhën arbërore, ndonëse italianët nuk kanë shfaqur brutalitet dhe shtypje të vrazhdët, nuk jua kanë mohuar traditat, kulturën dhe gjuhën, por nuk i kanë përkrahur e nuk i kanë plotësuar të drejtat e arbëreshëve, siç i kanë të plotësuara fjala vjen grekët apo rumunët.

Ligji 482 i vitit 1999 përcakton qartë mbrojtjen e pakicave kombëtare dhe kulturave të tyre.

Sipas këtij ligji shteti italian është i obliguar që t`i paguajë edhe mësuesit shqiptarë arbëreshë që tua mësojnë fëmijëve arbëreshë gjuhën arbëreshe pra shqipe. Por shteti italian nuk i paguan.

Ndërsa studiuesi i njohur arbëresh Françesko Solana thekson: “ … i vetmi mjet pozitiv kundër asimilimit dhe zhdukjes sonë në detin e eliminimit italian që na rrethon është mësimi i gjuhës shqipe: që çdo arbëresh të bëhet një dygjuhës i përsosur. Krahas gjuhës dhe kulturës italiane ai duhet të zotërojë në masë e nivel të barabartë edhe gjuhën e kulturën shqiptare. Marrë nga libri universitar “Dialektologjia” Tiranë 2000.  Kjo porosi është mirë të dëgjohet mirëfilli nga institucionet e dy shteteve tona shqiptare për t`i përkrahur vëllezërit arbëreshë, sepse ata duan të jenë të lidhur pazgjidhshmërisht me ne shqiptarët me Shqipërinë, ndaj përkrahja jonë atyre kurrë nuk duhet t`ju mungojë. Institucionet shqiptare është e udhës të nxisin institucionet italiane për t`i plotësuar të drejtat e arbëreshëve atje edhe për shkollimin në gjuhën shqipe. Institucionet tona nuk e kanë problem që të marrin çdo vit një numër të caktuar arbëreshësh t`i përgatisin si mësues të shqipes, të kontribuojnë në lidhjet e natyrshme kulturore kombëtare arbëreshe e shqiptare.

(8. 12. 2017)

Arbëreshët në Lezhë
Arbëreshët në Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Lezhë, 23 prill 2017

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …