Në Bllacën e Anadrinit, në vitin 1919, në një familje të varfër fshatare u lind, Rizah Selim Bllaca, njëri ndër rapsodët më të njohur të traditës së pasur rapsodike shqiptare. Ishte pjesëtar i një familje të varfër, por të paepur, e cila kishte mbijetuar falë punës e djersës së pakursyer për të çarë shtigjet që shpinin në jetën plot halle e vuajtje.
I lindur në një fshat me tradita burrërie e atdhetarie, Rizahu qysh në rininë e tij të hershme kishte dëgjuar të rrëfeheshin legjenda e balada, këngë trimërie e ashikie, këngë atdhetare dhe këngë dashurie.
Talenti i tij buroi ashtu sikur në plasën e një guri papritur buron uji, buroi natyrshëm nga dhuntia, që i kishte falur natyra, me një zë të fortë burrëror por edhe melodik. Po jo vetëm zëri do ta bënte rapsod të njohur Rizah Bllacën. Atë do ta bënte të njohur talenti i tij për të mbajtur mend rrëfimet, këngët, vargjet e këngëve që këndonte, dhe të cilat i kishte dëgjuar kur i këndonin këngëtarët e njohur. Qysh në moshë 10-vjeçare, Rizahu i ri kishte filluar këngën, burimin e vetëm të shprehjes së shpirtit dhe talentit krijues. Atëbotë ishte ndikuar sidomos nga këngëtari popullor, Nezir Tafa, i cili kishte bërë emër me fuqinë e pashtershme të zërit. Një zë që dëgjohej nga fshati në fshat dhe që ishte futur në kujtesën e popullit si këngëtar, që kur këndonte me fuqinë e zërit fikte edhe dritën nga llampat e vajgurit. Rizahu, në moshë shumë të re, kur punonte si rrogëtar në familjen e këngëtarit të njohur, Bajram Krasniqi në fshatin Drenovc ka kënduar me djalin e tij, Salihun, po ashtu një rapsod i mirënjohur i trevës së Llapushës e Anadrinit. Më vonë ka kënduar edhe me vëllezërit e tij: Muratin dhe Rifatin.
Duke qenë se qysh në rini kishte shfaqur talentin, i cili edhe ishte dëshmuar që në hapat e parë, ai merrte pjesë në dasma e ahengje familjare dhe dallohet jo vetëm me zërin burrëror, por edhe me një repertor të pasur të këngëve me motive ndër më të ndryshmet.
I vetëdijshëm se publiku i kërkonte për t’i dëgjuar të gjitha llojet e këngëve, Rizah Bllaca iu kishte përshtatur kërkesave të publikut, i gatshëm për t’i plotësuar dëshirat e tyre. Duke e përcjellë me vëmendje këngën e tij, qysh në fillim të viteve 60-kur për herë të parë e kam parë dhe dëgjuar duke kënduar në odën e kushëririt, Xhemshir Syla, nga Krojmiri, të cilin e kishte mik, më është dukur se kisha zbuluar një botë të veçantë frymëzimi, ku vargu përcillej me një zë burrëror, zë të fortë mashkulli dhe shoqërohej me një instrument muzikor, me sharki dhe jo me çifteli sikur bënin shumica e këngëtarëve.
Këngëtar i pasionuar dhe i dashuruar në këngën e traditës
Rizah Bllaca e kishte pasion këngën. Dinte shkrim lexim, lexonte tekste këngësh, të cilat edhe i mësonte përmendsh. Mësonte edhe këngë të tjera, që i kishte dëgjuar nga rapsodët. Me kohë e kishte kuptuar se të këndosh bukur një këngë, nuk ishte e domosdoshme t’i mbetesh besnik fanatik tekstit, që e kishte kënduar dikush para tij. Për të ishte me rëndësi të ruhej fabula, rrëfimi i plotë, qoftë edhe me ndonjë modifikim, me ndonjë intervenim, të cilin e bënin të gjithë këngëtarët, kush më shumë e kush më pak. Në rrugë për të krijuar stilin e tij dhe origjinalitetin e këndimit, Rizah Bllaca nuk është sorollatur shumë, ashtu sikur janë sorollatur shumë nga rapsodët.
Ai, këndimin e kuptoi si një dhunti të natyrshme, pa paragjykim, pa frikë, pa luhatje, meqë i besonte vetes dhe me kohë e kishte kuptuar se në fushën e këndimet, ashtu sikur në çdo profesion, duhej përballuar konkurrenca dhe ajo nuk përballohej dot pa një përkushtim të veçantë, pa sjellë te opinioni dëgjues diçka të re, diçka që nuk e kishin bërë të tjerët, diçka ndryshe, të motivuar e të re. Dhe në këtë drejtim kishte arritur në futej në mesin e rapsodëve më të njohur dhe më të kërkuar të kohës.
Me kohë e kishte kuptuar edhe faktin se çdo këngë kishte disa komponente bazike që duheshin pasur para sysh gjatë këndimit dhe kishte arritur që të gjitha ato t’i manifestonte në cilëndo këngë, qoftë me melodinë e bukur, përmbajtjen e pacenuar, shqiptimin e qartë të fjalëve dhe intonimin tejet origjinal. Ai këngës i jep shpirt, duke e ngritur në nivel për t’i joshur dëgjuesit.
Riza Bllaca gjatë këndimit bëhej një me këngën, duke e përjetuar thellë përmbajtjen e saj dhe duke u futur në ngjarje, si pjesëmarrës dhe deklamues, në të njëjtën kohë. Dhuntinë dhe fuqinë e zërit që ia kishte falur natyra e kishte begatuar me forma këndimi, duke ia përshtatur shijes së publikut dhe duke manifestuar një botë të pasur të paraqitjes artistike. Paraqitja e tij fizike gjatë këndimit ishte mjaft karakteristike, meqë përgjithësisht ruante teatralitetin tradicional, të trashëguar nga shekulli në shekull. Gjatë këndimit, meqë duart i kishte të zëna me ekzekutim të sharkisë, ndonjë nga të pranishmit i rrinte afër dhe mes strofave të këngëve ia zgjaste cigaren. Mes këngëve, në raste të caktuara, me qëllim për ta kthjelluar zërin ai pinte edhe ndonjë gotë raki rrushi, apo çaj rusi. Gjatë këndimit zakonisht rrinte këmbëkryq.
Për dallim nga një pjesë e këngëtarë të traditës, te të cilët dominonte dhe dominon skematizmi, melodia e njëjtë, nganjëherë interpretimi amorf, tradicionalizmi, mënyra pa shpirt e këndimit, Rizah Bllaca ishte një paraqitje tjetër, krejtësisht origjinale, një botë artistike ku zëri, tingulli i sharkisë, përmbajtja e këngës shfaqej me një origjinalitet të rrallë, madje edhe me elemente shtesë duke aktruar para dëgjuesve, duke dhënë krejt çka mund të jepej për dëgjuesit dhe shikuesit. Aktrimi gjatë këndimit ishte po ashtu veçanti e artit të tij.
Këngëtar dhe rrëfimtar shumë i zgjuar
Duke qenë një burrë i mençur dhe vrojtues realist i rrethanave aktuale ekzistuese, ishte kritik i ashpër i dukurive negative që vëreheshin në shoqëri, në skicat dhe rrëfimet e tij humoristike. Shquhej për rrëfimin e anekdotave e rrëfimeve humoristike, të cilat i interpretonte me shpirt artisti, kurdoherë i gatshëm për të imituar personazhet më të shquara të humorit e satirës së kohës.
Riza Bllaca, imitonte jashtëzakonisht bukur të folmen turqisht të prizrenasve të vjetër, shumica syresh me origjinë fshatare, të cilët nuk shqiptonin drejt fjalët e gjuhës shqipe dhe gjatë komunikimit gabonin gjininë e emrave. Ai imitonte edhe qytetarët që hiqeshin si zotërinj, imitonte nganjëherë edhe partiakët, por me kujdes të madh, në varësi ku e bënte konakun. Jo vetëm njëherë njerëzit e UDB-së ia kishin bërë me dije se ata ishin në dijeni të përmbajtjeve të këngëve që i këndonte, duke kërkuar që edhe ai të këndonte si shumica e këngëtarëve, që i këndonin edhe Titos, Fadil Hoxhë, partisë. Ka fakte që flasin se ai nganjëherë edhe ka kënduar me porosi të ndonjë partiaku, sidomos në dasma,por zakonisht është mbrojtur se nuk e dinte tekstin e këngëve të reja dhe se ato këngë shumë më mirë i këndonin këngëtarët e rinj. Rizah Bllaca nuk ka kënduar këngë mushke, dygjuhëshe, sikur mjerisht kishin kënduar edhe disa rapsodë të njohur të Drenicës e Dukagjinit. Nuk kishte pranuar që këngën e heroikës dhe tragjikës shqiptare, “Maliq Pasha n Kali t’ bardhë, ta konvertonte në Marshall Tita n’ kali t’ bardhë. Duke qenë i orientuar drejt në aspektin kombëtar, Riza Bllaca bëri kthesë në drejtim të duhur. Disa këngë të cilat i kishin kënduar dervishët dhe ithtarët e sundimit turk, ku i këndohej Turqisë e Sulltanit, ai i kishte korrigjuar dhe i kishte shqiptarizuar me shumë vëmendje, duke ia adaptuar frymëzimit kombëtar.
Këngës së luftërave të shqiptarëve kundër pushtimit të tokave shqiptare nga Mali i Zi, pas të cilit qëndronte Rusia dhe Serbisë, këngëtari Riza Bllaca ia kishte zhveshur petkun fetar, me të cilin e kishin kënduar dervishët.
Ja një shembull karakteristik:
Me bismele në selamet
Turqenia u que na kambë
Kush të don me imanë me dekë,
Në Karadak Bahet bejan.
Rizah Bllaca në këtë strofë fjalën “Turqenia” e ka zëvendësuar me “Shqyptaria”
Më bismele n selamet
Shqiptaria u çue në kambë
Kush të don me imanë me vdekë (
në disa raste- kush te don shqyptar me dekë)
Në karadake bahet bejan.
Ose strofa e një kënge tjetër:
Turkoshak o kopilhane
Hajde t dalin n Fushë t Mejdanit
E të rrokemi jakë për jake,
Ta provosh zogun e Shqiptarit,
(në origjinal Zogun e Asllanit (Luanit)
Riza Bllaca shprehte me admirim e përkushtim të jashtëzakonshëm emrin e Shqipërisë Mëmë. Me dashurinë e pashuar të shpirtit atdhetar shqiptonte trajtat si: Shqipëri, në toskërisht, pastaj Shqipëni, Shqypni, Shkiptari, fjalë që i buronin nga zemra e zhuritur e artistit që ishte i vetëdijshëm për fatin e atdheut të ndarë padrejtësisht dhe të degdisur në robëri. Dëgjuesit e vëmendshëm të këngëve të Rizah Bllacës vërejnë përkushtimin e tij të zjarrtë patriotik në të gjitha këngët atdhetare dhe këngët për heronjtë e kombit.
Riza Bllaca solo këngëtar
Në traditën rapsodike shqiptare është i njohur solo këndimi dhe këndimi në duet apo në grup. Riza Bllaca, kryesisht ka kënduar vetë, por ka pasur raste që ka kënduar edhe me disa rapsodë të njohur, por jo për shumë kohë, ashtu sikur njihen tandemët e njohur të duetit apo grupit si: Salih e Feriz Krasniqi, Vëllezërit Ukaj, Tahir Drenica e Hashim Shala, Selman Haradini e Adil Cena, Mazllum Myezini e Qamili i Vogël e shumë të tjerë. Rizahu do të ketë kënduar ndonjë këngë me disa nga këngëtarët e përmendur, por me asnjërin prej tyre nuk e gjeti vetveten, meqë asnjëri prej tyre nuk e dispononte kondicionin e tij, fuqinë e zërit, tekstin e alternuar të këngës dhe përgjithësisht origjinalitetin krijues gjatë këndimit. Ai nuk i përmbahej rigorozisht tekstit dhe me këtë element të këndimet nuk kishte sukses në këndimin duet. Kur dëgjon se si i kanë akorduar dhe si i akordojnë zërat në këngët e tyre: Salih e Feriz Krasniqi, Tahir Drenica e Hashim Shala, Rifat Draga e Tahir Drenica, fiton përshtypjen se këngët e tilla burojnë nga një shkollë tipike e këndimet duet, krejtësisht e papërshtatshme për Rizah Ballacën, por edhe për këngëtarë të tjerë si Dervish Shaqa, Aziz Ndreu, Tomë Nikolla, Sali Mani, Frrok Haxhia e të tjerë.
Duke folur për Riza Bllacën si mik, këngëtar dhe si bashkëmoshatar, Salih Krasniqi nga Drenoci i Malishevës, po ashtu njëri ndër rapsodët më të njohur të kohës së tij, kishte vërejtur me të drejtë se Rizahut askush nuk mund t’i rrinte përballë, një me një. Ai kishte lindur për të kënduar vetë, edhe pse kjo e dëmtonte pa masë, meqë ai shpenzohej duke kënduar i vetëm, pa mundësi pushimi gjatë këndimit, gjatë dy ditëve e netëve të dasmave e ahengjeve familjare.
E kishin provuar disa këngëtarë këndimin me Raza Bllacën por asnjëri prej tyre nuk kishte arritur t’i qëndronte për ballë, sepse natyra ia kishte falur zërin-pushkë e kondicionin e kasnecit të kohëve të kaluara.
Repertori i këngëve të Rizah Bllacës
Rizah Bllaca ka kënduar qindra këngë të zhanreve e gjinive të ndryshme. Nëse krahasojmë repertorin e tij të pasur me atë të këngëtarëve me të njohur të kohës, në mos i pari, pa dyshim ndodhet në radhën e më të parëve. Nuk di të ketë ekzistuar ndonjë rapsod popullor, i cili ka kënduar qindra e qindra këngë duke filluar nga ato legjendare, për Mujin e Halilin, të cilat duhet pranuar realisht se nuk kanë qenë këngë të tij të preferuara, madje i ka kënduar me përtesë, pastaj këngë të periudhës së sundimit turk në Kosovë, si kënga “Prej Prokupjes deri n’Nish, Këngët për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, Kënga e Osman Pashës, Këngë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” Kënga e Ali Pashë Tepelenës, Kënga e Gjon Lekës, Bec Sinanit, Isa Boletinit, Jashar Pashës, pastaj këngë të nizamit e të tjera.
Vendin kryesor në repertorin e Rizah Bllacës zënë këngët e pushtimit serb të trojeve shqiptare dhe rezistencës heroike antiserbe, të cilave Rizah Bllaca u ka kushtuar shumicën dërrmuese të këngëve të tij të trimërisë. Ai i ka kënduar me afsh zemre, trimit legjendar të Dragobisë, Bajram Currit, pastaj Avni Rrustës, (Rrustemit), Hasan Prishtinës, Azem Galicës, Nak Berishës, Sali Shabanit, Ahmet Delisë, bashkëvendësit të tij, Ramë Bllaca, të cilin e kishte njohur dhe e kishte dashur shumë, pastaj Ahmet Shtimes, Sinan Dragushës, Demë Ahmetit, Selman Kadrisë e shumë trimave të tjerë të rezistencës antiserbe.
Rizah Bllaca ka kënduar edhe këngë për Gani beg Gjakovën dhe vrasjen e Ceno begut, këngë e cila është kënduar në Kosovë, madje edhe këngë ku përshkruhen atentatet kundër Ahmet Zogut. Këto këngë janë thurë nga këngëtarët popullorë në kohën e regjimit të Ahmet Zogut dhe kanë të bëjnë me gjendjen dhe zhvillimet politike në pjesën e lirë të atdheut, pavarësisht se gjysma tjetër kishte mbetur nën robëri.
Riza Bllaca ka kënduar edhe shumë këngë nga epopeja epike-heroike “Lahuta e Malësisë” e Gjergj Fishtës. Kryesisht ka kënduar fragmente të vajtimit të motrës së Avdisë, që është njëra prej këngëve të tij antologjike, pastaj këngë për luftërat në Mbrojtje të Plavës e Gucisë, këngë për Hasan Riza Pashën, mbrojtësin e Shkodrës nga ushtritë pushtuese serbe, ruse e malazeze, këngë për Jakup Ferrin, Ali Pashë Gucinë e këngë të tjera atdhetare.
Ai ka kënduar me përkushtim edhe këngë të trimërisë si Këngën e Hasime Mirashit, këngën e Musë Tahirit, Miftar Hasanit, Ndoc Mark Gegës, Osman Dakës, Halil Hamzës, Rexhë Mehmetit, e trimave të tjerë të njohur të së kaluarës.
Edhe pse në kushte dhe rrethana represioni dhe në kushte të Bashkim vëllazërimit dhe bashkekzistencës së shqiptarëve me sllavë, këngët për trimat partizanë, këngë të preferuar për shumë këngëtarë shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, Riza Bllaca nuk i ka kënduar fare, ose i ka kënduar me porosi, në ndonjë rast të caktuar. Ato këngë ai nuk i injoronte me mos këndim, por nuk i përshtateshin, sepse si rapsod ishte krijuar në një taban tjetër dhe nuk begeniste të bëhej këngëtar i modës, duke ndërruar qyrkun, duke i kënduar një regjimi të cilit nuk i besonte, edhe pse regjimi nuk ia kishte ndaluar këngën, as e kishte përndjekur sikur Dervish Shaqën e këngëtarë të tjerë.
Riza Bllaca, edhe pse këngëtar serioz dhe kryesisht bard i këngës së trimërisë dhe atdhetarisë, ka kënduar edhe mjaft këngë të dashurisë, në këtë mes edhe këngë të ashikisë, të cilat dikur kanë qenë mjaft të përhapura sidomos nëpër qytetet shqiptare si në Gjakovë, Prizren, Vushtrri, Tetovë e qytete të tjera ku ishte kultivuar folklori i lindjes, kënga e ashikut, që i kushtohej bukurisë dhe dashurisë mashkullore. Riza Bllaca ka qenë i vetëdijshëm se ato këngë të thurura me mjeshtëri nga dervishët, nga poetët oborrtarë, nuk kishin përmbajtje të pastër morale, mirëpo janë kënduar në raste të caktuara, sidomos në familjet pasanike dhe në qytete, nëpër dasma, syneti apo ahengje të ndryshme.
Këngët e dashurisë kanë qenë po ashtu specifikë e këndimit të Riza Bllacës. Ata, që e kanë njohur rapsodin, të tillë ka mjaft në Kosovë e dinë mirëfilli se Riza Bllaca ka qenë një burrë serioz, që ka krijuar familje dhe e ka ruajtur me krenari moralin e saj. Ai kurrë nuk është përfolur për skandale të amoralitetit, sikur janë përfolur disa nga këngëtarët e tjerë të njohur, pavarësisht se kanë qenë apo jo të tillë. Megjithatë, Riza Bllaca i ka kënduar dashurisë së pastër, dashurisë platonike, duke rrëshqitur ndonjëherë edhe në këngë lasive, në situata kur është kërkuar nga i zoti i dasmës apo i ahengut. Dikush mund të ketë vërejtur se këngët e dashurisë, të kënduara nga Riza Bllaca janë këngë tipike të ashikisë, të kënduara me thellësi të shpirtit, madje edhe në tepri të përkushtimit e ngazëllimit. Ky konstatim qëndron, por nuk duhet harruar se po me të njëjtin përkushtim, ai i ka kënduar edhe këngët e vajit e pikëllimit, të cilat zënë një vend me rëndësi në repertorin e tij.
Në pamundësi për të jetuar me të ardhurat që merrte duke kënduar nëpër dasma, shpërngulet nga fshati Bllacë dhe së bashku me familjen vendoset, në Ferizaj. Ka punuar roje nate në Kombinatin e Drurit. Pak ditë para se të vdiste kishte vizituar të afërmit, në Bllacë. Të afërmve që e kishin dërguar ta shihte vendlindjen u kishte thënë se Bllacën e tij të dashur, ku e kishte kaluar pjesën më të mirë të jetës po e shihte për herë të fundit. Disa ditë më vonë, më 28 maj të vitit 1988 vdiq në kohën kur ndodhej te bija e vet, e martuar në Shtime. Trupi i tij me nderime u varros në varrezat e qytetit, në Ferizaj.
Riza Bllaca ka lënë një trashëgimi të begatë folklorike e cila është bërë pjesë e kulturës sonë të përgjithshme kombëtare. Talenti, zgjuarsia, karakteri i fortë, përkushtimi për këngën, bëjnë që emri i tij të radhitet në mesin e rapsodëve më të njohur të kombit. Shumica e këngëve që i ka interpretuar, në mesin e tyre edhe shumë këngë të cilat i ka krijuar vetë, janë mbledhur dhe janë botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës-Sektori i Folklorit.