Në ambientet e Kolegjit AAB në Prishtinë, sot u promovua libri “15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit”, i cili është një doracak që duhet ta lexojë çdokush që dëshiron të bëhet i suksesshëm.
Me këtë rast, rektori i Kolegjit AAB, prof.dr. Lulzim Tafa, lavdëroi punën e palodhshme të Pacollit duke shtuar se libri është udhërrëfyes për sukses në jetë, madje edhe vet titulli i librit tregon se suksesi duhet të mbështetet në parime. “Dua ta falënderoj z. Pacolli që ka zgjedhur AAB-në për të promovuar këtë libër, mendoj që nuk ka vend më të mirë dhe më adekuat për të promovuar libra se sa në ambientet univeristare. Që në titullin e këtij libri apo këtij doracaku, që mund të shërbejë si një lloj vadamekumi i të gjithë atyre që synojnë suksesin, thuhet se suksesi mbështetet në parime. Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa të tjerët zgjohen dhe punojnë për të, ashtu siç është Z. Pacolli”, tha rektori Tafa.
Ndërsa, Mimoza Thaçi,bashkëpunëtore e Behgjet Pacollit tha se ndihet e nderuar kur është me të, rruga drejt suksesit e z. Behgjet Pacollit është shembulli më motivues për të tjerët, sipas saj z. Pacolli është presidenti më i mirë në botë. “Jam e nderuar dhe e lumtur gjithmonë kur jam afër z. Behgjet Pacollit, presidentit më të mirë në botë, ne jemi me fat që jetojmë në epokën e tij”.
Në fjalën e tij, z.Pacolli shprehu mirënjohjen dhe përgëzimet e tij për Kolegjin AAB, duke shprehur krenarinë e tij për këtë institucion, i cili, siç tha Pacolli, i është bërë dhuratë shtetit të Kosovës. Ai tha se e ka pasur të qartë qysh në fillim që AAB, në morinë e të gjitha universiteteve e kolegjeve të tjera të Kosovës, do të bëjë diferencën me përkushtimin dhe investimin që është bërë.
“Unë sinqerisht sot u ndjeva krenar, u ndjeva shumë i lumtur dhe nuk di si ta përshkruj këtë që sot pashë. Hyra në hapësira të një mrekullie. Vërtetë nuk është mrekulli, është vetëm ecje me kohën! Është ajo që i përgjigjet kohës, mirëpo, në krahasim me atë që ne e shohim, dhe çka jemi mësuar të shohim, është një mrekulli”, tha Pacolli për Kolegjin AAB. “Ky universitet ka dhënëdekorata e tituj për presidentë që kanë mbetur të shkruar në historinë e kohës moderne. Ka dhënë dekorata e tituj për njerëz që kanë kontribuar shumë për Kosovën, dhe këta njerëz këto dekorata i mbajnë në vendet më sublime të hapësirave të tyre ku jetojnë dhe veprojnë”, tha Pacolli.
Duke folur për librin, zv.kryeministri Behgjet Pacollit tha se nuk kishte një qëllim të caktuar kur kishte nisur të punojë në këtë libër, ai tha se nuk e kishte idenë se e gjithë kjo do të përfundonte me një libër. “Unë në jetën time, për dështimet e mia kam fajësuar vetëm veten time dhe për sukseset e mia kam madhështuar po ashtu veten time. Unë si qëllim jetësor timin kam pasur që të sillem me të tjerët ashtu siç do doja që ata të sillen me mua, që të mos i zhgënjej asnjëherë ata të cilët janë gëzuar për ardhjen dhe ngrijen time”.
Ai gjithashtu udhëzoi studentët e pranishëm që të jenë sa më kreativ dhe të krijojnë ide inovative dhe të fillojnë të ndërtojnë diçka nga idetë e tyre, duke thënë se i kanë të gjitha mundësitë që Kolegji AAB iu ofron. Pas librit të parë që titullohej ‘Nga sfida në sfidë’, ky është libri i dytë nga z. Behgjet Pacolli.