Salih e Feriz Krasniqi, rapsodë të paharrueshëm të këngës burimore shqiptare

Salih Krasniqi  i takonte një familje tradicionale këngëtarësh në rajonin e Anadrinit. Ai ishte djali i këngëtarit të mirënjohur, Bajram Krasniqi, i cili kishte kënduar dhe ishte afirmuar si këngëtarë në kohën e kryengritjeve shqiptare kundër robërisë shekullore osmane.


Salihu lindi në vitin  1919 në fshatin Drenoc të Anadrinit, komuna e Malishevës. Ka vdekur në vitin 1987. Një rapsod tjetër i njohur  i këtij fshati,  ka qenë edhe Feriz Krasniqi, i cili për shumë kohë ka kënduar së bashku me Salih Krasniqin. Ferizi u lind në vitin 1927 po ashtu në fshatin Drenoc të Anadrinit.  Ka vdekur në maj të vitit 1999 në malet e Damanekut, në mesin e popullatës së zhvendosur, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai, edhe pse i moshuar dhe i sëmurë nuk pranoi të largohet nga Kosova, lirisë  të së cilës i kishte kënduar më tepër se 50 vjet.


 


Salihu kishte kontaktuar me këngën që nga fëmijëria e hershme. Babai i tij Bajrami ishte këngëtar i njohur jo vetëm në Anadrini por edhe më gjerë. Me qëllim për ta bërë këngëtar, babai i tij e merrte me veti në dasma e ahengje familjare, duke e joshur me këngën dhe duke e frymëzuar qysh në rininë e hershme. Salihu në moshë të fëmijërisë ka kënduar se bashku me Rizah Bllacën, i cili shërbente në shtëpinë e tij, por edhe me këngëtarë të tjerë si Amrush Ymerin e më vonë edhe me Feriz Krasniqin, të cilin e kishte  kushëri të afërm dhe me të cilin kanë kënduar  së bashku një kohë shumë të gjatë.


Ata kanë filluar të afirmohen me këngët e tyre sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishte filluar edhe arsimimi në gjuhën shqipe, dhe kur shqiptarëve të Kosovës iu kishin pranuar disa të drejta elementare kombëtare e arsimore. Duke qenë se kishte trashëguar nga babai një repertor shumë të pasur të këngëve, ai që në fillim ishte prezantuar me shumë sukses me këndimin e këngëve të zhanreve të ndryshme. Së bashku me Feriz Krasniqin kishin kënduar këngë me përcjellje të instrumenteve të ndryshme  muzikore, si çifteli, sharki, fyej ta gjatë, gajde etj.  Këndimi në duet iu kishte konvenuar në radhë të parë për kombinimin e dy zërave si dhe për mbajtjen e kondicionit gjatë këndimit. Të dy dispononin zëra të fortë por edhe melodikë. Po të krahasojmë duetet rapsodike shqiptare, vështirë se gjejmë një akordim më të përkryer dhe më mjeshtëror sesa duetin Salih e Feriz Krasniqi. E veçanta e këtij dueti buronte nga fakti se që të dy i takonin të njëjtës shkollë këngëtarësh dhe të dy sikur e plotësonin njëri tjetrin.  


Kënga folklorike shqiptare njeh edhe duete të tjera si Selman Haradini e Adil Cena, Tahir Drenica e Hashim Shala, Vëllezërit Ukaj, solo, duet dhe grup, Bajrush Doda e Zenun Gashi e të tjerë, por asnjë prej dueteve nuk ka qenë më i suksesshëm dhe më i qëndrueshëm se sa këndimi bashkë i këtyre këngëtarëve të mirënjohur të këngëve rapsodike shqiptare.


 


Dueti i rapsodëve, Krasniqi ishte bërë i njohur kudo në Kosovë e më gjerë qysh në vitet  ’60 të shekullit të kaluar. Duke marrë pjesë, jo vetëm në dasma e gëzime familjare, por edhe në festivale të ndryshme të këngëtarëve popullorë, Salihu dhe Ferizi u bënë emra të njohur këngëtarësh jo vetëm në Kosovë.  Në gusht të vitit 1966, Salih dhe Feriz Krasniqi kanë marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit, i cili është mbajtur në Langolen të Britanisë së Madhe, ku ata kanë përfaqësuar këngën folklorike nga Kosova dhe ku kanë  një çmim të lartë.  Ky duet i njohur ka marrë pjesë edhe në Festivale të ndryshme të rapsodëve në Kosovë e veçmas në festivalin e Folklorit që mbahej në Drenas, ish-Gllogoc i Drenicës.


 


Për dallim nga këngëtarët e tjerë, Salihu e Ferizi këndonin po thuajse të gjitha llojet e këngëve, madje edhe këngë të ashikisë, të cilat nuk pëlqeheshin në çdo mes. Këngët e tilla ata i këndonin me porosi të familjarëve të dasmave, gjithnjë sipas rrethanave ku këndonin,  apo në koncerte të ndryshme, ku ato nuk censuroheshin, për dallim nga këngët atdhetare. Duke bërë përpjekje për të arsyetuar këndimin e  këngëve të  tilla, një folklorist kosovar, tashmë i ndjerë, ka shkruar se Salihu këngët e tilla i ka trajtuar si: “këngë e dashurisë të traditës së vjetër fshatare dhe posaçërisht ato të “ashikisë” për të cilat thoshte se kanë kuptim patriotik etj., përmes të cilave këngë shihej se si janë ruajtur elementet e vjetra dhe origjinaliteti interpretues”.


Interpretimi i tillë sharlatan i folkloristit NN, nuk i përballon realitetit faktik, shkencor, kur dihet mirëfilli se këngët e ashikisë janë këngë tipike “geje”, që iu kushtoheshin bejlerëve e agallarëve, nga dervishët dhe këngëtarët e preferuar të bejlerëve, dhe si të tilla ishin shumë të përhapura në rrethet qeveritare turke të kohës.


Këngët e ashikisë janë specifikë e eksportuar nga Lindja, në të cilat i këndohet bukurisë mashkullore dhe lidhjeve intime mes tyre. Ato u përhapen vetëm në disa qytete të Shqipërisë etnike, kur regjimi turk kishte lënë gjurmë më të thella ndikimi sidomos në muzikë. Këngë të tilla janë kënduar në Gjakovë, Prizren, Shkodër, Elbasan, Tiranë e gjetkë.


Ja një strofë karakteristike e këtyre këngëve ku ashikët i luten Zotit që ta ndëshkojë hoxhën, meqë ai dënonte lidhjet mes tyre:


 


Hajde shokë ta bëjmë një dua


Le t i thahet hoxhës bostani,


Qi s na la me u bashkue


Me Asllanin e Kapllanin.


 


Këngëtarët si Salih e Feriz Krasniqi, pastaj Riza Bllaca e disa të tjerë që kanë kënduar këngë të tilla, kanë qenë të vetëdijshëm se këngët e ashikisë nuk ishin të preferuara për çdo mes, ishin këngë që dënoheshin nga pikëpamja morale dhe fetare. Ato  nuk ishin këngë të mirëfillta të dashurisë, andaj këngëtarët e afirmuar  i kanë kënduar rrallë dhe vetëm në raste të caktuara. Përpjekja, për t’i paraqitur këngët e ashikisë si këngë patriotike, madje duke ia përshkruar këtë cilësim vetë këngëtarit, Salih Krasniqi nuk duhet aspak e  besueshme, pavarësisht se disa nga folkloristët e shkollës së bashkim vëllazërimit,  kanë bërë përpjekje për t’i “rehabilituar”  këngëtarët të cilat i kanë kënduar këto këngë.


 


Në vitet 60, 70 të shekullit të kaluar kur është përhapur shumë dhe ka dominuar kënga e grupeve folklorike, këngëtarët: Salih e Feriz Krasniqi kanë qenë në radhën e këngëtarëve më të njohur por edhe më të preferuar në Kosovës. Publicitetin e tyre  e ndihmonte edhe Radio-Prishtina e cila  transmetonte shumë këngë të këtyre këngëtarëve, por pa lënë anash as këngëtarë të tjerë që kishin bërë emër dhe ishin afirmuar.


 


Salihu dhe Ferizi kanë kënduar këngë legjendare të Mujit e Halilit, këngë historike, këngë të trimërisë, këngë të dashurisë, këngë humoristike,  por edhe këngë të tjera, shpeshherë edhe sipas porosisë. Ata, në kohën e tyre kanë kënduar po thuajse në të gjitha trevat e Kosovës e më gjerë. Fakti se kishin fituar një çmim ndërkombëtar, por edhe çmime të tjera në festivale të ndryshme, bënte që ata të dalloheshin më shumë se këngëtarët e tjerë.


Pavarësisht konkurrencës, Salih dhe Feriz Krasniqi kanë qenë të afërt edhe me këngëtarë të tjerë, me të cilët kanë kënduar në duet.  Në raste të caktuara kanë kënduar edhe solo, edhe pse solo këndimi nuk ka qenë karakteristikë e tyre, ashtu sikur ka qenë për rapsodët Rizah Bllaca, Dervish Shaqa, Tomë Nikolla, Fatime Sokoli, Sali Mani e shumë të tjerë.


Ahmet Qeriqi


20. 3. 2013

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …