Çiftelia është instrumenti muzikor më i preferuari ndër shqiptarët e krahinave veriore dhe verilindore të Shqipërisë etnike, por edhe të disa trevave të Shqipërisë së mesme. Pavarësisht nga origjina, meqë origjina e instrumenteve muzikore është origjinë publike e krejt popujve të botës, çiftelia ndër shqiptarë tashmë është bërë instrument kombëtar shumë i preferuar. Është kjo një vegël muzikore me dy tela, e thjeshtë në dukje por me tinguj melodikë, magjeps. Në thjeshtësinë e vet çiftelia ka mbijetuar edhe për faktin se si instrument i thjeshtë ka qenë i lehtë për t’ u sajuar. Fakti se çiftelitë e shekullit të kaluar, në vend të perdeve prej metali kishin penj të hollë, të dredhur dhe të lyer me dyll, tregon se ky instrument ka origjinë të lashtë. Kam prirje të besoj se mbijetesa e këtij instrumenti lidhet në radhë të parë me vetë thjeshtësinë në ndërtimin dhe kombinimin e dy pjesëve, kokës dhe bishtit. Çiftelia antike në vend të perdeve metalik kishte perde të penjve të hollë të konopit, të lyer me dyllin e bletës.
Beqir Prelezi ka bërë emër në mesin e rapsodëve dhe instrumentistëve më të njohur të Kosovës në shekullin 20. Përveç ekzekutues virtuoz dhe tejet origjinal, ai ka qenë dhe mjeshtër-prodhues i çiftelive. Ka ekzekutuar edhe me instrumente të tjerë, sidomos me sharki por edhe me lahutë, fyell, gajde e instrumente të tjerë, mirëpo në Kosovë është i njohur për ekzekutimin e mrekullueshëm me çifteli.
Për dallim nga rapsodët, të cilët këndojnë dhe ekzekutojnë me çifteli e instrumente të tjera muzikore, Beqir Prelezi nuk ka kënduar, ose ka kënduar shumë rrallë. Ai me tërë shpirtin e tij krijues iu kishte përkushtuar çiftelisë dhe në këtë drejtim ka bërë emër si kryemjeshtër i saj. Aq shumë e ka zotëruar këtë instrument, aq shumë i pasionuar ishte pas saj, saqë ka ekzekutuar jo vetëm në pozitë ulur këmbëkryq, por edhe këmbë, pas shpine, pas qafe dhe në pozita, me të cilat i ka mahnitur dëgjuesit e shikuesit, sidomos nëpër festivalet e folklorit ku ka marrë pjesë rregullisht.
Meloditë e tij të ekzekutuara me çifteli dhe sharki janë melodi antologjike në të gjitha segmentet prezantuese. Ai aq thellë kishte depërtuar në improvizimin e tingujve sa ishte në gjendje të emetonte edhe tingujt e natyrës, cicërimin e zogjve, zërin e bilbilit dhe tërë një harmoni të tingujve që me mrekullinë e artistit i prezantonte para publikut. Është i vetmi ekzekutues në historinë e ekzekutimit muzikor në Kosovë që është ftuar në dasma jo për të kënduar, por vetëm për të ekzekutuar me çifteli dhe me instrumente të tjera popullore.
Beqir Prelezi në shprehjen e botës së tij muzikore ka qenë valltar dhe meloditë që ai i ka improvizuar janë kryesisht valle, të cilat ai i ka sajuar për kreativitet si efekte të veçanta muzikore, me një ritmikë mahnitëse, me cezura dhe vibracion tejet të moderuar. Duke qenë mjeshtër i përkryer, ai sajonte melodinë sipas efekteve të gjenit të tij krijues, me siguri të patrashëguar nga ndonjë instrumentist tjetër. Ai ishte vetë artisti që kishte shpërthyer, ashtu sikur shpërthen burimi i një lumi në kreshtat shekullore.
Afiniteti i tij në interpretimin dhe kombinimin e tingujve, për mendimin tim mund të krahasohet me afinitetin dhe talentin e artistëve të njohur të botës, meqë botën e tij të pasur shpirtërore, ndjesitë, ndjenjat dhe kombinimin me shumë mjeshtri të tërë imagjinatës krijuese, ai e kishte transmetuar përmes tingujve duke sajuar një tërësi harmonike në shumësinë e kombinimit virtuoz të tingujve.
Për dallim nga ekzekutuesit e tjerë të melodive muzikore, të cilët kanë zgjatur e stërzgjatur melodinë, duke përsëritur efektet, apo duke i kombinuar ato, Beqir Prelezi është treguar shumë i kursyer në atë drejtim. Meloditë e tij janë të shkurta dhe gati asnjëra nuk kalon mbi dy minuta. Duke qenë mjeshtër, por edhe hulumtues i disponimit të dëgjuesve, ai ishte kujdesur të mos bëhej monoton, me përsëritje të vazhdueshme të efekteve të njëjta muzikore. Mirëpo meloditë e tij të shkurta ngjallin efekte të fuqishme mobilizuese, duke i segmentuar sipas nevojës e kërkesave të publikut. Meqë improvizonte pa asnjë vështirësi, ai ishte në gjendje ta mbante gjallë kureshtjen e dëgjuesve, duke sjellë vazhdimisht risi me mënyrën e kombinimit të akordeve. Beqir Prelezi kishte shpikur edhe akordin e pestë të çiftelisë, duke ngulfatur paraprakisht telin e poshtëm në njërën prej perdeve të mesit të saj. Në këtë mënyrë ai krijonte një unison, njëlloj isoje e cila i akordon melodive ritmike baritore dhe jep një tingull magjeps për veshin e dëgjuesit.
Kryemjeshtri i çiftelisë ka marrë pjesë në festivale folklorike, që janë mbajtur në Kosovë, por edhe në ish-republikat e Jugosllavisë. Ai ka ekzekutuar mjeshtërisht edhe meloditë e popujve të tjerë, madje ka mahnitur publikun me mënyrën sesi me një instrument të thjeshtë muzikor, me dy tela, ka interpretuar me virtuozitet melodi ndër më të ndryshmet. Për hir të publikut, nëpër koncerte të ndryshme ai ka interpretuar edhe valle ritmike sllave, greke, turke, bullgare, mbase jo vetëm sa për kuriozitet, por edhe sipas kërkesave të organizatorëve të festivaleve.
Beqir Prelezi ka ekzekutuar me mjeshtri melodi epike e lirike, melodi me një timbër të lartë të heroizmit, të shpirtit luftarak shqiptar, melodi me ritmin e tragjikës dhe heroikës shqiptare, të cilat i akordojnë qëndresës shekullore, melodi të fitores dhe krenarisë së ligjshme shqiptare, duke e shkundur nga thellësia shpirtin krijues, gjenin gjenetik, të racës së cilës i takonte. Ai ka qenë mjeshtër i përkryer i cezurës, i tingëllimës artistike e mbi të gjitha mjeshtër i ritmit, meqë çiftelia në akord me instrumente të tjerë më të kombinuar shërben me tepër për të mbajtur ritmin, pasi që nuk i disponon semitonet, gjysmë tingujt.
Për dallim nga të gjithë instrumentistët e tjerë të çiftelisë, Beqir Prelezi i ka kushtuar një rëndësi të veçantë ritmit, harmonisë ritmike të kombinimit të tingujve, prerjeve me shumë mjeshtëri të cezurave, tingëllimës karakteristike e cila akordohet me nivelin e shtypjes së gishtit të perde por edhe lehtësinë e zhdërvjelltësinë e goditjes së telave.
Në vitet 70 të shekullit të kaluar në muzikën folklorike shqiptare lajmërohet edhe një mjeshtër i shquar i çiftelisë dhe instrumenteve muzikore. Ky ishte Ndue Shyti nga Puka, i cili solli risi në orkestrinën popullore të kohës. Përderisa për Ndue Shytin interesohej shoqëria, e cila e kishte ngritur, e kishte mbështetur dhe ia kishte hapur të gjitha dyert për ta manifestuar talentin dhe gjenin e tij krijues, Beqir Prelezi rronte nga zanati, duke shitur çifteli dhe duke marrë pjesë në koncerte, pa pagesë e po ndonjë mbështetje institucionale, edhe pse Radio-Prishtina kishte incizuar një dyzinë melodish, me të cilat për shumë vjet rreth e hapte emisionin e mëngjesit, duke transmetuar 10 deri 15 minuta në ditë meloditë e tij shumë të preferuara për dëgjuesit shqiptarë.
Në mënyrë krejt të natyrshme, në botën e interpretimit me shumë mjeshtëri dhe pasion së çiftelisë, në Kosovë lajmërohet edhe një mjeshtër tjetër i saj, interpretuesi virtuoz, Fatmir Makolli, i cili me të drejtë mund të radhitet me Beqir Prelezin e Ndue Shytin. Këta tre krijues që kanë bërë emër në ekzekutimin me çifteli, për mendimin tim përbëjnë trinomin e mjeshtërve të mëdhenj shqiptarë të interpretimit me këtë instrument muzikor të thjeshtë në dukje, por magjeps me melodi.
Ky trinom i interpretimit me çifteli: Beqir Prelezi, Ndue Shyti dhe Fatmir Makolli ka prekur majat, përtej së cilave nuk mund të shkojë ekzekutimi me pasion i çiftelisë. Fatmir Makolli, e quan mbret të interpretimit, Beqir Prelezin dhe unë pajtohen plotësisht me konstatimin e tij, për më tepër mendoj se në interpretimin e çiftelisë, muzika folklorike shqiptare, – segmenti i çiftelisë ka tre mbretër, tre krye mjeshtër, tre interpretues tejet virtuozë dhe të pasionuar. Të tre këta interpretues kanë krijuar origjinalitetin e interpretimit autonom. Për dallim nga Ndue Shyti dhe Fatmir Makolli, të cilët kanë gëzuar edhe përkrahje institucionale, i kanë pasur dhe i kanë shfrytëzuar mundësitë më të mëdha ta zhvilluar talentin, Beqir Prelezi e ka çarë rrugën e afirmimit krejt i vetëm, pa përkrahje institucionale, por me përkrahje të fuqishme të publikut, muzikë dhe artdashës.
Meloditë me çifteli, të cilat i ka ekzekutuar rapsodi i mirënjohur shqiptar, Beqir Prelezit janë perla të pazëvendësueshme të traditës folklorike shqiptare, janë pjesa më e mirë e improvizimeve me çifteli, e cila mjerisht nuk është ruajtur as është restauruar si duhet dhe sa duhet. Ai ishte ekzekutuesi i çiftelisë, i cili përmes një instrumenti të thjeshtë me dy tela, shprehu një botë të tërë virtuoze, një botë të tërë ndjenjash sublime, një botë të tërë të artit që i referohet shpirtit, jetës në lëvizje, valles ritmike, e cila buron natyrshëm ashtu si gurgullima e lumenjve malorë, buron nga gjeni krijues shqiptar, nga shpirti i cili është shtrydhur gjatë shekujve dhe ngushëllimin e ka gjetur në këngë e valle, meqë kënga dhe vallja rinojnë shpirtin, thyejnë monotoninë, jetës i japin kuptimin e natyrshëm, i japin melodinë e cila pastron ndjenjat, forcon moralin, besimin te forca krijuese e njeriut e mbi të gjitha i përballon me sukses rravgimeve jetësore.
Vallet me çifteli të Beqir Prelezit janë: Valle baritore, valle luftarake apo burrërore, valle të vajzave e nuseve, valle djalërie, por edhe valle pleqërishte si dhe valle të krahinave apo fshatrave të caktuar si valle drenicase, valle podrimçake, valle të Nahisë së Gjilanit, valle muhaxhirësh, valle të qytetit. Një vend me rëndësi në krijimtarinë e tij artistike zënë edhe vallet e luajtura dyshe. Këtë shumësi interpretimi të melodive, Beqir Prelezi e ka begatuar me akordet e shumta të çiftelisë. Ai ka meritën që vetë e shpiku edhe akordin e pestë të çiftelisë të pa njohur deri atëherë, pak të njohur edhe sot, sikur është akordi i bllokimit të telit të poshtëm, në perden e mesit të bishtit të çiftelisë.
Fondi i melodive të ekzekutuara me çifteli e sharki nga Beqir Prelezi, të cilin e disponon Radio-Kosova e Lirë është tejet simbolik. Të shpresojmë se pas këtij shkrimi, ata që do të kenë rastin ta lexojnë dhe të cilët mund të kenë incizuar e ruajtur meloditë e tij nëpër magnetofonë, do të paraqiten në adresën tonë me qëllim për ta nxjerrë në dritë krijimtarinë muzikore të një gjeniu të heshtur, i cili tërë jetën ia kishte kushtuar çiftelisë, melosit popullor të trashëguar dhe të përcjellë nga brezi në brez nga artdashësit e hershëm arbërorë- shqiptarë, që nga Iliria e lashtë e deri në ditët tona. Në melosin popullor që e ka krijuar dhe e ka interpretuar Beqir Prelezi ruhet ADN-ja e melosit autentik popullor shqiptar, i denjë për studime të thella etno-muzikologjike dhe etnokulturore.
Ahmet Qeriqi
4. 5. 2013.