Libri i ri për këngëtarin e shquar Dervish Shaqa, nuk mund të mos e lexohet me një frymë për shumë arsye.
Së pari, ky rapsod ka vlerat më të shëndosha njerëzore e atdhetare, të mishëruara edhe në këngët folklorike, si një shkollë e patriotizmit shqiptar.
Së dyti, ky libër vjen natyrshëm në duart e lexuesit nga pena e atdhetarit dhe veprimtarit të shquar e të devotshëm, Kadri Rexha, profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, i cili me përkushtimin më të madh, përshkruan rrjedhshmërinë e çiltër të jetës dhe veprës atdhetare e folklorike të këngëtarit Dervish Shaqa.
Së treti, një ndër arsyet që të jep kënaqësi të madhe e të veçantë, është se kjo vepër studimore, është e përshkuar tejpërtej nga kthjelltësia e bukurisë gjuhësore të shqipes sonë, që është një nga karakteristikat themelore e ndër më të çmuarat të pasurisë sonë kombëtare.
Së katërti, krahas rrjedhshmërisë së trajtimit shkencor, folklorik, historik, atdhetar, politik, social ka një bukuri të theksuar stilistike e letrare, ka edhe emocione të fuqishme, sepse e tillë është edhe tematika e këngëve të rapsodit të madh Dervish Shaqa, tematikë kjo e dhënë nëpërmjet notave të dhembjes dhe krenarisë kombëtare.
Kadri Rexha, në radhë të parë duke pasur dëlirësinë e zemrës së shëndoshë dhe plot përkushtim për bërjen e Shqipërisë në kufijtë e saj të natyrshëm, i ka lexuar e dëgjuar nuk ka se si më mirë dhe i ka studiuar shkëlqyeshëm jo vetëm këngët e Dervish Shaqës, por edhe historinë kombëtare, letërsinë shqiptare e folklorin, e në këtë kuptim i ka lexuar e i ka dëgjuar dhe i ka studiuar edhe zemrat tona, të të gjithë shqiptarëve që kanë për qëllim bashkimin e atdheut e mbarëvajtjen e tij.
Është e qartë, se me këtë libër, ai i ka bërë Dervish Shaqës një përmendore të gdhendur mjeshtërisht, që rrezaton në shkëlqimin e tabanit atdhetar.
Brezat e rinj të cilët studiojnë letërsinë dhe kulturën popullore shqiptare kanë një vepër të Mr. Kadri Rexhës, nga e cila mund të mësojnë jo vetëm si këndohet kënga folklorike, por marrin edhe kulturën e trajtimit të mirëfilltë teorik, qoftë për këngëtarin, qoftë për tematikën e pasur patriotike, që kumbon nga zëri i artistit të madh popullor Dervish Shaqa. Jo vetëm për studiuesit, por kushdo që e lexon këtë libër, ndjen se fondi i tij pasurohet me vlera të mirëfillta e të shëndosha shkencore e atdhetare.
Kjo vepër është sa biografike, shkencore, aq edhe letrare, emocionale brenda së cilës ka dhembje, por edhe krenari të ligjshme shqiptare e përshkruar me notat më të fuqishme patriotike dhe na kthen në kohërat e më hershme, kur zëri i Dervish Shaqës ishte bërë jo vetëm i zakonshëm në shtëpitë tona, por edhe frymëzuesi i denjë për çlirimin e tërësishëm të Atdheut dhe bashkimin e tij të natyrshëm.
Zëri i Dervish Shaqës na vinte nga Radio Tirana, Radio Kukësi, Radio Shkodra, nga Televizioni Shqiptar, vinte si një jehonë kushtrimi, ngushëllimi e krenarie, si një ilaç për shpirtrat tanë të zhuritur që digjeshin për ta bërë Shqipërinë e tërësishme e të natyrshme me të gjitha pjesët e saj, që ia kanë pushtuar serbët, malazezët, maqedonasit e grekët.
Këngët e Dervish Shaqës vinin bashkë këngët Fatime Sokolit, Aziz Ndreut, Mrika Trumshit, Sali Manit, e këngëtarëve të polifonisë labe si Golik Jaupi e shumë e shumë të tjerëve që janë shpirti i historisë në këngë, lavdisë, krenarisë, i shtytjes e frymëzimeve atdhetare.
Zëri i këtyre këngëtarëve gjithnjë e më shumë i forconte lidhjet shpirtërore të shqiptarëve ngado që ishin e kudo që jetonin. Dhe s`kishte si ndodhte ndryshe, pasi rrethanat e përshtatshme që ishin krijuar në Shqipërinë e atëhershme kanë qenë jo vetëm frymëzuese, por edhe brumi i krijimit të njëmendtë të veprimtarisë kulturore e atdhetare, që kap një shtrirje të tërësishme për të gjitha viset shqiptare.
Dikush mund të thotë me rezervë se Dervish Shaqa, Sali Mani, Fatime Sokoli , Golik Jaupi e shumë të tjerë i kanë kënduar udhëheqësit Enver Hoxha dhe Partisë së Punës, por përgjigjja vjen e menjëhershme dhe nuk mund të ketë asnjë hezitim, sepse këta këngëtarë janë pjesë e Shqipërisë së re, të përparuar dhe të zhvilluar, afërsisht si shtetet të tjera fqinje në pikëpamje ekonomike, (kur dihet fakti se Shqipëria në kohën e Zogut nuk prodhonte as gozhdë), pra këta përçues të historisë dhe krenarisë shqiptare me krijimtari artistike janë pjesë e Shqipërisë e cila rrezatoi mirësi, kulturë, arsim, punë, emancipim, janë pjesë e Shqipërisë, e cila moçalet dhe një pjesë të madhe të viseve malore e bregore i ktheu e i bëri tokë frutdhënëse e buke, prandaj të gjitha këto e shumë të arritura të tjera janë padyshim rezultat i punës dhe veprës dhe udhëheqjes së drejtë atdhetare të Enver Hoxhës dhe Partisë, ndaj zëri i këtyre këngëtarëve dhe shumë e shumë të tjerëve ka dalë shumë natyrshëm.
Dervish Shaqa i bindur për të gjitha këto, i bindur se Enver Hoxha në themel të punës dhe veprës së tij e kishte edhe bashkimin e viseve shqiptare në një Shqipëri të vetme, i bindur se vëllezërit e motrat atje ishin të udhëhequr në pikëpamje tërësisht atdhetare e me të gjitha karakteristikat e shëndosha shqiptare e njerëzore, duke e prekur dhe duke qenë edhe vetë pjesë e këtij realiteti, i bindur se Enver Hoxha, profesorët, shkrimtarët, artistët dhe orientimi kombëtar i shqiptarëve në tërësi në RPS të Shqipërisë po e mbanin gjallë krenarinë shqiptare edhe në Kosovë e viset të tjera shqiptare si dhe në diasporë, se po ushqenin idealin dhe po vepronin për Shqipërinë e bashkuar, shprehet:
“Vatrat tona i kemi lanë
Po n`Shqipni gjetëm nji Nanë
Bacë Enverin, nanë Partinë,
Vëlla e motër gjithë Shqipninë”
Kënga folklorike, popullore jo vetëm atëherë, por edhe tani edhe për të ardhmen ka rëndësi të madhe për të gjithë njerëzit tanë të ndërgjegjshëm atdhetarisht, dhe të drejtuar njerëzisht. Ajo është shprehje e kërkesave shpirtërore, përçuese e emocioneve dhe e ruan e një pjese të mirë të pasurisë kombëtare. Qoftë në planin kulturor, qoftë në planin e një mobilizimi e entuziazmi patriotik, ajo është pazëvendësueshme. Prandaj Mr. Kadri Rexha e ka mbarështuar lëndën e veprës për Dervish Shaqën në këtë shtrat të pasurisë kombëtare.
Për ne ka shumë rëndësi se kënga e këtij rapsodi bashkohet edhe më zërat e tashëm të folklorit dhe këngëtarëve shqiptarë si në veri, si në jug, si në verilindje etj., sepse krijojnë harmoninë e tërësishme për konceptet e Atdheut në përgjithësi.
Në këtë harmoni futen edhe këngëtarë si Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Dava Gjergji, Dida, Çela, Kovaçi, këngëtarë të polifonisë si Tomor Lela, Nazif Çela, Eleni Joshi e shumë e shumë të tjerë, të cilët e mbajnë të ndezur dashurinë vëllazërore dhe ndriçojnë rrugën e bashkimit të Shqipërisë.
Në këto këngë përveç anës ideore shpërthen fuqishëm arti i të kënduarit, i zërave të përshtatshëm me tematikën e këngëve, me ngritje dhe ulje, sipas mallëngjimit, krenarisë, marshimit e heroizmit e i një shpërfaqje të një figuracioni, të krahasimeve, metaforave, rimave, ritmeve harmonike të teksteve dhe të cilësive të tjera të pasura me figura që ngrijnë kokë natyrshëm në këngë së bashku edhe me zërin e mrekullueshëm prej artistësh që e bëjnë shumë të pranueshëm artin folklorik e popullor shqiptar.
Në zemër të Himarës shpërthen kënga labe me përkushtim dhe porsi të qarta atdhetare.
Kënga: “Puthim syrin e lirisë” nga marrëse Eleni Joshi, kthyes Dhimitraq Bala, hedhëse Eleni Mërkuri, dhe iso Harilla Dhimojani është këngë që i bënë jehonë Kosovës dhe bashkimit të natyrshëm të të gjithë Shqipërisë. Dhe ja që në titull e ndjejmë shijen e bukurisë artistike.
Këngët e kënduara për heronjtë e dëshmorët e kombit që kanë përbrenda heroikën e madhështoren, siç janë këngët për Komandantin Legjendar të UÇK-ës Adem Jasharin, për heronjtë e dëshmorët të tjerë si Zahir Pajaziti, Tahir Sinani, Idrit Cara, komandant Kumanova e të tjerëve duhet të gjejnë dritën e studimeve teorike, sepse edhe janë burime për krijimtarinë dhe mbamendjen popullore, duke lënë vulën në fondin e pasurisë kombëtare.
Të tilla këngë është jo vetëm kënaqësi, por edhe pasuri e madhe t`i studiosh, siç ka bërë Mr. Kadri Rexha me këngët e Dervish Shaqës. Kjo mbetet detyrë edhe studiueseve të tjerë për t`i jetësuar këto synime.
Në veprën e Kadri Rexhës, jeta dhe veprimtaria Dervish Shaqës është përshkruar e studiuar që nga fëmijëria e tij në atë pjesë jashtëzakonisht të bukur të Deçanit dhe duke vazhduar derisa i rrezikohet jeta nga UDB – ja, kur gjen rastin e përshtatshëm dhe kalon në Republikën e Shqipërisë për t`u bërë këngëtar i pavdekshëm dhe institucion në vete i patriotizmit shqiptar.
Nuk do të doja të zgjatesha më shumë në këtë shkrim timin, sepse lexuesit që do të kenë rastin për ta lexuar këtë vepër, do të mrekullohen nga studimi i Mr. Kadri Rexhës për këngëtarin e shquar Dervish Shaqa, kënga e të cilit ka porosinë më të madhe për bashkimin e të gjitha viseve shqiptare, për bashkimin e popullit shqiptar në një Shqipëri të vetme e të plotë. Kjo është edhe shquarsia më e madhe që del nga pena e Magjistër Kadri Rexhës.
29.5.2013