Në moshën 56-vjeçare ka vdekur, në Shtime, mësimdhënësi i gjuhës shqipe, Hilmi Uka. Ai ishte pjesëtar i një familjeje të ndjekur dhe të persekutuar nga ish-regjimi komunist i Shqipërisë dhe ish-regjimi jugosllav. Edhe pse në kushte tejet të rënda ekonomike, Hilmiu, falë vullnetit, zgjuarsisë dashurisë së pashuar për dituri, ka kryer studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Ka punuar në Shkollën Fillore “Emin Duraku” dhe së fundmi në Shkollën e Mesme “Naim Frashri” në Shtime. Shquhej në punë për korrektësi, solidaritet, disiplinë dhe seriozitet.
Lajmi për vdekjen e papritur të profesorit të gjuhës shqipe, Hilmi Uka, në Shtime, më zuri në befasi. Jo vetëm se përjetova një dhembje të veçantë, për humbjen e tij, por nuk pajtohesha me faktin se nuk do ta shihja më, nuk do t’ ia dëgjoja atë zërin karakteristik dhe atë qëndrimin e tij të urtë e të njerëzishëm.
Hilmiun e kam njohur në shtator të vitit 1973, kur për herë të parë kisha marrë ditarin dhe kisha mbajtur orën e parë të gjuhës dhe letërsisë shqipe, në paralelen e ndarë të Gjimnazit të Ferizajt, në Shtime. Në pyetjen time se kush çka kishte lexuar gjatë verës, Hilmiu kishte ngritur gishtat dhe kishte filluar të radhiste titujt e veprave që kishte lexuar. Pas tij u lajmëruan edhe të tjerë, por asnjëri prej tyre nuk kishte lexuar vepra gjatë pushimit veror, sa ai.
Ditët, javët e muajt kalonin. Isha ambientuar në mesin e nxënësve, në përpjekjet për të dhënë sa më shumë, për t’ua nxitur më shumë ndjenjat atdhedashëse e liridashëse, madje duke organizuar edhe orë letrare, duke organizuar edhe manifestime në përkujtim të datave të rëndësishme të historisë kombëtare, sikur ishte shënimi me një program të pasur artistik i 95-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, shkak për të cilin më morën në pyetje inspektorët e UDB-së, A. G. dhe N.Sh dhe më ndaluan të vazhdoja atë aktivitet. Hilmiun vazhdimisht e kisha afër, për recitim, por edhe për luajtjen e një roli në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës. Më kujtohet edhe hartimi i parë të tij, dhe shumë kohë më kishte ngelur në kujtesë, jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për shkrimin çuditërisht të bukur dhe gati pa asnjë gabim gjuhësor.
Shquhej nga mesi i nxënësve të tjerë për urtësi dhe respekt që tregonte kurdoherë për arsimtarët, për shokët, shquhej për një të folur të ngadalshëm, paksa duke u skuqur nga ndrojtja mos po gabonte, mos nuk po arrite ta shprehte tërë atë që e dinte. Me kohë kisha vërejtur se për dallim nga të gjithë nxënësit e klasës, ku kishte po ashtu edhe nxënës të tjerë të dalluar, ai shquhej me një qëndrim të lindur, gjithnjë serioz, dukej si një djalë i pjekur para kohe, si një i ri që ishte rropatur në jetë, meqë me familjen shumë anëtarshe me vështirësi po ia dilte…
Gjatë një bisede rasti me M. Bajraktarin, një mik i familjes, emigrant politik nga Shqipëria, shumë vjet më parë kisha mësuar se Hilmiu ishte pjesëtar i një familjeje të përndjekur nga regjimi komunist i Shqipërisë. Babai i tij, Aliu ishte larguar nga vendi, jo se kishte bërë gjë, jo se kishte rënë ndesh me regjimin, por nga frika se pas arratisjes së një miku të tij, ishin përhapur fjalë se edhe atë do ta merrnin në hetime dhe do ta ndëshkonin, sikur zakonisht flitej, por edhe sikur ishte vepruar në disa raste të tilla. M.Bajraktari më kishte rrëfyer edhe për degdisjen dhe kalvarin e vuajtjeve të papërshkrueshme që kishin përjetuar emigrantët politikë nga Shqipëria, meqë regjimi titist i kishte keqpërdorur dyfish, në radhë të parë duke i afishuar si kundërshtarë të regjimit të Shqipërisë, me të cilin ishte në armiqësi Jugosllavia dhe si njerëz që kishin kërkuar dhe kishin gjetur strehë po në Jugosllavi. Me qëllim për të propaganduar sa më të madh numrin e të ikurve, regjimi jugosllav shumë familje emigrantësh nga Shqipëria i kishte dërguar nëpër kampe pune në Vojvodinë dhe në disa qytete të Serbisë. Një pjesë prej tyre kishin kërkuar viza dhe ishin larguar edhe nga Jugosllavia, ndërsa shumica dërrmuese kishte kërkuar të kthehej dhe të rronte në Kosovë, në mesin e bashkëkombësve, duke ndarë me ta brengat e hallet, vuajtjet e mjerimet.
Kjo shtresë e shqiptarëve fatkëqij kishte vuajtur dyfish. Në radhë të parë, sepse UDB-ja kishte përhapur fjalë se ata të gjithë bashkëpunonin me Serbinë, ndërkohë që disa elementë edhe i kishte favorizuar për qëllime të ulëta politike. Pavarësisht mjegullës, që krijonin komunistët jugosllavë dhe ata të “Kosmetit”, emigrantë nga Shqipëria në Kosovë gjeten vëllezërit e tyre, që jetonin e vuanin njëjtë, që rropateshin për të mbijetuar dhe që nuk kishin asgjë kundër-njëri tjetrit, për më shumë, vuajtjet e mjerimin e skamjen i kishin të përbashkëta, ashtu sikur e patën edhe angazhimin për liri, barazi e drejtësi.
Kalvari që kanë përjetuar emigrantët shqiptarë në Jugosllavi është i veçantë dhe me sa di unë askush deri sot nuk e ka studiuar si duhet e sa duhet këtë histori të dhembshme të këtyre njerëzve, që aq pamëshirshëm i kishte degdisur regjimi komunist andej e këndej kufirit, që i ndante përmes shqiptarët.
Hilmiu qysh në rininë e tij të hershme kishte përjetuar golgotën e degdisjes së familjes e familjarëve të tjerë, me të cilët i kishte lidhur i njëjti fat, një tragjedi e heshtur njerëzore, të cilën do ta kuptonte shumë më vonë, dhe të cilën e kishte perceptuar drejt, duke e paraqitur realisht, në raport me kushtet dhe rrethanat shoqërore, në raport me fatin e papërcaktuar dhe të pa parashikuar të individit në shoqëri.
Ai, së bashku me vëllezërit, të afërmit, me emigrantët e tjerë, të cilët regjimi i kishte vendosur, në Shtime, kishte gjetur vëllezër e fqinjë bujarë, të cilët edhe nëse nuk kishin pasur mundësi t’ iu ndihmonin, të paktën kishin ndarë me ta shqetësimin e mjerimin. Ai nuk kishte lejuar kurrë të bëhej vegël e verbër e regjimit për një përfitim momental. Edhe me rastin e shembjes së regjimit në Shqipëri, ai ishte vetëpërmbajtur dhe nuk kishte kërkuar të përfitonte, mbi atë të kaluar, e cila ishte varrosur përgjithmonë.
Puna e tij në arsim ishte për çdo lëvdatë. Ishte i përkushtuar, i sinqertë, i sjellshëm, komunikues, i gatshëm për t’ i ndihmuar kujt do që i drejtohej. Kishte përkrahur pa rezervë luftën çlirimtare, meqë ishte intelektual që i besonte lirisë, i besonte ardhmërisë që do të vinte nga sakrifica e bijave dhe bijve më të mirë e më të dashur të kombit.
Dashuria e tij jetësore ishte arsimi i brezave shqiptarë të Kosovës. I vetëdijshëm se një komb përparon dhe qytetërohet aq sa arrin të arsimohet, ai, që në hapat e parë të jetës, iu përkushtua punës në arsimimin e rinisë, duke punuar me ditar, duke përhapur dritën e rrezatimit kombëtar të fjalëve të Naimit, duke u bërë një me grushtin e ngritur lartë të Migjenit kundër padrejtësisë shoqërore, duke shpjeguar me emocione para nxënësve, porositë e De Radës, Fishtës, të shumë poetëve e shkrimtarëve shqiptarë. Ashtu sikur ishte mësuar dhe sikur e kishte krijuar sistemin e jetës me punë të pandalshme, profesori, Hilmi Uka tërë përkushtim punoi pa u ndalur deri në ditën e fundit të jetës, ditën e 21 majit të vitit 2013, kur ishte nisur për në punë edhe pse nuk ndihej mirë, edhe pse mund të pushonte, edhe pse mund të merrte sa të donte pushim mjekësor, meqë me kohë kishte hetuar një shqetësim në zemër, por nuk ishte shtruar…
Atë ditë, nuk kishte arritur të mbante mësimin para nxënësve.
Atë ditë vdekja e rrëmbeu tinëzisht e pabesisht, e rrëmbeu vetëm trupin e tij, por jo veprat e bujarinë e tij, as dashurinë e tij të pashuar për njeriun, njeriun e thjeshtë, të cilin e takojmë çdo ditë, në çdo vend dhe vetëm kur marrin vesh se është ndarë nga ne, atëherë kujtohemi me dhembje sesa shumë jemi varfëruar…