Lufta fitimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i solli lirinë popullit shqiptar të shtypur e të robëruar ndër shekuj, ka hapur dimensione të reja dhe të shumta në krijimtarinë artistike në përgjithësi, por edhe në të gjitha llojet e artit e të muzikës në veçanti.
Fitorja historike kundër robërisë serbe, është manifestuar me hovin e këngës së lirisë të kënduar për çlirimin, për dëshmorët për pavarësinë dhe për zhvillimin e përgjithshëm shoqëror të Kosovës dhe frymëmarrjen më të lirë të shqiptarëve në gjitha trojet tona.
Kjo gjendje e frymëmarrjes së lirë së shqiptarëve liridashës dhe liri-bërës, pas ngufatjes shekullore është manifestuar me këngë e valle, afirmim solo këngëtaresh dhe grupeve të ndryshme të këngës folklorike apo rapsodike, të këngës popullore, të përpunuar, të lehtë dhe të këngëve të biznesit tregtisë, të repit, rokut, të hutave e zutave, medave e bedave të ndragies dhe laramanisë. Ky shpërthim i ndjenjave është manifestuar në të gjitha gjinitë e krijimtarisë ndërsa muzika burimore, folklorike, ka shënuar një rritje dhe një përhapje të jashtëzakonshme, e cila jo vetëm e ka përballuar tallavanë e rokun, por edhe e ka eliminuar nga konkurrenca, pavarësisht se shumica e medieve elektronike në Kosovë u jep hapësirë këngëtarëve të biznesit për arsye biznesore dhe jo për artin e këngën e mirëfilltë. Prania e këngëve folklorike në mediet elektronike nuk është pasqyrë e vërtetë e preferencave të publikut, por shije e një redaktori të caktuar të muzikës, apo të një biznesmeni të pashkolluar që financon një medium të tillë.
Nga mesi i këngëtarëve popullorë, të afirmuar sidomos pas luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare, kësaj radhe kemi zgjedhur për të marrë në shqyrtim dhe për të veçuar disa nga vlerat dhe dimensionin krijues të këngëtarëve: Rifat Berisha, Rifat Draga dhe Fatmir Bajra. Këta tre këngëtarë, sipas vlerësimit tim i takojnë sofrës së parë të këngëtarëve të afirmuar, jo vetëm në Kosovë, nëse ajo sofër po e zëmë se i zë 12 këngëtarë, sipas shëmbëllesës së 12 fiseve të traditës dokesore shqiptare.
Rifat Berisha është rritur, edukuar dhe frymëzuar me këngën e Dukagjinit, e cila nga shekulli në shekull ka bërë lidhjen gjenetike të shartimit të këngës dhe melosit të Malësisë të Tropojës, Kukësit e Bajram Currit, duke e njëzuar atë me këngën e Dukagjinit, e cila ka gjetur shtrirje deri thellë në Anadrin e në Drenicë. Këngëtari i mirënjohur, Rifat Berisha në repertorin e këngëve të tij ka kënduar dhe këndon këngë atdhetare, historike, këngë të trimërisë, këngë të dashurisë dhe këngë me motive të tjera, të preferuara nga dëgjuesit. Duke qenë i frymëzuar dhe i edukuar me muzikën e trevës ku jeton, ai ka pasur fatin e mirë se është rritur në një trevë, e cila ka dhënë rapsodë shumë të njohur të një konkurrence shumë të fortë si, Dervish Shaqa, i cili ka ushtruar ndikimin më të madh te të gjithë rapsodët shqiptarë, jo vetëm të kësaj ane, dhe jo vetëm të kohës së tij, pastaj kënga e Lan Dobrës, Bajrush Dodës, Augustin Ukajt, Shaqë Avdisë, Nimon Mushkolajt e shumë të tjerëve. Me zërin e tij karakteristik, intonacionin reflektues, fuqinë dhe melodicitetin e timbrit të zërit burrëror, ai ka krijuar stilin e tij origjinal, duke sintetizuar shumëllojshmërinë e akordeve popullore, e cila është pasuruar nga brezi në brez, për të arritur deri në ditët tona me traditën e pastër muzikore, tipike shqiptare.
Rapsodi, Rifat Berisha, kur këndon solo, në duet apo në grup shquhet me karakteristikat tipike të këngës së Dukagjinit, duke i qëndruar besnik trashëgimisë folklorike të rajonit, si bazë elementare mbi të cilën ka krijuar stil dhe origjinalitet, pa ndier nevojë për të thyer barrierat e zonave apo provincave, meqë begatia dhe laramania folklorike e trevës së Dukagjinit është mjaft e begatshme. Vlerësoj se këngëtari, Rifat Berisha ka vepruar mirë në këtë drejtim, meqë në këngën e tij në rrafshin e këndimit të saj, ka prezantuar dhe prezanton një zonë shumë të pasur me këngë, ku konkurrenca ka qenë dhe po mbetet shumë e fortë, meqë në Dukagjin, përveç Rifat Berishës shquhen edhe një mori këngëtarësh të njohur, në Kosovë e më gjerë.
Rifat Draga nga fshati Leçinë, vija ku përafërsisht kufizohet Dukagjini me Drenicën, është po kështu një këngëtar i mirënjohur i këngës folklorike, i afirmuar para dhe sidomos pas luftës në Kosovë, me një repertor të pasur të këngëve ku dominojnë këngët atdhetare, këngët për dëshmorët, por edhe këngët shpotitëse, humoristike e satirike ku kritikohen dhe stigmatizohen dukuritë e shëmtuara shoqërore. Për dallim nga Rifat Berisha, i cili është tipizuar si këngëtar i Dukagjinit, meqë ka trashëguar një stil deri diku të unifikuar të këngës së kësaj zone, Rifat Draga e ka thyer me kohë barrierën e krahinës apo të provincës. Ai, duke qenë edhe i arsimuar dhe vrojtues i vëmendshëm i proceseve në krijimtari, në njëfarë mënyre i ka bërë një shortim këngës burimore të Drenicës dhe të Dukagjinit. Përpjekja e tij në këtë rrafsh ka qenë e suksesshme, sepse kjo përpjekje ka ardhur si rezultat i një vetëdije krijuese, me qëllim të krijimit të një stili unifikues. Ky këngëtar tashmë i afirmuar ka krijuar stilin origjinal, të cilin e ka shtrirë në një dimension gjerë duke ruajtur karakteristikat e këndimit nga një krahinë në tjetrën, por duke veçuar elementin unifikues dhe duke nxjerrë në sipërfaqe një “shortim”, që i josh dëgjuesit e Drenicës, Dukagjinit dhe mbarë Kosovës e më gjerë. Veçantia e këngës së Rifat Dragës, i cili këndon edhe në grup me bijtë e tij, ndërsa ka kënduar edhe me rapsodët më në zë të Drenicës si Tahir Drenica, tashmë i ndjerë, Ibish Broja, Rexhë Kopiliqi, Kadri Duraku e të tjerë, ka të bëjë në radhë të parë me një qasje origjinale ndaj këngës, një qasje që nuk e duron imitimin e drejtpërdrejtë, por bën përpjekje për të krijuar një sintoni të tipizuar. Në të shumtën e rasteve ai ka arritur që këngët, të cilat i ka krijuar vetë t’i shtjellojë me një origjinalitet të lakmueshëm, duke i begatuar me mënyrën origjinale të këndimit dhe duke ndërshtënë edhe elementë krahinorë për ta bërë këngën më të preferuar dhe më origjinale. Këngëtari Rifat Draga ka krijuar një traditë familjare në këngë, duke u paraqitur para publikut, qoftë si këngëtar solo apo në grup me bijtë e tij, të cilët për mrekulli po e trashëgojnë këngën rapsodike të babait dhe gjeneratës së rapsodëve të kohës së tij.
Fatmir Bajra, është një emër i ri në muzikën rapsodike shqiptare, i cili është afirmuar po kështu pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i kënduar trimave e trimëreshave, që dhanë gjakun e tyre të pastër për liri, pa e anashkaluar traditën e begatshme muzikore të Drenicës dhe muzikës rapsodike shqiptare, në përgjithësi. Për dallim nga Rifat Berisha, i cili po mbetet këngëtari aktual, më tipik i Dukagjinit dhe Rifat Dragës i cili i ka thyer me sukses disa barriera krahinore të këndimit, Fatmir Bajra ka sjellë në muzikën rapsodike shqiptare elementin unifikues duke tejkaluar shumë lehtë krahinarizmin, që është karakteristikë e pa anashkalueshme e këndimit dhe duke krijuar një stil po ashtu origjinal, të mrekullueshëm. Edhe pse i ri në moshë, i frymëzuar dhe i edukuar nga muzika tradicionale popullore e folklorike, ka arritur ta pasurojë dhe ta begatojë muzikën rapsodike, duke ruajtur elementet tipike të këngëtarëve të njohur si Rizah Bllaca, Tahir Drenica, Salih e Feriz Krasniqi e të tjerë.
Këngëtari, Fatmir Bajra po kështu këndon solo, duet dhe në grup me vëllezërit e këngëtarët e tjerë, gjithnjë duke i ofruar dëgjuesit një sintezë origjinale të këndimit, duke mbarështuar një seriozitet të lakmueshëm gjatë këndimit me një paraqitje antike, impozante, tipike shqiptare, paraqitje e krenarisë së ligjshme kombëtare jo vetëm në ikonografi. Është kjo një traditë tipike e cila ka mbijetuar nga shekulli në shekull, si pretendim për t’i ruajtur me fanatizëm karakteristikat e racës. Këngëtari, Fatmir Bajra shquhet për një seriozitet të theksuar gjatë këndimit, që është për çdo lakmi dhe i cili jo vetëm po i përballon kohës, por edhe po e manifeston një traditë në rritje e në zgjerim të kohën e konkurrencës dhe laraminisë së të gjitha formave të këndimit, për biznes dhe argëtim. Kënga rapsodëve në përgjithësi ka hapur horizonte të reja të afirmimit në Kosovë e më gjerë, të tilla sikur kanë qenë afirmuar në mënyrë institucionale në Shqipëri gjatë regjimit komunist kur edhe janë krijuar dhe janë afirmuar rapsodët më të njohur dhe më meritorë të kombit, si Aziz Ndreu, Tomë Nikolla, Frrok Haxhia, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa, Sali Mani e shumë të tjerë.
Në periudhën e pas luftës në Kosovë kemi vërejtur se muzika rapsodike shqiptare jo vetëm që nuk ka pësuar, jo vetëm që nuk iu ka nënshtruar rutinës, tallavasë, medalinave, adelinave e cecalinave të konsumit dhe përdorimit ditor, por ajo ka hapur shtigje të reja të afirmimit, duke e rikthyer tërë trashëgiminë e mundshme rapsodike në “Yooutube” dhe në distribucionin e fuqishëm aktual. Po ashtu rapsodët dhe këngëtarët tashmë të afirmuar si Ilir Shaqiri, Shkurte Fejza, Halit Gashi, Fanushe Ahmeti, Remzije Osmani, motrat Krasniqi, motrat Mustafa, Violeta Kukaj, Nimon Mushkolaj, Shyhrete Behluli, Mahmut Ferati, Shaqir Cërvadiku, e disa të tjerë përbëjnë gardën e tërë të këngëtarëve popullorë, të cilët jo vetëm që nuk e tradhtuan traditën e pastër dhe burimore të këngës dhe meolosit shqiptar, por e kanë begatuar dhe po e begatojnë duke e ngritur shkallën e afirmimit në nivelin e mrekullueshëm të këngës kombëtare shqiptare, e cila ka jetuar dhe jeton dhe do të jetojë së bashku me aspiratat për bashkim dhe unifikim kombëtar.
6.7. 2013
Ahmet Qeriqi