Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se zgjedhjet në Burim kanë treguar pjekurinë si shoqëri por kryetari i ri i kësaj komune duhet tani të jetë figura unifikuese e komunës, që do të punojë për secilin qytetar të tij dhe për të mirën e gjithë komunitetit. Haradinaj ka shkruar se procesi zgjedhor në Kosovë u përmbyll me votimin në Burim dhe është procesi deri më sot më i mirë i organizuar.
“I përgëzoj qytetarët e komunës së Istogut për zgjedhje të qeta dhe e vlerësoj përkushtimin e tyre për të marrë pjesë në votim edhe për herën e tretë. Zgjedhja e Istogut është zgjedhje e ndryshimit dhe zgjidhje për të ardhmen e qytetarëve të tij. E vlerësoj punën e të gjithë mekanizmave që janë përkujdesur për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Istog dhe i përgëzoj për punën e bërë. Kryetari i ri i Istogut duhet tani të jetë figura unifikuese e komunës, që do të punojë për secilin qytetar të tij dhe për të mirën e gjithë komunitetit. Procesi zgjedhor në Kosovë u përmbyll me votimin në Istog dhe është procesi deri më sot më i mirë i organizuar. Kjo është një vlerë e demokracisë në Kosovë që po zhvillohet dhe ndërtohet çdo ditë. Zgjedhjet komunale prekin dhe ndryshojnë jetën e njerëzve, prandaj kanë rëndësi jetike për të ardhmen më të mire të qytetarëve”, ka shkruar ai.