Bacë Osmani,
nesër është 2 nëntori …
a thua do të trokas dikush
në derën e vjetër prej druri
po
ka dhe s’ka mundësi
tani në breg të diellit
bëhet fushatë
hahet mish i pjekur
dikush edhe e ha
bukën thatë
dikush pi raki
dikush bënë tregti
dikush lypës
dikush zotëri
dikush servil
dikush zagar
dikush hafi
në breg të diellit
ku dielli ngrohtësinë fali
ranë
bijtë e kësaj toke
ranë
Afrim e Fahri djali
… ta kenë harruar ata këtë ditë
mos qoftë e thënë
ata
që dikur bukën e ngrohtë
nga duar e nënë Qamilës
kanë ngrënë!
ata që me bacë Osmanin dikur
netët kanë zbardhë
jo
edhe nëse është kështu
nuk dua të besoj
jo
nuk dua që sonte gjumin
me ndrojtje ta bëj
sonte jam ty bacë Osmani
atje tek shelgu në oborr
ulu e ndeze një cigare
dhe me hijen time fol
se dheu për të gjallë na treti
kaq të shkapërderdhur
ky 2 nëntor
kaq të shkapërderdhur
na gjeti
bacë Osmani
mos qajë për ata që ranë
qajë për ne
që jemi e nuk jemi gjallë!
2 nëntor, 2013
Mehmet BISLIMI
Sonte do të shkruaj
e habitshme
me këta njerëz
si nuk po mund të kuptohemi
e dhëmbë e dhëmballë
njëri-tjetrit
ia njohim
hiqemi se duhemi
e prapa shpinës me fjalët më të pista
elegji sharjesh thurim
padiskutueshëm
edhe mbretin
edhe shërbëtorin
edhe pushtetin
një ditë
me vete
lumi do t’i marrë
e megjithatë
ne
nuk flasim
mendjen për asgjë nuk e vrasim
se ngrëni gënjeshtra
sa nuk plasim
kur armiqtë na lavdërojnë
ne brohorasim
kur miqtë na qortojnë
nga smira
sa nuk pëlcasim
për të qenë krejt i sinqertë
me veten
me ju
me ata
që nuk po na dëgjojnë
burrërisht duhet ta pranojmë
se
nuk u la gjë pa u bë
nuk u bë asgjë pa u thënë
u bë
a nuk u bë
ajo që kishte për t’u bërë
brenda një rrethi vicioz
po sillet
bota individuale
mbi sfondin e kalldrëmeve kinez
në sheshin e kryeqytetit
po sillet një rrotë
pa histori
që dogji veten e vet
nën përthyerjen e rrezeve në pasqyrë
kjo simetri rrote
dikë do ta shtypë në kokë
dikë në gjoks
dikë do ta lëvizë
dikë do ta ulë
dikë do ta ngre
dikë do ta shkulë
dikë do ta ngulë
dikë …
botë me hile
si nuk i ngritën atdhedashurisë një shtatore
ku do të përkuleshin
në shenjë pendimi
vrasësit e atdheut
në fakt
kohë e pakohë
solli servilët
tam – tamët
debilët
që sillen rreth boshtit të interesit
vallë
të kenë qenë kaq shumë
ku fshiheshin
e ne nuk i kishim vënë re
si kërpudhat pas shiut
mbinë
sa shumë armiq
që miq hiqen
derisa kushtet të piqen
të piqen
e të mos digjen shijet
për ta ngrënë njeri-tjetrin
me dhëmbë
iku burrëria
iku fjalë e dhënë
për ideal
tani ç’t’i themi babaqemos
rrofshin hileqarët
servilët dhe zagarët
buka e ngrënë me hile
në fyt kujt s’i mbet’
as sot ata
buka
nuk po i vret
një shije e hidhur
mbeti nga pas
do të përpiqem me vargje
sonte të të kujtoj
do përpiqem me vargje
sonte
të të vras
me këto vargje sonte
si i marrë
botën do thërras deri në kupë të qiellit
o njerëz
me ndjeni që po shkruaj kaq rrallë
për njerëzit e mirëfilltë
malli më paska rënë
sa shumë
malli
më paska marrë
korrik 2013, CH