Njëri ndër krijuesit e shquar shqiptarë të shekullit 20, pa dyshim se ishte edhe Dhimitër Shuteriqi, i njohur si poet, prozator, studiues, hulumtues i dalluar, hartues tekstesh shkollore dhe publicist. Dhimitri lindi në Elbasan, më 26 korrik të vitit 1915, në një familje të njohur patriotike dhe arsimdashëse. Studimet e para i kreu në Liceun Francez të Korçës dhe ato të larta, për filozofi e drejtësi, në Grenobel dhe Lyon të Francës. Mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Me shkrime letrare ka filluar të merret qysh në vitet ’30, duke u bërë i njohur në shtypin e kohës si poet dhe publicist. Për një periudhë gati 60-vjeçare, e cila shtrihet deri në ditët e fundit të jetës, iu kushtua intensivisht letërsisë dhe veprimtarisë studimore letrare, albanologjike, historike dhe folklorike.
Si shkrimtar dhe romansier Dhimitër Shuteriqi është autor i disa vëllimeve, midis të tjerash: Fyelli i Marsiasit (1963), Një mal me këngë (1975), Maratonomaku ynë (1977), 60 tregime në një (1978), Kur rend hëna nëpër re (1982), Vërshimet e vjeshtës (1984), Kroje kam et (1977), Buka dhe thika (2002) etj. Një numër i madh i veprave letrare janë përmbledhur nën titullin Vepra, në 9 vëllime, më 1982 dhe 1989.
Vepra e tij e gjerë hulumtuese shkencore iu kushtua filleve të qytetërimit shqiptar, duke u bërë sidomos e njohur me botime të tilla monografike dhe historiografike, si Shkrimet Shqipe 1832-1850 (1965), Historia e letërsisë shqipe, apo përmes hulumtimeve dhe studimeve mbi humanistët shqiptarë, figurat e shquara të Rilindjes, historisë së kulturës kombëtare, folklorit etj. Një pjesë e tyre janë botuar si vepra monografike më vete, shumë të tjera të përmbledhura në vëllime të veçanta.
Dhimitër S. Shuteriqi drejtoi për një kohë të gjatë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si kryetar i saj. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave që prej themelimit më 1972 dhe një ndër themeluesit e arsimit të lartë shqiptar.
Ka vdekur më 21 korrik 2003.
Mynever Shuteriqi, kujtime për bashkëshortin, Dhimitrin
Këto vitet e fundit kur shpesh “midis nesh”, i ktheheshim së kaluarës sonë, Dhimitri do të përsëriste: Siç e di, kam pasur telashe, herë të mëdha, herë më të vogla, por asnjëherë aspak të vogla. Telashe me “çensorë” e “mbikqyrës” të shumtë e të ndryshëm, të Partisë e të Pushtetit, por edhe telashe me shokë shkrimtarë, me shijet e gjykimet e tyre, shpesh të pa informuar e jo njohjës të problemeve historiko-letrare. E kishte fjalën për “Historinë e Letërsisë Shqipe” së cilës i kushtoi shumë pasion, shumë vite pune (1946-1983), afro 40 vjet, po dhe brengën që nuk iu nda.
S’kishte menduar ndonjëherë në rininë e vet se do të vinte një ditë që të merrej me historinë e letërsisë dhe ta bënte atë profesion. Është e vërtetë se në vitet studentore në Francë lexonte shumë tekste e manuale histori letërsish të autorëve të njohur, ndiqte me interes aulat e historisë së letërsisë, duke qenë student i filozofisë dhe drejtësisë, por që të bëhej një ditë historian i letërsisë, asnjëherë s’e kishte menduar. Kishte botuar disa artikuj studimorë në vitet 1935-1936 në shtypin e kohës mbi simbolistët e mëdhenj francezë, si Baudelaire, Verlaine, Mallarmé, etj, ishte marrë diçka edhe me kritikën letrare, po kurrsesi me mendimin që një ditë do të bëhej historian i letërsisë shqipe. Megjithatë mendoj se nuk ishte pa një prirje të hershme në këtë drejtim. Gjej në revistën “Përpjekja Shqiptare”, Nr.2, nëntor 1936, f. 24, nën pseudonimin H.H, një shkrim kritik mbi një libër mbi literaturën shqipe të Eqerem Çabejt, me titull “Elemente të gjuhësisë e literaturës shqipe”.
Po të kthehesha në kohë, do të thosha se i ati, Simoni, mësues i pasionuar i letërsisë shqipe, ia kish nxitur, pa e kuptuar, që në fëmini dashurinë për letërsinë shqipe. Dhimitri kujtonte përherë me mallëngjim netët e dimrit në shtëpinë e zjarrit, nën dritën e llambës e të kërcunjve të ullirit që digjeshin në vatër, ku Simoni lexonte me zë një copë nga Budi e Bogdani, më shpesh një vjershë nga Naimi apo një kangjell nga De Rada që atë e mahnitnin. Por sidoqoftë, ishte rasti që e solli të bëhet historiani i letërsisë dhe ky rast zë fill në vitin 1946, kur u bë reforma e madhe arsimore. Në fillim të atij viti atë e thirrën në Ministrinë e Arsimit, për të punuar me programet dhe tekstet e lëndëve humanitare.
Si fillestar në punën me tekstet iu ngroh zemra, që ndër kolegët e tij bënte pjesë edhe Aleksandër Xhuvani, personalitet i njohur në fushën e arsimit, autor i disa teksteve shkollore. Përgatitën atëherë një antologji të komentuar të letërsisë shqipe me tekste nga shumë autorë, midis të cilëve Fishta, Konica, etj., por antologjia qarkulloi vetëm pasi i hoqën faqet me tekstet e autorëve të padëshëruar.
Po i referohem kopjes së vetme të kësaj antologjie, që ai ruante, dhe që sot ndodhet në bibliotekën tonë. Teksti botohet si: “Botim i Ministrisë së Arsimit”, Komisioni pedagogjik. Shtypur në 6000 kopje në Stabilimentin Nr.5, në muajin Dhjetor 1946 Tiranë.
Antologjia ka 479 faqe dhe ndahet në pesë kapituj: Atdheu, Lufta NAÇL, Shoqëria, Natyra, Puna. Aty përfshihen të gjithë shkrimtarët e poetët që kishin bërë emër, një pjesë e mirë e të cilëve do të hiqeshin nga programet dhe tekstet e historisë së letërsisë ose fill pas botimit të kësaj Antologjisë, ose me kalimin e viteve.
Gjergj Fishta përfaqësohej me shkrimet “I dëbuemi” f.50, “Eufrosina” f.234, “Ujku dhe Kali” f.272; Konica me “Naim Frashëri” f.26, “Anadollaku në mësallë” f.196, “Sakuentale-Kalidasa” (përkthim) f.288; Kuteli me “Hanet e Karvanet” f.174, “Lumi i Madh” f.230; Ali Asllani “Dëshira e Labit” f.191; Nexhat Hakiu me “Vajmedet çobankë” f.261; Lasgushi me “Kroi i fshatit tonë” f.365.
Antologjia u hartua për ciklin e ulët (unike). Ajo ishte përgatitur me aprovimin e ministrit të asaj kohe, Sejfulla Malëshovës. Dhimitri, i tronditur për sa kishte ndodhur, iu drejtua këtij të fundit për të marrë shpjegimet e nevojshme mbi arsyet e cungimit të librit që ai si ministër kishte aprovuar. E gjeti duke dalë nga shtëpia e tij me raketat në dorë dhe u shtang nga reagimi i ministrit të vet, i cili, në vend të sqarimit, ia ktheu me indiferentizëm: “Më fal Dhimitër, se jam nisur për tenis.” Më pas Dhimitri mësoi se pozita e Sejfullait ishte lëkundur dhe ai qëndronte formalisht si ministër.
Në vjeshtë të atij viti u ngarkua të drejtonte Institutin e Lartë Pedagogjik dhe të jepte lëndën e letërsisë shqipe dhe atë të folklorit, por pa disa autorë si Fishta, Koliqi, Konica, etj., që nuk i përfshinte programi shkollor i Ministrisë së Arsimit.
Në disa shënime që ndodhen në arkivin e tij, Dhimitri shkruan: “Kjo punë me shkollën nuk më afroi aq me historinë e letërsisë se sa me tekstet, por duke lexuar tekstet, duke i rilexuar, mora një informacion direkt shumë më të gjerë nga ai që kisha deri në atë kohë për letërsinë tonë. Hartimi i teksteve, i programeve, i leksioneve, më futi në mendime. Ishte si një informacion për historianin e nesërm të historisë së letërsisë shqiptare.” Pikërisht në këtë kohë fillon edhe shtegtimi i tij në rrënjët e kulturës shqiptare, me kërkime, zbulime, studime për shkrimet shqipe, humanistët, Rilindjen dhe rilindësit, figurat e shquara të së kaluarës dhe bashkëkohësit, folklorin etj. Ishte kjo kohë që u krijua dhe skedari i tij me skedat që shtoheshin e shumoheshin me shpejtësi, që na futi në vështirësi se akoma nuk e kishim raftin përkatës për sistemimin e tyre. Mungesa e një rafti të tillë e nervozonte së tepërmi, se nuk arrinte t’i përdorte me lehtësi skedat, ashtu të shpërndara siç ishin nëpër sirtarët e shtëpisë.
Dhimitri tanimë kishte bërë përgatitjen e nevojshme shkencore për t’i hyrë punës për “Historinë e Letërsisë Shqipe” që botoi në vitin 1953.
Historia e Letërsisë Shqipe u shkrua tre herë: 1) Prej Dhimitrit për shkollat e mesme, si botim i Ministrisë së Arsimit; 2) Prej një ekipi për Universitetin, më 1959; 3) Prej një ekipi tjetër për Akademinë e Shkencave, më 1983. Të dyja këto të fundit nën drejtimin e Dhimitrit.
Ai, qysh në vitin 1945, kur u hartua antologjia e letërsisë shqipe për Ministrinë e Arsimit, u ndodh në udhëkryq. Nuk u lejuan as atëherë as më vonë, në botimet e 1955, 1959, 1983, disa autorë që konsideroheshin bashkëpunëtorë të fashizmit ose kundërshtarë politikë, ndërkohë që Dhimitri e kishte konceptuar që në krye të herës tekstin e historisë së letërsisë si një histori të plotë të letërsisë shqiptare. Kështu, në një intervistë të vitit 1945, në gazetën e Beogradit “Nasa kizevnost”, Nr.1, janar 1946, të cituar nga Dr. Xhavit Aliçkaj, në librin e tij “Lahuta e Malcisë” e Gjergj Fishtës (Prishtinë, 2000; f.43, 48), Dhimitri shprehej: “Poeti më i dashur i shqiptarëve është Naim Frashëri, por për nga fryma poetike dhe përsosmëria artistike poeti ynë më i madh është Gjergj Fishta”. Dhe më tej autori kosovar tërheq në tekstin e tij edhe një pohim tjetër të Dhimitrit: “Një histori e mirfilltë dhe e plotë e letërsisë shqipe nuk ka si të mos përfshijë shkrimtarët e mëdhenj si Konica, Fishta dhe Skiroi”.
Vendimi i marrë nga lart binte pra ndesh me ndjenjat e tij për artin, me shijet e tij letrare dhe, për më tepër, me formimin e tij letraro-kulturor mbi bazën e përvojave të teksteve të njohura analoge të vendeve të tjera, veçanërisht ato të Francës, që i njihte mirë. U trondit jo pak, por nuk u tërhoq. Besonte se ky ishte një qëndrim i përkohshëm, do të uleshin gjakrat, do të hiqej dorë nga konceptet absurde “si jeta, si vepra” e të tjera si këto dhe do të hapej patjetër, mendonte ai, rruga botimit të një historie të plotë të Letërsisë Shqiptare, ku të përfshiheshin gjithë vlerat kombëtare, jashtë kritereve politike. (Konicën e çmonte shumë për punën e madhe me gjuhën, si stilistin e rrallë, për rolin që luajti në gazetën “Albania”, kurse Fishtës i çmonte ndër të tjera meritën që vuri folklorin në bazë të krijimtarisë së tij.)
“Historia e Letërsisë Shqipe” e Dhimitrit, e vitit 1955, me antologjinë që e shoqëronte, njohu 11 ribotime dhe ai nuk reshti ndërhyrjet pranë Ministrisë së Arsimit, për çdo ribotim që bëhej, për të përfshirë autorët e censuruar. Por gjithnjë do të merrte të njëjtën përgjigje: “Ne nuk bëjmë Histori të Letërsisë për publikun e gjerë. Shteti ka programet e veta për shkollat, dhe tekstet duhet të respektojnë programet.”
Në vitin 1961, nëse kujtohem saktë, Dhimitri mori një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë çështje nga udhëheqësi i Partisë në një mbledhje në Universitetin e Tiranës me intelektualë të fushave të ndryshme të artit, shkencës e kulturës (mesa mbaj mend për marrëdhëniet midis brezave, – të rinj të vjetër). Gjatë një pushimi u ftua të pinte një kafe me Enver Hoxhën dhe në këtë takim të shkurtër, ai gjeti rastin të prekë tërthorazi edhe punën e Historisë së Letërsisë, duke i shtruar mendimin se tanimë jugosllavët meritojnë gjithçka pleqtë tanë kanë thënë për ta. Enveri, tregonte Dhimitri, la menjëherë filxhanin e kafes dhe qetësisht më tha: “Ti e ke fjalën për Pater Gjergj Fishtën. Ai ishte i austriakëve dhe u bë i Italisë fashiste dhe akademik i Duçes. Ne nga ai nuk mësojmë t’u qëndrojmë shovinistëve serb dhe revizionistëve jugosllavë.” Kishte marrë një përgjigje tronditëse, por përsëri nuk u zmbraps dhe as që i shkoi ndër mend të hiqte dorë nga puna e tij mbi historinë e letërsisë shqipe. Dhe kjo buronte nga një bindje e tij e fortë se më mirë të kishim një Histori Letërsie Shqipe pa autorët e anatemuar, sesa të mos e kishim fare.
Kujtonte me dhimbje vitet e tij të shkollës në Liceun e Korçës: kishte mësuar historinë e letërsisë franceze me detaje nga klasikët tek bashkëkohësit, nga shumë të njohurit dhe tek më pak të njohurit, kishte mësuar për shkrimtarë të mëdhenj të botës, kishte mësuar për qytetet malet, lumenjtë e mëdhenj të Francës deri tek lugina e përrenj, por s’kishte pasur një tekst të vetëm për të mësuar letërsinë, historinë, gjeografinë e vendit të vet. Në kujtimet e tij ai shkruan: “Ishte e dhimbshme për një nxënës liceu që libra shkolle shqip të kishte pak, aq pak sa të numëroheshin në gishtat e njërës dorë, ndërsa frëngjisht kishte ç’të doje, me barrë libra, për gjithë lëndët, për historinë e gjeografinë, për algjebrën e trigonometrinë, anglishten, gjermanishten, filozofinë. Manuale të ndryshme për të njëjtën lëndë, të zgjidhje cilën të doje, dhe të mos kishe veçse një antologji të vogël për letërsinë tënde, pale një vepër të Naimit, Çajupit tënd, De Radës, Serembes, Asdrenit…
Më 1930, më ra në dorë nga një Mantho, nxënës përmetar në Lice “Baba Tomorri” i Çajupit dhe nuk vetëm e lexova, por edhe e kopjova duke e gdhirë një natë me atë libër në dorë. Mëkat, t’i lënë fëmijët tanë, shkollarët, pa një tekst që të njohin e të mësojnë Bogdanin e De Radën, Naimin, Çajupin etj.
“Unë kam kënaqësinë që bëra të mësojnë shumë, ndonëse jo gjithçka”, ngushëllohej Dhimitri. Sa herë binte fjala dhe fjala binte shpesh, se brenga nuk iu nga kurrë, do të përsëriste atë që thosh Xhuvani: “Po ç’të keqe ka xhanëm fëmija nga bukuria?!”
Atmosfera disi më liberale e fillimit të viteve ’70, mundësoi, midis të tjerash, marrjen e vendimit për botimin e veprave të plota të rilindasit tonë të madh, Naim Frashërit, nën drejtimin e Dhimitrit. Kjo krijoi shpresa reale edhe për plotësimin e tekstit të Historisë së Letërsisë, që ishte në proces pune, me autorët e kërkuar. Por vendimet e Plenumit IV të vitit 1973 frenuan çdo gjë, mbyllën çdo shpresë e mundësi. Botimi i veprave të plota të Naimit u reduktua në “Vepra të zgjedhura”, të botuara në dy vëllime në vitet 1982 dhe 1985, kurse për Historinë e Letërsisë as që bëhej më fjalë. Një zhgënjim dhe brengë tjetër për Dhimitrin.
Në lidhje me sa thashë Dhimitri shkruan: “Historia e Letërsisë Shqipe ose do të shkruhej ashtu si u shkrua, ose nuk do të shkruhej. Apo më mirë: ose do të shkruhej nga ata që e shkruan, ose do të shkruhej nga të tjerë, që nuk do ta shkruanin ndryshe me një specializim të njëjtë. Fishta, Konica e të tjerë nuk do të figuronin në programet shkollore, pra dhe në faqet e saj, ose do të figuronin me një faqe e me pak rreshta, sipas “porosive” nga lart dhe jo ndryshe, ndryshe nuk mund të shkruhej. Qe një guxim edhe ashtu si u shkrua. Unë isha për një histori të plotë të letërsisë në shkolla. Luftova për këtë por dështova. Preferova të punoj për shkollat edhe pa jasakët, që më imponoheshin, se i shërbeja shkollës, që i shërbeva jo pak.” Në këto kushte Dhimitrit i mbetej vetëm një zgjidhje: të shkruante një Histori të Letërsisë të tijën. Kjo ëndërr iu përforcua pas Pleniumit IV të KQPPSh, kur u shkarkua nga funksioni i tij si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe mendonte se do të kishte kohën e nevojshme. Miku i tij, linguisti i njohur Mahir Domi, bashkëpunëtor i afërt në të gjithë punën që ishte bërë për hartimin e Historisë së Letërsisë, e mbështeti fort në vendimin që tashmë kishte marrë. Regjistrova atëherë një bisedë të gjatë që ai pati me Dhimitrin, për këtë çështje, pas Pleniumit IV: “Tani ka ardhur koha t’i vësh kurorën veprës tënde të jetës, të shkruash një Histori të Letërsisë tënden me Fishtën, Skiroin, Konicën e gjithë të anatemuarit, ashtu siç ka qenë dhe është jeta letrare, ashtu siç e kemi konceptuar bashkë dhe ke luftuar sa herë që të është dhënë mundësia. Ti duhet ta bësh, të takon ta bësh Dhimitër.”
Por mundësia që aspironte, “koha” nuk iu krijua asnjëherë. Në ditarin e tij të datës 11.6.1977, ai midis të tjerash shkruan: “Jam shumë i ngarkuar; duhet të redaktoj përfundimisht Historinë e Letërsisë (botim i Akademisë së Shkencave 1983 – M) të kryeredaktoj botimin e veprave të Naimit dhe të De Radës, të redaktoj me Mahirin korrespondencën e Rilindjes, të përgatit për botim folklorin që kam mbledhur (“Nga kënga e popullit” botuar në 1991 – M) të përgatis botimin e veprave të mija letrare në 9 vëllime, etj. Bëhen pra disa mijëra faqe. Bisedova me Aleks Budën, kryetar i Akademisë së Shkencave, të më jepet një ndihmës.”
Sa herë bisedonim për këtë ngarkesë, për ndihmësin që i ishte premtuar më thoshte: “Hallvë e ftohtë”.
Ndërkohë iu vu punës voluminoze e të vështirë për ribotimin e pasuruar të veprës së tij “Shkrime shqipe të viteve 1332-1850” (Tekstet shqipe dhe shkrimi i shqipes në vitet 879-1800 – botuar nga Akademia e Shkencave më 2005 – M) dhe përgatitjes për një botim të pasuruar të “Fjalorit parabuzukian” (vepër në proces botim nga Akademia e Shkencave – M).
Kjo ngarkesë dhe rrethana të tjera nuk i dhanë mundësinë të realizojë ëndrrën e tij. Ky ishte pengu i tij, ndoshta pengu më i madh i jetës. Por edhe rrethanat e reja të krijuara pas viteve ’90, nuk i dhanë dorë mbasi e gjetën të rënduar nga shëndeti, të lodhur nga mosha dhe nga jeta konfliktuale e atij dhjetëvjeçari të fundit të shekullit. Dy ditë para se të mbyllte sytë përgjithnjë më foli me ngashërim për të fundit herë për Historinë e Letërsisë Shqipe dhe më tha: “Ti e di si e kam shkruar Historinë e Letërsisë Shqipe, ti e di se ç’peng të madh kam pasur”.
Dhimitër Shuteriqi, ca portrete miqësore kolegëve
Me një kalim të shpejtë të lapsit ai e ravijëzonte një portret. Mund të qëllonte të ishte në një mbledhje të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por edhe një kafe me miqtë. Ata që e njihnin nga afër ia dinin këtë dhunti “të fshehtë” shkrimtarit dhe studiuesit Dhimitër Shuteriqi. Shpesh ato merrnin trajtën e një karikature, por askush nuk ia merrte me të keq dhe shpesh qeshnin së bashku. Një galeri e tërë portretesh, realizuar nga Dhimitër Shuteriqi, u prezantuan mbrëmë në qendrën “Tirana Ekspres”, në ekspozitën “Portrete”. Ndonëse në periferi të kryeqytetit, aty ku ende vazhdojnë të jenë magazinat, pranë Stacionit të Trenit, në ceremoninë e hapjes nuk munguan miq e të afërm të artistit, të cilët patën mundësi të rishihnin portretet dashamirëse të kolegëve të tyre dhe, pse jo, të ndanin edhe ca kujtime nga e shkuara. Duke kaluar nga njëri portret në tjetrin, të ndodh të vësh buzën në gaz. Duke u vënë në pah ndonjë karakteristikë të tipareve të tyre, Shuteriqi dëshironte edhe t’i ngacmonte nga pak miqtë e tij. Dhe ja, shquan mes tyre shkrimtarë, piktorë, kompozitorë, përkthyes, gjuhëtarë. Mes galerisë së gjerë, e cila numëron mbi 130 portrete, mund të shquash imazhin e shkrimtarit Nonda Bulka me një balluke të kreshpëruar, poetit Ali Asllani, gjuhëtarit Eqrem Çabej me kokën pak mënjanë, siç e kujtojmë të gjithë prej fotografive të tij, përkthyesit Vedat Kokona, kompozitorit Çesk Zadeja me faqet buçkane, piktorëve Vangjush Mio, Sali Shijaku e Nexhmedin Zajmi, profili imcak i sopranos Marije Kraja, për të vijuar me Ismail Kadarenë, Lasgush Poradecin, Petro Markon, Qamil Buxhelin… Por nuk mungojnë edhe autoportretet me apo pa llullë… Shumë prej tyre sot nuk janë më dhe ekspozimi i imazheve të tyre është një homazh i dyfishtë. Këto vizatime janë përzgjedhur nga një koleksion, që sipas bashkëshortes së artistit, Mynevere Shuteriqi, numëron mbi 500 portrete.
Dimensioni tjetër
Përveç dashamirësisë së Mynevere Shuteriqit, e cila vuri në dispozicion koleksionin e të shoqit dhe është gjithnjë e gatshme për të ndihmuar këdo kur vjen puna për veprën e bashkëshortit, që djemtë e “Tirana Ekspres” të ngrinin këtë ekspozitë ka ndihmuar edhe shkrimtari e studiuesi Moikom Zeqo. Sipas tij, krijimtaria në vizatime dhe skica e Dhimitër Shuteriqit, kryesisht në portrete e peizazhe, dokumentohet qysh në periudhën studentore, në vitet ’30. Znj. Shuteriqi e lidh me periudhën kur ai studioi në Francë dhe pati mundësi të njihte artistë e profesorë të fushës e të vizitonte galeri të shumta. “Ka vizatuar portrete të njerëzve të njohur, të shkrimtarëve francezë, shqiptarë, të cilëve ai u realizonte portrete që u afroheshin karikaturave miqësore. Janë vizatime me përmasa jo shumë të mëdha, që quhen kroki”, thotë Zeqo, teksa shton se të tilla vizatime Shuteriqi realizoi përgjatë gjithë jetës së tij dhe tani që shumica e personazheve të vizatuar nuk jetojnë më, marrin edhe më shuam vlera. “Vizatimet e tij janë interesante, kryesisht të realizuara bardhezi, por ka edhe pak me ngjyra. Një ndër to është Mali i Tomorrit. Përveç portreteve të emrave të njohur, ka fiksuar në letër edhe imazhet e njerëzve të thjeshtë. Ka një galeri të tërë me portrete malësorësh, realizuar gjatë udhëtimeve të tij në Malësi. Është shumë i kujdesshëm në kapjen e detajeve dhe hollësive nga jeta. Janë vizatime të shkëlqyera, të cilat mbërthejnë karakterin e personazhit. Shumë syresh shfaqin tendenca kubiste e futuriste”, shton studiuesi. Sipas tij, vizatimi i jep një tjetër dimension figurës së Dhimitër Shuteriqit, duke u bërë ndër të paktët shkrimtarë që lëvronin edhe pikturën, në krah të Lasgush Poradecit. “Por, nëse Poradeci ka marrë mësime në pikturë, për Shuteriqin ka qenë një pasion”, thotë Moikom Zeqo. Megjithatë, ekspozitës do t’i mungojë aspekti familjar. Dhimitër Shuteriqi ka realizuar dhjetëra portrete të vajzave të tij, të cilat sot varen nëpër muret e shtëpisë së tij, apo të mbesave. “Janë shumë të dashura për ne. I kemi vendosur nëpër mure, të tjera ua kam dhënë vajzave apo mbesave”, thotë Mynevere Shuteriqi.
Në galerinë alternative
Galeria alternative “Tirana Ekspres”, në fund të rrugës “Karl Gega”, ka pritur me shumicë të rinj artistë apo dashamirës të artit. Ata moshatarë nuk janë shumë të shpeshtë andej nga periferia, por me rastin e hapjes së ekspozitës “Portrete” nga Dhimitër Shuteriqi, shumë syresh shkuan mbrëmë. Por, qëllimi i drejtuesve të kësaj galerie nuk ka qenë vetëm tërheqja e një publiku ca më të pjekur në moshë, por pikërisht për t’i njohur të rinjtë me veprën e të vjetërve. Ndaj edhe poshtë çdo portreti janë theksuar mirë emrat e personazheve. Ndërsa në momentin e parë të duket një ide e çuditshme që një ekspozitë e Shuteriqit të hapet në një galeri të tillë, kur e sheh atë duket se lapsi i çlirët u shkon mirë mureve të ish-magazinës, që do të thotë se çka është e bukur shijohet, pavarësisht vendndodhjes së galerisë. Ekspozita e hapur mbrëmë do të qëndrojë e hapur deri në datën 15 tetor.
ALMA MILE -Panorama
Veprat e botuara të Dhimitër Shuteriqit
Kangët e rinisë së parë (1935)
Kangë (1936)
Çlirimtarët, roman (1952)
Fyelli i Marisiasit (1963)
Gjashtëdhjetë tregime në një, tregime
Tregime të zgjedhura (1972)
Një mal me këngë (1975)
Kur rendte hëna nëpër re (1982)
Vërshimet e vjeshtës (1984)
Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850 (1976)
Autorë dhe tekste (1977)
Mbi Barletin dhe shkrime të tjera (1979)
Syte e Simonidës, (1998)