leoni

Isuf I. Bytyçi: Bashkimi i Shqipërisë së vogël…fillimi i drejtësisë së madhe !

Ishte kjo parulla në manifestimin-protestë  të 19 korrikut 2013, që u zhvillua në prag të 100-vjetorit të Konferencës famëkeqe të Londrës, prej orës 18:00 deri 20:30, në sheshin qëndror të Munihut, në Gjermani.


Nuk ishin shoqatat shqiptare, që jetojnë e veprojnë në Mynih, ato që e organizuan këtë eveniment, siç thuhet çuditërisht në disa mjete të informimit. Madje, ato as që e përkrahën këtë manifestim-proteste. Disa nga injoranca e xhelozia e injoruan , ndërsa disa duke e cilësuar si radikale e të rrezikshme protestën, në forma të ndryshme.. edhe e bojkotuan atë. Dikush me zë e dikush nën zë, treguan qartë se në mendësinë e tyre janë  krejtësisht të papërgatitur, për t`u përballur me sfidat, që koha shtron për ne shqiptarët. Ribashkimi i Shqipërisë në kufijtë e saj Natyrale duket se për ta është akoma një  “mollë e ndaluar” së cilës…as që guxojnë t`i afrohen. Megjithatë, ky ishte  vetëm fillimi i një fundi të mbarë, që do të vazhdojnë veprimtarët e përkushtuar shqiptarë drejt bashkimit, me protesta paqësore e jo luftënxitëse, por me kërkesën e qarte:“ Duam Ribashkim kombëtar”, ashtu siç edhe e deshti dhe e shpalli më 28 Nëntor  1912, Plaku i Urtë i Vlorës, Ismail Qemali.


 Aty ishin të ftuar, përveç Prof. Koço Danajt edhe: simboli i qëndresës shqiptare – baca Adem Dema, Ideologu i Çështjes Kombëtare – Akademik Rexhep Qosja, z. Kim Mehmeti, z. Lisien Bashkurti, z. Arif Mati, z. Mehmet Hyda nga Presheva, znj. Donika Gërvalla – Schwarz, z. Bernd Posselt, z. Franz Modl, ambasadorët e shteteve tona të Shqipërise e të Kosovës ( që të  dy  në Berlin), konsulli i Kosovës në Shtutgart, ministri i Diasporës etj.


Pjesa më e madhe e të cilëve mungoi, shkaqet e mosardhjes akoma nuk i dimë, pos z. Koço Danaj që erdhi  nga Tirana, z. Gëzim Kaso nga Italia, z. Mehmet Hyda nga Presheva edhe z. Franz Modl – ambasador nderi i Shqipërisë ketu në Mynih. Ndërsa  z. Arif Mati edhe z. Kim Mehmeti ne pamundesi për t’iu bashkuar protestës sonë, dërguan mesazhet e tyre elektronike, në mbështetje të plotë te evenimentit dhe Shqipërisë sonë Natyrale.


Gjithësesi, në kuadër të Komunitetit Shqiptar, në Mynih të Gjermanisë, me iniciativë të një grupi shqiptarësh nga e tërë Europa, në bërthamën e së cilës vepronte që në fillimet e saj edhe çifti Zonja, u arrit që sebashku edhe me mbështetjen e një grushti veprimtarësh të Mynihut, të organizohej e të kryhej me sukses edhe ky tubim-protestë në qendër të Europës.


Protestë paqësore, kundër vendimeve të Londrës, të cilat ndodhën para 100 vjetësh, në kuadër të të cilave edhe u ndanë  e u coptuan tokat e Shqipërisë, ku dy të tretat  mbetën jashtë kufijve shtetëror të saj. Territori i së cilës u nda në pesë shtete, me qëllim  që të plotësoheshin apetitet shoviniste sllavo-greke.


 


Prej orës 10:00 në një sallë të bukur, brenda një hoteli prane stacionit qendror të Mynihut, i ftuari ynë i nderit Prof. Koço Danaj mbajti një konferecë për shtyp me gazetarë gjermanë e shqiptarë. Gjatë konferencës, atij iu drejtuan një sëri pyetjesh në lidhje me mundësinë e realizimit paqësor të Platformës për Shqiperine Natyrale, si edhe për  Peticionin e dokumentacionet përkatëse drejtuar kancelarive më me zë europiane e atyre më gjerë, në mënyrë që të bëhet i mundur anulimi i vendimeve kriminale të Londrës 13‘. Peticion, ky, i cili do të niste pikërisht n`atë mbasdite..nga sheshi qendror i Mynihut. Midis  tyre, të pranishëm per ta percjellur këtë conference, ishin edhe të derguarit specjalë të TV Rrokum e  TV Shota.


Shqiptarët, para 100 vjetësh kishin dalur nga Perandoria Osmane, të varfër e të pashkolluar me 95 % analfabetë. Ndersa asokohe vendi i shqipeve zvarritej si një viktimë e plagosur keqazi, grekët, bullgarët, serbët e malazezët, suleshin mbi te si bisha, duke grabitur tokat e pasuritë e tij,  me ndihmën e Rusisë Cariste dhe miqve të tyre europianë. Ky pra ishte mëkati e në të njejtën kohë edhe turpi i tyre, duke e justifikuar atë  me preteksin se shqiptarët kishin qenë bashkëpunëtorë të osmanëve, e prej tyre kishin pozita të larta si në udhëheqësi politike, ashtu edhe në atë ushtarake. Tjetra arsye ishte se gjoja ne ishim turq të mbetur e, jo popull autokton, popull i pacivilizuar e të tjera dokrra si këto. Sa i përket civilizimit; po vërtetohet  qarte në shumë tekste historike e shkencore, se cili ishe populli i civilizuar e, cili ishte populli egër, genocidist  e masakrues.


 


Ne ishim në atë kohë popull  i vetmuar, siç thotë diku Akademiku i ynë i nderuar Pofesor Rexhep Qosja:  prandaj edhe fqinjët tanë, në vend që të na mbronin, na ndanë, na vranë, na masakruan..e, në fund sikur të mos mjaftonin të gjitha këto edhe na dëbuan nga tokat e shtëpitë tona. Porse tani kanë ndryshuar punët e, ne shqiptarët…nuk jemi më të vetmuarit e para 100-vjetëve, përkundrazi, sot kemi përkrah nesh vendet më të fuqishme e demokratike: si SHBA-të ashtu edhe forcat më perparimtare te BE-së.


Në këto kohë, sikurse ka marrë mbi supe bashkimin e trojeve shqiptare, ideologu i Shqipërisë Natyrale, Profesor Koço Danaj, po ashtu edhe  çifti Stefan e Donika Zonja nga Tirana, me një mori vështirësish: për arsye të kohës së shkurtër të qëndrimit në këtë vend, sëbashku edhe me një grup te vogël patriotësh, burra e gra të perkushtuar përballë çështjes shqiptare, si Isuf Bytyçi, Januz Veliu, Vjollca Kaçiu, Ferdane Alidemi Bajrami, Hateme Morina, Naim Musa, Xhelal Ferizi etj., i hynë kësaj pune madhore – Manifestimit-Protestë të 100-vjetorit të coptimit të trojeve tona, si edhe kërkesës drejtuar pesë shteteve më të fuqishme të Europës: Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Rusisë edhe SHBA-ve, për bashkim të tokave shqiptare e  rikthimit te drejtësisë e dinjitetit të neperkembur, edhe pse mbas 100 vjetësh.


Porse Shqipëria Natyrale, nuk është pronë vetëm e jona, përkundrazi, ajo duhet të jetë synim i të gjithë shqiptarëve me mendje të ndritura.


Kundërshtarët, skeptikët edhe indiferentët, pavarësisht se u munduan, në fakt nuk ia arritën ta paralizojnë Protestën e 100-vjetorit. Me gjithë vështirësitë financiare, organizative e teknike, ai ndodhi. Madje edhe më mirë seç e kemi pritur. Vlen t`i falënderojme këtu edhe bashkëpunëtorët tanë të jashtëm si Afrim Nura, Lulzim Maliqi, Rexhep Nikçi, Safet Shaqiri, Ekrem Morina, Sabit Isakaj etj, të cilët me kontributin e tyre ndihmuan jo pak në mbarëvajtjen e ketij evenimenti kaq të rëndësishëm.


 


Këngëtari i mirënjohur nga Vlora me origjinë çame, Gëzim Kaso,  i cili jeton e vepron në Itali, edhe pse kishte shkuar në Shqipëri pë t`i kryer pushimet verore, erdhi për të marrë pjesë në këtë manifestim. Para se t’ia fillojë këngës së parë “Kuq e zi për Çamëri” mori fjalën dhe  tha: “Ju përshëndes të gjithë shqiptarëve kudo që jeni e, posaçërish juve në Mynih. Por, me keqardhje ju them se shumë pak njerëz shoh në këtë Manifestim-Proteste! Ju, nuk duhet te keni frikë nga Bashkimi Kombëtar Shqiptar. Nëse do te më duhet ta jepja jetën time, mu në këtë moment në këtë shesh, për keto ngjyra Kuq e Zi, që mbaj në trup, të më besoni do të isha njeriu më i lumtur në këtë botë !”


 


Ndërsa ideologu i Shqipërisë Natyrale, Profesor Koço Danaj tha: “Jo. Nuk jeni pak në këtë eveniment, këtu është Ukshin Hoti, aty Toni Bleri, pak më parë me tërë mbështetjen e tij ishte edhe konsulli gjerman i nderit të Republikës së Shqiperis, Franc Moedl e, përveç sa më sipër t`mos e harroni edhe një gjë: Kjo nuk është festë, në festë vijnë të gjithë, përkundrazi ky është një manifestim-proteste, i cili do ta hapë një Epokë të Re në historinë e kombit shqiptar.


Janë anuluar dy konferenca Ndërkombëtare. U anulua Versaja e 1919-ës, duke e shpërbërë Mbretërinë Serbo-Kroate-Sllovene, të ashtuquajtur Jugosllavi.U anulua Konferenca e Jaltës, duke e ribashkuar kombin Gjerman më 1989-ën në një shtet të vetëm. Tani ka ngeluar pa u anuluar vetëm një Konferencë ndërkombëtare, „konferencë pa protokoll“, e ashtuquajtura „Konference e zeze“ e Londrës dhe, këtë po e nisni ju sot ! Të gjithë ata që ishin sot e ata që kishin dëshirë të jenë në këtë Manifestim e, nuk arritën të jenë, do ta tregojnë veten e tyre duke e nënshkruar Peticionin, i cili më në fund do t`u dërgohet pesë vendeve më të fuqishme të Europës edhe SHBA-ve.“


Ky pra ishte Tubimi-Protestë i parë e i mbarë për SHQIPËRINË NATYRALE, i cili ndodhi në mes të Bavarisë, e brenda shtetit gjerman, i cili e ka përjetuar ndarjen me dekada. Asnjë shtet e popull tjetër nuk e di se sa dhembje e paralizim kombëtar sjell ndarja e teritorit në disa pjesë, përveçse gjermanët se çka do të thotë ajo, pasi edhe ata e përjetuan ndarjen, por për fat të mirë u bashkuan ata. Kemi shpresë se do të na mësojnë e do të na ndihmojnë që t`i bashkojmë edhe ne kokat e bashkë me to edhe tokat.


Ta marrim shembullin e një makine, e cila e ka diku karroserinë e diku tjetër motorin me pjesët tjera përbërëse. A mund të shtyhet në lëvizje? Unë them: Jo! Edhe ju thuani: Jo!


Pra, besoj se pas këtij tubimi, do ta shohin dhe do të jenë më të ndërgjegjësuar e do të marrin vendime për ta rikthyer Drejtësinë në vend e, t`i bashkojnë tokat shqiptare në bashkëpunim edhe me shtetet tjera më të fuqishme të Europës dhe SHBA-ve, të cilat janë gjeneratori i drejtësisë e demokracisë në botë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …