(Arben Kondi: “BARBARËT”, roman; Vepra e zgjedhur, “ILAR”, Tiranë 2012, fq.179)
Nga opusi prej 20 librave të botuara deri më tash të shkrimtarit çam, Arben Kondi, në Njëqintvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, vitin e kaluar u botuan tetë vepra të zgjedhura, me titull simbolik e domethënës: K o s o v ë – Ç a m ë r i. Në këtë komplet të veprave të zgjedhura u botuan: “Shqiptarovrasësi Napolon Zerva”(roman), “Vrasja e dytë e Marko Boçarit (roman)”, “Rikthimi në Çamëri”(roman), “Djaj në Veladon”(roman), “Barbarët”(roman), “Tmerri” (roman), “Poezi e tregime”, dhe “Publicistikë letrare”. Në Panairin e sivjetmë të librit në Prishtinë, autori u paraqit me kompletin e veprave të përmendura dhe me veprat tjera të tij.
Arben Kondi tanimë është shkrimtar i mirënjohur në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, dhe duke marrë parasysh moshën e tij mesatare, është shkrimtar i arrirë dhe mjaft produktiv. Kryetemë dhe kryefjalë e veprave të Kondit janë Çamëria dhe Kosova, pa lënë anash edhe viset e tjera shqiptare, si “Ilirida”, Lugina e Preshevës, tokat shqiptare në Mal të Zi.
“Tmerri”, edhe “Barbarët” janë dy romane kushtuar luftës, krimeve, tmerrit e gjenocidit serb në Kosovë, paçka se romani “Barbarët” (botuar në vitin 2000, e ribotuar më 2012) bënë fjalë edhe për skenat dhe prapaskenat politike, diplomatike dhe ushtarake të aksionit të bombardimeve të NATO-s dhe të marrëveshjes së paqes e marrëveshjeve tjera (si ajo për çarmatosjen e UÇK-së). Kryepersonazhe të romanit janë Xhejms Rubin, zëdhënës i Departamentit të Shtetit të ShBA-ve, bashkëshortja e tij, Kristiene Amanpur, gazetare e mirënjohur e CNN-it, Medelin Olbrajt, ish-sekretarja e Shtetit e ShBA-ve, Hashim Thaçi, ish-udhëheqësi politik i UÇK-së, për të vazhduar me një galeri të tërë personalitetesh (reale), kryetarë shtetesh, ambasadorë, ministra të jashtëm e ministra të mbrojtjes, udhëheqës e komandantë të NATO-s të periudhës së luftës në Kosovë, përfaqësues special në negociata, etj. Të gjitha këto personazhe (reale) lexuesve të moshës së caktuar iu kujtohen, kush për të mirë e kush për të keq.
Romani është i strukturuar në njëzet kapituj (pa tituj), dhe është interesant se 16 kapituj janë me vëllim të barabartë teksti (nga 8 faqe). Kapitulli i parë fillon me takimin e kolegjiumit në zyrën e Sekretares së Shtetit, zonjës Medelin Olbrajt, ku drejtori ndërkombëtar i CNN-it e lajmëron Xhejms Rubinin, zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, se bashkëshortja e tij, Kristiene Amanpur, gazetare e njohur e CNN-it, qe ishte e vendosur ne hotelin “Hayat” në Beograd, qenka zhdukur dhe nuk dihet ku gjendet. Mund ta merrni me mend momentin psikologjik të bashkëshortit, i martuar tek para shtatë muajve, t’i ketë zhdukur gruaja natën e fillimit të bombardimeve, në një vend kur paramilitarët sillen gjithandej të etshëm për krime gjithfarësh, e cila si gruaja e një funksionari të lartë amerikan mund të shërbejë si peng me shumë vlerë për regjimin e Beogradit. Lajmin tjetër të gëzueshëm ia kumton natën në shtëpi me telefon drejtori i CNN-it, që i thotë se Kristiena është shëndosh e mirë dhe se gjendet në Dubrovnik (Kroaci). Se si ka arritur deri atje, me një taksist (shqiptar), Rubini do të merr vesh më vonë, kur bisedon me gruan e tij, ndërsa atë taksist do ta takojnë në hotelin “Grand” në Prishtinë pas përfundimit të luftës, hotel ky që gjatë luftës ishte qendër e krimit dhe kasaphane, ku paramilitarët e Arkanit bënin kërdi. Gazetarja Amanpur i tregon të shoqit atmosferën që po mbretëronte në Beograd në ditën kur do të fillonte bombardimi, se si mbaheshin rok-koncerte në “Sheshin e Republikës” dhe në urën mbi Savë, si forma të kryeneçësisë serbe dhe sfidimi të NATO-s e të Perëndimit; se si bashkë me operatorin për pak kishin shpëtuar pa i zënë paramilitarët e Arkanit në hotelin “Hayat”, ku iu mbetën kamera dhe disa kaseta, ndërsa para hotelit u kishte mbetur xhipi, e këta me taksi kishin ikur prej andej, kishin bërë dhjetë orë rrugë të mundimshme deri në Dubrovnik, duke kaluar nëpër Mal të Zi; se si ishte befasuar kur tek në fund të rrugëtimit taksisti i kishte treguar se është shqiptar.
Në kapitullin e katërt, që është kapitulli më i gjatë i librit, autori përshkruan ecurinë dhe atmosferën e rëndë të Konferencës së Rambujesë, ku delegacioni serb i kryesuar nga presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviqi kapërdisej e tregohej megaloman. Në një takim në Kështjellë, Millutinoviqi i kishte thënë zonjës Olbrajt: “Përse brengoseni kaq shumë për këta shqiptarët? Lernani neve të lirë ta zgjidhim problemin e tyre, sipas mënyrës tonë”! Sekretarja Olbrajt ishte tjetërsua nga arroganca e Millutinoviqit, dhe e kishte pyetur: “Në ç’mënyrë synoni ta zgjidhni, nëpërmjet përndjekjeve masive”? (fq.35). Millutinoviqi që nuk e kishte pritur reagimin e tillë të sekretares Olbrajt, pas kësaj u zbut dhe përpiqej të tregohej tepër i sjellshëm. Ndërkaq, delegacioni shqiptar, i kryesuar nga Hashim Thaçi, “kryengritësi misterioz”, ishin kryesisht me moshë të re. Në vazhdim, autori përshkruan ecurinë e Konferencës, ku poenta kryesore ishte që delegacioni i Kosovës duhej të hiqte dorë nga pavarësia, qoftë edhe përkohësisht, përndryshe aleatët evropian do të na kthenin shpinën dhe nuk do të mund të hynte NATO në Kosovë. Thaçi thoshte “e kam të pamundur të heq dorë prej pavarësisë; kemi gati një shekull që vuajmë e luftojmë për lirinë tonë…”. Duke parë se Thaçi nuk do të nënshkruajë marrëveshjen në të cilën nuk parashihej pavarësia e Kosovës, Medelin Olbrajt e zemëruar, mbajti takim të veçantë me Thaçin, për ta bindur se “pa marrëveshje nuk do të ketë forca ajrore të NATO-s në Kosovë, dhe se serbët do të vrisnin e masakronin më tej popullin tuaj, se do ta humbësh përkrahjen e Perëndimit dhe miqësinë me mua e me z.Rubin, dhe se ti personalisht do të jesh përgjegjës për fatkeqësinë e njerëzve tu”. Thaçi arsyetohej, se komandantët e UÇK-së në terren po bënin presion, e nëse nënshkruaj marrëveshjen, do të më konsiderojnë tradhtar të atdheut. Prandaj, propozoi që marrëveshjen e formuluar nga Xh.Rubin e V.Surroi, ta nënshkruajë Vetoni, e pas dy javësh, pasi të kthehet nga Kosova, do ta nënshkruante edhe vet Thaçi.
Me fillimin e bombardimeve, nisë hakmarrja barbare serbe ndaj shqiptarëve. Serbia i kishte liruar kriminelët e vet nga burgjet, mobilizuar në forca paramilitare e dërguar në Kosovë për të bërë krime e shkatërrime. Forcat policore, ushtarake e sidomos ato paramilitare serbe vrisnin, dhunonin e ndiqnin shqiptarët nga shtëpitë e tyre, i plaçkitnin gjithë çka kishin me vete dhe në shtëpi, e pastaj i digjnin shtëpitë. Madje, edhe në kolonat e ikjes, i ndalnin, plaçkitnin paratë e stolitë, i dhunonin gratë e vajzat e zgjedhura, dhe i vritnin njerëzit e pafajshëm në shenjë hakmarrje për bombardimet që i bënte NATO. Autori përshkruan në hollësi një skenë të tmerrshme të vrasjes së një familje të tërë: dy prindërit, nusen me dy fëmijët dhe dy motrat e një ushtari të UÇK-së (Agimit), që me gjasë ndonjë shqiptar bashkëpunëtor i serbëve iu kishte treguar se cilët ishin (fq. 46-47). Në një vend tjetër, përmendet se si paramilitarët e kishin grirë një foshnje, e kishin zier në kazan dhe ofruar prindërve të foshnjës: “Hani tani, kemi përgatitur një supë të mrekullueshme për ju”. CNN-i transmetonte kronika të tmerrshme, të dërguara nga gazetarja Kristiane, për varrezat masive, të masakruarit në Gjakovë, Krushë të Vogël e të Madhe, Rahovec, Pejë, Prishtinë e gjithë Kosovën. Barbarët, përveç vrasjeve e masakrave direkte, kanë vënë mina të formave të ndryshme (edhe si lodra fëmijësh), nëpër shtëpi, në orendi, në rrugë, ara, fusha, e male, nga të cilat e pësojnë njerëzit.
Në roman spikatet funksionimi i mekanizmit të mikpritjes së refugjatëve të ikur në Kukës, ku hynin nga njëzet e sa mijë refugjatë në ditë, dhe ku kishin shkuar vendasit edhe nga qytetet e tjera për t’i marrë vëllezërit kosovarë nëpër shtëpitë e tyre. Imazhet e tmerreve satelitore po e tronditnin botën. Megjithatë, në politikën dhe diplomacinë botërore kishte asi që e kundërshtonin bombardimin. Në mesin e tyre, jo vetëm Rusia e Greqia e ndonjë tjetër, por edhe ministri i jashtëm i Italisë, Lamberto Dini, proserb i dëshmuar, ishte kundër bombardimit; ai disa herë kishte kërkuar ndërprerjen e bombardimeve, kurse me rastin e festës së pashkëve, në takimin e ministrave të NATO-s kishte kërkuar bile ndërprerjen e përkohshme të bombardimeve për 48 orë, gjë që e kishin kundërshtuar ashpër ministri gjerman Joshka Fisher, dhe ai britanik Robin Kuk. Ndërkaq, në fjalimin e tij me rastin e 50-vjetorit të NATOs, presidenti Bill Klinton theksoi: “NATO do të luftojë deri në fitoren përfundimtare kundër regjimit diktatorial të Millosheviqit”. Por, idenë e Toni Blerit për të hyrë forcat tokësore, nuk e përkrahi Bill Klintoni, nga frika se do vriteshin ushtarët e tij, prandaj e vetmja aleate e NATO-s si forcë tokësore ishte UÇK-ja. Me qenë se koha e bombardimeve po zgjatej, edhe disa zyrtarë të Pentagonit, me një kryeartikull “Lufta e Madalenës”, botuar në “Washinton Post”, e akuzonin Olbrajtin për hyrjen në luftë pa bërë llogarinë mirë. Gabimi i NATO-s në gjuajtjen e kolonës së civilëve afër Gjakovës, ishte pretekst për ta sulmuar zonjën Olbrajt. Sekretari Shtetëror i Mbrojtjes, William Kohen, kishte shprehur keqardhje dhe kërkuar ndjesë për këtë gabim. Duke u ndërlidhur me idenë e ndërhyrjes tokësore të NATO-s, Kohen ishte shprehur optimist për rezistencën e UÇK-së, për të cilën kishte thënë se është formacion ushtarak tepër i disiplinuar dhe se ajo do të jetë forca fitimtare mbi Millosheviqin (65). Planin strategjik të luftës në Kosovë e kishin hartuar bashkë: sekretarja e Shtetit (Medelin Olbrajt), sekretari i Departamentit të Mbrojtjes (William Kohen), këshilltari për Siguri Kombëtare (Sandi Berger) dhe drejtori i CIA-s (Xhorxh Tenet)
Xhejms Rubin tregon se si një serbo-amerikan, në një kafene në Washington i kishte thënë: “NATO dhe Amerika po e bombardojnë atdheun tim, dhe luftën mund ta fitoni, por një gjë mos harroni, se Kosova ka qenë dhe mbetet përjetësisht djepi i Serbisë, se kockat e Stefan Dushanit, krijuesit të Perandorisë së Serbisë edhe sot e kësaj dite prehen në manastirin e Deçanit”. Rubini thotë se hamendej t’i thoshte se Stefan Dushani ka mbetur atje si pushtues, e jo si autokton, por u përmbajt duke parë figurën mjerane të serbit që po dridhej, dhe nuk deshi të hynte në polemikë me te, në praninë e njerëzve që ishin në kafene.
Autori i romanit “Barbarët” me mjeshtri e ka përpunuar letrarisht dhe artistikisht dhe ia ka prezantuar lexuesve periudhën më të bujshme të historisë së Kosovës, dhe ngjarjen kryesore në historinë e botës së fundshekullit njëzet, historinë e luftës tragjike dhe të shpresës për popullin e Kosovës. Në këtë luftë, në role e kontekste të ndryshe, janë involvuar personalitete, organizma e shtete të ndryshme, qoftë me pjesëmarrje të drejtpërdrejt, me përkrahje politike a logjistike, qoftë edhe aso kundërshtare. Figurat e personazheve kryesore ose atyre aksesore, autori i ka portretizuar, realizuar e simbolizuar në mënyrë mjeshtërore artistike e letrare: me vullnete politike, psikologji, emocione e karaktere të ndryshme. Lëndën historike e ka shtjelluar letrarisht në bazë të vërtetave politiko-ushtarake, me ngjarje, vende, data, personazhe konkrete, reale. Kjo bënë që prej faqes së parë deri në atë të fundit, libri të mban të lidhur emocionalisht dhe të përkujton epopenë e luftës reale, nga e cila kemi dalë fitues para katërmbëdhjetë vjetëve. Çdo personazh a ngjarje e shtjelluar në roman, ka adresën reale, të ditëve tona, shumë prej të cilëve edhe sot janë në skenën politike dhe të njohur për lexuesit.
Arben Kondi është krijues i suksesshëm dhe i afirmuar në disa fusha të letërsisë: roman, ese, tregime, poezi. Kryetemë dhe kryefjalë e gati të gjitha veprave letrare të Kondit janë ngjarjet në Kosovë dhe në Çamëri, pa munguar kujdesi edhe për viset tjera shqiptare. Ai kërkon drejtësi dhe korrigjim të padrejtësive, që i janë bërë popullit shqiptar në Ballkan.