Dilaver Goxhaj: Krimi nuk mund të harrohet as përmirësohet kurrë

(Vështrim për librin e Manxhar Takës: “Drithërimat e Katërmbëdhjetës”)

 

Ndoshta mund të na thonë se tani nuk është koha të merremi me histori, ngaqë Greqia dhe Serbia po na “ndihin” të integrohemi në Evropë. Një mendim i tillë mund të pranohej nëse nuk ekziston një lidhje e ngushtë e drejtëprëdrejtë dhe praktike e së kaluarës me të tashmen, në lidhje me një çështje të caktuar. Por çështja e mardhëneve paqësore me Greqinë dhe Serbinë, me interesin e pranimit të Shqipërisë dhe Kosovës në BE, është një çështje aq aktuale, saqë duhet të ndalemi për ta sqaruar. Çuditërisht sot, pothuajse e gjithë shpura e politikanëve shqiptarë, të majtë e të djathtë, shprehen se ne nuk kemi as edhe ndonjë çështje të pazgjidhur me Greqinë dhe Serbinë, të cilën e ka përsëritur disa herë Hashim Thaçi e Sali Berisha, pa folur për dy presidentët kukulla, por që e përsëriti edhe z. Edi Rama në 23 Shtator 2013, gjatë një interviste dhënë një gazeteari grek në Nju Jork. Dhe të gjitha këto deklarata servile të politikanëve tanë justifikohen me pretendimin se bëjmë politikë dhe na interesojnë marrëdhënie të mira me fqinjët, edhe pse Greqia e Serbia nuk kanë kërkuar kurrë falje për asnjë nga megakrimet e bëra ndaj popullatës sonë në Shqipërinë e Jugut dhe në Kosovë. Madje Greqia e mban ende në fuqi ligjin absurd të luftës me shtetin tonë!

 

Dhe për këto krime unë do të analizoj librin “Drithërimat e Katërmbëdhjetës”, të shqiptaro-amerikanit Manxhar Taka, botim  i “KUMI”, Tiranë, 2013. Autori ka qëmtuar për një kohë të gjatë dhe me shumë kujdes materialet dokumentare dhe historike, dhe ka arritur të na japi një tabllo të plotë të ngjarjeve kriminle të kryera nga ushtria greke dhe këlyshët e saj të dalë nga gjiri i ortodosisë së krahinave të Gjirokastrës, Përmetit, Delvinës dhe Himarës, gjatë viteve 1913-1914, për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, (Korçë-Gjirokastër). Dihet se me fillimin e Luftës së Parë Botërore krijohet aleanca e shteteve Ballkanike, duke e përjashtuar Shqipërinë, me synimin që të zgjeronin territoret e tyre shtetërorë në kuriz të tokave shqiptare, edhe pse Fuqitë e Mëdha “i bënë presion Greqisë dhe po e detyronin të tërhiqte ushtrinë jashtë kufijve të Shqipërisë, të cilën e kish pushtuar një vit më pare, (1913), dhe tashti Greqia nxorri kartën e autonomisë së Vorio Epirit, se gjoja populli i besimit të Krishterë, që jeton në këto zona, ka kërkuar me dëshirën e tij të jetë i pavarur nga Shqipëria dhe gjoja me Greqinë”, (f.34). Punën përgatitore për këtë “autonomi” i patën filluar më 27 Janar 1914, në Gjirokastër, në një mbledhje me të ashtuquajturit vorioepirotë dhe menjëherë patën filluar masakrat kundër popullsisë muslimane të Kolonjës, Leskovikut dhe Përmetit dhe në datën 13 Shkurt të po atij viti, po në Gjirokastër, organizuan kongresin për autonominë e Vorio Epirit, ku merrnin pjesë delegatë të zgjedhur filogrekë nga zonat e Gjirokastrës, Kolonjës, Përmetit, Himarës, Leskovikut por edhe të Tepelenës. Është ky veprim i filogrekëve ortodoksë shqiptarë që e detyruan edhe Sali Butkën të shpallte një ligj lufte, ku theksohej se të gjitha ato familje kolonnjare që nuk nxirrnin luftëtarë kundër andartëve grekë dhe ushtrisë së të ashtuquajtur  shtet i Vorio Epirit, një muaj afat kishin të qëndronin në Kolonjë, në të kundërt do të asgjësoheshin. Ndërsa Kryeministri i “shtetit” të Vorio Epirit, Jorgo Zografi, nga Qestorati i Lunxhërisë, në atë kongres deklaroi: “Nuk jemi kundër të mirës së Greqisë e as të Shqipërisë e as të ndonjë vendi tjetër, por ne do të jemi shtet i pavarur dhe sovran që do të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet fqinjë, por kurrë nuk do të lejojmë që Shqipëria dhe Greqia të ndërhyjnë në punët tona të brendëshme”, (f.23).

 

Porsa lexon këto rreshta në librin e Manxhar Takës, vetëtimthi të kujtohet e njëjta deklaratë, e përsëritur po thuaj 8 vjet rresht, (1989-1997), nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova për Kosovën, duke deklaruar se do të mbante lidhje të njëjta midis Serbisë dhe Shqipërisë. Dhe historia përsëritet ekzaktësisht, por pas 80 vjetësh(!!!)

Por edhe deklarata tjetër e kryeministrit Jorgo Zografi: “Ata që nuk e përkrahin shtetin e Vorio Epirit, janë tradhëtarë, në shërbim të shtetit Shqiptar dhe ne me ata natyrisht, do të sillemi si me tradhëtarët”, (f.27), përsëritet në mënyrë identike nga Kryeministri aktual i Kosovës, Hashim Thaçi, bërë kundër forcës politike “Vetëvendosja” në Kosovë, gjatë vitit të kaluar, vetëm e vetëm se pse “Vetëvendosja” kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe mos ekzistencën e “shtetit” të Kosovës. Ja që përsëri historia përsëritet nga “kryeministrat” shqiptarë pas 100 vjetësh! Ç’ndodh kështu me ne shqiptarët!?

Duke lexuar librin e Manxhar Takës, “Drithërimat e Katërmbëdhjetës” bindesh se gjithë egërsia e qeveritarëve dhe ushtrisë greke ishte kryesisht kundër popullsisë muslimane shqiptare të Labërisë dhe Kolonjës, pasi këto dy krahina i kanë rezistuar gjatë gjithë historisë invazionit grek ndaj vendit tonë, ngaqë janë jo vetëm në kufi me atë shtet, por edhe ngaqë janë sulmuar nga shteti Grek me qëllim që të shpopullohen këto krahina nga banorët e tyre autoktonë dhe që janë të besimit musliman.

 

Bazuar në ngjarjet e luftës së vullnetarëve labë kundër ushtrisë greke, në vitin 1914, shtjelluar në librin “ Drithërimat e Katërmbëdhjetës”, s’ka dyshim se pas ndalimit të mësymjes të datës 22 Prill 1914, të 600 luftëtarët vullnetarë kurveleshas dhe disa qindra të tejrë nga fshatrat e tjera të Labërisë, (në ato kushte kur edhe Qeveria e Princ Vidit, nuk kish mundësi t’i mbështeste), mësohet se ato forca nuk ishin më në gjendje të zbrapsnin me sukses ofensivën e 10.000 forcave të ushtrisë greke dhe atyre vorioepirote. Dhe ajo ndodhi për shkak të atij gabimi fatal të Çerçis Topullit, i ndikuar nga një përfaqësi e parisë së qytetit të Gjirokastrës, edhe pse u kundërshtua nga gjenerali popullor golëmas Sulo Beqiri: “Lëre se çfarë thonë ata, por ne të vazhdojmë mësymjen dhe të mos i lëmë t’u zënë këmbët dhè, ndryshe ata do të grumbullojnë forca dhe pastaj nuk do t’i shkulim dot.”, (shih f.98-99). Dhe ashtu ndodhi. Përveç përforcimeve të shumta që sollën grekët, duke përfituar nga ndalimi i papritur i mësymjes shqiptare, duke marrë si shkas natën, por edhe për shkak se ushtria greke afroi nga Janina shumë artileri gjatë asaj nate; për shkak të frontit shumë të gjerë që nga Rëzoma e Delvinës e deri në Odrie, gjë që i jepte armikut mundësi shumë të mëdha për të thyer mbrojtjen tonë dhe për t’i marrë asaj krahët, detyrimisht që forcat vullnetare labe u detyruan të tërhiqeshin në vijat nga nisën mësymjen. Për të krijuar një ushtri fshatarësh me të vërtetë të qëndrueshme, në ato kushte që theksuam, duheshin muaj e muaj. Mospërfillja e këtyre faktorëve do të ishte një gabim fatal. Nëse nuk do tërhiqeshin, pas atij ndalimi dhe mungesës së furnizimeve, ndoshta nuk do të siguronin edhe tërheqjen e popullsisë së Kurveleshit në drejtim të Vlorës.

 

Është interesante se të njëjtën strategji dhe të njëjtën politikë ka ndjekur dhe ndjek edhe Serbia ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, përmes bisedimeve Thaçi-Daçiç! Jo më kot edhe gjatë angazhimit të NATO-s në luftën 78 ditore për çlirimin e Kosovës, 1999, Greqia nuk pranoi angazhimin e aviacionit të saj në atë luftë si dhe mospranimin e përdorimit të aerodromeve të saj nga aviacioni i shteteve të NATO-s, ku dhe vijon të mos e njohi Kosovën si shtet i pavarur.

Historia e “masakrave dhe krimeve të bëra nga andartët grekë gjatë atyre dy viteve, 1913-1914, të cilët therrën dhe vranë rreth 7.000 burra, gra, pleq e fëmijë të pafajshëm, rrafshuan me zjarr rreth 200 fshtra, 7.000 shtëpi dhe kishin grabitur e dëmtuar gjithë pasurinë e Jugut të Shqipërisë”, (f.212-213), u përsërit njëjtë nga ushtria, polcia dhe paramilitarët e Serbisë gjatë dy viteve të po atij shekulli, 1998-1999, të cilët vranë dhe zhdukën mbi 12.000 burra, gra e fëmijë shqiptarë në Kosovë; dogjën dhe rrafshuan mbi 400 fshatra të banuar nga shqiptarë, ku llogariten mbi 10 mijë shtëpi si dhe gjithë pasurinë e Kosovës! Të jetë vallë një shkëmbim përvoje apo një koordinim masakrash midis këtyre dy shteteve ortodokse në Ballkan, kundër shqiptarëve dhe trojeve të tyre?

Ajo që shprehte me indinjatë Edith Durham, në vitin 1914, për krimet e ushtrisë greke ndaj popullsisë muslimane të Labërisë, Çamërisë dhe Kolonjës, duke thënë: “Më duket sikur jam në një ëndër të keqe dhe grekët, edhe sikur një shekull të tërë të bëjnë pendesë, ata nuk mund t’i shlyejnë krimet e urryera që kanë bërë ndaj shqiptarëve”, çuditërisht përsëritet edhe nga Presidentin e SHBA, Bill Klinton, pas 85 vjetësh, në vitin 1999, për krimet serbe në Kosovë, duke thënë: “Popullsia e Kosovës përbëhet nga shqiptarë etnikë, shumica muslimanë… Një vit më parë, (1998), forcat serbe ndërmorrën një shtypje të egër kundër shqiptarëve etnikë në Kosovë dhe qindra mijëra njerëz u shpërngulën nga shtëpitë e tyre… Serbia vendosi 40.000 trupa në Kosovë. Tani serbët kanë filluar të lëvizin nga një fshat në tjetrin, duke bombarduar civilët e duke u vënë zjarrin shtëpive të tyre. Ne kemi parë se si ata marrin njerëz të pafajshëm nga shtëpitë e tyre, duke i detyruar të ulen në gjunjë përtokë  e duke i grirë me plumba; burra kosovarë që i marrin zvarrë duke i ndarë nga familjet; duke i vënë baballarët e djemtë në një radhë e duke i pushkatuar me gjakftohtësi. Kjo nuk është luftë në kuptimin tradicional. Ato janë sulme me tanke e artileri kundër njerëzve të pambrojtur”, (“Ne luftën, ju paqen”, Tiranë, 2000, f.14, 19).

 

Lufta e vullnetërve labë kundër ushtrisë së shtetit Grek gjatë vitit 1914, e demaskoi plotësisht dhe deri në fund atë shtet, ndaj dhe Fuqitë e Mëdha për herë të dytë i dhanë ultimatum Greqisë që të tërhiqej. Shembulli i luftëtarëve labë kundër asaj ushtrie shtetërore kriminale do të mbetet si model i gjallë para gjithë brezave tanë të ardhëshëm dhe popujve të tjerë, përmes botimeve të tilla si ky libër i Manxhar Takës, dhe veprimi propagandistik i këtij shembulli do të jetë jashtëzakonisht i madh. Dhe kjo është një domosdoshmëri në kushte kur marrëveshjet e politikanbërësve shqiptarë me Greqinë në këto dy dekadat e fundit, nuk janë gjë tjetër veçse thellimi marrëveshjes të nënshkruar në 17 Maj 1914, në Korfuz, dhe që njihet me emërin Protokolli i Korfuzit, kur qeveria e Princ Vidit njohu autonominë e Vorio Epirit. Për këtë, boll t’i referohemi librit të Organizatës Kundër Helenizimit e Serbizimit të Shqipërisë, (OKHSH), në të cilin theksohet se: “Pikat shtesë të Protokollit të Korfuzit janë: Kufiri nuk është më lumi Vjosë por ai Shkumbin, sepse deri në Shkumbin kanë arritur investimet greke dhe kishat ortodokse të ndërtuara në stilin grek, që orientimin e kanë nga Athina dhe jo nga Tirana, duke mos u njohur autoqefalia e kishës shqiptare, e themeluar nga Fan Noli. Krijimi i varrezave të “dëshmorëve” të Vorio-Epirit në Këlcyrë duke zhvarrosur fëmijët, grate e pleqtë shqiptarë nga varrezat e Kosinës së Përmetit. Hapja e shkollave greke të ciklit të ulët dhe të lartë aty ku s’ka minoritet grek, si ajo e Himarës, Korçës, Sarandë e Përmet; Universitetit grek të Gjirokastrës i cili pret legalizimin; Kolegji Greko-Shqiptar i ndërtuar në Tiranë, në rrugën e Elbasanit, kurse, përkundrazi, shteti “europian dhe demokratik” grek po asimilon një popull prej 600 000 shqiptarësh, shkuar atje si emigrantë ekonomikë dhe s’lejon hapjen as të një shkolle të vetme në gjuhën shqipe, ku femijët shqiptarë të mund të mësojnë gjuhën e nënës së tyre. Ortodoksia shqiptare nuk konsiderohet më trashëgimi historike fetare e kombit shqiptar, por e grekërve, dhe për këtë opozita, pozita dhe pjesa dërrmuese e klerit ortodoks shqiptar janë pajtuar, përjashtuar At Nikolla Markun, të cilin Janullatosi dhe shovinistët e tjerë grekë janë munduar shumë herë ta sfumojnë sepse është e vetmja pengesë serioze për momentin për të realizuar qëllimet e tij kundër ortodoksisë shqiptare. Konvertimi i shqiptarëve në “grekër”, dhe këtë falë pushtetarëve tanë të të dy kaheve politike, të cilët nëpërmjet legjislacionit të miratuar nga vetë ata, kanë mundësuar shkombëtarizimin e shqiptarëve për të krijuar një komb të Vorio-Epirit “grek”, ndërsa në Kosovë po  detyrohen të regjistrohen si serbë, prandaj vetëm këta 3-4 vitet e fundit janë larguar nga Kosova 66.000 shqiptarë dhe kënë shkuar në Evropë. Ne si OKHSH ju rikujtojmë se Kombi Shqiptar është duke i ndjerë kafshimet çdo ditë e më shumë e nuk është në atë gjumin letargjik që kanë rënë politikanët tanë, por do të jetë i detyruar të vetëmbrohet.”

Ky libër i Manxhar Takës na thotë haptas: Të mësojmë nga mësuesja e jetës për të djeshmen, për të sotmen e më shumë për të nesërmen, ndryshe, e sotmja, nesër bëhet dje. Krimi nuk mund të përmirësohet kurrë.  Historia jonë e luftës për liri nuk do të ndalet kurrë, as nuk do të dorëzohet si institucion i civilizimit.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …