Përveç historisë së begatshme të rezistencës aktive kundër të gjithë pushtuesve, që nga Roma e Bizanti, turku e sllavi, kërçovarët kanë ruajtur ADN-në shqiptare, madje kanë ruajtur elementët më arkaike të këndimit, të cilat, si të tilla, nuk i gjemë në trevat e tjera shqiptare. Kënga e trevës së Zajazit për nga mënyra e këndimit duket se vjen që nga lashtësia dardane ilire, ndërkohë që është e vetmja trevë në Iliridë që ka kombinuar këndimin polifonik me atë monofonik dhe që nuk është karakteristikë e trevave të tjera shqiptare. Kënga e Zajazit dhe përgjithësisht e trevës së Kërçovës dallon nga këngët e të gjitha viseve e trevave shqiptare. Si e tillë ajo meriton të studiohet për të hedhë dritë edhe mbi etnogjenezën mjaft arkaike të kësaj treve. Polifonia autentike e këngëve kërçovare, veçmas ato që këndohen në Zajas ka tipare të polifonisë antike, mbase të kohës homerike. Këndimi në akord të tre zërave, i lartë i mesëm dhe i ulët është një fenomen që nuk hetohet dot në trevat e tjera të Shqipërisë. Kjo formë e kombinimit të zërave i shton melodinë këngës, ngjall emocione te dëgjuesit, sidomos kur në fund të vargut apo strofës, zërat ngrihen për t’u lëshuar ngadalë në fundin e fjalës…
Këndimi arkaik i këngëtarëve të trevës së Zajasit, përgjithësisht është këndim serioz që duket se mbart me vete një formë të meditacionit tipik, një stoicizëm unikat, i cili nuk hetohet në asnjë trevë tjetër shqiptare, por as në trevat e Ballkanit. E veçanta e këtij këndimi hetohet në thjeshtësinë e rrëfimit fragmentar dhe artistik, karakteristikë e këngëve të jugut të Shqipërisë. Kënga tipike e malësorëve të Kërçovës ka edhe karakter meditativ sa në shumë raste, kënga në trio pa përcjellje muzikore duket e njëjtë me meditacionin dhe këndimin arkaik të popujve të Lindjes së Largët, sikur njëlloj këndimi meditativ, jo aq karakteristik për trevat e tjera të Iliridës.
Këtë përshtypje subjektive kam për këto këngë, të cilat gjatë shekujve, mendoj se kanë ruajtur trajtat arkaike të këndimit dhe krejt kjo dëshmon qartë se banorët e kësaj pjese të Iliridës kanë një strukturë të fortë të ADN-së kombëtare, e cila i ka përballuar me shumë sukses, mizorive pushtuese, dhunës së sundimtarëve të ndryshëm të veriut e jugut, të Lindjes e Perëndimit. Ata, pavarësisht zezonave shekullore kanë qëndruar si digë e fortë gjenetike kundër eliminimit dhe asimilimit, edhe pse pësimet kanë qenë të një pas njëshme deri në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila me gjakun e derdhur të dëshmorëve stopoi asimilimin dhe dëbimin nga trojet stërgjyshore.
Mbase krejt kjo ka të bëjë edhe me territorin paksa të izoluar dhe me jetën e pavarur nomade larg ndikimeve të pushtuesve të ndryshëm gjatë shekujve.
Kënga e rrethit të Zajasit në Maqedoni ka karakteristika të veçanta të folklorit shqiptar
Kënga korale kërçovare qëndron, me disa elemente origjinale në mes të këngëve polifonike të Jugut të Shqipërisë dhe këngëve epike të veriut, duke shortuar një këndim të dyzuar, i cili ruan karakteristika arkaike të kohës ilire. Nëse në këtë mënyrë të këndimit nuk kemi elemente ilire e pellazge, atëherë mendoj se nuk kemi ku të kërkojmë gjetkë. Natyra e rezervuar e shqiptarëve të Iliridës, trimëria e guximi i përdorur me mend, mbase edhe me rezervë, po ashtu është karakteristikë e shqiptarëve të kësaj ane të trojeve tona.
Këngët e kësaj treve të Iliridës pa dyshim janë këngët më të frymëzuara dhe më të larmërishme të folklorit shqiptar. Akordi melodik i kënduar me kombinime, kryesisht me zëra të dyzuar është karakteristika e veçantë e këngës kërçovare e veçmas kënga e Zajasit, një trevë liridashëse shqiptare e njohur për trimëri, besë dhe ruajtje të trashëgimisë autentike shqiptare nëpër shekujt gjithnjë të rëndë të së kaluarës.
Për nga mënyra e këndimit, solo, duet dhe në grup, kënga kërçovare duket se ruan elementet më arkaike të këndimit antik. Përderisa në trevat shqiptare shumica e këngëve dalin të unifikuara, kënga e Zajazit ka ruajtur tiparet më arkaike të këndimit, duke kombinuar trajtat e veriut e jugut, duetin e grupin, polifoninë e monofoninë me tipare karakteristikë të këndimit shumë të vjetër. Në asnjë trevë të Shqipërisë etnike nuk kemi vërejtur origjinalitetin dhe autenticitetin e tillë të bashkëdyzuar, sikur në këngët e kësaj treve arkaike të Iliridës shqiptare. Këngët e moçme të kësaj treve duket se nuk kanë pësuar qoftë edhe një element të vetëm ndikimi të këngëve sllave, greke apo turke, ndikime të cilat vërehen ku më shumë e ku më pak në shumë treva të Shqipërisë.
Për dallim nga këngët dhe melosi popullor i trevave të tjera të Iliridës, folklori i trevës së Kërçovës ruan elementet më arkaike të këngës shqipe në përgjithësi. Po ashtu për dallim nga ndikimi i muzikës orientale, që vërehet sidomos në trevat e Kumanovës, Shkupit Tetovës e Gostivarit, kënga Kërçovare po thuajse është kursyer në tërësi nga ky ndikim, duke ruajtur mbase edhe një segment të fuqishëm të muzikës të lashtë, ilire, pellazge, dardane. Edhe ndikimi i këngës bullgare, ndikim i cili është i pranishëm në disa nga rrethet e Dibrës, dhe gjithandej në viset malore të Shqipërisë së Mesme në melosin popullor të Kërçovës, veçmas të Zajasit nuk mund të hetohen ndikime të tilla, për veç në rastet kur ato janë pjesë e melosit të dikurshëm, të përbashkët, paraballkanik. Muzika e kësaj treve ka qene mjaft imune dhe nuk duket se është ndikuar shumë nga muzika bizantine, muzika kishtare, e cila ka qenë e pranishme në meset urbane dhe ka lënë gjurmë jo edhe aq të thella në melosin tonë, ashtu sikur ka ndikuar fuqishëm në melosin e disa popujve të Ballkanit.
Është karakteristik edhe fakti se shumë nga këngët që këndohen në trevën e Kërçovës, sidomos ato nga Kosova apo Veriu i Shqipërisë, konvertohen në stilin e këngës vendëse, që nuk është veçori shumë e përhapur në trevat e tjera. Këtu vërejmë ruajtjen pse jo me një dozë të fanatizmit pozitiv të këngës autentike. Mbase kjo është mënyra autentike, sesi kjo trevë ka mbijetuar me këndimin burimor, krejt pak, për të mos thënë aspak të ndikuar nga muzika e huaj.
Në këngët e moçme të trevës së Kërçovës vërehen reflektime të muzikës pellazgjike apo edhe të asaj trakase. Nëse mund të flitet për një ndikim, nëse vetë treva e Kërçovës nuk korrespondon me elemente muzikore trakase, atëherë kemi të bëjmë me një simbiozë muzikore, e cila doemos se do të duhej të studiohej nga muzikologë profesionistë shqiptarë, të cilët duket se na mungojnë, sidomos në trajtimin e relacioneve të tilla të këngëve marrëse e dhënëse. Shqipëria sot nuk ka më një Ramadan Sokol, apo Qemal Hxhihasan, i cili do të mund ta shpjegonte fenomenin e këndimit rapsodik të këngës së Zajasit, kënga më e veçantë dhe më arkaike ndër të gjitha trevat shqiptare.
Këngët rapsodike të trevës së Kërçovës zakonisht këndohen pa përcjellje muzikore, por edhe me to. Këndimi më fyell e kavall është veçantia e këndimit në këtë trevë, ashtu sikur është edhe këndimi pa instrumente. Këngët këndohen edhe me çifteli e sharki, edhe me orkestrinë, por gjithnjë duke ruajtur origjinalitetin e këndimit, gjithnjë duke i qëndruar besnik traditës, karakteristikë kjo e cila nuk është mbizotëruese në shumë treva shqiptare. Vallet popullore përcillen me curle e lodër, ndërsa mënyra e vallëzimit është mënyrë tipike shqiptare dhe nuk dallon shumë nga trevat e tjera të Iliridës.
Këngëtarët më të njohur të trevave të Kërçovës janë: Vëllezërit Dervishi, (Dervish Dervishi dhe Azem Dervishi) Treshi nga Zajasi, pastaj Daut Zenku, Bexhet Jagodini, Ramadan Zajasi, Hasan Limani, Musa Izeri, Lumturie Axhami-Sejdini, Hazbi Dedja, Sefa i Gjetës, Myfail Jashari, Abidin Ajvazi, Abidin Esati, Hatem Rihani, Mehmedali Qamili, Vahid Mefaili, (ruajtës besnikë i tradiës autentike) e sidomos këngëtarja emblematike e kësaj treve, Besiana Mehmedi, e cila ka arritur që këngën e traditës kërçovare ta sintetizojë e ta përpunojë në nivele të muzikës simfonike duke qenë edhe studiuese e muzikës, mexosoprane dhe solo këngëtare.
(Ahmet Qeriqi)
(Treva e Kërçovës si krahinë e veçantë gjeografike dhe etnografike, e cila në pjesën qendrore të Maqedonisë Perëndimore, ka qenë e banuar që në periudhën më të lashtë parahistorike, të neolitit, nga popullsi bartëse të kulturës mediterane, kurse më vonë nga fise Ilire si Peonët, Linkestët, Deriopët, Dasaretët. Pjesa veriore e Maqedonisë ka qenë e banuar nga fiset Iliro-Thrake dhe Dardanët. Kërçova shtrihet në një fushë tejet pjellore, gjithashtu karakterizohet nga male shumë të lartë që e rrethojnë, dallohen Ujmiri ose Dobra Voda dhe malet e Bistrës. Në rrethinën e Kërçovës gjenden 81 fshatra. Kjo trevë sipas shënimeve zyrtare ka rreth 60 mijë banorë.
Kërçova për herë të parë përmendet në shekullin e dytë para epokës sonë në kohën e luftërave Romake më mbretin të Maqedonisë Perseun, dhe atë më emrin Uskana.
Emri i vjetër nuk mundi të mbijetojë, por u zhduk gjatë kohës së depërtimeve dhe pushtimeve sllave, ashtu si u zhdukën edhe dymbëdhjetë kështjella romake në afërsi të Kërçovës. Përveç gjurmëve të vjetra arkeologjike, të cilat dëshmojnë lashtësinë e elementit shqiptar, sikur janë Arbanasi, Arbanishec Arbanashki në fshatrat Atishtë, mund të përmendim po ashtu varret ilire në Zajas, Trojet në Kaleshe, Manastirishte dhe në Arangjell. Me gjithë përmbytjen sllave që ndodhi në këto vise prej shek. 7 e më këndej dhe sundimit të egër bizantin, elementi autokton shqiptar nuk u asimilua i tëri, por arriti ta ruajë bërthamën e tij të fortë dhe kështu ta mbijetojë mesjetën. Më vonë në gjysmën e dytë të shekullit të XIII, Kërçova bie nën sundimin serb dhe atë për një shekull (1283-1394). Me fillimin e sundimit turk, edhe Kërçova përjeton fatin e vendeve të tjera të Ballkanit. Është me rëndësi të përmendet se Kërçova në kohën e sundimit otoman në shekullin XIV në strukturën e saj shoqërore-ekonomike ka pasur ma tepër shqiptarë më shpërndarje më të gjerë gjeografike se sa sot. Në defterët turq, në Kërçovë përmendet lagja shqiptare, me 71 shtëpi. Shënimet më të sakta mund të gjejmë tek vepra e Sami Frashrit, Kamus al Alam e vitit 1889, ku Kërçova paraqitet si kaza e Sanxhakut në Vilajetin e Manastirit.
Periudha e re fillon me çlirimin e Ballkanit nga sundimi i Perandorisë osmane. Kërçova gjer më sot kaloi nëpër sundimet të reja sllave, periudhë historike kjo e cila është përcjellë me dhunë e mizori çnjerëzore të Viti 1913, në kohën e fillimit të copëtimit të trojeve etnike të Shqipërisë, në Luftërat Ballkanike e përshkoi në zi edhe trevën shqiptare të Kërçovës.
Ky është vit i një masakrimi kundër popullit pafajshëm, kundër pleqve, grave e fëmijëve, të cilët u prenë nëpër xhamia dhe u dogjën nëpër kasollet, ose u varrosën në varreza kolektive, të cilët akoma nuk janë të zbuluara.).