Përmes një komunikate për media Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk garanton funksionimin kushtetues të institucioneve. Sipas LDK-së këtë më së miri e tregon sjellja e tij gjatë këtij viti. Thaçi nuk përfaqëson unitetin e popullit dhe nuk garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Presidenti Thaçi me sjelljet e tij gjatë vitit 2017 ka treguar qartazi se nuk përfaqëson unitetin e popullit, siç ia kërkon kushtetuta”, thuhet në komunikatë.
LDK-ja shton se këto sjellje përfshijnë:
Ndërmjetësimin e tij në ndërtimin e koalicioneve para dhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare;
Pjesëmarrjen direkte e tij në fushatën parazgjedhore në zgjedhjet lokale;
Diskursi iracional i tij duke thirrur qytetarët e Kosovës që të pajisen me pasaporta të Shqipërisë si kundërpërgjigje ndaj institucioneve të BE-së;
Thirrja e tij që qytetarët e Kosovës të protestojnë para zyrave të BE-së në Prishtinë për shkak të mos liberalizimit të vizave.
Diskursi i papranueshëm publik që ai ka përdorur ndaj bashkësisë ndërkombëtare lidhur me Gjykatën Speciale.
Roli i tij negativ në politikën e jashtme duke rrezikuar njohjet e arritura me shumë mund dhe duke dështuar në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare
“Me këto sjellje, Presidenti Thaçi nuk garanton funksionim kushtetues të institucioneve të Republikës së Kosovës. Thirrjet e tilla janë politikisht naive dhe të dëmshme për përpjekjet tona si shoqëri dhe institucione për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës”, thotë LDK.
Prandaj, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk merr pjesë në seancën ku Presidenti Thaçi i adresohet Kuvendit të Kosovës.