Adil Fetahu: Një roman për Çamërinë, dhembjen tonë të madhe

(Arben Kondi: “Rikthim në Çamëri”, botimi i gjashtë, Shtëpia Botuese “Ilar”, Tiranë 2012)

 

Romanin  historik e udhëpërshkrues “Rikthim në Çamëri”, të shkrimtarit Arben Kondi, herën e parë e kam lexuar gjatë një pushimi në fshatin turistik “Mali i Robit”, në qershor të vitit 2011, ndërsa  për herë të dytë e lexova para disa ditëve gjatë qëndrimit në Banjën “Nëna Naile” në Kllokot. Ka shumë urti e aforizma për librin, por unë për këtë rast po e citoj një që thotë se:  “libri është më i vlefshëm se të gjitha përmendoret, ngase ky ndërton përmendore në zemrat e atyre që e lexojnë”. Dhe vërtetë, kur lexon libra për Çamërinë, nuk ka se si të mos krijohen “përmendore” në zemër, për atë pjesë më të bukur të atdheut tonë të “amputuar” padrejtësisht e të dhënë shtetit fqinj (Greqisë). Në hyrje të librit, “Pak fjalë”, autori shtron pyetjen, vallë çfarë zgjidhje do t’i jep Perëndimi çështjes shqiptare, në këtë kapërcyell të mijëvjeçarëve, ndërkohë që Kosova fitoi lirinë, ndërsa” Çamëria mbetet plaga që rrjedh gjak në trupin e kombit”.

 Është ky një roman historik dhe udhëpërshkrues; një udhëpërshkrim i shkëlqyeshëm që autori u bënë vendeve, takimeve, situatave të ndryshme. Pas një shqyrtimi të shkurtër historik që autori jep në  “Vitet gjashtëdhjetë” (fq.9-15), ku përshkruan  përçmimin, vuajtjet dhe persekutimin që u bënte pushteti komunist i Shqipërisë  familjeve dhe personaliteteve të njohura çame  të ikur në Shqipëri pas gjenocidit të pushtetit grek në vitet 1944-1945, në vazhdim flet për mbresat, përshtypjet, peripecitë e udhëtimit dhe qëndrimit në qytete të ndryshme  gjatë një vizite dyjavore, me gruan (Mirelën) dhe djalin (Arbërin) në Greqinë fqinje,  në pritje të vitit të ri 2000. Autori e kishte vizituar Çamërinë disa herë nëntë vjet më parë, i përfshirë nga eksodi i madh, ndërsa gruaja dhe djali po shkonin për herë të parë në shtetin fqinj. Përshtypjen e parë trishtuese e hasin  në pikën kufitare, në Kakavijë, të cilën autori e quan “porta e fatit apo e ferrit”, ku shqiptarët trajtohen në mënyrë shtazarake nga autoritetet greke. Këtë herë, një polic grek e rrahë brutalisht dhe përgjakë një djalë të ri shqiptar, ndoshta se nuk paska qenë në rregull me letrat, por cili ligj ndërkombëtar i justifikon veprimet e këtij polici barbar, shtron pyetjen autori. Destinacioni i parë i udhëtimit ishte Janina, kryeqendra e Epirit të lashtë. Gjatë udhëtimit me urbanin e linjën Kakavijë-Janinë, autori i tretë sytë dhe mendjen thellë  në tokën nënë, e njëkohësisht e huaj! Kur kalon kah Delvinaqi, i kujtohet vrasja e gjeneralit italian Telini, më 27 gusht 1923, i cili ka qenë kryetar i Komisionit ndërkombëtar për vendosjen e kufijve në mes shtetit  shqiptar me atë grek dhe atë jugosllav. Ai u vra për shkak se ishte i ndërgjegjshëm, dhe falë ndërgjegjes së tij dhjetëra fshatra devollite mbeten brenda kufijve të Shqipërisë. Gjyshi i autorit të romanit për një kohë kishte qenë shoqërues i Telinit.

Gjatë rrugës sheh tabelat e vendbanimeve, të shkruara në gjuhën greke me toponime të ndërruara, dhe i kujtohen personalitete historike të atyre vendeve, si puna e Vasil Grebenesë, një nga luftëtarët më të shquar në mbrojtjen e Janinës dhe të Çamërisë në fund të vitit 1912 e fillimet e 1913-es, i cili bashkë me Ismail Qemalin kishin bërë një plan për ngritjen e shqiptarëve në luftë për marrjen e Çamërisë e të Kosovës, por pasi u zbulua plani i tyre, forcat ndërkombëtare e arrestuan në Vlorë dhe e pushkatuan. Pas pushkatimit të major Grebenesë, ministri i jashtëm i Greqisë (në shkurt 1914) e shpalli në Gjirokastër Republikën Autonome të Epirit.

Në Janinë, pas një shkëmbimi të pak llafeve  “çamçe” me një plak janjiot, bënë një foto familjare pranë godinës klasike të Gjimnazit “Zosimea”,  ku janë shkolluar sa e sa figura të shquara të Rilindjes sonë kombëtare, midis të cilëve edhe tre vëllezërit Frashëri. Kur e ka fjalën për Janinën, autori duke u mbështetur në burime të ndryshme, prej Herodotit, Tukiditi, Straboni, e tjerë, shpjegon histori të lashtë të Epirit dhe fiseve ilire që e banonin (Kaonët, Mollosët, Thesprotët). Për ekzistimin e minoritetit grek në Epir, ekziston një mendim, se ata i ka sjellë në këtë trevë Ali Pashë Tepelena, për të punuar si argat në tokat e bejlerëve shqiptarë (fq.29). Madje, edhe akademiku francez, ndonëse ishte adhurues i flakët i helenëve, (Pukvili, i cili ka qenë konsull te Ali Pashë Tepelena),  e njeh Pirron si prijësi ilir i Epirit, e  jo helen. 

Shqetësimi, nervoza dhe tronditja e autorit vazhdon në autobusin e linjës Janinë-Athinë, ku një plakë (mjerisht me origjinë çame nga Konica, prej nga ka qenë edhe gjyshja e autorit të romanit), gërthet e bënë me dorë (“pissu alvanis, pissu” – mbrapa shqiptarët, mbrapa), se si shqiptarët (emigrantë) duhet të shkojnë në fund të autobusit. Nga mesi i autobusit dy rreshta bosh, që i ndanë dhe diferencon udhëtarët shqiptarët prej atyre grekë, ndonëse biletat i kanë paguar me të njëjtin çmim. Në këto momente autorit i vjen ndër mend emri i Ali Pashë Tepelenës dhe i Mustafa Pashë Bushatit, dy pashallarë të fuqishëm shqiptarë,  të cilët edhepse patën mundësi, nuk bënë asgjë për bashkimin e kombit. Autorit i sillet në mendje mbrojtja e Janinës (tetor 1912 – mars 1913), ku ishte plagosur edhe gjyshi i tij,  derisa më 7 mars 1913 armata kryqtare Athinë-Fanaritë, hyri në Janinë, me ç’rast u dorëzuan 550 oficerë dhe 22000 ushtarë, ndërsa 4000 të tjerë mbetën dëshmorë (fq.35).

Në kalim e sipër me autobus, sheh qytetin e Artës, në të cilin thonë se në çdo tre banorë, dy flasin shqip. Prej aty autori ka një kujtim, kur me shokun e tij, Çimin, para nëntë vjetëve kishin punuar, ishin mirëpritur dhe kishin drekuar te një familje shqiptare vendase.  Qytetin e Artës në gjysmën e dytë të shekullit të katërmbëdhjetë e pat shpallur kryeqendër të principatës së tij princi shqiptar, Gjin Bue Shpata, i shquar në luftën kundër hegjemonizmit sllavo-grek. Këtë kujtesë ia prishë shtatorja e Napoleon Zervës, atij krimineli që bëri kërdi mbi popullin e Çamërisë. Me pushtime të tokave të hueja, të shumtën shqiptare, shteti i Greqisë prej 50.000 km/katrore që kishte në vitin 1832, në vitin 1946 arriti ta zgjerojë territorin në 110.000 km katrore!

Kënaqësinë e shikimit të bukurisë së Detit Jon e të pejsazheve, ia prishin tabelat  e emrave të helenizuar të vendbanimeve çame, dhe parullat e shumta antiamerikane e anti-NATO, paçka se Greqia edhe vet është anëtare e NATO-s dhe se Amerika e ka ndihmuar zhvillimin e saj dhe e ka nxjerrë nga kthetrat e komunizmit ortodoks. Gjatë qëndrimit në Athinë,  përveç mikpritjes së paharruar që u bënë miqtë e vjetër, Shyqa me të shoqen-Fluturën, të cilët punojnë atje,  viziton Akropolin, amfiteatro të vjetra e muzeume,  takon bashkatdhetarë të njohur (ndër të tjerë edhe poetin Visar Zhiti),  e kur me grekët komunikon në gjuhën italiane, ata sillen me një servilizëm.  Në Tripoli e pret Vitin e Ri 2000, në një atmosferë të hareshme te vajza e dajës së Mirelës (Ledi me të shoqin Beni dhe me disa mysafirë tjerë). Aty u fol për marrëdhëniet historike dhe aktuale midis grekevë e shqiptareve, për  Marko Boçarin, Kollokotronin, Mijaulin, Andrucin, Bubulinën e komandantët dhe luftëtarët tjerë arvanitas në luftën për pavarësinë e Greqisë; për numrin dhe shpërndarjen e arvanitasve në tërë Greqinë.

Kur flet për Filatin, qytet tipik shqiptar, përshkruan historinë e qytetit, luftërat dhe trimat çamë, si  Muharrem Rushiti, Abedin Dino, Halit bej Frashëri, Çelo Picari, Ahmet Çapari etj, të cilët bënë çmos për ta mbrojtur vendin nga kriminelët grekë, dhe citon vargjet nga kënga popullore: “Prite, prite Kurvelesh/ Se të vjen në ndihmë petriti/, Vjen mbi grekun shesh më shesh/Timi Muharrem Rushiti”. Më 24 shtator 1944 andartët kryen një ndër masakrat më tragjike në Çamëri, me ç’rast therrën si bagëtinë 1286 veta, gra, burra, fëmijë, pleq, plaka, përdhunuan të rejat, me bajonetë u hapen barkun nënave shtatzëna që t’ua nxirrnin foshnjet, të gjallëve ua nxirrnin dhëmbët e florinjtë me dara gozhdash, ndërsa të vdekurve u prenin gishtat për t’ua marrë unazat, paçka se kishin plaçkitur gjithçka që kishin gjetur.

Në Margëllëç kishte shkuar një grua plakë, për ta parë shtëpinë të cilën e kishte lënë kur  si foshnje kishte ikur me familjen në Shqipëri, por jo se nuk i ndihmoi kush ta gjente shtëpinë, veçse nuk e lanë as të vendosej në hotel, e urdhëruan të kthehet në Shqipëri nëse nuk do të përfundojë në polici, për shkak në pasaportën e saj i shkruante: vendlindja – Margëllëç! Telashet që pati gruaja plakë e Margëllëçit, ia bënë autorit të romanit ditën më të rëndë gjatë atij udhëtimi e qëndrimi dyjavor në Greqi, sa që prej hutimit, cigaren e ndezi së prapthi. Autori këtë herë nuk e vizitoi Paramithinë, por para 9 vjetëve e ka vizituar dy herë, dhe e përshkruan historinë e këtij qyteti, si një ndër vendet më të përgjakura të shqiptarëve edhe në vitin 1913, edhe më 1944. Shoku i ngushtë i autorit, Çimi, tregon një detal, se kur kishte punuar te një pronar arvanitas, plaku e plaka që nuk kishin djalë të tyre, e kishin lutur që të bëhej djalë i tyre, “se një gjak  jemi”.

Porosinë e një plake që nga vendlindja e saj, Gumenica, t’ia sjell një grusht dhe, autori e kryen, duke e fshehur dheun në këllëfin e fotoaparatit.

Vizitën qytetit të Pargës, autorit ia kishte rekomanduar madje një punëtore e sigurimit grek (Asfalisë), duke thënë se është më e bukur se Saranda, të cilën ajo e kishte vizituar (mund të merret me mend se me çfarë misioni!). Dhe vërtetë Parga është vend i bukur, e prej kalasë së qytetit shihet e tërë Çamëri. Edhe Parga ka qenë logu i krimeve zerviste në verën e vitit 1944.

Preveza ishte kryeqendra e Çamërisë, ku në janar të vitit 1879 u mblodh gjithë paria shqiptare, në shtëpinë e Abedin Dinos, në një tubim të rëndësishëm për fatin e vendit, tubimi më i rëndësishëm pas Lidhjes së Prizrenit, në kohën kur tokat shqiptare po copëtoheshin e jepeshin Greqisë e Serbisë.  Abedin Dino është figura më e madhe në historinë e Çamërisë. Ai edhe si ministër i jashtëm i Perandorisë Osmane, e mbrojti Çamërinë në vitin 1878 nga pushtimi grek. Në të kthyer, sheh gërmadha në fshatin Koskë e të tjera, si ato të qindra fshatrave të djegura të Kosovës gjatë vitit 1999. Disponimin e udhëtimit ia prishin edhe xhipat e policisë doganore që i vijnë pas, e nuk guxon të fotografojë gërmadha as pejsazhe. Në kufirin shqiptaro-shqiptar, çamo-çam, në Qaftë Botë, përsëri skenë trishtuese, kur policia greke po e tërhiqnin zvarrë për flokësh një djalë të ri, e goditnin në çdo pjesë të trupit deri sa e dërmojnë dhe e përgjakun. Askush nga të pranishmit e shumtë nuk guxon t’i ndihmojë gjë.  Autori për ta kaluar më lehtë kufirin, doganierëve iu flet italisht, dhe ata e marrin menjëherë pa pritur në radhë. Mirëpo, gjatë kontrollit të pasaportave kur e shohin se është shqiptar, e kthejnë të fundit në radhë. Kësi trajtimi kanë shqiptarët nga autoritetet greke me karakterin më negativ ballkanik: nëse shpëton nga dajaku ose nga vrasja, të paktën nuk shpëton nga përçmimi e nënçmimi.

Nga opusi i veprave të zgjedhura të shkrimtarit Arben Kondi, një vend të merituar zë romani “Kthim në Çamëri”. Lajtmotivi i këtij romani është i lidhur me historinë tragjike e të paharruar të Çamërisë, e në kontekste të caktuara autori shpesh bënë krahasime me Kosovën. Me talentin, mjeshtrinë dhe përvojën e tij letrare, përmes këtij romani autori shprushë historinë e dhembshme të Çamërisë, të vërtetën historike dhe reale e shprehë me ndjesinë e shpirtit krijues. Për secilin qytet dhe fshatrat më të njohura, jep një përshkrim të gjeografisë dhe historisë së tij, reale dhe sipas legjendave.  Plagët e paraardhësve i dhëmbin edhe autorit Arben Kondi, si trashëgimtar çam, por ato na dhëmbin e duhet të na dhëmbin edhe të gjithë ne shqiptarëve tjerë. Çamërinë duhet ta mbajmë në mendje e në zemër. Ato plagë e tragjedi nuk guxojmë t’i harrojmë, veçse për to duhet të flasim, ta ngritim zërin, të shkruajmë e veprojmë për të mos e harruar Çamërinë dhe viktimat e shovinizmit e nacizmit grek. Sepse, Çamëria është plaga jonë e pa shëruar,  që kullon gjak e shkakton dhembje, prandaj duhet ruajtur e përsëritur shqetësimet lidhur me Çamërinë, me parametrat historike dhe bashkëkohore. I vetëdijshëm për gjendjen dhe rrethanat ndërkombëtare bashkëkohore, zgjidhjen e problemit të Çamërisë autori e sheh në pajtim me parimet dhe normat e të drejtës ndërkombëtare e pa gjakderdhje, sepse në Çamëri është derdhur shumë gjak shqiptari. Rikthimi i çamëve mysliman në trojet e veta amtare nuk mund të jetë utopi (f. 142). A s’është shembulli i çlirimit dhe i pavarësisë së Kosovës një argument, se drejtësia mund të vonohet, por është e arritshme.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …