Letër nga burgu: Nexhemdin Pireva ( 1955-1994)- letër vëllait nga Burgu i Zabellës së Pozharevcit

Vëlla Adem!

 

Më së paku më ka shkuar mendja që edhe nëna vjen në vizitë kësaj radhe, por gjithçka po ndodhka. U gëzova pa masë që u takuam edhe njëherë për së gjalli. Ishte plakur shumë, e ka plakur sëmundja shumëvjeçare, beso që mbasi që ka ardhur me ju edhe e mbështjellë, se përndryshe unë me njohtë atë jo.  Ka ndërruar shumë, m’u duk se ka mbetur një grusht njeri. Po ju qortoj pak juve, pse mos me e marrë Besimen, në mënyrë që me ia lehtësue rrugën asaj, ka me kalue  kohë e gjatë e ajo ke me ndie veten të lodhur e të këputur. Më tha se vështirë e kam me e gjetë, gjallë. Thuaj nënës mos ke dert se kam me t’gjet’ gjallë e bile edhe t’fortë.

 

Vëlla! -më njofto si kaluat rrugës në kthim, dhe në orën sa arritët në shtëpi. Ju vërejta se kishit qenë të lodhur, me siguri nuk e keni planifikuar vizitën që të tre, por ti ke dashur të vish vet me autobus apo me tren, e me ardhur daja çdo muaj me siguri edhe ju ishit ardhur me veturë, sikurse kësaj radhe. Baba ish mirë me shëndet, gjithashtu edhe ti ishe mirë, e gëzohem që punët në punëtori po venin mirë, e ty të brengos ajo që edhe unë me qenë në shtëpi kishin me shkuar punët edhe më mirë është e pamohuar thënia jote. Edhe unë do ta kaloja  më mirë se sa këtu në burg. Kështu e ka jeta, kush në burg, e kush në liri, krejt e kam të qartë, çdo fjalë më shumë është e tepërt. Kemi kaluar qaste të këndshme në takimin që shkoi, kjo është përshtypja ime, e përshtypjet tuaja m’i përshkruaj në letër.

 

Më tregove se grurin ende nuk e keni mbjellë, e drutë ende nuk i keni siguruar për dimër. Gruri mbillet më lehtë, sa edhe me korrë, e drutë kanë punë, duhet me i pre në mënyrë primitive, me sëpatë, edhe terreni me i lartë është tejet i vështirë, e po të kishin  një moto-sharrë, për dy-tre ditë i kishit kryer.

 

Pakon e mora, s’peshonte më shumë se gjashtë kilogram, nëse skeni me çka me e mbushë, herave të tjera  futni purri, qepë, hudhra… Mos i mbështillni me qese najloni, thua se i dërgoni bukë ndonjë argati në mal, kështu po më duket mua.Me siguri po më duket mua pasi që po shoh nga të tjerët se çfarë përgatitjesh i bëhen paketës, gjithçka nga pak e bëhet mjaft. Me zarzavate që gjenden në shtëpi e mbushni pakëtën, me  speca të mbushur apo sarma, apo manti, ndonjë sallatë e zier me pak mish dhe shumë gjellra të tjera….

Të re s’ka asgjë, krejt me të vjetrën po shkon. Për festë paketa lejohet më e rëndë se sa rëndom, tetë kilogram më tepër, e ty të porosisë që me 28 apo 29 tetor 1987, e futë një paketë në postë prej 6 kg. 1 kg çaj, 1 kg pemë, e në vizitë mundeni me ardhur kah 21 nëntori dhe mund të merrni një  paketë me peshë deri  në 14. kg.

Tjetër nuk po di çfarë t’iu  shkruaj as të iu kërkoj.

Ju përshëndes të gjithëve me radhë.

Më shkruaj më shumë.

 Vëllai  juaj, Nexhmedin Pireva  

( Shtator 1987)

Kjo letër botohet në 33-vjetorin e demonstratave të marsit e prillit të vitit 1981

 

Nexhmedin Pireva u dënua me aktgjykimi i grupit të dytë të të rriturve, të Besisë, më  2 gusht të vitit 1981. (P. Nr. 110/81), nga Gjykata e Qarkut, në Prishtinë, e cila ia shqiptoi dënimin 13 vjet burg.

 

Në këtë letër të Nexhemdin Pirevës hetohet më së miri se cila ishte gjendja e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet e Serbisë. Edhe pse i ri dhe i kalitur për të qëndruar në të gjitha segmentet që nënkuptonte qëndresa, ai në komunikim me familjen shtron edhe problemin e urisë dhe ushqimit. Porosit ushqime, kërkon që pakoja e kufizuar në kilogramë, të mbushet me çfarëdo ushqimi, pse jo edhe me presh e gjellra. Nexhemdini ashtu sikur edhe të burgosurit e tjerë shqiptarë, në këtë letër, të vetmen që e disponojmë na jep për të kuptuar sesi jetonin të burgosurit, me çka ballafaqoheshin, sa shumë  interesoheshin për mbarëvajtjen e familjes e të tjera. Meqë letrat censuroheshin dhe për ndonjë shprehje të bindjes ndryshe  në raport me pushtetin edhe mund të fillonte procedurë penale, ai kufizohet në interesimin e tij për hallet e familjes, për skamjen dhe gjendjen e rëndë ekonomike. Ai e dinte mirë  për dhunën dhe izolimin që u bënte pushteti titist dhe autonomist i Kosovës, familjeve të të burgosurve.

I ngujuar në zinadan, i burgosuri Nexhemdin Pireva mendon për familjen, skamjen, ballafaqimin me egërsinë e pushtetit, e cila nuk thuhet hapur por nënkuptohet. Ai trishtohet kur e sheh nënën e tij, në gjendje tejet të dobët shëndetësore. Nuk e kishte parë me vite. I dukej se ishte plakur shumë, se nuk  do ta shihte më për së gjalli, edhe pse në letër shpreson se do të takohen përsëri.

Pasi del nga burgu në vitin 1990, nuk e merr dot veten. Dhuna, jeta nëpër burgje e kishte bërë të veten. Vdes në moshën 39-vjeçare.

 

“Kështu e ka jeta, kush në burg, e kush në liri, krejt e kam të qartë, çdo fjalë më shumë është e tepërt”…  Nexhmedin Pireva

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …