Zeqir Bekolli, “Dëshmi për krimin serb në Kosovë” (“Evidence of serbian crimes in Kosovo”), Prishtinë, 2014 Prof. dr. Shyqri Galica
Porsa ka dalë nga shtypi edhe një album fotografish me legjenda për krimet e bëra nga policia dhe ushtria serbe në Kosovë në periudhën e pushtimit serb dhe të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Autori i librit të parë për luftën e lavdishme të UÇK-së, Zeqir Bekolli, të cilin e publikoi në një kohë të tensionuar, në kohë lufte, me titull “Drenica në stinët e UÇK-së” (1998), që pa dyshim do të ndikonte në sensibilizimin e opinionit publik dhe të rritjes së radhëve të UÇK-së, duke sjellë të dhëna të pakontestueshme për heroizmin e Adem Jasharit dhe të familjes e të bashkëluftëtarëve të tij, që po sfidonin terrorin e barbarinë serbe si Mic Sokola modernë.
Qëndresa dhe sakrifica e jashtëzakonshme për lirinë e atdheut
Si publicist e krijues, Zeqir Bekolli do të shkruajë dhe dy monografi për dëshmorët tanë, Gani Helshani e Bejtë Rexhepi, pastaj dramën “Krismat e lirisë”, romanin “Fatet tragjike” dhe librin publicistik “Të pathënat për luftën e Kosovës”. Po të shikohen në ritmin e kohës, të rrethanave dhe të ngjarjeve të zhvilluara, këto vepra japin një kronologji të jetës sonë nën pushtim, të artikuluar nëpërmjet disa zhanreve historiko-dokumentare e letrare në kontekst të të gjitha përpjekjeve për lirinë e bashkimin e trojeve të këtij vendi. Mirëpo, me veprën më të re, albumin e dëshmive me fotografi, në shqip e anglisht, Dëshmi për krimin serb në Kosovë, Zeqir Bekolli ka arritur të paraqesë dhe një anë tjetër të realitetit tepër të hidhur të historisë sonë të re, qëndresën dhe sakrificën e jashtëzakonshme për lirinë e atdheut, duke filluar nga gjërat më elementare deri te larja e tokës shqiptare me gjakun e njomë të bijve dhe të bijave më të shtrenjta të atdheut. Pos një hyrjeje fare të shkurtër, i tërë albumi përbëhet nga fotografi, ku pjesa dërrmuese janë origjinale, janë bërë nga dora e autorit. Ndërkaq, legjendat japin sqarimet elementare, njoftime për vendin, personat dhe ngjarjet, të cilat e konkretizojnë mesazhin që del nga albumi, e bëjnë më funksional dhe më të qartë për receptuesin. Në këtë kontekst duhet kuptuar dhe lufta e fuqishme e UÇK-së, luftëtarët e së cilës po përballeshin me një ushtri e polici që nuk po zgjidhte asnjë mjet për ta nënshtruar e poshtëruar këtë popullatë.
Pasojat e luftës edhe sot ndihen shpirtërisht e fizikisht midis nesh
Albumi “Dëshmi për krimin serb në Kosovë” është realizuar në katër pjesë: “Mbijetesa”, “Masakrat”, “Rrënojat” dhe “Cremoni varrimi”. Të gjitha këto zhvillime barbare janë zënë me syrin e kamerës në kohën aktuale, që autori ka arritur t’i aktualizojë edhe pas kaq kohësh me përkushtimin dhe dashurinë për të paraqitur shumëçka, madje për herë të parë, sepse një pjesë e njerëzve tanë as kanë kaluar nëpër këto katrahura të Drenicës e as kanë dëgjuar deri në detaje. Por ky album edhe njëherë do t’ua bëjë të njohur njerëzve të botës që sot ngjarjet tragjike të Kosovës i trajtojnë si ngjarje ndoshta të rëndomta, pasojat e të cilave edhe sot ndihen shpirtërisht e fizikisht midis nesh. Kjo pasqyrë dinjitoze e sakrificave dhe e dashurisë për lirinë, të cilën vazhdimisht autori Zeqir Begolli e ka paraqitur nëpërmjet shkrimeve publicistike e dokumentare, pra, është dhe një fakt tjetër që flet për qëndresën, mundin dhe përkushtimin e popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të saj.
Albumi me fotografi e legjenda përkatëse është dhe rrjedhë e punës së autorit për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë edhe aktualisht për të diskredituar akuzat që dalin nga qarqet serbe e të botës, por dhe një përkujtues për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej populli i Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe bijtë e saj më të mirë na e sollën këtë ditë që të kujtojmë fitoret e lavdishme dhe të jetojmë të lirë.