Skënder Gjoni: Fatkeq është ai popull që i lë fatet e tij në duart e një klase politike të pamoralshme!

Skënder Gjoni: Fatkeq është ai popull që i lë fatet e tij në duart e një klase politike të pamoralshme!

Me Janullatosin Kryepeshkop të caktuar në një moment dobësie, popullit shqiptar iu imponua një fyerje e rëndë historike. Nënshkruesi i kësaj fyerjeje historike e ka emrin Sali Berisha.

Një nga vlerat shpirtërore më të rëndësishme të popullit shqiptar iu ngarkua nën kujdes një kryepeshkopi grek në një moment historik kur shqiptarët ëndërronin dhe prisnin rikthimin e riteve fetare, rikthim në besimin në Zot, nevojën e ngutëshme të kishave ku të shkonin të etur për të dëgjuar fjalët e ungjillit në shqip.

Fajin e madh historik të pranimit të Janullatosit në krye të kishës së Fan Nolit, Berisha tashmë mund ta ndajë me Presidentin aktual.

Kur shqiptarët t’a akuzojnë për këtë turp historik të pashlyeshëm ai do të ketë të drejtën që t’u thotë: Mirë unë e miratova në krye të kishës po ja Meta e bëri nënshtetas shqiptar. Në kushtet e nevojës unë ua solla po ishte ai që e bëri qytetar shqiptar. Si në një gjyq ku vrasësi çfajësohet se armën e krimit ia dha dikush tjetër.

Përse duhet të tregohemi kaq naivë dhe kundër interesave tona kombëtare?

Shtypi dhe media e kaloi në heshtje një artikull mbi propozimin e Janullatosit si President të Greqisë nga Kryeministri Tsipras. Padashur Tsipras ia zbuloi maskën njeriut të politikës greke në Shqipëri. Kaq i domosdoshëm dhe kaq shumë i rëndësishëm qënka ky prift për shtetin grek? Me të drejtë mund të themi që z.Janullatos është i veshur me rrobën fetare, ama funksionin e vërtetë e paska krejt tjetër.

Në vitin 1990 në Greqi numëroheshin 10 mijë priftërinj dhe 46 mitropolitë. Thonë se z.Janullatos është ndër më të shquarit prej tyre. Pikërisht më i shquari u dërgua në Shqipëri? Kjo tregon sesa peshë të jashtëzakonshme zënë interesat greke në vendin ku historikisht shovinizmi për territore shqiptare ka pasur si mbështetësin më të fuqishëm patriarkanën greke.

Përse i duhet tani Kryepeshkopit Janullatos nënshtetësia shqiptare aq më shumë që po shkon drejt fundit të jetës?

Nuk dyshoj se lobet e të ashtuquajturit Vorioepir mezi presin që Kryepeshkopi të bëhet qytetar shqiptar. Pas kësaj do nxitojnë ta kanonizojnë shenjt me varr pelegrinazhi në kishën në zemër të Tiranës. Siç e thotë proverba popullore për rastin e njeriut që e ka lënë litarin jashtë ashtu do jetë dhe ai varr në Kishën ortodokse në Tiranë. Nuk do jetë litar por një kabëll i trashë çeliku që do tërheqë fort Patriarkanën në zemër të Tiranës.

Nga këndvështrimi grek një tjetër vijë e Vorioepirit do vijë deri në mes të Tiranës. Në raste festash fetare vargu do marshojë drejt Tiranës, pak a shumë njëlloj si udhëtojnë autobuzët nga Greqia drejt fshatit Kolkondas ku thuhet se kanë qënë eshtrat e shën Kozmait.

Për këtë u duhet kryepeshkopi Janullatos nënshtetas shqiptar. Përderisa klasa politike që drejton vendin është pa fije dinjiteti kombëtar. Fatkeq ai popull që i lë fatet e tij në duart e një klase politike të pamoralshme!

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …