Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, sërish e quan krejtësisht demokratike kërkesën e deputetëve të Kuvendit për ta ndryshuar vendimin për Gjykatën Speciale, ndërsa po që se kjo gjykatë do të zhbëhej nga Kuvendi, ai tha se do ta nënshkruante pa hezitim. Në intervistë për RTK-së, Thaçi tha se kërkesat e ligjvënësve duhet të shihen si alternativë demokratike karshi dështimeve të mëdha dhe mospërmbushjes së zotimeve nga bashkësia ndërkombëtare në relacion me Kosovën. “Është iniciativa që nuk duhet dramatizuar as nënvlerësuar. Nisma e rreth 50 deputetëve është plotësisht ligjore që nuk e sfidon drejtësinë, por kërkon një alternativë dhe si e tillë duhet shikuar në rrafshin me serioz, më të përgjegjshëm dhe jo nga prizmi partiak apo i egove të askujt.
Ai ritheksoi se themelimi i kësaj gjykate ka qenë historikisht i padrejtë për Kosovën, por tha se institucionet vendore kanë sakrifikuar për shkak të zotimit të ndërkombëtarëve se do ta mbështesin Kosovën. Presidenti tha zotimet ndërkombëtare kanë qenë për mbështetje më të fuqishme për anëtarësim në UNESCO, në Këshillin e Evropës, në Interpol për themelimin e FAK-ut dhe për njohjet e reja përfshirë edhe njohjen e Kosovës nga pesëshja e BE-së.