Kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përgëzuar Bullgarinë me rastin e marrjes së kryesimit të Presidencës së Këshillit të Be-së, duke thënë se integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është zgjidhja e vetme për paqen stabile në Evropë.
“Shtetin e Bullgarisë e uroj për marrjen e kryesimit të Presidencës së Këshillit të BE-së. Këtë detyrë po e merr në kohë sfidash për BE-në, por edhe në momente të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënieve në mes të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Ne e mirëpresim kryesimin e Bullgarisë dhe presim që zëri i Ballkanit Perëndimor të dëgjohet më shumë në Bruksel dhe BE, duke kërkuar prej tyre që të mos lejojnë që rajoni ynë t’iu ikë nga duart dhe të rrëshqas në interesat e shteteve dhe ideologjive që nuk ia duan të mirën Ballkanit dhe Evropës. Shpreh mbështetjen e plotë të Kosovës për promovimin e integrimit sa më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, si zgjidhje e vetme për paqe të qëndrueshme në tërë kontinentin tonë”, ka shkruar Thaçi.