Vendimin për themelimin e Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë së lajmeve Kosovapress, e ka marrë Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një mbledhje të mbajtur, më 13 nëntor të vitit 1998.
Nisma për të hapur një radiostacion të luftës doli nga disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rreth kësaj nisme janë angazhuar, zëdhënësi i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, ndërsa idenë e kanë përkrahur dhe kanë ndihmuar: Azem Syla, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Ramë Buja, Fatmir Limaj, Salih Veseli, Naim Maloku, Kadri Veseli e të tjerë.
Lidhur me themelimin e radios, qysh më 22 qershor të vitit 1998, Ahmet Qeriqi së bashku me Ramë Bujën, kanë biseduar në fshatin Negroc me zëdhënësin e SHP të UCK-së, Jakup Krasniqi.
Më 23 korrik të vitit 1998, Nezir Myrtaj dhe Ahmet Qeriqi takuan në Kleçkë zëdhënësin Jakup Krasniqi, me të cilin biseduan lidhur me krijimin e kushteve për aktivizimin sa më të shpejtë të mediumeve informative të SHP të UÇK-së.
Angazhimi rreth hapjes së radios është ndërprerë me rastin e ofensivave serbe të korrikut dhe gushtit të vitit 1998.
Në fillim të tetorit të vitit 1998 Ahmet Qeriqi u konsultua me Shaban Shalën, përfaqësues i Drejtorisë Informative të SHP të UÇK-së, dhe të dy angazhohen për të sjellë teknikën e shtypshkronjës në Rrafshnaltë, meqë ishin krijuar kushte për nxjerrjen e një informatori ditor. Pajisjet teknike të shtypshkronjës asokohe ndodheshin në Krasmiroc të Drenicës.
Teknikën transmetuese të Radios, Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ia dhuroi pronari i radios Zërit i Kumanovës, këngëtari, Ismet Behxheti.
Angazhimin rreth mbartjes ilegale të transmetuesit 250 wat, miksetës dhe pajisjeve përcjellëse, pas peripecive disa mujore nga kumanova i kanë sjellë në selinë e SHP të UÇK-së në Divjakë, ushtarët: Mentor Hoxha, Basri Beka, Shaqir Shaqiri, Islam Berisha, Bajram Jashari, Bekim Haxhiu e të tjerë. Teknika transmetuese fillimisht ka qenë vendosur në malet e Qyqavisë e prej andej u bart në Berishë, në Rrafshnaltën e Drenicës.
Në nëntor të vitit 1998, bëhen përpjekjet e para për të vendosur antenën në Fshatin e Ri dhe për të filluar transmetimi më 28 nëntor të vitit 1998. Për shkaqe objektive u shty data e fillimit të hapjes. Në përpjekjen e parë për ta vendosur antenën, në Fshatin e Ri, Blerim Peja ka qëndruar së bashku me Xhevdet Gashin më 25 e 26 nëntor 1998, me ç rast kanë biseduar me komandant Musa Jasharin për vendosjen e antenës së Radios.
Në dhjetor të vitit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së vendos të themelojë radion e cila do të quhet “Kosova e lirë” dhe Agjencinë e lajmeve “Kosovapres”, dy institucione informative të UÇK-së. Përgjegjës për radio u caktua, Ahmet Qeriqi, ndërsa për agjencinë, Berat Luzha.
Gjatë muajit dhjetor, në Krojmir vijnë edhe kuadro të tjerë të cilët do të punonin në radio dhe në agjenci. Nga Prishtina kishte ardhur, Isë Krasniqi, i plagosur në luftë, muaj më parë, i cili për një kohë ishte shëruar Në koordinimin e punëve nga Hilmi Ramadani, vjen edhe Nusret Pllana, i cilin fillimisht ishte caktuar të punonte në Drejtorinë e Ekonomisë dhe të Financave, mirëpo duke qenë se kishte aftësi organizative dhe lexim të pastër e të qartë vendoset që Nusreti t`i bashkëngjitej stafit të Radios dhe të Agjencisë. Kishte zë të përshtatshëm për folës, lexonte pa gabime, me timbër të theksuar militant, që i përgjigjej konceptit të radios së luftës. Zëri dhe aktiviteti i tij i përkushtuar ndihmuan shumë për fillimin serioz të punës sidomos në Radio.
Kishte ardhur nga Gjermania ishte inkuadruar në radhët e UÇK-së edhe Martin Çuni, i cili asokohe ishte sistemuar në Zonën e Drenicës, por me të mësuar lajmin lidhur me hapjen e radiostacionit, Martini vjen në Krojmir, ku ishte vendosur stafi i Radios dhe i Agjencisë.
Më 1 janar të vitit 1999, Martin Çuni, sipas rekomandimeve nga Shtabi, vendos që selia e Radios dhe e Agjencisë të vendosen në shtëpinë e Rizah Asllan Berishës, në fshatin Berishë. Rizahu kishte pranuar që odën ta lironte për shërbime të radios dhe të agjencisë.
Më 3 janar u bënë përgatitjet e funditdhe u vendos që më datën 4 janar 1999, të transmetohet emisioni i parë eksperimental provues. Ahmet Qeriqi përgatit informatën e parë, e cila u emetua me rastin e hapjes së programit.
Më 4 janar arrijnë nga Prishtina Xhevdet Gashi, inxhinier i studios dhe transmetimit, pastaj Blerim Peja, e të angazhuar të tjerë. Ndërkohë ishin bërë përgatitjet e fundit. Përcaktohet që sinjal paralajmërues të jetë singla e komponuar nga Rauf Dhomi dhe e realizuar nga Efraim Kastrati. Singla paralajmëruese mbërthente përmbajtjen e akorduar të tingujve autentikë të një radioje militante të luftës.
Për fillimin e emetimit Ahmet Qeriqi dhe Martin Çuni shkëpusin një efekt muzikor nga kënga “Jam Kosova e shqiptarisë”, e cila është përcjellë me fjalët, “Ju flet Kosova e lirë”, të zëruar nga folësi i parë i Radios, Nusret Pllana.
Në orën 15 e 55 minuta në Rrafshnaltë, përballë pllakës përkujtimore të atdhetarit Rifat Berisha, ku paraprakisht ishte vendosur antena transmetuese, në prani të dhjetëra pjesëmarrësve, ka filluar të përhapet tingulli paralajmërues i Radios, i shoqëruar me togfjalëshin simptomatik, “Ju flet Kosova e lirë”. Emetimi ka qenë eksperimental dhe ka zgjatur 5 minuta. Veç tekstit të prezantimit të lajmërimit për fillimin e emetimit është lexuar edhe Komunikata e SHP të UÇK-së, që kishte të bënte me fillimin e punës në radio dhe në Agjenci.
Në hapjen solemne të radiostacionit “Kosova e lirë” kanë marrë pjesë: Jakup Krasniqi, Ramë Buja, Ahmet Qeriqi, Martin Çuni, Nusret Pllana, Xhevdet Gashi, Blerim Peja, Berat Luzha, Rizah Berisha, Milaim Berisha, Elez Durmishi, Isë Krasniqi, Ismet Sopi, Fadil Berisha, Nuri Bega, Adem Grabovci, dhe disa ushtarë të shtabit lokal të Berishës. Në orën 18.00 të 4 janarit arrin në Krojmir edhe Nezir Myrtaj. Ishte vonuar meqë, një ditë më parë, policia sekrete serbe, nga prita, kishte vrarë Enver Tefik Gashin nga Shtimja, një mik i Nezirit.
Radio-Kosova e Lirë, programi, emisionet, veçantitë
E themeluar në frontet e luftës sonë çlirimtare, duke qenë bashkëpjesëmarrëse në krijimin e proceseve politike dhe ushtarake të UÇK-së, Radio-Kosova e Lirë me kohë kishte krijuar pozicion të fortë militant kombëtar, me qëllim të propagandimit të luftës për liri, duke u bërë zëdhënëse e jehonës së krismave të pushkëve të legjendarit Adem Jashari dhe të trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Së bashku me Agjencinë e lajmeve Kosovapress, këto dy institucione informative të luftës afishuan përmbajtjen informative luftarake, duke u bërë digë e pathyeshme e informimit të drejtë dhe objektiv në afirmimin e vlerave të UÇK-së, në denoncimin e politikës pacifiste, ndërsa në anën tjetër duke i dhënë përkrahje të fuqishme dhe të parezervë luftës së UÇK-së kundër forcave okupatore jugosllave. Në komentet dhe vështrimet e Radios-Kosova e Lirë hetohej qartë pozicioni militant kombëtar, por edhe besimi i patundur në fitore. Radio-Kosova e lirë, besnikja e luftës çlirimtare, ashtu sikurse pati guxim ta paralajmërojë lirinë, më 4 janar të vitit 1999, duke shpërndarë në eter zërin metaforë të lirisë, ajo arriti që nga malet e Berishës, më 21 qershor të po atij viti të lajmërojë popullatën liridashëse të Kosovës për dëbimin e turpshëm dhe të përjetshëm të makinerisë policore dhe ushtarake serbe nga Kosova.
E krijuar në zjarrin e luftës çlirimtare, e kalitur ndër beteja, e rritur tok me trimat e trimëreshat e Kosovës, Radio-Kosova e Lirë, e cila gjatë luftës fliste për lirinë e Kosovës u bë arenë e militantizmit kombëtar dhe mbeti po ashtu arenë e hapur e forcave avangarde atdhetare edhe në periudhën e pasluftës. Radio-Kosova e Lirë pas përfundimit të luftës Duke i qëndruar besnike lirisë të Kosovës dhe duke frymëzuar brezat për të shtyrë përpara proceset pozitive të pavarësisë së vendit tonë dhe të bashkimit kombëtar, Radio-Kosova e Lirë, ka trajtuar dhe trajton problemet më fundamentale të historisë së kaluar dhe të tanishmes, e cila, edhe pse me vështirësi e me çalime po ecën drejt proceseve të pakthyeshme të pavarësisë dhe integrimit mbarëkombëtar.
Në këtë drejtim, Radio-Kosova e Lirë ka çarë përpara pa marrë parasysh pengesat, vështirësitë, sulmet e ndryshme, kërcënimet, kufizimin e dëgjueshmërisë nga Zyra e Komisionit të OSBE-së për Mediat, shantazhet e individëve të caktuar apo të qarqeve të ndryshme dhe neglizhencën e një pjese të faktorit vendor për të ndihmuar këtë zë autentik të lirisë. Edhe pse e pa përkrahur nga ata që, nuk do të duhej në asnjë mënyrë ta anashkalonin, edhe pse e injoruar nga injoruesit e lirisë, edhe pse e atakuar nga plehurina e së kaluarës titiste rankoviqiste, Radion-Kosova e Lirë, asnjëherë nuk e harruan invalidët e luftës, familjarët e dëshmorëve, veteranët e luftës, pjesëtarët e TMK-së dhe forcat e tjera atdhetare, të cilat nuk do të lejojnë të shuhet ky zë bese e zë lirie. Përmbajtja dhe temat e emisioneve të Radios-Kosova e Lirë Nga koncepti afirmativ kombëtar dhe nga ecuria e trajtimit të këtij koncepti burojnë edhe të gjitha përmbajtjet e emisioneve të Radios-Kosova e Lirë. Përveç pesë edicioneve ditore të lajmeve, të përgatitura gjatë ditës në studio, sajohen edhe emisione të tjera tematike, dokumentare, arsimore e pedagogjike, kulturore e muzikore. Shumëllojshmëria e emisioneve është rezultat i angazhimit të pandërprerë të stafit të gazetarëve të radios, për të krijuar një opinion serioz, larg banaliteteve, larg improvizimeve skematike dhe çoroditjeve banale që karakterizojnë shumë media në Kosovë, të shkruara dhe elektronike.
Programet dhe emisionet e Radios-Kosova e Lirë
Ruajtja dhe restaurimi i vlerave të njëmendëta njerëzore e kombëtare, i vlerave të qëndrueshme universale, serioziteti në trajtimin e emisioneve, i jep kësaj radioje një fizionomi autentike ku e kaluara gërshetohet me të tanishmen, si tërësi organike e origjinalitetit krijues në kohë dhe hapësirë. Në funksion të këtij koncepti janë ndërtuar emisionet e ndryshme si: Komenti i radios Emision ditor ku pasqyrohet koncepti i Radios-Kosova e lirë lidhur me problemet e caktuara politike, shoqërore, ekonomike, kulturore. Etj. Heroizmi i dëshmorëve të lirisë Emision tematik dokumentar, i përditshëm, për jetën dhe veprën e dëshmorëve të kombit. Deri tani janë realizuar më shumë se 1200 emisione autentike për dëshmorët. Të gjitha familjet e dëshmorëve kanë marrë falas nga një kasetë me emisionin e incizuar për dëshmorin, përcjellë me efekte muzikore dhe tekst dokumentar artistik. Radio-Kosova e Lirë emeton dy deri pesë orë në ditë emisione për dëshmorët. Personalitete të jetës sonë kulturore e historike Në kuadër të këtij emisioni dëgjuesit tanë njihen me jetën dhe veprat e krijuesve tanë, por edhe të krijuesve të vendeve të ndryshme të botës. Deri tani janë realizuar qindra emisione.
Informimi
Emisioni i lajme në çdo dy orë, pastaj komente, kritika, vështrime redaksionale por edhe të bashkëpunëtorëve të shumtë
Heroizmi i dëshmorëve të lirisë
Emision ditor, tematik dokumentar për dëshmorët e UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare kombëtare.
Emisionet tramsnetohen në ditërëniet e dëshmorëve, por edhe në data të caktuara. Janë realizuar shumica dërmuese e emisioneve.
Emisione speciale
Radio Kosova e Lirë në gjurmim dhe hulumtim të vlerave autentike kombëtare ka në fondin e vet qindra emisione speciale nga të gjitha tematikat e përmbajtjet. Janë këtp emisione të veçanta meqë trajtohen probleme të ndrsuhme nga e kaluara dhe aktualiteti përmes qasjeve realiste, shkencore.
Personalitete të rezistencës kundër pushtuesve
Emision tematik dokumentar për luftëtarët popullorë, për heronjtë dhe dëshmorët e kombit, për trimat e trimëreshat e kombit.
Emisione të drejtpërdrejta të kontaktit
Emisione të kontaktit me personalitete politike, shoqërore, ushtarake dhe personalitete të tjera të artit, kulturës, gjuhës dhe lëmenjve të tjerë. Janë realizuar qindra emisione të tilla.
Emisionet e kulturës
Emisione ku trajtohet një gamë e gjerë e temave të ndryshme të kulturës shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar. Deri tani janë realizuar më shumë se 200 emisione të tilla.
Në gjurmim të lashtësisë
Emision historik dokumentar ku trajtohen tema nga historia, gjuhësia, arkeologjia, etnologjia e të tjera.
Kalendari ditor enciklopedik dhe kalendari i luftës së UÇK-së
Trajton ngjarje të rëndësishme të kulturës, historisë, krijimtarisë, muzikës, shkencës si dhe ngjarjet më të rëndësishme të luftës së UÇK-së, betejat, rënia e dëshmorëve etj.
Tema historike nga e kaluara e lavdishme e popullit shqiptar
Emision i përditshëm në të cilin trajtohen ngjarje të shënuara nga historia kombëtare
E shtuna letrare artistike
Emision letrar ku shqyrtohen përmbledhjet poetike të poetëve, sidomos të poetëve e poeteshave të reja, duke recituar edhe vargje nga poezitë e botuara nga një poet i caktuar.
Proza jonë e zgjedhur
Po ashtu emision javor foljor- muzikor në të cilin lexohen fragmente nga proza e preferuar artistike e prozatorëve shqiptarë të së kaluarës dhe të prozës bashkëkohor.
Shkenca e popullarizuar
Emision mbi të arriturat më të reja në shkencë, në mjekësi, dhe përgjithësisht në shkencat e natyrës. Në kuadër të këtij emisioni trajtohen edhe tema nga ambienti, ekologjia etj.
Tema arsimore e pedagogjike
Trajtohen tema të ndryshme nga kultura, tema nga pedagogjia, arsimi, edukata e të tjera.
Nga arkivi i luftës së UÇK-së
Emision javor që rikthen në kujtesë ditët e lavdishme të luftës heroike të UÇK-së. Biseda në frontet e luftës me ushtarë dhe eprorëReportazhi i luftës Këto dy emisione javore rikthejnë në kujtesë momentet e regjistruara në diktafon në vende të ndryshme të Kosovës, gjatë kohës së luftës, biseda në front me ushtarët dhe eprorët, reportazhe në familjet e dëshmorëve, të martirëve dhe të invalidëve.
Dëshmi për krimet serbe në Kosovë
Po ashtu një emision javor specifik i Radios Kosova e Lirë ku flitet për monstruozitetet e kriminelëve serbë. Në këto emisione përfshihen edhe dëshmi autentike të personave që kanë mbijetuar krimet. Në kuadër të këtij emisioni kemi trajtuar edhe tema të ngjashme të krimeve serbe kundër myslimanëve, pastaj krimet ruse në Çeçeni etj.
Emisione të ndryshme speciale me karakter dokumentar artistik, kulturor, filozofik e shkencor
Gjatë programeve ditore trajtojmë edhe tema të caktuara speciale nga aktualiteti dhe nga lëmenj të caktuar kulturorë e shoqërorë. Përveç emisioneve të tilla, Radio-Kosova e Lirë emeton edhe programe muzikore, të muzikës serioze, argëtuese, programe për fëmijë, programe të marketingut, programe humoristike dhe emisione të ndryshme të kontaktit ku trajtohen tema aktuale sociale, politike ekonomike, sportive etj, janë në funksion të dëgjuesve të të gjitha moshave. Shumica e emisioneve janë arkivuar dhe ruhen.
Emisionet muzikore
Muzika folklorike, popullore, e përpunuar dhe muzika e lehtë në Radion Kosova e Lirë. Një veçanti tjetër të cilën e heton dëgjuesi sapo kontakton në valët e Radios-Kosova e Lirë është edhe muzika e zgjedhur. Radio-Kosova e Lirë është mbase radioja e vetme në tërë hapësirën etnike shqiptare që nuk emeton këngë të degjeneruara të grupeve apo këngëtarëve të caktuar, të cilët kopjojnë muzikën serbe, greke, turke e rome.
Për konceptin muzikor të kësaj radioje janë të pa emetueshme këngët e degjeneruara të matrapazëve të profiterisë publike, si dhe këngët e përmbajtjes rok, hip rep dhe të ngjashme.
Në Radion-Kosova e Lirë dëgjohen këngët antologjike të këngëve origjinale shqiptare, këngët e muzikës autentike nga të gjitha trojet etnike shqiptare. Emetohen të gjitha këngët për dëshmorët, këngë të rapsodëve të njohur, këngë të festivaleve kombëtare të muzikës folklorike, popullore dhe argëtuese, këngë korale, këngë arbëreshe, marshe për paradë, muzikë simfonike e autorëve shqiptarë, muzikë e përpunuar etj. Në radion Kosova e Lirë emetohen edhe disa këngë me vlera të shquara muzikore nga muzika e huaj. Përmbajtja e emisioneve foljore muzikore, tematike, dokumentare, shoqërore arsimore, e të tjera, si dhe trajtimi adekuat dhe me përgjegjësi profesionale i këtyre përmbajtjeve janë përparësitë në këtë drejtim dhe specifika krijuese të kësaj radioje kombëtare…
Në Radion-Kosova e Lirë punojnë aktualisht:
Ahmet Qeriqi, drejtor
Arbanë Qeriqi-Gashi, kryeredaktore dhe folëse,
Valdet Hoti, drejtor teknik,
Jeton Syla, përgjegjës i marketingut,
Zamir Qeriqi përgjegjës i IT,
Haki Gashi, operator i transmetimit,
Ajshe Myrtaj, operatore e transmetimit,
Fatmir Graiçevci, gazetar me orar të caktuar,
Epir Qeriqi, kontabilitet,
Rizah Berisha, punëtor, në Shtëpinë-Muze, në Berishë,
Azemine Berisha, punëtore teknike.
Kanë punuar në kohë të caktuar:
Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nusret Pllana, Afrim Berisha, Mejreme Maraj-Berisha, Tone Buzhala-Gashi, Habib Zogaj, Ismet Sopi, Shefqet Zeka, Gazmend Elshani, Sabrije Haxhiu, Sheqir Zeneli, Hatixhe Hoxha, Ali Gashi, Mehmet Bala, Fejzi Hajdari, Avni Dehari, Samed Elshani, Adnan Fejza, Isuf Hyseni, Agron Durmishi, Gazmend Qeriqi, Merxhan Avdyli, Bajram Dabishevci, Remzi Jashari, Selim Zeqiri, Zeqir Bekolli, Fatmir Gjinovci, Hajrije Maxharraj, Florë Pacolli, Hysnije Hyseni, Zelfije Pllana, Agron Çuni, Bujar Hajrizi, Kastriot Gashi, Milaim A. Berisha. Avni Qeriqi, Hasan Haxhiu, Zejnullah Halili, Jetish Kadishani, Minire Fetahu, Tomor Avdiu, Naim Zeqiri, Bekim Islami, Emine Hoti, Xhavit Muçaj, Driton Sejdiu, Jehonë Ademaj, Shyhrete Musaj, Arbërie Zogiani, Jetë Abazi, Bledion Baraliu, Kaltrinë Pajaziti, Devleta Hajredinaj, Dritë Slivova, Iliri Pireva, Endrit Myrtaj, Qëndresa Krasniqi, Dilaver Polisi, etj.