leoni

Hasan Qyqalla: Koreografi i ligjërimit poetik

Ligjërimi poetik i poetit, Mustafë Krasniqi, që edhe i takon plejadës së re, është i njohur për lexuesit dhe kritikën letrare shqiptare. Mbase edhe ka krijuar relacione komunikimi, jo vetëm me poezinë, por edhe me zhanret tjera letrare, ku do apostrofoja prozën e gjatë, ese, tregimet, … etj. Tani si një autor premtues na del para lexuesit me librin e radhës “Mbrëmja e fundit”.

 

Prandaj, shtrirja poetike e këtij vëllimi “Mbrëmja e fundit” është një qasje kryesisht që nuk ndryshon shumë nga krijimet e mëparshme, kundruall motivit që i hasim te ky autor. Megjithatë, uni i poetit,   vazhdon tutje si një gjurmues që shpërthen si vullkan për të bukurën, vlerën artistike , mbase edhe nuk krijon vetëkënaqësi me shtrirjet dhe prurjet e gjertanishme në krijimtarinë e tij.

 

   Te poeti në fjalë, shohim një porosi të qartë për të ardhmen, sidomos i jap një rëndësi të madhe asaj që brezat e ardhshme përmes krijimtarisë artistike ta njohin botën reale. Kjo edhe është e rëndësishme, mbase horizontet e arritjeve kombëtare çalojnë dukshëm në përditshmërinë me kohën. Përveç kësaj, poeti është kundër atyre zvarritjeve, qofshin kombëtare, apo zhvillimore, që e varfërojnë mirëqenien e popullit. Ndaj këtyre dukurive të shëmtuara, me të drejtë autori, ngreh zërin e tij kumbues edhe përmes klithjeve poetike, protestimeve, kryesisht ndaj platformës që udhëheq klasa politike, pa u ndalur në ngjyrimet e tyre identifikuese.

 

   Për poetin identifikim është gjaku i dëshmorëve, etnia, eshtrat dhe varrezat e të pagjeturve, sikur edhe qasja apo “loja” që bëjnë me ta “kryesunduesit e ligjit”. Madje, nuk harron edhe të mallkojë se:

 

  “do ju vret historia,

heu ju zëntë gjaku i të rënëve”!

 

Poeti sikur edhe nuk heziton, me vargun e tij të dalë hapur për atë se, idealet duhet vazhduar deri në finalizim e Shqipërisë Etnike, pavarësisht orekseve e favoreve të politikave perëndimore. Veçanërisht ju drejtohet organizmave ndërkombëtare, që ende sorollaten nëpër tokën e bekuar të Kosovës së shumëvuajtur dhe përpiqen të identifikojnë vrasësit me viktimën, për këtë poeti edhe thotë:

 

 Më ke ngrënë kuçedra plakë

Bar të thatë më ke lënë mbi varr

Që atë ditë bilbilat këndua s’kanë

Në mjegull pëllumbat m’i le në vajë.

 

Poeti shpalos edhe historikun e së kaluarës, duke vënë në pah të vërtetën me dëshmi të pakontestuara historike, rreth përgatitjeve me elaborate nga serbo – sllavët, për shfarosjen e një populli të tërë, pra të shqiptarëve. Këtu, nëse lexojmë me vëmendje, vërejmë paralelizmin që tërheq autori nëpër kohë, me kronologjizëm poetik dhe mjeshtri letraro- figurative.

 

Si shtrirje të dytë të motiveve ligjëruese, poeti ka mërgimin, brengë që e preokupon vazhdimisht, apo sikur do të thoshte Serembe “sa herë më zë nata e sa herë më zbardhë dita!”, përkundër valëve të jetës që u treguan të pamshirëshme me autorin.

 

Autori sikur përpiqet të gjej prehjen edhe në buzë lumit Inn ( lum në Gjermani), mbase edhe i kujton valët e lumit “Drenica”, buzë malit të Qiqavicës heroike, mes fushës që rikujton freskinë e luleve në livadhet e blerta. Po ashtu, përmes vargut, metaforës, simbolit krahasimit dhe figurës poeti sikur e shohim vetëm fizikisht jeton në mërgim, gjersa shpirtërisht prehjen e paralelizon me vendlindjen, me kroin e fshatit, me perëndimin e Diellit në qiellin e kuqërremtë. Gjithsesi, në krijimtarinë e tij vend meritor gjejnë edhe familja, mbase aty ka përditshmërinë, sikur edhe thotë:

 

 Kam një ndjenjë më thoni, e mos fshihni 

Njoh tim bir, kohë kam zëri i tij se më vije në vesh.

 

 Autori i këndon fëmijëve, mes të cilëve sheh rritën e Familjes, gruas që është shtyllë e Familjes, por kujtoj se Prindërit ende janë kryepërsonazhe të poetit.  Megjithatë, poetin e gjejmë në hallet e pleqërisë së Babait të tij, ku nga malli thotë: “Për dritën tënde digjem o at” Ndërsa për Nënën, varrin e saj ka shumë mall, dhe nuk harron t’i premtojë vizita te varri dhe t’ia freskojë varrin me lule që portretizon Nënën. 

Gjuha e poetit është standarde, e rrjedhshme, komunikatave, e kapshme për lexuesin. Ndërsa, struktura e ligjërimit tregon nivelin kreativ të autorit Mustafë Krasniqit, sidomos këtë kreativitet e gjejmë edhe te vëllimi  “Mbrëmja e fundit” që padyshim lexuesi nuk do të zhgënjehet, po do ta ndiejë vetën më të frymëzuar për të mos i shpëtuar pa e lexuar as një varg të poetit, Mustafë Krasniqit.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …